Idajet Beqiri: Gjykata verifikon mandate, nuk nxjerr të pavlefshëm KQZ

Idajet Beqiri, kreu i Partisë Uniteti Kombëtar, e ka cilësuar të gabuar vendimin e Gjykatës së Durrësit për mosdhënien e mandatit të kryetares së re të Bashkisë, Valbona Sakos. Beqiri tha se gjykata ka vetëm për detyrë të vërtetojë mandatin në lidhje me moshën, veprat penale dhe pastërtinë e figurës, por jo ligjshmërinë apo jo të regjistrimit të partive politike në zgjedhje. Gjykata nuk ka të drejtë të hedh si të pavlefshëm një vendim të KQZ tha Beqiri gjatë një interviste televizive.

“Gjykata e Durrësit ka marrë një barrë që nuk i takon. Ka bërë një gabim të rëndë. Gjykata ka për detyrë vetëm të vërtetojë mandatin. E ka specifike çfarë vërtetimi kërkohet. Kushtetuta thotë se vërtetimi bëhet për moshë, veprat penale dhe pastërtinë e figurës dhe jo të thotë se vendimi i KQZ është i pavlefshëm. Si mund të fusësh si palë Bindjen Demokratike, kur kërkuesi është vetëm Valbona Sako”. – tha Beqiri

Fletët e votimit të Vaut të Dejës, PD kërcënon KQZ: Do shkoni në burg

Partia Demokratike ka kërkuar që anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të dalin para drejtësisë dhe të shkojnë në burg për shpërdorim detyre ose të pranojnë se po gënjejnë për llogari të Edi Ramës. Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso deklaroi se KQZ gënjen në lidhje me fletët e votimit të 30 qershorit, sidomos në Vaun e Dejës ku votimet u kryen me fletë votimi të falsifikuara.

“Pretendimi i doganave dhe Komisionit Qendror të Vjedhjeve, 3 ditë pas denoncimit të skandalit, se sistemi doganor ditën e mbërritjes së fletëve të votimit për Vaun e Dejës, nuk ka funksionuar, është një alibi qesharake dhe mjerane. Dokumenti zyrtar doganor provon se fletët e votimit kanë qenë akoma në doganë në orën 8 të mëngjesit të datës 30 Qershor, ndërsa votimi në Vaun e Dejës ishte deklaruar i hapur një orë më parë, në orën 7 të mëngjesit.” – tha Koso

Kaso tha se alibia qesharake e KQZ-së se natën e ardhjes së fletëve të votimit nuk ka punuar sistemi doganor, rrëzohet nga dokumenti zyrtar i dalë nga vetë sistemi i doganave, ku shkruhet se fletët e votimit në orën 8 të mëngjesit ishin akoma në doganë.

“Çdo letër tjetër, e prodhuar me dorë për llogari të propagandës së Edi Ramës, 3 ditë pas denoncimit të skandalit, vetëm sa e thellon skandalin. Ajo provon se në këto votime, Komisioni Qendror i Vjedhjeve ka vepruar si organizatë kriminale. Gënjeshtra e KQZ-së del akoma më zbuluar, kur thotë se fletët e votimit janë porositur në 27 Qershor dhe janë prodhuar paraditen e 28 Qershorit. Në këtë rast 4 anëtarët e KQZ-së duhet të pranojnë se ose janë duke mashtruar, ose kanë shpërdoruar në mënyrë flagrante detyrën.  Ky është vendimi i KQZ-së i datës 28 Qershor, sipas të cilit urdhri për prodhimin e fletëve të reja të votimit për Vaun e Dejës është marrë në orën 6 të pasdites.” – thotë Kaso

Pak më herët, gjatë ditës së hënë KQZ tha në një deklaratë për mediat se fletët e votimit u printuan në Slloveni në datën 29 qershor, dhe janë sjellë në Shqipëri në orët e para të mëngjesit të datës 30 qershor, duke u shpërndarë më pas në Qendrat e Votimit.

PD akuza për fletë votimi false, KQZ: Erdhën nga Sllovenia në 30 qershor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike, se në Shkodër është votuar me fletë votimi false. Drilona Hoxha, zëdhënsja e KQZ-së, ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka treguar me detaje gjithë procedurën e riprintimit të fletëve të votimit në Slloveni pas shkatërrimit të materialeve zgjedhore në KZAZ-së në Vaun e Dejës).

KQZ shprehet se fletët e votimit u printuan në Slloveni në datën 29 qershor, dhe janë sjellë në Shqipëri në orët e para të mëngjesit të datës 30 qershor, duke u shpërndarë më pas në Qendrat e Votimit.

“Duke marrë shkas lidhur me akuzat për fletë e Votimit në Vaun e Dejës, KQZ se fletët e votimit janë prodhuar nga kompania sllovene e cila u kontaktua nga KQZ pas ngjarjes së ndodhur në KZAZ 6. Në procesverbalin e doganës në 30 qershor në 2:30 të mëngjesit shkruhet procedura e transportit të fletëve të votimit. Mjeti u regjistrua nga kompania TIMS në orën 01:58 minuta dhe fletët e votimit u kontrolluan nga punonjësit e KQZ”.

“Pas marrjes së dakordësisë është aplikuar procedura e deklarimit të thjeshtuar. pas kësaj procedure mjeti i është dorëzuar punonjësve të KQZ. Kjo procedurë ka përfunduar në orën 02″15 të mëngjesit. Fletët e votimit kanë mbërritur në Shkodër dhe shpërndarja e tyre ka përfunduar në orën 06 të mëngjesit, për të qenë gati para nisjes së orarit zyrtar të votimeve”, deklaron KQZ.

Zgjedhjet e 30 qershorit, Bindja Demokratike kërkon pavlefshmërinë e tyre në Tiranë e Shkodër

Bindja Demokratike ka ankimuar procesin elektoral të 30 qershorit në të gjitha ato zona zgjedhore ku ajo konkurroi me kandidatë për kryetarë ose këshilltarë bashkie. Pas rrëzimit të disa prej kërkesave të saj nga KQZ, këtë herë Bindja Demokratike kërkon që të shpall të pavlefshme zgjedhjeve në të gjitha Qendrat e Votimit të  Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe Bashkia Shkodër.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që do të shqyrtojë kërkesat e BD ditën e hënë në orën 11:00. Më herët KQZ i  ka hedhur poshtë disa nga animimet e partisë Bindje Demokratike për disa zona zgjedhore, me arsyetimin e nuk kishte prova që vërtetonin akuzat e saj.

Në akuzat e partisë Bindja Demokratike thuhet se procesi u administrua keq dhe ka pretendon se ka pasur shtim fiktiv të numrit të përgjithshëm të votuesve, si dhe ndryshim të votave në tavolinat e numërimit në favor të Partisë Socialiste dhe të aleatëve të saj.

Ankimimi është dorëzuar në KQZ nga anëtari i bordit të përkohshëm përfaqësues, Fabian Topollaj.

Kërkesa e PD, Skënderi i KQZ: Shkelje kushtetuese, zbulon vullnetin e votuesve

Me një kërkesë zyrtare, Partia Demokratike i drejtohej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve disa ditë më parë, ku i kërkonte vënien në dispozicion të materialeve zgjedhore. Në kërkesën e PD parashtroheshin 8 kërkesa, të cilat sipas PD-së bazoheshin në të drejtën e informimit. Megjithatë, pas refuzimit nga KQZ për të vënë në dispocion të Partisë Demokratike të materialeve zgjedhore, ka ardhur dhe reagimi zyrtar i anëtarit të KQZ, Bledar Skënderi, i cili ka sqaruar arsyen pse nuk është pranuar kërkesa e PD-së.

“Shumica e kërkesave të PD-së janë të paarsyeshme, pasi të gjitha rezultatet janë të hedhur në faqen e KQZ. Lista e pjesëmarrjes në votime? PD-ja ka kërkuar listën e printuar për çdo qendër votimi, por nuk i bëjmë ne, por Gjendja Civile. Ju mendoni se ka shprehur gabim kërkesën, pasi ka dashur të kërkojë listën e atyre që votuan”.

“Unë mendoj që këto të dhëna janë me karakter personal. Ne nuk hapim kutitë pa proces ankimor dhe të tilla historikisht vetëm kur i ka kërkuar prokuroria me vendim gjykate i janë vendosur në dispozicion. Janë të dhëna sensitive, PD-ja do të zbulojë vullnetin e shqiptarëve, por është shkelje Kushtetuese, ti thuash opinionit kush ka votuar apo jo” tha ai.

KQZ pranon kërkesën e “Kaubojsit”, hap 11 kuti votimi në Lezhë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hap ditën e premte 11 kuti votimi në qarkun e Lezhës, pas ankimimit të bërë nga partia Kombëtare Konservatore Albania.

Kjo parti është përfaqësuar me kandidatin Eduart Ndocaj, i cili ka deklaruar e në 30 qershor janë vjedhur votat nga komisionerët socialistë. Përfaqësuesi ligjor i Ndocaj paraqiti provat që bindën KQZ të hap 11 kuti votimi të qarkut Lezhë ditën e premte në orën 10:00.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi projektvendimet: 1. Shqyrtimi i kërkesës ankimore nr.58 paraqitur nga subjekti zgjedhor partia “Kombëtare Konservatore Albania”. Ditën e premte në orën 10:00, vijon shqyrtimi i kërkesës ankimore me marrjen e provave dhe rinumërimin e rivlerësimin e votave në 11 qendrat e votimit të objektit të kërkesës ankimore.’ – shkruhet në njoftimin e KQZ.

Eduart Ndocaj ishte një nga kandidatët për kryetar Bashkie të Lezhës, por arriti të merrte vetëm 6 % ose 790 vota. Bashkia e Lezhës u fituat nga kandidati socialist Pjerin Ndreu me 91 % ose 12922 vota, ndërsa kandidati i Bindjes Demokratike, Salvador Kaçaj mori 3 % ose 427 vota.

Veliaj çertifikohet zyrtarisht nga KQZ, merr mandatin dhe Valdrin Pjetri në Shkodër

Erion Veliaj është certifikuar me 4 vota pro dhe një kundër si kryetar i Bashkisë Tiranë, në mbledhjen e të enjtes nga Komisioni Qendror Zgjedhor. “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Qarku Tiranë, në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019”. KQZ vendosi të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Qarku Tiranë dhe të shpallë fitues për kryetarin e Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, propozuar nga “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, shkruhet në njoftimin zyrtar të KQZ.

Tashmë, i hapet rruga, që ky vendim i KQZ-së, të marrë miratim ligjor edhe nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ashtu siç veproi kryebashkiaku i sapozgjedhur i Elbasanit, Gledian Llatja. Gjithashtu, gjatë mbledhjes të së enjtes të KQZ-së, është certifikuar edhe rezultati për zgjedhjet në Bashkinë Shkodër.

“Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, Qarku Shkodër, në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019”. KQZ vendosi të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Shkodër, Qarku Shkodër dhe të shpallë fitues për kryetarin e Bashkisë Shkodër, z. Valdrin Pjetri, propozuar nga “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

PD njeh zgjedhjet: Do sfidojë rezultatin

Në një kohë që frenat e organizimit të protestës së 8 korrikut i ka kapur LSI, partnerja e saj në opozitës, PD-ja, vijon të merret me 30 qershorin. Ndonëse i bojkotoi dhe tha se nuk i njeh zgjedhjet, PD konteston rezultatin, njësoj sikur të ishte parti pjesëmarrëse në zgjedhje, pavarësisht se logjikisht, mosnjohja e zgjedhjeve duhet të shoqërohej edhe me mbylljen e këtij diskutimi.

Por jo, PD kërcënon tani, (gjë të cilën duhet ta bënte ndonjë parti pjesëmarrëse në garë), se do të padisë zëvendëskryetarin e KQZ-së, Denar Biba dhe deputetin Taulant Balla për krim zgjedhor.

“Ky është një rast skandaloz që e vendos KQZ-në në pozitën e një fasoni, që punon me materiale gjysëm të gatshme, të cilat i vijnë  nga zyra e Edi Ramës dhe bandës së tij. Taulant Balla është përfshirë në listën e personave që kanë kryer krim zgjedhor dhe bashkë me, Denar Bibën dhe kamikazë të tjerë do të paditen për shpërdorim detyre, fallsfikim dhe manipulim të votës”, tha ish-deputetja e PD-së, Orjola Pamuri gjatë një konference për shtyp nga Selia Blu, duke referuar rastin e numërimit të votave për bashkinë Elbasan.

Pra një rast i pazakontë që ndodh vetëm në Shqipëri, një parti politike që nuk merr pjesë në zgjedhje, për më tepër nuk e njeh fare procesin si të ligjshëm, tani që ka kaluar një javë nga fakti, jo vetëm që e njeh procesin zgjedhor zyrtarisht (pavarësisht se nuk e thotë), do që të bëhet dhe faktor, duke ngritur një padi për “krim elektoral”.

Opozita pretendon manipulim të zgjedhjeve, KQZ e rrëzon me fakte

Më pak se një javë nga mbajtja e zgjedhjeve të 30 qershorit, kur opozita i ka cilësuar zgjedhjet të paligjshme dhe ka kontestuar pjesëmarrjen në votime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një sqarim zyrtar shterues, duke iu përgjigjur opozitës që pretendon se në zgjedhjet e 30 qershorit votuan 15% e shqiptarëve. Sqarimi i KQZ nis me faktin që Kodi Zgjedhor nuk përcakton në asnjë dispozitë të tij që të publikojë informacion zyrtar për pjesëmarrjen ditën që mbahet votimi.

“Kodi Zgjedhor në asnjë dispozitë të tij nuk përcakton detyrimin që KQZ të publikojë  informacion për pjesëmarrje në zgjedhje gjatë ditës së votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht se pa detyrim të shprehur në Kodin Zgjedhor, në respekt të opinionit dhe interesit publik, si dhe rritjes së  transparencës për procesin zgjedhor, realizon dhënien e informacionit për pjesëmarrje në votim gjatë ditës së zgjedhjeve”, shprehet KQZ, duke saktësuar se informacioni për numrin e votuesve më 30 qershor ishte për arsye të transparencës dhe intersit publik.

Më tej, KQZ shprehet se informacioni që transmeton KZAZ në KQZ ditën e zgjedhjeve, bazohet në raportime nëpërmjet telefonit celular nga Komisionet e Qendrave të Votimit, ku për shkaqe objektive si mos mbulimi i zonave të caktuara gjeografike me sinjal telefonik, mungesës së komunikimit nga ana e sekretarëve të QV-ve, në asnjë rast nuk mund të pretendohet saktësia e tyre.

Një tjetër pikë që sqaron Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është dhe informacioni për numrin e zgjedhësve pjesëmarrës në votime, që u dha pas orës 19:00. Edhe në këtë pikë, KQZ shprehet se të dhënat që jepen nuk janë përfundimtare.

“Qendrat e Votimit mbyllen në orën 19:00, ose përtej kësaj ore për shkaqe të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Vetëm pas mbylljes së votimit, Komisioni i Qendrës së Votimit kryen procedurat për nxjerrjen e të dhënave, përfshirë edhe numrin e zgjedhësve që kanë votuar, dhe dokumentimin e tyre në procesverbalin që KQV plotëson duke respektuar procedurat e nenit 113 të Kodit Zgjedhor. Pra edhe në orën 19:00, kur Sekretari i KQV duhet të kryejë raportimin e fundit përmes telefonit celular, ai nuk disponon të dhënën e saktë për numrin e zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votime, pasi Kryetari i KQV, nën vëzhgimin e të gjithë anëtarëve të KQV dhe të vëzhguesve, nuk ka kryer ende veprimet për përcaktimin e numrit të zgjedhësve që kanë votuar mbi bazën e nënshkrimeve të tyre në listën e zgjedhësve dhe në Rregjistrin e Posaçëm të Zgjedhësve”, shprehet KQZ.

Duke sqaruar se mënyra e transmetimit të informacionit nga KZAZ-të në KQZ për pjesëmarrjen në votime gjatë ditës së zgjedhjeve, nuk është i rregulluar me akt normativ, institucioni më i lartë i administrimit të zgjedhjeve sqaron se: “Transmetimi i informacionit nga KZAZ në KQZ për pjesëmarrje në votime përmes  telefonit celular, është përdorur edhe në zgjedhjet e mëparshme në kushtet e mungesës së modulit për realizimin e transmetimit të tij.  Në zgjedhjet vendore 2015, ato për Kuvendin 2017, zgjedhjet e pjesshme 2013, 2016, 2017, transmetimi i informacionit për pjesëmarrje në votime nga KZAZ-të në KQZ është bërë si përmes dërgimit me e-mail të të informacionit, po ashtu edhe me anë të telefonit celular kur KZAZ nuk arrinin të dërgonin informacion në rrugë elektronike, për shkak të ngarkesës së punës ose qoftë edhe për neglizhencë”.

Një tjetër pikë, ku KQZ argumenton dhe rrëzon pretendimet e opozitës se ka pasur shtim të fletëve të votimit, është dhe një rast ilustrimi nga zgjedhjet e vitit 2017. “Për ilustrim, në  zgjedhjet 2017, të dhënat e publikuara nga KQZ për pjesëmarrjen në zgjedhje në orën 10:00 referonin raportimet e bëra nga 25% e QV; në orën 13:00 referonin raportimet e bëra nga 26,37% e QV, në orën 16:00 referonin raportimet e bëra nga 11,30% e QV, dhe  në orën 19:00 referonin raportimet e bëra nga 19% e QV”, shkruan KQZ.

Në fund, KQZ shprehet se saktëson se “Sa më sipër, edhe në zgjedhjet e datës 30 qershor, sikundër edhe në proceset zgjedhore të mëparshme, publikimi i informacionit nga KQZ për pjesëmarrje në votime gjatë ditës së zgjedhjeve, ka referuar të dhëna të cilat nuk mundet të konsiderohen të dhëna zyrtare përfundimtare për pjesëmarrjen në votime, sikundër në çdo zgjedhje janë konsideruar informacion paraprak dhe nuk janë përputhuar me të dhënat zyrtare që  disponohen vetëm nga dokumentacioni zyrtar zgjedhor: procesverbalet e plotësuara nga KQV pas mbylljes së votimit”.

Kërcënoi Zgurin, flet autori: Kërcënova dhe Ramën por më bëri…‘block’

Garda e Republikës mori në mbrojtje të premten më 5 korrik kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri. Kreu i KQZ kishte kërkuar mbrojtje për vete dhe familjen e tij, pasi kishte marrë një mesazh kërcënues në rrjetet sociale. Report TV, ka raportuar pasditen e të premtes, se ka zhvilluar një bisedë me personin që mendohet se ka qenë autor i kërcënimit të Klement Zgurit. Bëhet fjalë për shtetasin Emiljan Pjetri nga Shkodra, që aktualisht banon në Greqi. Sipas lajmit të Report Tv, personi në fjalë ka pranuar kërcënimin ndaj kreut të KQZ.

“Kam shumë vite që jam jashtë kam nja 10 vite që nuk vij në Shqipëri, jam në Athinë. Po shoh atje disa kriminelë si puna e Klement Zgurit, kujtojnë se mund të bëjnë çfarë të duan. Klement Zguri më shqetëson se është një këlysh i Ilir Metës. Nuk ka gardë republike që t’i mbrojnë nëse ata duan të bëjnë çfarë të duan vet. Këto kërcënime nuk i bëj si militant, i bëj për Shqipërinë, unë jam emigrant”, është shprehur Pjetri.

Megjithatë, ky kërcënim nuk është i vetëm, që Pjetri ka bërë ndaj politikanëve apo zyrtarëve të lartë në Shqipëri. Ai ka pohuar se të njëjtën gjë ka bërë dhe ndaj Kryeministrit Edi Rama apo presidentit Ilir Meta. Madje, Emiljan Pjetri kathënë se Rama i kishte bërë dhe ‘block’ në rrjetet sociale.

“Unë të njëjtën gjë ja kam bërë edhe Edi Ramës për armët kimike, ja kam bërë me telefon madje. Me arsyen që ka dashur të sjellë armët kimike në Shqipëri, prandaj e kërcënova Ramën. I kam thënë se nëse i sjell armët kimike do të kesh pasoja ti dhe familja jote. Edi Rama më ka bërë block në Facebook sepse nuk i pëlqen e vërteta. Arsyeja është që ata janë kriminelë. Ata e kanë bërë dynjanë me ikë nga Shqipëria. Do t’ja bëj nëse…nuk e bëj për Edi Ramën, jo e kërcënoj por ja bëj atij legeni”, thotë Pjetrit për gazetaren Kodra.

“Akuzë e rëndë, po ja bëj vërtetë. Nuk mund të tallet njeri me popullin”, thekson ai. “Edhe Ilir Metës ja kam bërë këtë punë unë. Jo tani për zgjedhjet se nuk ja kam numrin e telefonit se më ka bllokuar”, tregon shkodrani. “Policia më ka shpallur në kërkim mua? Policia shpall në kërkim kot. Unë mund të arrestohem por ata nuk e dinë se çfarë do bëj kur të dal nga burgu. Ata mund të kenë frikë kur të dal unë prej burgut pastaj”, rrëfen ai. “Edhe Ditmir Bushatit kur ishte ministër i Jashtëm, që bëri diçka jo të mirë për popullin, nuk po e jap arsyen”, përfundon ai.

Skip to toolbar