PD njeh zgjedhjet: Do sfidojë rezultatin

AKTUALITET


Në një kohë që frenat e organizimit të protestës së 8 korrikut i ka kapur LSI, partnerja e saj në opozitës, PD-ja, vijon të merret me 30 qershorin. Ndonëse i bojkotoi dhe tha se nuk i njeh zgjedhjet, PD konteston rezultatin, njësoj sikur të ishte parti pjesëmarrëse në zgjedhje, pavarësisht se logjikisht, mosnjohja e zgjedhjeve duhet të shoqërohej edhe me mbylljen e këtij diskutimi.

Por jo, PD kërcënon tani, (gjë të cilën duhet ta bënte ndonjë parti pjesëmarrëse në garë), se do të padisë zëvendëskryetarin e KQZ-së, Denar Biba dhe deputetin Taulant Balla për krim zgjedhor.


“Ky është një rast skandaloz që e vendos KQZ-në në pozitën e një fasoni, që punon me materiale gjysëm të gatshme, të cilat i vijnë  nga zyra e Edi Ramës dhe bandës së tij. Taulant Balla është përfshirë në listën e personave që kanë kryer krim zgjedhor dhe bashkë me, Denar Bibën dhe kamikazë të tjerë do të paditen për shpërdorim detyre, fallsfikim dhe manipulim të votës”, tha ish-deputetja e PD-së, Orjola Pamuri gjatë një konference për shtyp nga Selia Blu, duke referuar rastin e numërimit të votave për bashkinë Elbasan.

Pra një rast i pazakontë që ndodh vetëm në Shqipëri, një parti politike që nuk merr pjesë në zgjedhje, për më tepër nuk e njeh fare procesin si të ligjshëm, tani që ka kaluar një javë nga fakti, jo vetëm që e njeh procesin zgjedhor zyrtarisht (pavarësisht se nuk e thotë), do që të bëhet dhe faktor, duke ngritur një padi për “krim elektoral”.




Skip to toolbar