Opozita pretendon manipulim të zgjedhjeve, KQZ e rrëzon me fakte

AKTUALITET


Më pak se një javë nga mbajtja e zgjedhjeve të 30 qershorit, kur opozita i ka cilësuar zgjedhjet të paligjshme dhe ka kontestuar pjesëmarrjen në votime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një sqarim zyrtar shterues, duke iu përgjigjur opozitës që pretendon se në zgjedhjet e 30 qershorit votuan 15% e shqiptarëve. Sqarimi i KQZ nis me faktin që Kodi Zgjedhor nuk përcakton në asnjë dispozitë të tij që të publikojë informacion zyrtar për pjesëmarrjen ditën që mbahet votimi.

“Kodi Zgjedhor në asnjë dispozitë të tij nuk përcakton detyrimin që KQZ të publikojë  informacion për pjesëmarrje në zgjedhje gjatë ditës së votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht se pa detyrim të shprehur në Kodin Zgjedhor, në respekt të opinionit dhe interesit publik, si dhe rritjes së  transparencës për procesin zgjedhor, realizon dhënien e informacionit për pjesëmarrje në votim gjatë ditës së zgjedhjeve”, shprehet KQZ, duke saktësuar se informacioni për numrin e votuesve më 30 qershor ishte për arsye të transparencës dhe intersit publik.


Më tej, KQZ shprehet se informacioni që transmeton KZAZ në KQZ ditën e zgjedhjeve, bazohet në raportime nëpërmjet telefonit celular nga Komisionet e Qendrave të Votimit, ku për shkaqe objektive si mos mbulimi i zonave të caktuara gjeografike me sinjal telefonik, mungesës së komunikimit nga ana e sekretarëve të QV-ve, në asnjë rast nuk mund të pretendohet saktësia e tyre.

Një tjetër pikë që sqaron Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është dhe informacioni për numrin e zgjedhësve pjesëmarrës në votime, që u dha pas orës 19:00. Edhe në këtë pikë, KQZ shprehet se të dhënat që jepen nuk janë përfundimtare.

“Qendrat e Votimit mbyllen në orën 19:00, ose përtej kësaj ore për shkaqe të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Vetëm pas mbylljes së votimit, Komisioni i Qendrës së Votimit kryen procedurat për nxjerrjen e të dhënave, përfshirë edhe numrin e zgjedhësve që kanë votuar, dhe dokumentimin e tyre në procesverbalin që KQV plotëson duke respektuar procedurat e nenit 113 të Kodit Zgjedhor. Pra edhe në orën 19:00, kur Sekretari i KQV duhet të kryejë raportimin e fundit përmes telefonit celular, ai nuk disponon të dhënën e saktë për numrin e zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votime, pasi Kryetari i KQV, nën vëzhgimin e të gjithë anëtarëve të KQV dhe të vëzhguesve, nuk ka kryer ende veprimet për përcaktimin e numrit të zgjedhësve që kanë votuar mbi bazën e nënshkrimeve të tyre në listën e zgjedhësve dhe në Rregjistrin e Posaçëm të Zgjedhësve”, shprehet KQZ.

Duke sqaruar se mënyra e transmetimit të informacionit nga KZAZ-të në KQZ për pjesëmarrjen në votime gjatë ditës së zgjedhjeve, nuk është i rregulluar me akt normativ, institucioni më i lartë i administrimit të zgjedhjeve sqaron se: “Transmetimi i informacionit nga KZAZ në KQZ për pjesëmarrje në votime përmes  telefonit celular, është përdorur edhe në zgjedhjet e mëparshme në kushtet e mungesës së modulit për realizimin e transmetimit të tij.  Në zgjedhjet vendore 2015, ato për Kuvendin 2017, zgjedhjet e pjesshme 2013, 2016, 2017, transmetimi i informacionit për pjesëmarrje në votime nga KZAZ-të në KQZ është bërë si përmes dërgimit me e-mail të të informacionit, po ashtu edhe me anë të telefonit celular kur KZAZ nuk arrinin të dërgonin informacion në rrugë elektronike, për shkak të ngarkesës së punës ose qoftë edhe për neglizhencë”.

Një tjetër pikë, ku KQZ argumenton dhe rrëzon pretendimet e opozitës se ka pasur shtim të fletëve të votimit, është dhe një rast ilustrimi nga zgjedhjet e vitit 2017. “Për ilustrim, në  zgjedhjet 2017, të dhënat e publikuara nga KQZ për pjesëmarrjen në zgjedhje në orën 10:00 referonin raportimet e bëra nga 25% e QV; në orën 13:00 referonin raportimet e bëra nga 26,37% e QV, në orën 16:00 referonin raportimet e bëra nga 11,30% e QV, dhe  në orën 19:00 referonin raportimet e bëra nga 19% e QV”, shkruan KQZ.

Në fund, KQZ shprehet se saktëson se “Sa më sipër, edhe në zgjedhjet e datës 30 qershor, sikundër edhe në proceset zgjedhore të mëparshme, publikimi i informacionit nga KQZ për pjesëmarrje në votime gjatë ditës së zgjedhjeve, ka referuar të dhëna të cilat nuk mundet të konsiderohen të dhëna zyrtare përfundimtare për pjesëmarrjen në votime, sikundër në çdo zgjedhje janë konsideruar informacion paraprak dhe nuk janë përputhuar me të dhënat zyrtare që  disponohen vetëm nga dokumentacioni zyrtar zgjedhor: procesverbalet e plotësuara nga KQV pas mbylljes së votimit”.




Skip to toolbar