Rama në “Real Story”: Të hënën ftoj Bashën, s’ndaj më pushtet, zgjedhjet më 2021

Kryeministri Edi Rama zgjodhi Vlorën për të mbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit. Në fakt, mitingu përbmbyllës në “Lungo Mare”, nuk ishte fjala e fundit elektorale e Edi Ramës, pasi atë e tha, padyshim, në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla dhe përballë analistëve Skënder Minxhozi, Arian Vasiari, Agron Gjekmarkaj dhe Alfred Lela. Në studion e improvizuar të “Real Story” në qytetin e Vlorës, Kryeministri Edi Rama foli për shumë tema, duke nisur fillimisht me fushatën elektorale, dhe më pas me krizën politike. Ai sqaroi se pas zgjedhjeve do të ftojë Lulzim Bashën për të zgjidhur krizën, ndërsa theksoi se nuk do të pranojë ndarje të pushtetit si në 2017 me PD-në. Për më tepër, lexoni pjesët më të rëndësishme të deklaratave të Kryeministrit në “Real Story”, që ishte një transmetim maratonë, nisi rreth orës 20:00 dhe përfundoi vetëm disa minuta para nisjes së heshtjes elektorale.

Rama në “Real Story”: Negociatat me BE kanë nisur teknikisht, dialogu me PD varet nga 30 qershori

Nga Vlora në “Real Story”, Edi Rama u shpreh se negociatat me BE-në janë hapur teknikisht, ndërsa PO-ja, politike, do të vij në tetor. “Vjet KiE ka thënë që negociatat do të hapen në qershor të këtij viti. Teknikisht negociatat Shqipëria ka nisur procesin, por politikisht PO-ja nuk është dhënë e plotë. Defakto procesi teknik ka filluar”, tha Rama.  Ndërkohë, pas 30 qershorit, dialogu me PD-në, për Edi Ramën do të varet pikërisht nga ajo që do të ndodhë ditën e zgjedhjeve. Shmangia e dhunës ditën e zgjedhjeve nga PD, për Edi Ramën do të jetë një barrë  më e madhe për PS-në që të jetë më kreative për të ofruar hapësira dhe pika kontakti me kundërshtarët.

“Nëse ata nuk do futen në një narrativë të re do të jetë tmerrësisht e vështirë për ta. Pas 30 qershorit do të jetë barrë më e madh për ne që të jemi më kreativ për të ofruar hapësira dhe pika kontakti për ta. Do varet shumë nga e diela, nëse ata do vazhdojnë me marrëzinë, do të jetë shumë e vështirë. Të dielën harroje, shko në plazh. Harroje të dielën, do marrësh më qafë PD”. Më tej, kreu i Qeverisë, u shpreh se zgjedhjet e ardhshme do të jenë më 2021, ndërsa ndarje të pushtetit me PD-në nuk do të ketë, duke lënë të kuptohet, se në negociatat për dialog pas 30 qershorit, PS-ja nuk do të pranojë kushtin e qeverisë teknike dhe largimin e Kryeministrit.

“Zgjedhjet janë në 2021, periudha është e gjatë për ata që janë angazhuar në revolucionin imagjinar. Nëse do dalin nga kjo rrugë marrëzie, do tu duket shumë e shkurtër pasi do duhet të organizohen. Pushtetin e ndan populli, ajo që po them është kjo; nëse nuk do dimë këtë përgjegjësi të madhe, do të jetë një plus për ata, që do të kapitalizojnë mbi kusuret tona. Ata janë një parti njerëzish rrogtarësh. Votuesit e tyre nuk mund të angazhohen me ato kapacitete për të përmbysur PS-në”.

Realstory, Rama: Jam gati të ulem që të hënën me PD në tavolinë

I pyetur nga gazetari Sokol Balla në Real Story a do të ketë dialog dhe marrëveshje pas 30 qershorit, Rama tha se ai është i hapur dhe çdo gjë varet nga ata. Rama tha se takimi në tavolinë  und të ndodh që të hënën, mjafton që PD të ketë ardhur në vete. “A do ketë apo jo dialog apo një marrëveshje bashkëpunimin pas 30 qershorit, kjo varet nga ata. Unë jam i hapur për çdo dialog dhe marrëveshje bashkëpunimi. Jam gati të dialogojë dhe të ulem në tavolinë që të hënën për të gjetur një rrugë për rikthimin e opozitës në parlament . Nuk kam asnjë lloj kushti apo paragjykimi. Basha mund të vijë në tavolinë dhe të thot “Rama ik” por ta thotë në tavolinë. Nëse shoh që PD ende nuk ka ardhur në vetë do i them hajde po iki…nga tavolina.”

Kryeministri Edi Rama foli edhe për fenomenin e shit-blerjes së votës, duke thënë se ka qenë gjithmonë kështu. Por Rama mohoni se Partia Socialiste dhe ajo Demokratike nuk vjedhin vota, nuk kanë interes dhe nuk funksionon kështu. LSI dhe partitë e vogla janë tjetër gjë tha Rama në Real Story. “PS dhe PD nuk vjedhin vota, se nuk funksion. LSI dhe partitë e vogla janë tjetër gjë. Mund të ketë fenomene sporadike, tek PD apo PS, por janë të rralla. Shikoni sondazhet dhe do t’i shihni”.  Rama tha gjithashtu se populli nuk është budalla dhe gjithmonë ka votuar saktë. “Populli shqiptar është shumë i mençur dhe nuk kane votuar kurrë gabim. Nuk votoi gabim në 1991, as në 1992 dhe as në 2009. Edhe në 2009 kanë votuar shumë saktë. Kanë votuar për një barazim. Ka qenë një rezultat shumë i ngushtë.”  

Rama në Realstory: PD Nuk do marrë fund pas 30 qershorit, i duhet të reflektojë

Menjëherë pas mbarimit të fushatës elektorale në Vlorë, Kryeministri Rama ishte i ftuar në emisionin Real Story të gazetarit Sokol Balla. Rama foli për Partinë Demokratike dhe reflektimin që ajo duhet të bëjë pas 30 qershorit. Gjithashtu Rama nuk pranoi që këto zgjedhje të quhen monopartiake, pasi ka shumë parti të tjera që marrin pjesë, pavarësisht se në të mungon kandidati kryesor.

“Kërkuan të veremosin Shqipërisë dhe  do të marrin atë që meritojnë. Nuk do zhduken si parti pas 30 qershori, të pakën jo PD, ajo do të jetë aty. Patjetër që do të dalë shumë rrënuar nga kjo histori, por duhet të reflektojë dhe riorganizohet, për t’u rikthyer si një alternativë e besueshme. E vetmja gjë që PD do përballet pas 30 qershorit është me militantët, struktura dhe demokratët e saj. Jemi në kushte ku nuk kemi kundërshtarë kryesorë në garë dhe për këtë nuk mund të fajësohemi, por këto nuk janë zgjedhje moniste pasi ka parti të tjera në garë. Për sa i takon dekreteve të Metës janë si të kohës së Haxhi Qamilit. Ato nuk janë dekrete janë një marrëzi dhe fakti që Shqipëria ka institucione sot kemi një 30 qershor që do dalim të votojmë. Nëse 30 qershori do të ishte i paligjshëm, nuk do të kishim një zë kaq të fuqishëm të SHBA dhe BE kundër opozitës dhe mbajtjes së zgjedhjeve në atë datë.” – tha Rama

Kriza politike, Rama në Real Story: Leksion demokracie, s`ka arsye për frikë në 30 qershor

Kryeministri Edi Rama deklaroi në “Real Story” për gazetarin Sokol Balla, se nuk ka arsye për të pasur frikë për të dalë për të votuar në 30 qershor. “Kjo botë nuk është e frikacakëve. Nuk ka arsye për të pasur frikë, mund të ketë gjëra sporadike, por ne i kemi marrë të gjitha masat, por kushdo që do të shkelë vijën e kuqe do të përballet me të gjitha pasojat. Është e vërtetë besimtar dhe votues, anëtar të atyre që nuk janë në garë, mund të jenë krejtësisht në pamundësi për të shkuar për të votuar, por këtë nuk ua hoqi PS, ua hoqi partia e tyre”, u shpreh Rama. Shefi i Qeverisë, që zgjodhi studion e “Real Story” për të mbyllur publikisht fushatën elektorale, u shpreh se PD-ja është tërhequr pas një presioni të jashtëzakonshëm të SHBA-së, ndërsa tha se plani për dhunë dështoi. “Merrni në pyetje kryebashkiakun e shkarkuar të Vaut të Dejës dhe dëgjoni çfarë thotë ai. Nga njëra anë PD thotë e organizuam ne sulmin ndaj KZAZ-së, ndërsa ai thotë që e organizoi partia. PD ka një javë që hedhë gurin dhe fsheh dorën, pas një trysnie të jashtëzakonshme nga SHBA. Kjo është e gjitha pjesë e të njëjtit plan, plani ka dështuar, por ka kërcitje tek-tuk. Nëse plani nuk do kishte dështuar, do ishin djegur të gjitha KZAZ-të e Shqipërisë. Pra ky ka qenë plani”, tha Kryeministri Rama.

Ram u shpreh gjithashtu, se Shqipëria do e kalojë me sukses testin e zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërsa pas kësaj date, historia e partive politike që kërkojnë fitore në tavolinë dhe që imponojnë rregulla të pashkruara, do të marrë fund njëherë e mirë. Ndërkohë, shtoi se ai nuk e ndjen veten as fajtor, as faktor dhe aktor për krizën.

“Nuk ndihem as aktor, as faktor as fajtor per krizën. Ndihem mirë që plani për të futur Shqipërinë në një rruge pa krye, ka dështuar. Unë ndihem mirë që Shqipëria do e kalojë këtë test me sukses. Plani i turpshëm për ta marrë peng procesin zgjedhor, dështoi. Mund të ketë dëmtuar çeljen e negociatave përkohësisht, por nuk ka arritur dot të imponojë një rregull të ri që një palë imponon rregull të pashkruar për palën tjetër. Nuk do kemi më pas 30 qershorit parti politike që do ëndërrojnë fitore duke braktisur zgjedhjet. Ky film ka këtë fund dhe ky është sezoni i fundit i një seriali që ka vite që zhvillohet. Do nis një serial i ri, që nuk përjashtohen tensionet dhe polemikat. Ama jo më kështu, kjo histori mbaroi. Nuk kanë për të parë më shqiptarët situata të tilla. Ky është një leksion historik demokracie”, tha Rama./Realstory.al/

Kriza, analiza në “Real Story”: Zgjidhja vjen nga ndërkombëtarët, pas 30 qershorit!

Kriza politike dhe situata në vend në prag të zgjedhjeve të 30 qershorit, ishte tema e diskutimit në emisionin e mbrëmjes të së mërkurës në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në Vizion Plus. Të ftuarit e mbrëmjes ishin analistët Agron Gjekmarkaj, Skënder Minxhozi, Erl Murati dhe Roland Lami. Gjatë analizës, Skënder Minxhozi u shpreh se opozita i ka bërë llogaritë gabim në momentin që dogji mandatet dhe nisi protestat për largimin e Edi Ramës. “Biem dakord të gjithë që këto janë votime. Por çfarë ndodh nëse Edi Rama në 2021 del dhe deklaron që nuk ka zgjedhje këtë vit, shihemi pas një viti? Elementët të cilët opozita i ka llogaritur keq kur i hyri kësaj rruge, sot po duken të gjitha. Opozita nuk u nis për të dështuar zgjedhjet lokale por për te rrëzuar qeverinë”, tha ai.

Debati u fokusua në pjesën kryesore të tij te roli i ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizës. Agron Gjekmarkaj u shpreh se ata janë duke u përpjekur të shkurajojnë opozitën, ndërsa qeverisë i kërkojnë të mbajë një profil të ulët. “Ata përpiqen ta shkurajojnë opozitën në aksionin e vetë, dhe nga ana tjetër ata i kërkojnë qeverisë që të mbajë profil të ulët.  Kriza ishte në mesin tonë dhe persëri them që qëndrimi i opozitës se si del ajo në ndeshjen epike me ndërkombetarët, është qendrimi i duhur. Rama i mori zgjedhjet me tepsi e timon, e s`do i mari me filxhan”.

Për analistin Erl Murati, kjo nuk është hera e parë që opozitat në Shqipëri përplasen me ndërkombëtarët, ndërsa shtoi se Lulzim Basha është i detyruar të pamundësojë zgjedhjet për shkak të presionit nga militantët. “Kjo nuk është hera e parë që ndërkombëtarët përplasen me opozitën në Shqipëri. Unë lexova një fjalim të Ramës në dhjetor të 2010, dhe dilte kundër OSBE.  Lulzim Basha gjendet përpara situatës kur duhet patjetër të pamundësoi zgjedhjet e 30 Qershorit. Ka presion nga militantët, nga të zgjedhurit vendor”.

Roland Lami e sheh rolin ndërkombëtar si të lidhur ngushtë me vendin tonë. Sipas tij, Shqipëria është një vend që ndan sovranitetin me faktorin ndërkombëtar, ndaj çdo veprim i tyre merr vlerë te ne. “Ne nuk jemi një vend që e ndajmë sovranitetin me veten, e ndajmë më faktorin ndërkombëtar. Çdo veprim i tyre merr vlerë te ne. Pa to nuk bëjmë dot. Unë gjykoj se e legjitimuan 30 qershorin, por do të zgjidhin krizën që vjen pas 30 qershorit. E legjitimuan sepse nuk duan që të kenë precedent, dhe në krahun tejtër nuk mund të anashkalojnë degradimin që ka sistemi ynë.  Me mungesën e Gjykatës Kushtetuese gjithçka mund të ndodhi. Na ruajt Zoti se edhe mund të çmendet, pasi nuk ka asnje instance qe mund ta kontrollojë”.  

EXCLUSIVE/ PD, “paqe në 30 qershor”. Por problem mbetet Berisha…

Dita e zgjedhjeve do jetë një ditë e qetë, pavarësisht çfarë thotë Partia Demokratike me retorikë dhe shkresa. Selia Blu i ka dhënë garanci ndërkombëtarëve, që 30 qershori nuk do të ketë dhunë dhe incidente të shkaktuara prej saj. Megjithëse PD nuk heq dorë nga mospranimi i zgjedhjeve dhe ka mobilizuar gjithë kryetarët e bashkive të tentojnë të pengojnë procesin zgjedhor. Kreu i saj i ka dhënë garanci ambasadorëve Leyla Moses-Ones dhe Soreca që trokitën të martën në zyrën e tij. Por ambasadorët kanë patur edhe një mesazh për Ramën: jo festë e fishekzjarre të dielën dhe të hënën.

Të dy ambasadorët kanë shkuar te Rama e Basha pas takimit që u mbajt në orën tetë të mëngjesit të të martës, siç edhe Realstory.al kishte lajmëruar një ditë më parë. Ambasadorët e BE, OSBE, Italisë, Gjermanisë dhe Britanisë, janë takuar për më shumë se një orë në zyrën e ambasadorit britanik në Rrugën e Ambasadave. Takimi sipas burimeve brenda tij do të prodhojë një deklaratë të përbashkët, ku do t’i kërkohet palëve të sigurojnë zgjedhje të qeta në 30 qershor, një mesazh ky direkt për Bashën si dhe në funksion të paqes dhe qetësisë, jo festë e fishekzjarre nga pala tjetër, një mesazh ky për Ramën. Burime diplomatike i pohojnë Realstory.al se i vetmi qëndrim “ndryshe” ka qenë ai i Britanisë, i cili ka “kërcënuar” të tërheqë vëzhguesit britanikë nga Veriu i vendit, nëse nuk garantohet siguria e tyre.

Soreca më pas është bashkuar me zonjën Moses-Ones , (SHBA nuk janë bashkuar tryezës, pasi qëndrimi i tyre ka qenë i qartë, për të mos pasur negociata, pa pasur një proces pa dhunë e incidente në 30 qershor), e më pas i janë drejtuar zyrave të Bashës e Ramës. Sipas burimeve diplomatike Basha i ka siguruar ambasadorët se e ka marrë mesazhin e qartë dhe se dhuna verbale e 24 orëve të fundit është “për të mos humbur entuziazmin e bazës”, e cila mund ta interpretojë si humbje, mbajtjen e zgjedhjeve nga të cilat u vetëpërjashtuan e që po mbahen me Ramën (akoma) kryeministër.

Por duket se shpresat për një dialog politik pas një 30 qershori të qetë, pa incidente e festa, janë shtuar. Ambasadorët kanë diskutuar sërish mundësinë e ardhjes pas zgjedhjeve të një të Dërguari të Posaçëm, i cili të nisë ndërmjetësinë mes palëve. Momenti më delikat është ai i një takimi Basha-Rama, pas refuzimit të prerë të të parit për të bërë një gjë të tillë, sa kohë Rama është kryeministër. Por duket se edhe këtu është gjetur një dakordësi “teknike”. Fillimisht do të realizohet takimi i Bashës me një politikan socialist të “pranueshëm” për të, e më pas edhe takimi me Ramën.

Dihet se Basha ka një miqësi me Pandi Majkon, me të cilin është takuar edhe në 2017, gjatë periudhës së çadrës në Rogner. A thua dhe pajtimi do kalojë sërish mes duarve të tij?

Rëndësi ka që pavarësisht çfarë thuhet e shkruhet, palët do përpiqen (s’kanë ku shkojnë) të sillen mire dhe urtë në 30 qershor, një datë që është e rëndësishme më shumë për ndërkombëtarët, sesa ata vetë. Puna më e madhe i mbetet Bashës, të cilit përveçse me të vërtetën si zakonisht, i duhet të përballet dhe me linjën e ashpër Brenda PD të përfaqësuar nga Berisha e që ka jo pak mbështetje. Burime diplomatike të konfirmuara edhe nga vetë Brenda PD, flasin se Basha e Berisha nuk përjetojnë ditët më të mira mes tyre. 30 qershori ndoshta do të jetë provë edhe për këtë: nëse Basha e ka apo jo në kontroll Partinë. Nëse s’ka incidente i bie që meqë s’mundi Ramën, së paku të mundë Berishën dhe tu tregojë ndërkombëtarëve se e “vrau” babën e vet. Nëse në 30 qershor në PD triumfon linja e dhunës dhe e forcës, atëherë Lulzim Bashën nuk ka askush që ta shpëtojë. As Berisha, as ndërkombëtarët dhe as Rama vetë!/ Realstory.al

Kisha katolike: “Harroni sulmet”. Paralajmëron paqen?

Për situatën e rënduar politike në vend ka reaguar edhe Kisha Katolike e Shqipërisë, ku kreu i saj imzot Xhorxh Frendo ka kërkuar që palët të gjendjen një zgjidhje paqësore. Mos e çoni vendin në një të keqe më të madhe dhe merrni shembull nga harmonia fetare në vend tha imzot Xhorxh Frendo duke ju drejtuar kështu shmangies së një përplasje civile 

“Ky është një apel kushtuar politikanëve. Edhe njëherë ju drejtohemi juve që zëri ynë të gjejë jehonë në zemrat tuaja. Jemi të vetëdijshëm për situatën kritike në vend. Sidomos gjatë ditëve të fundit kemi lexuar shkrime të shumë personave. Këta mendojnë se situata do të përkeqësohet në vendin tonë. Si na ka mësuar historia, në të ardhmen do iu bëjë përgjegjës për dëmtim që i keni shkaktuar atdheut. Në emër të  Zotit, ne katolikët iu lutemi të dhuroni dashuri ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke na treguar se me vendosmëri të kërkoni zgjidhje paqësore për këtë situatë. Nuk duam që e keqja të na çojë në të keqe më të madhe. Nuk mund të mbyllim sytë për anomalitë që ekzistojnë. Nuk ka paqe të vërtetë nëse nuk ndërtohet mbi drejtësinë. Harroni sulmet ndaj njëri-tjetrit. Duajeni Shqipërinë më shumë se partitë. Shumica e popullit tonë kërkon prej jush vullnet, që të mos shkojmë në humnerë vdekjeprurëse. Hapni kapitull të ri në politikë. Besimet fetare kanë harmoni, e politika nuk duhet të përçajë popullin shqiptar. Zoti iu dhëntë guxim për të gjetur rrugën e drejtë dhe të paqes.” – tha Imzot Xhorxh Frendo.

Gjatë ditës së enjtes në fakt edhe opozita, si rrallë herë ka mbajtur një gjuhë më të butë duke u larguar nga pika kryesore e tyre “Rama ik”, por duke kërkuar si kusht “të dënohen personat që kanë vjedhur zgjedhjet”, duke lënë kështu të hapur një shteg për herë të parë pas shumë javësh, se mund të ketë një marrëveshje. Ndërsa në të njëjtën linjë ishte edhe presidenti Meta, ku deklaroi se dekreti ishte në të mirë  të ruajtjes së stabilitetit dhe shmangies së konfliktit , por që mesa pamë nga situata në bashkitë e drejtuara  nga opozita, nuk rezultoi aspak kështu. Si duket edhe Meta ka nisur “reflektimin”.

Kisha katolike ka luajtur gjithmonë një rol shumë interesant megjithëse larg dritave të skenës, në momente kyçe të historisë, përfshirë edhe të Shqipërisë. Në thelb të Marrëveshjes së  Triestes të vitit 1992, ku thuhet se u ra dakord për një tranzicion të paqtë mes ish komunistëve dhe demokratëve, ishte Komuniteti San’Egidio në Itali, dhe përfaqësuesi i tij Dom Vincezo Paglia. Paglia vizitoi një herë Tiranën edhe gjatë këtyre muajve të krizës. Por asnjëherë nuk u mor vesh se çfarë bisedoi me palët. Në fund të fundit ky nuk është misioni i tij dhe i kishës, por rezultati. A ishte kjo që paralajmëruan krerët e kishës katolike pasditen e të enjtes?

Përgjimet, shkarkimi i Metës dhe Basha, Taulant Balla flet për gjithçka në ‘RealStory’

Përgjimet e Bild, Balla sqaron kush është Arben Keshi

Nga studio e “Real Story”, kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka sqaruar se kush është Arben Keshi, emri i të cilit del në disa audio-përgjime  të publikuar nga Bild. Balla sqaron se Keshi është një anëtar i vjetër i Partisë Socialiste në Dibër dhe kandidonte për kryetar në Maqellarë. Ndërsa për sa i përket bisedës më Ramën, Balla tha është e vërtetë pasi në një pjesë të saj ka qenë vetë i pranishëm. Madje Balla bëri një deklaratë të fortë ku tha se Arben Keshi është rrahur dhe kërcënuar me armë nga Flamur Noka dhe disa persona të lidhur me PD. “Arben Keshi është anëtar i PS në Dibër . Ka kandiduar  për kryetar komune në Maqellarë dhe është rrahuar nga persona të PD në atë kohë.  Ka qenë një prej koordinatorëve elektorale në Maqellarë.  Keshi dhe personat bashkë me të janë rrahur në mënyrë shtazarake nga Falmur Noka, madje i kane nxjerrë dhe pistoletën Keshit. Në arkiva mund të gjeni edhe deklaratën time ku akuzoj PD për dhunim të anëtarëve të PS.”

Balla: Përgjimet e Bild, grafika e njëjtë me rastin “Babale”

Kryetari i Grupit Parlamentar për Partinë Socialiste, Taulant Balla nga studio e Real Story, i gazetarit Sokol Balla në Vizon Plus, tha se ka dyshime të forta se përgjimet e publikuara nga “Bild” kanë të njëjtat grafika si në rastin “Babale”.  ‘Kam dyshimet e mia që grafika është e njëjta me atë që është përdorur dhe në rastin Babale. Është e njëjta firmë. Madje edhe praktika e përdorur është si në rastin Zagani dhe gazetarit Basir Çollaku, që lajmërojnë 2-3 ditë para se çfarë do të ndodh.” – tha Balla.

Taulant Balla ka komentuar në emisionin Real Story në Vizion Plus, përgjimete  Dibrës. Balla u shpreh se kjo çështje i takon drejtësisë, dhe ajo duhet të hetojë. “Kjo është çështje që i takon drejtësisë. Kjo për mua nuk është gjë e re, ka dy vjet që ma tund Lulzim Basha. Shqetësimi im është që ky prokuror që vodhi CD, i çoj te PD, i montuan, i nisën në Gjermani. Pse nuk e ka bërë detyrën? Edhe sot reagimi i PS ishte ta zgjidhi prokuroria. Nxorën një sinkron të ministrit Gjiknuri me një funksionar të PS, sepse kishte nodhur një parregullsi, pasi PD kishte vendosur vëzhgues që nuk lejoheshin me ligj. Vëzhguesit tanë ishin intimiduar me njerëz që kishin ardhur nga e gjithë Shqipëria. Unë e kam parë me sytë e mij, nesër do dali përgjimi tjetër, në orën 2 të natës Arben Keshi më ka marrë në telefon dhe më ka thënë “hajde se po më vret Flamur Noka”, u shpreh Balla.

Përgjimet, Balla: Prokuroria të hetojë dhe të sqarojë publikun

Më tej, Taulant Balla u shpreh se lidhur me problematikat e Dibrës në zgjedhjet e 2016, një vit më pas u bën ndryshime në Kodin Zgjedhor. Balla tha më tej, se për këtë çështje duhet të mos ngrihen akuza politike, por të vijohet me hetimet nga Prokuroria. “Lidhur me problematikat e Dibrës, më pas janë ndryshuar  shumë ligje për të rritur efikasitetin. Thelbi është, të tërhiqemi nga akuza politike. unë bie dakord me një gjë, që kjo lloj prokurorie është përdorur si shantazh, sot fillon hetimi, dhe nesër në studiot televizive lexon të gjithë materialet hetimore”. “Sa më shumë të afrohen zgjedhjet lokale, do dali një paketë e tyre për të justifikuar dështimin politik të Lulzim Bashës. Për mua nuk ka qenë surprizë kjo gjë. Po të më pyesnit në janar, do ju thoja se në qershor do dali kjo gjë. Nuk ka vepër penale të asnjë nga personat… Për zgjedhjet e Dibrës unë kam qenë në emision më Sokol Ballën, kur u publikuan disa informacione në emisionet televizive, nëse doni vlerësimin tim, ato ishim më të rënda se sa këto. Është për të ardhur keq se si një emision investigativ bëri punë më të mirë se sa prokurorët. Ta lëmë Prokurorinë ti shkojë deri në fund kësaj çështje. Prokuroria ka detyrimin ti bëjë një sqarim publikut, unë jam i bindur se as Damian Gjiknuri, as deputetët e tjerë, unë nuk e fsheh më është dashur të komunikojë dhe me deputet të PD për të krijuar një klimë qetësie”.

Përgjimet, Balla: PD i ka prej 2 vitesh, familjarët e Bashës ja dorëzuan Bild

Kreu i grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla bëri një deklaratë të fortë nga emisioni “Real Story”, ku tha se Lulzim Basha i dispononte këto audio-përgjime një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve në Dibër në 2016. Madje ai tha se kanë qenë vetë familjarët e Lulzim Bashës që kanë bërë transportimin e tyre tek gazetari i Bild. “Partia Demokratike i dispononte këto audio-përgjime një ditë pas zgjedhjeve në Dibër. Pra i ka prej 2 vitesh e 7 muaj në dorë. Pse nuk e ankimoi në gjykatë që atëherë? Madje e them me bindje se gazetari i  Bild i ka marrë nga vetë PD-ja. Kanë qenë familjarë të Lulzim Bashës që kanë bërë transportimin e tyre.”-  tha ai. Balla shtoi se nëse ato video do të përbënin një provë Basha do t’i kishte animuar në gjykatë që atë ditë kur i mori. “Nuk ka prova në ato audi-përgjime, por ka copëza të marra dhe të ndërtuara një telenovelë me to. Po të kishte prova në përgjime do e kishin rrëzuar procesin zgjedhor në Dibër që një ditë pas zgjedhjeve.”

Balla: Presidenti mund të ketë dhe probleme mendore, do shkarkohet!

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, deklaroi në ‘Real Story’ se mazhoranca do ti shkojë deri në fund shkarkimit të Presidentit të Repbulikës Ilir Meta. “Unë jam një prej firmëtarëve që kam kërkuar shkarkimin e Metës. Ai ka humbur besimin e Kuvendit, të të gjithë grupit Parlamentar të PS. Unë besoj se Kuvendi do ti bindet me 94 anëtar për ta çuar deri në fund këtë gjë. Unë kam dëgjuar një deklaratë lajthitëse të Presidentit të Republikës ndaj Kuvendit. Presidenti i Republikës po çon ndërmend edhe shpërndarjen e Parlamentit. Presidenti i Republikës mund të ketë probleme edhe të shëndetit mendor”, tha Balla.

Balla konfirmoi dhe njëherë qëndrimin dhe këndvështrimin e Partisë Socialiste se Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën. Kompetenca për çdekretim, kreut të shtetit i është hequr me ndryshimet kushtetuese, ndërsa e ka cilësuar datën e dekretimit të zgjedhjeve, si një kompetencë ceremoniale. “Me ndryshimet kushtetuese Presidenti i Republikës ka thjesht e vetëm një kompetence ceremoniale për dekretuar datën e zgjedhjeve. Unë kam qenë përfaqësues i PS në presidencës për konsultën, teksa presidenti thirri palët, dhe jo pa qëllim kam bërë një diskutim ndoshta më të gjatë se kolegët e tjerë të opozitës. I kam thënë presidentit: ‘si mendoni ju, se ju e keni këtë kompetencë? Janë vetëm dy data më tha, nëse ne biem dakord, të lutem, më tha, opozita kërkon datën 30 dhe më dueht të vendos datën 30”. “A e ka shkelur presidenti kushtetutën? Mendoj se në disa pika. Së pari, presidenti i republikës në saj të asaj “zhveshje” kompetencash, nuk ja njeh Kushtetuta të drejtën e dekretimit. Presidenti i Republikës ka sjell si kazus, në argumentin që i ka sjellë Kuvendit, ka sjellë si referencë rastine  vitit 2007, kur president ishte Z.Moisiu. ky i fundit tha se unë nuk e bëj dot dekretimin pa më dhënë mundësinë një dispozitë tranzitore”, u shpreh Taulant Balla. 

Balla: Kuvendi është funksional, nuk i shkojmë Metës për dialog

Në lidhje me një mundësi që presidenti Meta mund të shpërndajë parlamentin, Taulant Balla tha se presidenti tashmë njihet se nxjerr dekrete të çmendura. Kuvendi është funksional dhe mund të miratojë ligje që kërkojnë 2/3 e votave tha Balla në Real Story, duke lënë të kuptohet se nuk do të njohin asnjë dekret që nxjerr presidenti Meta për shpërndarjen e parlamentit. “Nuk e kuptoj pse dërgoi letër për numrin e deputetëve ku ai i ka të gjitha informacionet në webside. Presidenti nxjerr dekrete të çuditshme që nuk ka asnjë paragraf kushtetues që t’i jap të drejtë. Kuvendi i Shqipërisë është funksional dhe ka fuqinë për të miratuar edhe ligje me shumicë të cilësuar 2/3 si ndryshimet kushtetuese dhe shkarkimin e presidentit. Kuvendi sot është funksional ta bëjë këtë gjë. Kuvendi ka miratuar një rezolutë ku i bën thirrje presidentit të reflektojë.” Ndërsa i pyetur nga gazetari Sokol Balla se ato të marrë pjesë në ftesën e Metës për të diskutuar për një datë zgjedhje, Taulant Balla tha se “nuk ka asnjë arsye për të dialoguar dhe për të diskutuar. Është një çështje që është mbyllur që në vitin 2018.”

Media greke: Pse Athina është e shqetësuar për krizën në Shqipëri

“Nuk është hera e parë që Shqipëria po përballet me një krizë politike dhe institucionale. Por kësaj radhe, ajo përputhet me një moment kritik për Ballkanin Perëndimor dhe për perspektivat e tyre evropiane” shkruan media greke “macropolis.gr”, e cila ka bërë një artikull të gjatë për situatën politike në Shqipëri. Sipas saj ka disa arsye pse kjo krizë shqetëson Athinën Zyrtare. E para lidhet me çështjet e lëna pezull mes dy vendeve dhe marrëveshjeve që janë arritur në parim, por ende nuk po gjejnë zbatim. Qeveria greke e konsideron Edi Ramën një njeri me të cilin mund të flasë dhe të paktën të ketë mirëkuptim për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe. Dy ish-ministrat e jashtëm të vendeve, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati, mundën të arrijnë një marrëveshje në parim për disa çështje të pazgjidhura. Alexis Tsipras gjithashtu ka zhvilluar bisedime të shpeshta me homologun e tij shqiptar dhe në fakt gjatë takimit të tyre të fundit në kuadër të Samitit të Dubrovnikut në prill arritën të bien dakord mbi çështjen që lidhet me pronat e pakicës greke në Shqipëri. Megjithatë, kjo çështje është ende në pritje.

Ndërsa perspektiva e BE-së dhe qëndrimi i Greqisë për çeljen e negociatave është një tjetër arsye për t’u shqetësuar shkruan media greke. Shqipëria duket të jetë e destinuar të mos marrë një datë për të çelur negociatat e anëtarësimit me BE në Këshillin e ardhshëm të Evropës, në qershor. E ardhmja e saj evropiane po bëhet gjithnjë e më e turbullt që kur qeveria e Ramës është akuzuar për korrupsion. Athina zyrtare ka shqetësimin se kriza politike në Tiranë nuk do të ndihmojë në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje, e cila për Greqinë shihet si një parakusht i madh për shpresat e Shqipërisë për në BE. Më 30 maj, Athina paralajmëroi gjithashtu Tiranën duke nënvizuar se “Greqia po punon drejt përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë dhe mbështet kursin e saj të pranimit në Bashkimin Evropian, në kushtet e vetëkuptueshme që vlen për të gjitha vendet për anëtarësim, që ajo të plotësojë të gjitha kushtet përkatëse. Siç bëhet e qartë edhe në raportin përkatës të Komisionit Evropian, respektimi i të drejtave të minoritetit etnik grek lidhet drejtpërdrejt me perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe përbën një pjesë integrale të 5 prioriteteve kyçe për fillimin e negociatave të pranimit me BE, përmbushjen e i cili do të shqyrtohet ekskluzivisht nga Këshilli Evropian”.

Është e sigurtë që Këshilli i ardhshëm i Evropës nuk do të japë pëlqimin e tij, sidomos pas dështimit të Bundestagut gjerman për të marrë ndonjë vendim për të mbështetur një datë për çeljen e negociatave me këto dy vende, si dhe duke pasur parasysh skepticizmin e disa vendeve anëtare të BE, vendimi ndoshta do të merret në vjeshtë.”- shkruan macropolis.gr

Ende nuk është e sigurt nëse qeveria aktuale greke do të kishte dhënë mbështetjen e saj të plotë ndaj Shqipërisë në Këshillin e ardhshëm të BE. Por edhe pse diplomatët grekë janë pro dhe kundër çeljes së negociatave ata besojnë se një zvarritje e procesit integrues të Shqipërisë nuk është në përfitim të Greqisë, pasi do të dëmtonte “stabilitetin e vendit fqinj dhe interesat kombëtare”.

Dy planet që mund të rrëzojnë Dekretin e Presidentit (përfshirë edhe atë vetë)

Ndërsa në Kuvend vazhdonte debatin për mocion për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Meta, palët në këtë konflikt vazhdojnë lojën pas kuintave. Kryetari i KQZ Klement Zguri kërkoi respektimin e dekretit te Presidentit. Duke përdorur si argument botimin e dekretit në Fletoren Zyrtare, Zguri kërkoi ndërprerjen e procesit përgatitor për zgjedhjet e 30 qershorit. (Më pas ai braktisi mbledhjen, megjithëse është e sigurt që ai nuk do të bëjë aktin final të dorëheqjes siç bënë dy kolegët e tij të opozitës). Ndërkohë në KQZ u dorëzua kërkesa e aleatit të Ramës, Idajet Beqiri për çregjistrim të partisë së tij nga zgjedhjet vendore. Portalet pranë Metës nxituan ta interpretojnë këtë si një çarje brenda maxhorancës. Dhe në fakt në pamje të parë kështu duket. Por Beqiri para se të futej në KQZ deklaroi se vendimi i Metës ishte anti-kushtetues. Kjo retorikë të bën të dyshosh se në lëvizjen e Beqirit ka diçka më shumë. Futja nga Ministria e Drejtësisë e dekretit të Metës për shfuqizim të zgjedhjeve u bë në kohë rekord, brenda dy ditëve, me një shpejtësi të çuditshme dhe të paprecedentë. Autorësia e këtij vendimi mund të spekulohet shumë, por e vërtetë është, se në të gjitha strukturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe insitucioneve të varura prej saj, njerëzit e LSI vazhdojnë të punojnë në pozicione të rëndësishme, të patrazuar nga largimi i tepsisë nga pushteti politik i qeverisjes. Botimi i shpejtë në fletoren zyrtare mund të jetë rezultat i kësaj. Gjithsesi dekreti në fletoren shtetërore, është një argument plus për Presidentin, në procesin publik politik dhe më vonë edhe atë gjyqësor ndaj vendimit të tij të paprecedentë për anullimin e zgjedhjeve.

Dhe kjo mund të ketë lidhje me atë që ndodhi më vonë në KQZ. Ajo hodhi poshtë kërkesën e Beqirit, me argumentin e Bibës se kjo do kërkonte rishtypjen e fletëve të votimit. Beqiri pritet që këtë vendim ta ankimojë në KQZ, një e drejtë që ia jep Kodi Zgjedhor, nën nenin 145, si subjekt elektoral.

Kjo krijon një situatë delikate. Nëse Kolegji Zgjedhor miraton ankimimin e Idajet Beqirit, ky do të ishte një vendim final, pasi Kolegji ka atributet e Gjykatës së Apelit (dhe gjykatësit e tij zgjidhen nga kjo gjykatë). Pas këtij vendimi KQZ do të detyrohej të printonte dhe një herë fletët e votimit dhe gjithë materialet e procesit zgjedhor. Kjo do të vononte me siguri procesin dhe do ta pamundësonte atë në 30 qershor.

Por më interesante është situata, nëse Kolegji Zgjedhor rrëzon dhe ai kërkesën e Idajet Beqirit. Argumentat e Kolegjit mund të jenë disa. Por rëndësi ka rezultati: rrëzimi. Indirekt ky rrëzim, do tëishte dhe legjitimi i vazhdimit të procesit zgjedhor dhe mbajtjes së zgjedhjeve në 30 qershor, tashmë me një vendim gjykate.

Dhe kjo është ajo që kanë sugjeruar ndërkombëtarët. Që zgjidhja në këtë rast të jetë ligjore dhe nga institucionet shqiptare.

A është kjo që i ka kujtuar Leyla Moises One, të ngarkuarën me punë të SHBA në Tiranë, Presidentit Meta në takimin e gjatë paraditen e të enjtes? A i ka kërkuar ajo të respektojë vendimet e institucioneve shqiptare për këto zgjedhje?

Ndërkohë zhurma në parlament u denoncua nga opozitarët e rinj. Rudina Hajdari akuzoi se mocioni nuk kishte asnjë vlerë ligjore dhe kushtetuese. Por a ishte ky një paralajmërim se opozita e re, qe raportet e saj të ngushta me ndërkombëtarët i ka të njohura për publikun, do të jetë më konkrete në aksionin e saj kundër Ilir Metës? Ralf Gjoni, ish bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit vite më parë dhe sot i kthyer në armik të tij në vijën e parë të sulmit, e quajti ditën kur Meta hipi në karriken e parë të shtetit si ditën më të zezë në histori, kërkoi me urgjencë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Por përtej kësaj, duket se opozita e re nuk do ta lërë debatin për Metën, si një “rrake take” për të bërë zhurmë e tërhequr vemendjen. Burime të rëndësishme pohojnë për realstory.al, se ky grupim i ri opozitar tashmë ka grumbulluar afër 20 firma për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit. Lajmi mbetet për tu konfirmuar, por të enjten në parlament, Rudina Hajdari tha debati i të enjtes ishte qesharak, sa kohë nuk ka një mocion me firmat e një të katërtës së deputetëve. A është ky paralajmërimi i parë për atë që këta deputetë që kontrollohen nga ndërkombëtarët, mund të bëjnë konkretisht kundër Metës?

Me siguri që Leyla Moises One, këtë nuk ia ka përmendur Metës. Ca gjëra që dihen, nuk ka pse thuhen. Meta pak ditë më parë i sugjerojë amerikanëve të shkojnë në Korenë e Veriut. Ata përkundrazi, i shkuan atij vetë në zyrë. Pak minuta më vonë bëri thirrje për reflektim. Me siguri duke filluar nga vetja e tij.

BATON HAXHIU: ILIR META TE SHKARKOHET!

Sarkazma e Ramës: Presidenti “pordhi” mbi datën e zgjedhjeve

Me dekretin e çdekritmit të datës së zgjedhjeve, Ilir Meta “lëshoi një re nga pantallonat“, u shpreh Edi Rama ndër të tjara gjatë fjalës së tij në parlament. Sipas Kryeministrit, kriza politike që ka kapur vendin, e shtuar tashmë edhe nga shfuqizimi i datës së zgjedhjeve, dëmton vendin, ekonominë, investimet dhe turizmin.

Për të gjithë ata që duan një situatë sa të qartë aq dhe konfuze, sa të kuptueshme  aq dhe absurde. Çfarë interesi vetjak kam unë, që të jem kaq i patundur,  nga bindja që nuk është koha për kompromis, por është koha për fushatë për zgjedhje. Qeveria ka një mijë e një probleme për të adresuar, ekonomia goditet nga ky tension, turizmi dëmtohet. Qetësimi i situatës duke shfrytëzuar edhe skandalin e dekretimit të zgjedhjeve, duket dicka më e lehtë”.

Një dhimbje jo e vogël koke, në kushte jo normale, drejt përpara në rrugën e 30 qershorit, kur s`ka asnjë lloj interesi të ngushtë pragmatist, kthehet në pengesë për qetësimin e kësaj situate dhe asnjë pengesë në rrugën e qeverisjes sikur edhe zgjedhjet të shtyheshin në pafundësi. Po të isha i shqetësuar për karrigen time dhe për qeverinë do isha më i lumtur, që presidenti lëshoi një re kaq të madhe nga pantallonat mbi datën e zgjedhjeve”.

Ja lija fajin Ilirit për ndërprerjen brutale të fushatës, duke i thënë jazëk të qoftë zoti president. U zhduk data e zgjedhjeve nga horizonit dhe dilja si një burrë i urtë dhe i pafajshëm. Shpëtoja dhe unë bashkë me Partinë Socialiste nga zgjedhje të tjera më vonshme. Me ëktë budallallëk na jepet mundësia të thoshim nesër se nuk duam zgjedhje”, tha Rama.

Haxhiu: Rama përballë Metës dhe delfinëve të tij në PS

Presidenti Meta foli si hoxhë, ose si prift – e jo si president.

Nga prizmi moral nuk mund të flasë presidenti që moralin nuk e ka pasur asnjëherë virtyt dhe as model të komunikimit publik.

Pajtohem me Tony Blair kur thotë se ka dëshirë që kundërshtarët politikë t’i pensionojë nga politika me garën e zgjedhjeve, por jo t’i futë në burg për gabimet e bëra gjatë mandatit qeverisës. Mirëpo, kur gabimet rrezikojnë kushtetutshmërinë e shtetit, çfarë të bësh me ata liderë?

Presidenti i Shqipërisë me vendimin e tij të sotëm tregoi zvetënimin moral të funksionit të kreut të shtetit. Vendosi ta bëjë një rrëfim të tij në zyrën e të parit të shtetit sikur mes djeshmes dhe të sotmes të kishte rënë një perde e hekurt. Sikur të mos e kishim jetuar kohën politike të para disa viteve.

Ilir Meta na trajton kujtesën sikur të mos kishim qenë ne ata që i kemi përjetuar vendimet politike të kohës dhe sjelljet e tij nëpër ekrane dhe përgjime. Ai bën rrëfim presidencial sikur njerëz dhe sende e situata kanë ndryshuar brenda natës. Ky rrëfim i sotëm është një narracion i dhunshëm që përmbys gjithçka të arritur në politikën shqiptare.

Duke u thirrur në rrezikun që i kanoset pluralizmit dhe parashikimit për përplasje civile, Presidenti thirret në emër të Unitetit dhe rrezikut që po i kanoset pluralizmit.

Pluralizmi si koncept është keqkuptuar me intriga dhe keqshpjeguar me padije nga Presidenti. Për ata që e kanë një pikë shije politike dhe lexueshmëri elementare, pluralizmi nuk parasheh heqjen dorë të partive politike nga procesi zgjedhor.

Pluralizmi si koncept është dhënie e mundësive të barabarta në jetën shoqërore për pjesëmarrje në zgjedhje. Ikja nga procesi zgjedhor është vendim politik, po aq sa është edhe pjesëmarrja. Prandaj, interpretimi me padije i një situate e lë vendin pa të ardhme dhe pa sistem politik. E lë pa institucione. Krijimi i precedentëve të rrezikshëm është më i rëndë për shtetin sesa mospjesëmarrja e PD-së dhe LSI-së në zgjedhje.

Sikur ky vendim të aprovohej, a mund ta merrni me mend se çfarë do të ndodhte me sistemin politik në Shqipëri?

Paramendojeni që në emër të pluralizmit të cilin e pretendon Presidenti të mos marrin pjesë në zgjedhje partitë e pakicës greke, apo çamët. Apo edhe vetë Partia Socialiste. Ku shkon shteti me këtë kapadaillëk fjalësh presidenciale, të njeriut që për një kohë është bërë promotor i të parit që shkel gjithçka që ka të bëjë me institucionin e presidentit?

Ai me padije përmend përplasjen civile. Le ta marrë përgjegjësinë Presidenti për këtë ide të dhunës së paragjykuar, të shtruar në opinion nga zyra e tij.

Po mundohem që të përshkruaj se çka përfaqëson kjo ide dhe ky rrëfim (me qëllim e them “rrëfim”, sepse konferenca e tij për shtyp s’ka të bëjë me një vendim presidencial). Ai po hyn në garën e njëanshmërisë politike. Bashkë me Berishën, ai flet pakuptimtë për fërkimet e të gjitha llojeve, për intrigat që i kanë krijuar vetë duke sfiduar rendin dhe ligjin, keqkuptimet për gjerat më të thjeshta, që janë bërë si dukuri normale e Ilir Metës. Liderët që kanë qëllime primitive të pushtetit mund t’i sfidosh vetëm me gjuhën që ata e kuptojnë dhe të veprosh me ta me mjete që ata i njohin.

Pse?

Vendimi i Presidentit të Shqipërisë, Ilir Metës, për t’i çdekretuar zgjedhjet lokale në Shqipëri nuk është vetëm një veprim i rënde antikushtetues, por edhe një ndërmarrje e mirë-planifikuar politike në bashkëpunim të ngushtë me PD-në dhe LSI-në.

Së pari, Presidenti i Shqipërisë nuk gëzon asnjë kompetencë ligjore e as kushtetuese për t’i çdekretuar zgjedhjet. Presidenti ka vetëm rol simbolik në dekretimin e tyre, por assesi ndonjë mundësi ligjore për çdekretimin e tyre. Kushtetuta e Shqipërisë përcakton qartë se Presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca tjera përveç atyre që në mënyrë shprehimore janë përcaktuar me kushtetutë. Koncepti i çdekretimit, ndërkaq, nuk figuron askund në Kushtetutën e Shqipërisë. Për më tepër, data 30 qershor është data e fundit që mund të garantojë plotësimin 4 vjeçar të të zgjedhurve në ushtrim të mandateve të pushtetit vendor. Pas plotësimit të mandateve, të zgjedhurit më nuk mund t’i vijojnë aktivitetet e tyre dhe, si rrjedhojë, do të bllokohet gjithë veprimtaria e pushtetit vendor në Shqipëri. Ky veprim, pra, nuk është në funksion të rikthimit të unitetit politik, por realisht në shërbim të thellimit të krizës institucionale në Shqipëri.

Së dyti, Presidenti i Shqipërisë ka demonstruar një nivel të paprecedentë papërgjegjësie politike në Shqipëri.

Vetëm dy javë para vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, Ilir Meta ka vendosur ta shpie vendin në një krizë të thellë duke i anuluar zgjedhjet lokale. Në vazhdën e gjitha sulmeve të orkestruara që PD dhe LSI kanë ndërmarrë kundër Shqipërisë gjatë tërë kësaj periudhe për ta pamundësuar hapjen e negociatave, Ilir Meta ka zgjedhur momentin më delikat për t’i zhbërë zgjedhjet lokale në Shqipëri.

Me këtë veprim Ilir Meta ka pushuar së qeni përfaqësues i unitetit të popullit, por është pozicionuar qartazi si një aktor i anshëm politik.

Ai tashmë sillet si burri i Monika Kryemadhit, por jo si President i Republikës së Shqipërisë. Me këtë veprim ai ka parashtruar mundësinë për delegjitimim të procesit demokratik të 30 qershorit dhe krijim të një situate të paparashikueshme pas saj.

Kështu, Ilir Meta nuk ka mbyllur thjesht mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve me 30 qershor, por ka filluar një luftë të hapur me Qeverinë. Veprimi i tij nuk është thjesht problem në vetvete: veprimi i tij tash imponon edhe marrjen e një sërë veprimeve plotësuese në vijim të çdekretimit të zgjedhjeve. Tani, Meta nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve, do ta vazhdojë kontestimin e Qeverise në çdo takim dhe vazhdimisht do të punojë kundër Qeverisë, duke cenuar drejtpërdrejtë edhe Shqipërinë. Kësisoj, nëse Parlamenti i Shqipërisë nuk i fillon menjëherë procedurat e shkarkimit të Metës, atëherë Meta krizën politike në Shqipëri do ta zgjerojë në një krizë institucionale dhe shtetërore.

Ilir Meta duhet të shkarkohet gjithsesi nga posti i Presidentit.

Ai ka abuzuar edhe me numrin e paktë të kompetencave kushtetuese që ka, gjithnjë në përpjekje për t’u faktorizuar politikisht. Meqë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka parë të arsyeshme të ketë një konflikt të hapur me institucionin e Presidentit, ai ka toleruar vazhdimisht sjelljen abuzuese te Presidentit. Presidenti në mënyrë antikushtetuese nuk e ka dekretuar fillimisht Ministrin e Brendshëm, e pastaj e ka bërë të njëjtën edhe me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për ta maskuar agjendën e tij të ngushtë dhe meskine politike, Ilir Meta ka mobilizuar narrativa nacionaliste dhe ka shitur një sjellje kinse prej një personaliteti parimor në publik. Duke shfrytëzuar mungesën e Gjykatës Kushtetuese, Ilir Meta nëpërmes veprimeve arbitrare gjithmonë ka kryer veprime në shërbim të PD-së dhe LSI-së.

Shqipëria mbase është i vetmi vend në botë ku Presidenti flet për unitet paradite dhe gruaja e tij, zonja e parë e shtetit, hedhë mollotovë në mbrëmje. Për më shumë, Shqipëria është i vetmi vend në botë ku një personalitet që shihet në një video-incizim për kusur pazari ditor të marrë guximin që prapëseprapë të vendosë t’i deprivojë shqiptarët nga mundësia e votës së lirë dhe zgjedhja e përfaqësueseve të tyre.

Shqipëria për pothuajse 30 vite nuk ka arritur të prodhojë një klimë normale elektorale dhe një ambient të favorshëm demokratik. Pikërisht për shkak të njerëzve të politikës si Meta, Berisha dhe bashkëpunëtorëve të tyre të heshtur nga radhët e PS-së, si Ditmir Bushati, Niko Peleshi dhe Arben Ahmetaj. Këta të fundit, në mënyrë të heshtur, janë në pritje të thellimit të krizës së Ilir Metës në mënyrë që t’i rifitojnë privilegjet e humbura. Në fakt, vetë Bushati kur kishte humbur detyrën kishte dërguar një letër në Presidencë tek Meta, me vulë sekrete, kundër Ramës dhe Cakajt duke gënjyer me paturpësi. I njëjti ka vazhduar të flasë me pezëm e mëri kundër Ramës e Cakajt në vizitën e tij të fundit në Vjenë në kuadër të angazhimeve të tij në OSBE.

Pse po e përmendi këtë fakt?

Pikërisht ngaqë tashmë është krijuar një rreth kundërshtarësh politikë të cilët më nuk zgjedhin mjete për t’ia gërryer Ramës terrenin politik ngadalë, por sigurt. Në këtë situatë, Rama assesi nuk duhet të përgjigjet duke bërë makinacione politike ndaj këtyre njerëzve. Në fakt, Rama thjesht duhet të bëjë veprimin më dinjitoz kombëtar në kuadër të rrethanave aktuale: shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e Presidentit të Shqipërisë.

Me veprimin e tij për t’iu pamundësuar të drejtën shqiptarëve të votojnë, Ilir Meta i ka dhënë goditjen më të madhe pluralizmit politik në Shqipëri që nga vitet e 1990-ta. Me manipulimin e tij me çështjen e dekreteve dhe duke i kaluar kompetencat kushtetuese në vazhdimësi, Ilir Meta ka cenuar rëndë ndarjen e pushteteve gjatë gjithë kësaj kohe. Më shumë se në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese, ai është sjellë në përputhje me ëndrrën e tij prej monarku. Ai ka bërë praktikisht puç antishtetëror me çdekretimin e zgjedhjeve dhe, si rrjedhojë, ai s’meriton të jetë në atë detyrë më tutje!

Partia Socialiste dhe Edi Rama duhet ta kuptojnë se nuk mund ta shpërfillin vendimin e Presidentit për çdekretim të zgjedhjeve pa marrë masa ndaj një Presidenti që e ka humbur besueshmërinë në tërësi.

Ilir Meta ka frikë deri në palcë nga përsëritja e gjykimit për rastin ku ai është kapur duke vjedhur në xhirime drejtpërdrejt gati në shuma milionëshe.

Prandaj, për ta shpëtuar veten, ai ka zgjedhur njollosjen e reformës në drejtësi.

Prandaj, për ta shpëtuar partinë e tij, ai ka zgjedhur rrënimin e Shqipërisë.

Prandaj, për ta shpëtuar Shqipërinë, Ilir Meta duhet të largohet nga zyra e Presidentit me urgjencë.

Gjermanët kundër Metës: Zgjedhjet më 30 qershor, kriza do ndikojë te vendimi i KE

Pas përfundimit të takimeve zyrtare të planifikuara në axhendën e tyre dy ditore, delegacioni i deputetve të Bundestagut, i kryesuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të (SPD), Josip Juratoviç. Pikërisht ky i fundit, ka folur, i shoqëruar dhe nga kolegët e tij deputet të Bundestagut, në një konfrencë për shtyp nga ambientet e ambasadës Gjermane në Tiranë. Joratoviç ka dalë kundër shtyrjes së datës së zgjedhjeve, duke u shprehur se nëse ajo është vendosur në Kushtetutë, duhet të respektohet.

Janë punë të brendshme të vendit. Por, kam kuptuar se ky vend ka një Kushtetutë dhe Kushtetuta është baza e një vendi. Në Gjermani Kushtetuta vlen si baza dhe për këtë arsye kam besim te ajo që përcakton Kushtetuta. Nëse Kushtetuta parash që zgjedhjet duhet të zhvillohen në një moment të caktuar, ato duhet të zhvillohen në këtë moment. Sepse vetëm në këtë mënyrë, vetëm duke u bazuar në Kushtetutë… Dhe unë konsideroj që demokracia përfaqësuese në formatin e parlamentit është organi më i lartë demokratik”, u shpreh Juratoviç.

Më tej, gjatë fjalës së tij, Juratoviç u shpreh se turi që ai dhe kolegët e tij kanë ndërmarrë në Ballkan, lidhet me njohjen e mëtejshme me ecurinë e reformave. Në këtë rrjedhë, kryetari i Grupit Parlamentar të SPD, u shpreh se Shqipëria dhe rajoni është oborr i brendshëm i BE-së dhe duhet të anëtarësohet.

Kemi pasur kontakte me përfaqësues të parlamentit, komisioneve parlamentare, kryeministrin Rama, ministren e Drejtësisë dhe të Brendshmin për një panoramë të plotë të vendit dhe reformave. Për ne ka qenë e rëndësishme të mësojmë ecurinë e reformave për të ditur sa e përgatitur është Shqipëria për negociatat. Shqipëria dhe i tërë rajoni është oborri i brendshëm i BE-së dhe duhet të jetë pjesë e këtij unioni. Për mua, demokracia është një komunitet vlerash”.

Mirëpo, deputeti gjerman, tha se situata aktuale politike në Shqipëri, do të jetë vendimtare në vendimin e Këshillit të Europës për votimin pro ose kundër hapjes së negociatave me BE-në.

Zgjedhësit në Shqipëri dhe shoqëria është e informuar mirë se cfarë do apo nuk do dikush. Situata aktuale do të luajë një rol në vendimmarrjen e Këshillit dhe duke qenë se në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së janë parlamentet që vendosin. Jo të gjithë qytetarët në BE janë entuziastë për zgjerimin e unionit. Kush pengon procesin e integrimit pengon ata që besojnë në vlerat demokratike” tha Josip Juratovic.

Skip to toolbar