Kriza, analiza në “Real Story”: Zgjidhja vjen nga ndërkombëtarët, pas 30 qershorit!

AKTUALITET


Kriza politike dhe situata në vend në prag të zgjedhjeve të 30 qershorit, ishte tema e diskutimit në emisionin e mbrëmjes të së mërkurës në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në Vizion Plus. Të ftuarit e mbrëmjes ishin analistët Agron Gjekmarkaj, Skënder Minxhozi, Erl Murati dhe Roland Lami. Gjatë analizës, Skënder Minxhozi u shpreh se opozita i ka bërë llogaritë gabim në momentin që dogji mandatet dhe nisi protestat për largimin e Edi Ramës. “Biem dakord të gjithë që këto janë votime. Por çfarë ndodh nëse Edi Rama në 2021 del dhe deklaron që nuk ka zgjedhje këtë vit, shihemi pas një viti? Elementët të cilët opozita i ka llogaritur keq kur i hyri kësaj rruge, sot po duken të gjitha. Opozita nuk u nis për të dështuar zgjedhjet lokale por për te rrëzuar qeverinë”, tha ai.

Debati u fokusua në pjesën kryesore të tij te roli i ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizës. Agron Gjekmarkaj u shpreh se ata janë duke u përpjekur të shkurajojnë opozitën, ndërsa qeverisë i kërkojnë të mbajë një profil të ulët. “Ata përpiqen ta shkurajojnë opozitën në aksionin e vetë, dhe nga ana tjetër ata i kërkojnë qeverisë që të mbajë profil të ulët.  Kriza ishte në mesin tonë dhe persëri them që qëndrimi i opozitës se si del ajo në ndeshjen epike me ndërkombetarët, është qendrimi i duhur. Rama i mori zgjedhjet me tepsi e timon, e s`do i mari me filxhan”.


Për analistin Erl Murati, kjo nuk është hera e parë që opozitat në Shqipëri përplasen me ndërkombëtarët, ndërsa shtoi se Lulzim Basha është i detyruar të pamundësojë zgjedhjet për shkak të presionit nga militantët. “Kjo nuk është hera e parë që ndërkombëtarët përplasen me opozitën në Shqipëri. Unë lexova një fjalim të Ramës në dhjetor të 2010, dhe dilte kundër OSBE.  Lulzim Basha gjendet përpara situatës kur duhet patjetër të pamundësoi zgjedhjet e 30 Qershorit. Ka presion nga militantët, nga të zgjedhurit vendor”.

Roland Lami e sheh rolin ndërkombëtar si të lidhur ngushtë me vendin tonë. Sipas tij, Shqipëria është një vend që ndan sovranitetin me faktorin ndërkombëtar, ndaj çdo veprim i tyre merr vlerë te ne. “Ne nuk jemi një vend që e ndajmë sovranitetin me veten, e ndajmë më faktorin ndërkombëtar. Çdo veprim i tyre merr vlerë te ne. Pa to nuk bëjmë dot. Unë gjykoj se e legjitimuan 30 qershorin, por do të zgjidhin krizën që vjen pas 30 qershorit. E legjitimuan sepse nuk duan që të kenë precedent, dhe në krahun tejtër nuk mund të anashkalojnë degradimin që ka sistemi ynë.  Me mungesën e Gjykatës Kushtetuese gjithçka mund të ndodhi. Na ruajt Zoti se edhe mund të çmendet, pasi nuk ka asnje instance qe mund ta kontrollojë”.  




Skip to toolbar