Bamir Topi: Politika shqiptare ka vetëm dy individë

Ish presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi i ftuar në Real Story të Sokoll Ballës komentoi edhe situatën politike në vend. Topi tha se politika shqiptare përbëhet vetëm nga dy individë, ku njëri të kundërshtojë çon në krizë politike.

“Ajo që i kam thënë Ramës në 2011, është e vlefshme edhe për sot. Kjo ka ardhur për shkak te ndryshimeve Kushtetuese. Dje ishte Berisha sot është Basha. Skena politike shqiptare ka vetëm 2 individe, nuk ka garë, nuk ka fushëpamje. Në momentin që njeri thotë “jo” nuk ka më marrëdhënie.”- tha Topi

Mogherini: Nuk ndërmjetësoj mes partive politike, kriza zgjidhet nga ju

E pyetur nga gazetarët se pse nuk kishte një axhendë për zgjidhjen e krizës politike në vend, Mogherini tha se këtë gjë nuk e ka bërë kurrë, pasi kjo nuk është një qasje që BE ndjek me vendet partnere. Mogherini tha se nuk ka bërë kurrë ndërmjetësime mes partive politike në asnjë vend si brenda ashtu edhe jashtë BE-së.

“Unë asnjëherë nuk hyjë në negociata apo ndërmjetësimeve mes partive politike në një vend të caktuar. Këtë duhet ta bëjë politika e brendshme dhe roli i BE është që të ketë marrëdhënie me të gjithë qeverinë, institucionet dhe shoqërinë. Ky është roli që unë i përmbahem në mënyrë të rreptë. Nuk kam bërë ndërmjetësim në 2017 në dinamikën e brendshme të politikës shqiptare dhe nuk e kamë bërë këtë as në vendet e tjera. Kjo nuk është qasja jonë për marrëdhënien institucionale dhe politike me vendet tona partnere.” – tha Mogherini

“Standardet europiane në Shqipëri, ende jo në masën e duhur”

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Johann Wadephul ka folur rreth krizës politike që ka përfshirë Shqipërinë. Në një intervistë për “Deutsche Welle” ai tha se palët duhet të dialogojnë dhe të gjendjet një kompromis për të mirën e vendit, pasi vetëm në këtë mënyrë do të përparojnë dhe të shpejtojnë integrimin në BE.

Wadephul tha se vendimi për hapjen e negociatave do të jepet në shtator, ndërsa foli edhe për djegien e mandateve të PD duke u thënë “mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. ”

Wadephul gjithashtu ka folur edhe për ngecjen e dialogut Serbi-Kosovë, ku tregon se samiti i Berlinit ka dhënë impulset e duhura që këto dy shtete të nisin sërish komunikimin me tyre.

Deutsche Welle: Zoti Wadephul, cili është vlerësimi juaj për samitin e Ballkanit Perëndimor në Berlin?

Johann Wadephul: Samiti ishte shumë pozitiv. U gëzova shumë që erdhën kaq shumë liderë nga rajoni për të biseduar me kancelaren Merkel dhe presidentin Macron. Ishte një impuls i rëndësishëm që Angela Merkel me Emmanuel Macron dhanë dhe ky impuls tani duhet të merret nga vendet e rajonit. Dhe sidomos mes Serbisë dhe Kosovës na nevojiten negociata shumë konkrete.

Si mendoni ju se mund të zgjidhet konflikti Serbi-Kosovë?

Problemi i njohjes nuk mund të zgjidhet brenda ditës, askush nuk e pret këtë. Por mund të flitet për çështje të veçanta, për trashëgiminë kulturore, për mbrojtjen e pakicave, për asociacionet e komunave. Tani është e rëndësishme që të dyja palët të bisedojnë e të mos ngecet në ca grindje të panevojshme për territore. Këto janë çështje të dorës së dytë. Nëse negociatat do të fillojnë tani me zgjidhjen e këtyre çështjeve praktike dhe shumë konkrete, atëherë kjo është një shenjë e mirë. Gjithsesi, ishte një nismë e rëndësishme nga Parisi dhe Berlini, sepse tani mund të rifillojnë negociatat.

Ju u takuat edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Kur mund të shpresojë Shqipëria të marrë “po”-në e grupit parlamentar CDU/CSU për çeljen e negociatave?

Ne jemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t’i organizojmë konstultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator. Por parimisht u kemi thënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor se janë pjesë e Evropës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Evropian. Dhe, nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel europian.

A i ka plotësuar Shqipëria kushtet për çeljen e negociatave?

Duhet të presim njëherë raportin e Komisionit të BE-së. Unë këtë nuk e njoh. Duhet ta lexoj dhe të shoh situatën në vend. Unë konstatoj se bëhen përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Sot e kam të vështirë të jap një vendim. Prandaj them se duhet të ecet përpara. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur. Por ka shumë shanse që të arrihet.

Shqipëria është momentalisht në një krizë ku është përfshirë edhe partia simotër e partisë suaj, PD-ja. A shihni ndonjë mundësi për ta zgjidhur krizën?

Zgjidhje ka gjithmonë. Zhvillimi aktual është i keq. Është problematike që PD-ja nuk mund të marrë pjesë në parlament me deputetët që janë zgjedhur në të vërtetë. Dikur ajo duhet të guxojë një fillim të ri. Unë besoj se është e rëndësishme që Shqipëria të gjejë veten. Prandaj u them partive pro-europiane që të arrijnë kompromise në nivel kombëtar dhe të vijnë së bashku në Evropë.

Mos është ky një apel për kolegët e partisë simotër, pra, për Bashën, që ai të marrë pjesë në zgjedhjet lokale?

Nuk do të dëshiroja të ndërhyja në raportet personale të PD-së në Shqipëri. Por dëshiroj ta inkurajoj atë të marrë pjesë në proceset politike. Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Evropian nëse forcat pro-evropiane qofshin ato pro-Rama, qofshin pro-Basha, janë në konflikt me njëra-tjetrën. Duhet bërë një afrim në një farë mënyre. Sesi do të arrihet kjo, kjo do të vendoset në Shqipëri. Unë mund të them në drejtim të partisë simotër: mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. Demokraci do të thotë komunikim, grindje, por edhe aftësi për kompromis. Pa kompromis nuk ka demokraci./Marrë nga DW

Kriza politike, Basha troket në zyrën e Kryemadhit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbërritur mëngjesin e sotëm në zyrën e Monika Kryemadhit në selinë e LSI-së, ku po zhvillojnë një takim.

Ky takim vjen vetëm një ditë pasi partitë e vogla aleate të PD-së zhvilluan një takim me presidentin e Republikës të cilit i parashtruan një listë me 12 kërkesa që vendi të dalë nga kriza politike. Por në këtë takim mungonte kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Nuk dihet se çfarë janë duke biseduar dy krerët e Koalicionit Opozitar në këto momente, por sigurisht që kriza politike dhe hapat që do të ndjekë më tej koalicioni, mendohet se janë temat kryesore.

Deri tani PD dhe LSI kanë pasur një qëndrim të përbashkët dhe çdo vendim e kanë marrë në unison në lidhje me djegien e mandateve apo me zhvillimin e protestave në mbarë vendin, që përfshijnë edhe bllokim të akseve të ndryshme rrugore.

Kriza politike, Rama dhe diplomati amerikan në një mendje

Pas takimit me zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan Matthew Palmer, kryeministri Rama bëri dhe reagimin e parë për mediat me një status në “Twitter”.

Në takimin që zgjati më shumë se 90 minuta, duket se Rama dhe Palmer ishin të dakordësi të plotë mendimesh në lidhje me çështjet e rëndësishme të Shqipërisë, si kriza politike dhe integrimi i vendit.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Mathew Palmer” – shkruan Rama.

Palmer ka mbërritur sot në Tiranë në lidhje me krizën politike në vend dhe pritet të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit.

A do marrë fund kriza politike në Shqipëri? Amerika dërgon “negociatorin”

Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer mbërrin sot në Tiranë në kuadër të një turi Ballkanik që ai është duke zhvilluar. Vizita e tij përkon me kulmin e një krize politike në vend dhe shikohet si një mundësi e mirë për të pasur ndryshime pozitive. Nuk dihet ende nëse roli i Palmer do të jetë negociues mes palëve, por pritet që ai të japë mesazhe të qarta nga qeveria e SHBA-së.

Takimin e parë zyrtari amerikan do e ketë me kryeministrin Edi Rama të hënën, ndërsa të martën e 9 prillit, pritet të takohet me Presidentin Ilir Meta. Në të njëjtën ditë, Palmer do zhvillojë një bisedë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të opozitës. Pas takimeve me zyrtarët e lartë, mësohet se Matthew Palmer do të ketë një takim edhe me një grup gazetarësh shqiptarë

Skip to toolbar