Thaçi dekreton Kurtin për Kryeministër, dy javë afat për të formuar kabinetin

Hashim Thaçi dekretoi Albin Kurtin si Kryeministër të Republikës së Kosovës. Presidenti Thaçi nuk humbi kohë, duke firmosur dekretin që e bën Albin Kurtin Kryeministër, pasi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje kërkoi më hëret mandatin.

“Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shkruan Thaçi në njoftimin e dekretit të Kurtit si Kryeministër i Kosovës.

Megjithatë, pasi kreu i Vetëvendosjes njoftoi publikisht se kishte pranuar të merrte mandatin, Thaçi e ftoi atë për takim në zyrën e tij në orën 12:00 të ditës së hënë. Mirëpo Albin Kurti refuzoi të shkonte për të marrë mandatin nga Presidenti i Kosovës.

Ndërkohë, pas lajmit se Albin Kurti kishte kërkuar mandatimin për Kryeministër të Kosovës, reagoi LDK-ja, e cila shprehur qëndrimin se ishte gati për koalicion, pavarësisht se veprimet e Vetëvendosjes i cilësoi “të njëanëshme”. Albin Kurti ka dy javë kohë në dispozicion për të krijuar qeverinë e re sipas Kushtetutës së Kosovës.

Rama bind banorët të lënë shtëpitë

Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e të dielës në qendrën e ngritur në stadiumin e Durrësit, ku do të qëndrojnë përkohësisht disa banorë, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti. Gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin, banorët u shprehën se vendosën të qëndrojnë në qendrën e ngritur në stadium për shkak të panikut dhe frikës. Ndërkohë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu informioi kryeministrin se për banorët janë vënë në shërbim mjekë, infermierë por dhe punonjës socialë e psikologë për të përballuar tramuat.

Rama u bëri thirrje banorëve të shkojnë te konvaleshenca në Durrës, ku janë në dispozicion qindra shtretër, me qëllim që të fillojë puna për riparimin e dëmeve në banesa dhe pallate. Ndërkohë, pasdite kryeministri Edi Rama ka vizituar disa familje në Njësinë nr.7, të cilat ishin prekur nga tërmeti. Rama u ka kërkuar familjeve që të largohen nga pallati, me qëllim që të fillojë puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

“Ishte tërmet i fortë. Ne i kemi parë gjithmonë me frikë këto godinat, sidomos këto godinat e reja. Por kanë rezistuar shumë mirë. Kjo duhet të riparohet, pjesa e sipërme, se strukturalisht nuk besoj se do të ketë problem. Merr dhe njerëzit e tjerë të familjes dhe shkoni te Konvoleshenca dhe bëni një pushim. Vlerësojeni këtë, atje i keni të gjitha në dispozicion”.

“Ku na dole ti korçare trime. Korçaret janë për ballo, për teatro, për libra, për gjuhën shqipe, për kultivimin e shijes dhe edukatës së lartë, por dhe kshu trimesh nuk i dinim. Duhet bërë kjo gjë, sepse është shumë problem ajo pjesa lartë. Mua më morën dhe më thanë hajde urgjent që tu mbushim mendjen disa familjeve që të largohen. Duhet të largoheni që këtu të merreni me këtë punë. Fillimisht nuk duhet të rrijë kjo kështu”, tha Rama.

Boris Johnson konfirmohet nga Mbretëresha: Brexit ndodh në tetor

Boris Johnson mban fjalimin e tij të parë si kryeministër i ri Mbretërisë së Bashkuar në Downing Street. Fjalimi i tij i parë vjen pak pas konfirmim të detyrës së tij të re si kryeministër nga Mbretëresha Elisabeth II dhe miratimit të saj për të formuar qeverinë e re.

Në qendër të fjalimit të tij, ashtu siç pritet është çështja e Brexit duke thënë qartë se “Britania nuk dorëzohet dhe më 31 tetor do të dal përfundimisht nga BE.”

I sigurt dhe gati luftarak në fjalimin e tij të parë si Kryeministër, Johnson tha se njerëzit kanë prit mjaftueshëm dhe se unë do të vihem në shërbim të tyre.

“Nuk kemi pse presim edhe 99 ditë për arritjen e një marrëveshje për Brexit. Brexit ishte një vendim themelor nga populli britanik dhe Britania e Madhe do të ndjekë një partneritet të ngushtë me BE. Do të ketë vështirësi, por jam i bindur se do të ketë një marrëveshje pwr daljen nga unioni. Puna fillon tani.” tha Johnson nga ndërtesa numër 10 e Downing Street, ku u fut si kryeministri 77 i Mbretërisë së Bashkuar.

Boris Johnson dhe sfidat si kryeministër

Boris Johnson u shpall të martën fitues i garës brenda udhëheqjes konservatore britanike, për të zëvendësuar zonjën Theresa May. Kjo i hap atij rrugën të ftohet nga Mbretëresha të mërkurën për t’u bërë kryeministër i ri i vendit. Ish-gazetari ambicioz dhe ish-kryebashkiaku i Londrës kishte pritur gjithë jetën e tij politike për të marrë postin më të laertë, por për të nuk do të ketë muaj mjalti dhe pozita e tij është tani në tehun e thikës. Nëse i bën gjërat gabim, ai mund të thyejë rekordin e Lordit Rockingham në vitin 1782, i cili qëndroi vetëm 96 ditë në Downing Street, duke u bërë kryeministri më jetëshkurtër i Britanisë.

Rebelët në partinë e tij, të udhëhequr nga sekretari i thesarit që po largohet, Philip Hammond, e kanë bërë të qartë se nëse ai përpiqet ta nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje me Brukselin, ata do të votojnë me partitë opozitare për të rrëzuar qeverinë. Kjo do të shkaktonte zgjedhje të parakohshme që konservatorët nuk do të kishin gjasa t’i fitonin.

Me premtimin e zotit Johnson për ta nxjerrë Britaninë “me hir a me pahir” nga BE-ja më 31 tetor, gjërat mund të komplikohen. Alan Duncan u largua si ministër për të nisur një përpjekje që ta detyronte kreun e ri të paertisë të përballet me një votë besimi në Dhomën e Komuneve edhe para se të ftohet nga mbretëresha për të hyrë në Downing Street si kryeministër.

Kryetarja e Dhomës i bllokoi përpjekjet e zotit Duncan. Vetëm një pjesë e vogël e ligjvënësve konservatorë pro-BE-së do të mund të përbënin shqetësim për zotin Boris Johnson. Rreth 12 ministra pritet të largohen nga kabineti, përpara se ai të bëhet kryeministër.

Konservatorët po qeverisin si qeveri e pakicës dhe janë të varur nga një parti nazike, Unionistët e Irlandës së Veriut, që u japin atyre shumicën prej vetëm dy vendesh më shumë në Dhomën e Komuneve. Kjo mund të reduktohet në vetëm një vend më shumë, nëse një ligjvënës konservator shpallet fajtor për vepra seksuale në një gjyq të pritshëm.

Boris Johnson përballet me të njëjtën dilemë parlamentare që rrëzoi udhëheqjen e paraardhëses së tij, Theresa May, një parlament të bllokuar. Vetë zonja May paralajmëroi kohët e fundit se pasardhësi i saj do të përballet me të njëjtën aritmetikë të vështirë parlamentare. Por, disa thonë se ai do të përballet me një matematikë edhe më të ashpër. Zoti Johnson tha se ishte një “nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm” për t’u zgjedhur udhëheqës, dhe ai premtoi se do të “mobilizojë vendin”. “Fushata ka mbaruar dhe puna fillon,” tha ai. Gjatë gjithë fushatës së tij ai sulmoi “pesimistët” që ulnin Britaninë dhe vuri në shënjestër atë që ai e quajti një ndjenjë disfatizmi./VOA/

Katër kandidatë për postin e kryeministrit të Britanisë

Janë katër kandidatë që kanë paraqitur zyrtarisht kandidaturën për t’u bërë kryeministër në Britaninë e Madhe, pas dorëheqjes së Theresa May.

Jeremy Hunt, Boris Johnson, Rory Stewart dhe Esther McVey tashmë kanë thënë se do të kandidojnë për postin.

Gara jo vetëm do të sjellë një kryetar të ri partie por edhe një kryeministër të ri, pasi kush merr postin e kryetarit automatikisht zgjidhet dhe kryeministër.

BBC shkruan se lideri i ri do të zgjidhet brenda muajit korrik.

Ndërsa May konfirmoi dje se do të dorëhiqet zyrtarisht nga posti i kryetares së partisë në 7 qershor, por do të qëndrojë si kryeministre deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri.

Nuk ishin të denjë për qytetarët, Rama heq 600 punonjës nga administrata

Në takimin e përjavshëm me qytetarët që kanë gjetur zgjidhje nga portali “Shqipëria që duam”, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se janë pushuar nga puna 600 punonjës të administratës të cilët nuk ishin të denjë t’i shërbenin siç duhej qytetarëve.

“Janë 600 individ, nga punonjës deri tek drejtues që janë pushuar nga puna se nuk kanë qenë të denjë në shërbimin e qytetarëve. Edhe nga konstatimet tona në bazë të rezultateve të punës së matshme, nga raportet dhe ankesat, por edhe marrja e perceptimit të qytetarëve, ka një perceptim që ndjehet tek shërbimet publike. Miku i famshëm që ishte ilaç tradicional për problemet në shtet, sot ka jo vetëm pamjen, por edhe trajtën e qeverisë. Qeveria miku më i madh i çdo qytetari”, tha kreu i qeverisë. 

ERTV Live😊: shqiperiaqeduam.al🤝Mjafton një klik dhe gjen një mik😁#eGjithëVëmendjapërJu

Publiée par Edi Rama sur Mercredi 24 avril 2019
Skip to toolbar