Lorik Cana është ndoshta një nga shqiptarët që e njeh më mirë se kushdo trajnerin e ri të Kombëtares, Edy Reja. Ky i fundit, gjatë kohës që ishte trajner i Lacios në sezonin 2011-2012, e ka pasur Canën lojtar në ekip, duke e stërvitur çdo ditë. Kështu ish-kapiteni i kombëtares shqiptare ka një raport tjetër me 73-vjeçarin italian.
Lorik Cana, i ftuar si specialist futbolli në “Tring Sport”, ka analizuar ndër të tjera dhe ardhjen e Edi Rejës si trajner i Kombëtares. Ai është shprehur se Reja është një trajner me eksperiencë shumë të madhe, mirëpo i vetmi ‘shqetësim’ për Lorik Canën, është fakti që 73-vjeçari ka drejtuar shumë pak klube jashtë Italisë.
“Edoardo Reja është një trajner me eksperiencë shumë të madhe. Me shumë mundësi, një nga trajnerët, që besoj se ka moshën më të madhe jo vetëm në Itali, por në mbarë futbollin.
Ne kemi pasur edhe Bariç, por ky vjen me moshë më të madhe. Unë e kam pasur Reja-n trajner te Lacio, në sezonin 2011-2012 dhe në vitin 2014. E njoh mirë. Kur një trajner ka moshë 73-vjeçare dhe shumë përvojë, qëllimi është i qartë me të: të stabilizohet ekipi dhe të merret më e mira deri në nëntor, së paku.
Mirëpo, kjo pjesa që nuk ka absolutisht asnjë lloj përvoje, përveç kampionatit italian, ngre pak pikëpyetje. Reja është një person që e njeh mirë futbollin dhe shpresojmë që të arrijë të marrë më të mirën nga ky ekip”.