BE, shteteve anëtare: Të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

BE u kërkon vendeve anëtarë të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përmes një letre dërguar nga përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian, presidentëve Donald Tusk, Jean-Claude Juncker, Ursula Von der Leyen dhe David Sassoli, kërkohet hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ku theksohet se, të dy vendet i kanë përmbushur kushtet që i janë kërkuar. Në letër theksohet se të dy vendet do të kenë shumë punë përpara për të ecur me reformat e tyre, pasi anëtarësimi nuk është një çështje që bëhet brenda natës, por janë gati për të hedhur hapin e hapjes së negociatave.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë kryer kërkesat që i janë kërkuam të bënin. Arritja e kësaj kërkonte një përpjekje të konsiderueshme nga qytetarët e tyre, për të cilët perspektiva evropiane ka qenë një burim i shkëlqyeshëm i motivimit dhe vendosmërisë.

Nuk ka asnjë garanci për sukses. Do të ketë shumë punë të vështirë për reformat gjatë rrugës. Anëtarësia nuk do të ndodhë brenda natës. Dhe të dy vendet janë të vetëdijshëm për këtë. Paralelisht, bashkëpunimi i BE-së do të duhet të thellohet për të ecur së bashku me zgjerimin, në interesin e ndërsjellë të qytetarëve të vendeve evropiane dhe ato kandidate. Ne besojmë se tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet.” shkruhet në letrën e BE që i është dërguar vendeve anëtare.

Në letër theksohet se vendimin i qershorit 2019, ku u vendos se hapja e negociatave të mos shtyhet më vonë se tetori 2019 për të dy vendet, duhet të bëhet realitet. Sipas tyre BE duhet të tregojë se është e aftë të përmbushë premtimet e saj dhe të shoh drejt së ardhmes.

Qershorin e kaluar u pajtuam të arrinim një vendim të qartë dhe thelbësor për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë jo më vonë se tetori 2019.

Bashkimi Evropian qëndron para një zgjedhjeje strategjike. Nëse BE vendos tani për të filluar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një provë e aftësisë së Bashkimit për të përmbushur premtimet e saj dhe për të parë të ardhmen.

Bota jonë po pëson ndryshime të shpejta. Nëse BE do të ruajë rolin e saj ndërkombëtar dhe të mbrojë interesat e saj, ndërmarrja e një hapi drejt integrimit të atyre vendeve evropiane që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kërkesat për fillimin e procesit të pranimit do të ndihmojë në arritjen e kësaj.” shkruhet në letër

Një letër që duhet të dëshpërojë mbështetësit e opozitës

Nga Mero Baze

Lulzim Basha ka lëshuar “një qarkore” kundër asaj që e quan “media armike” në vend, duke porositur gjithë mbështetësit e opozitës të mos i besojnë ato që shkruajnë e lexojnë aty.

Përtej anës qesharake të “strategjisë” që kreu i opozitës ka ndërtuar për t’i mbijetuar medias, ka disa gjëra në atë letër që duhet të shqetësojë mbështetësit e Lulzim Bashës.

Të parët që duhet të jenë të shqetësuar duhet të jenë gazetarët që ai mbron, jo ata që sulmon. Duke i marrë në mbrojtje, dhe duke teatralizuar historinë e tyre, ai çon dëm mbështetjen e tyre për ta, dhe i rreshton ata si ushtarë të tij.

Vetëm një mendje-thatë mund të bëjë, që në një kohë kur në opinion debatohet nëse i ka hequr qeveria apo jo dy emisione nga një televzion, që është boll i afërt me Lulzim Bashën, ky i fundit ta bëjë zero këtë debat, duke treguar se ai e ka shumë më të madhe listën e armiqve se dy emisione që ja vesh Edi Ramës. Ai ka në listen e armiqve televizionet e mëdha e të vogla dhe gazetarë me emra të përveçëm.

Tani sikleti i atyre që ai mbështet, është shumë herë më i madh, pasi ata duken si viktima që persekutohen pse mbështesin Lulin dhe jo pse mbrojnë të vërtetën, apo kritikojnë qeverinë.

Është një nga ilustrimet brilante se si ky njeri dhe kur ka ndonjë debat në favor, e fundos veten dhe baltos çdo kauzë që mund ta jetë në favor të opozitës.

Të paktën të më kishte lënë mua dhe ndonjë tjetër si “armiq”, që të barazohej me dy gazetarë që i ka caktuar armiq të Ramës, se me këtë listë, i bie që Rama i ka gazetarët kritikë “në gryk të pushkës”, por ky i ka “në grykë të topit”.

Problemi tjetër që hap ky koncept primitiv i kreut të opozitës për shtypin, është frika që ky rrezaton ndaj shtypit dhe përballjes me problemet që shtypi ngre për opozitën.

Ajo çfarë i ka bërë Basha opozitës nuk janë ndonjë problem për shtypin, por për popullin opozitar. Shtypi që Basha nuk ka nën kontroll, thjeshtë i tregon ato probleme.

Shtypi që ka Basha nën kontroll, ja quan arritje gjithë dështimet që ka, përfshi dhe faktin që sot PD nuk ka më asnjë deputet, asnjë bashki dhe asnjë njeri në pushtet.

Por Lulzim Basha nuk ka asgjë në dorë të ndalojë gazetarët të shkruajnë për problemet e tij dhe akoma më pak ka në dorë, të bindë opozitën të mos lexojnë gazetarët kritikë me të. Ai po të kishte fuqi të bindte dikë, kishte fituar zgjedhjet.

Ndaj më lehtë e ka të bëjë sikur reflekton dhe të bëjë sikur do të ndryshojë, se sa të detyrojë opozitarët të ndryshojnë dhe të mos lexojnë gazetat apo të mos shikojnë TV-të që ai i quan armike.

As Enver Hoxha nuk i ndalte dot të shikonin televizionet armike shqiptarët. Dhe ata e gjenin një kanaçe, jo më tani që të nxjerrin sytë se janë me shumicë.

Së fundmi kjo “qarkore” tregon dhe sa budalla dhe dëshpërues është për opozitën ky njeri.

Kur vendos të vish në pushtet, gjithë energjitë shpenzohen se si të bëhesh miqësor me të gjithë, si të bëhesh i pranuar, si të demonstrosh aftësinë për pajtim dhe ndryshim dhe jo si të bëhesh si një plakë e çmendur që zë me gurë këdo që kalon në sokak.

Letra është një ilustrim i paranojës, frikës dhe urrejtjes, që ai ka për këdo, që nuk e ka nën kontroll.

Dhe është për t’u dhimbsur, pasi nuk është se dëmton mediat që sulmon. Thjeshtë u tregon mbështetësve të vet sa keq i kanë punët, dhe se duhet të vazhdojnë “të punojnë e jetojnë si në rrethim”, derisa të vijë dita që ky t’u presë kokën, gjithë këtyre armiqve të shtypit.

Mos i gënje kot Lulzim se nuk ke për ta na prerë kokën. Jo se mund të mos vish kurrë në pushtet, me këto mend që ke, por dhe po u përmbys bota e erdhe, do na durosh ose do na lëpish.

Kemi prit e përcjellë dhjetra si puna jote që nga koha kur ti ishe emigrant, dhe u riatdhesove duke ju lëpirë Argitës, e deri kur të ikësh përsëri emigrant, duke i lënë lamtumirën.

Zbulohet letra e rrallë e Skënderbeut, e firmosur nga dora e tij

Historiani i njohur nga Peja, prof. Dr. Jahja Drançolli, ka publikuar një letër të rrallë 568 vjeçare, të firmosur nga vetë dora e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Në një postim në rrjetet sociale, Drançolli ka dhënë edhe shpjegimin e letrës autografe, të cilën Skënderbeu i dërgonte Bujarisë së Republikës së Sienës në Itali.

“568 vjetë më parë (8 gusht 1451): Letër e rrallë autografe e Skënderbeut dërguar Bujarisë së Republikës së Sienës në Itali…!

Letra autografe në fjalë është e njohur për njërën ndër 10 letra autografe (të nënshkruara) nga vetë dora e Skënderbeut, që ruhën në arkiva të njohura të botës (Romë, Venedik, Milano, Napoli, Paris, Dubrovnik, Zagreb dhe Beograd). Kjo letër autografe e shkruar sipas shkrimit humanistik të kohës në latinisht dhe italisht, është një fragment i shkurtër i shkëputur nga një histori madhore.

Ky dokument i çmueshëm i dërguar nga Lazri, abat i Arbrit, është shkruar në një kartë të rëndomtë bombagine të kohës, dhe siç shihet nga faksimili, në të dy anët e fletës (folio) ruhën shënjat e vulës (sigillum) të Skënderbeut, që mban datën, 8 gusht 1451, ndërsa Bujarisë së Republikës së Sienës u kishte ra në duar më 13 shtator 1451…!”, shkruan profesori ndersa si burim informacioni ka Arkivin e Shtetit te Sienës.

Meta i kërkon ndihmë OSBE për krizën politike, por nuk harron të sulmojë edhe Ramën

I pafuqishëm për të arritur të ulë të gjitha palët në një dialog politik dhe ‘çorba institucionale’ që bëri më dekretet e tij shumta, presidenti Meta ka kërkuar ndihmën e OSBE si institucionin e duhur për të zgjidhur krizën në vend. Ka qenë vetë Presidenca që ka zbardhur letrën që Meta i ka dërguar  Presidentit të Asamblesë së OSBE-së, Georgo Tsereteli si dhe ministrit të Jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajčák, që ka kryesimin e radhës të OSBE.

Në letër theksohet se Meta i kërkon zyrtarisht OSBE të ndërmjetësojë një dialog politik në Shqipëri për t’i dhënë fund krizës politike dhe të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të saj. Pavarësisht kërkesës për ndihmë, Meta nuk ka harruar as të sulmojë Ramën duke thënë se po tenton të marrë në dorë të gjitha institucionet e pushtetit duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme për demokracinë.

Do të doja t’i kërkoja zyrtarisht OSBE-së që të ndërmjetësojë një dialog politik gjithëpërfshirës në Shqipëri, me qëllim arritjen e një zgjidhje të gjithanshme, e cila të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm e krizës aktuale politike, institucionale dhe sociale në vend. OSBE-ja është institucioni i duhur për ta ndihmuar Shqipërinë në këto çaste kritike. Shqipëria aktualisht po përjeton një situatë të rrezikshme dhe të pashembullt politike, ku shumica qeverisëse në pushtet kërkon të shtijë në dorë politikisht të gjitha institucionet e kontrollit dhe balancimit të pushtetit, ndërsa opozita kërkon delegjitimitetin e institucioneve.” – shkruhet në letër

Presidenti Meta gjithashtu thekson se sipas tij zgjidhja e vetme e krizës vjen me mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe gjithëpërfshirëse. Madje ka bërë thirrje që kjo të ndodh sa më shpejtë në mënyrë që të mos ndikojë negativisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE por edhe në kryesimin radhës të OSBE.

Nga këndvështrimi im, zgjidhja e vetme e kësaj krize është mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, gjithashtu të domosdoshme për kredencialet demokratike të Shqipërisë, të cilës i është besuar kryesimi i ardhshëm i Organizatës sonë.” – shkruhet në letër.

Sipas Metës 13 tetori do të ishte datë ideale e zgjedhjeve të lira, datë e dekretuar prej tij vetë dhe pa konsultim politik, që erdhi pas çdekretimit të 30 qershorit.

Lexoni letrën e plotë:

Shkëlqesi,

Ishte kënaqësi të takohesha me ju në Tiranë, respektivisht  më 3 qershor dhe 25 korrik. Teksa Shqipëria po përjeton një krizë institucionale dhe përfaqësuese serioze e në të njëjtën kohë, po përgatitet të marrë kryesimin e OSBE-së, e vlerësoj sinqerisht vëmendjen e madhe me të cilën organizata juaj dhe ju personalisht, po ndiqni zhvillimet që po ndodhin dita-ditës në vendin tonë.

OSBE-ja mundet dhe duhet të luajë një rol më aktiv në këtë drejtim. Gjatë takimit tonë të fundit dhe produktiv me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së në Tiranë, ramë dakord se stabiliteti dhe uniteti kombëtar janë kyçe për përparimin dhe kryesimin e suksesshëm të OSBE-së më 2020-n nga ana e Shqipërisë.

Në këtë kuadër dhe në cilësinë e Presidentit të Republikës, institucioni që përfaqëson unitetin e popullit shqiptar, do të doja t’i kërkoja zyrtarisht OSBE-së që të ndërmjetësojë një dialog politik gjithëpërfshirës në Shqipëri, me qëllim arritjen e një zgjidhje të gjithanshme, e cila të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm e krizës aktuale politike, institucionale dhe sociale në vend. OSBE-ja është institucioni i duhur për ta ndihmuar Shqipërinë në këto çaste kritike.

Siç ju kam njoftuar edhe në disa raste të mëparshme, kriza politike në Shqipëri po thellohet dita-ditës. Tensionet politike dhe shoqërore po rriten, ndërsa polarizimi mes palëve kundërshtare po përshkallëzohet gjithnjë e më tepër. Shqipëria aktualisht po përjeton një situatë të rrezikshme dhe të pashembullt politike, ku shumica qeverisëse në pushtet kërkon të shtijë në dorë politikisht të gjitha institucionet e kontrollit dhe balancimit të pushtetit, ndërsa opozita kërkon delegjitimitetin e institucioneve.

Përshkallëzimi i mëtejshëm i krizës ka gjasa të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor e më gjerë. Këshilli Evropian pritet që të marrë një vendim më 17-18 tetor 2019 për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Mbetet ende i paqartë nëse do të merret një vendim pozitiv apo jo. Për më tepër, çdo përshkallëzim i krizës do të kompromentonte rëndë kredencialet e Shqipërisë si kryesuese e radhës e OSBE-së dhe aftësinë e saj për të drejtuar këtë organizatë në mënyrë të efektshme vitin e ardhshëm.

Nga këndvështrimi im, zgjidhja e vetme e kësaj krize është mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, gjithashtu të domosdoshme për kredencialet demokratike të Shqipërisë, të cilës i është besuar kryesimi i ardhshëm i Organizatës sonë.

OSBE-ja, si një forum për dialog dhe bashkëpunim, luan një rol kyç në promovimin e paqes dhe sigurisë në hapësirën euroatlantike. Mbështetja e saj ndaj rrugëtimit të Shqipërisë drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës përgjatë tri dekadave të shkuara ka qenë shumë e rëndësishme. OSBE-ja ishte në fakt, organizata e parë shumëpalëshe, në të cilën Shqipëria aderoi pas rënies së sistemit komunist. Në këtë prizëm, besoj se është në interesin më të mirë të OSBE-së që të angazhohet në mënyrë aktive për të zgjidhur dhe kapërcyer krizën në Shqipëri. Duke vepruar në këtë mënyrë, OSBE-ja do të forconte besueshmërinë e saj si një organizatë efektive rajonale e sigurisë dhe do të përfitonte nga investimi afatgjatë që është bërë për paqen dhe stabilitetin në Shqipëri dhe në tërësi, për Ballkanin Perëndimor.

I nderuar Kryetar i OSBE-së,

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i OSBE-së,

Dëshiroj t’ju informoj se kërkesa ime për ndërmjetësim të OSBE-së i është dërguar edhe Presidentit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Kjo e fundit është e përfshirë fort dhe e përkushtuar në promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Shqipëri. Duke pasur parasysh rolin dhe rëndësinë e dimensionit parlamentar, besoj se Asambleja Parlamentare e OSBE-së duhet të përfshihet në një përpjekje të përbashkët ndërmjetësuese për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.

Me pritjen që kjo kërkesë të shqyrtohet me kujdes!

Sinqerisht,

Ilir META

Voltana Molotovi i shkruan ambasadorëve: Kërkon administrim ndërkombëtar të Shkodrës si në 1913

Pasi doli me zë e me figurë dhe tha se po të kishte mundësi do të gjuante me molotov, Voltana e Shkodrës tani u është drejtuar me një letër ambasadorëve në Tiranë, të cilëve u kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet e 30 qershorit.

Por ajo që bie në sy është kërkesa për administrim ndërkombëtar të Shkodrës siç ka ndodhur në vitet 1913. Një kërkesë kjo e paprecedentë dhe që bie në kundërshtim me Kushtetutën.

“Sot, në 2019, nuk mund t’ia dorëzojmë atë as Kryeministrit e as të emëruarit të tij 8%. Në vitet 1913-1914 dhe 1918-’20, ky qytet me rendësi vitale për të gjithë kombin është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. E ndoshta është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën.

Ndaj ju drejtohem Ju, në emër të qytetarëve shkodranë, që ne jemi të gatshëm më parë të pranojmë një komision administrativ europian, besimplotë te vullneti i tyre demokratik derisa të shkohet në zgjedhje të vërteta, sesa të biem nën diktaturën e pakicës së pakicës votuese.

Për këtë, në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, ju kërkoj publikisht të takohemi për të biseduar mbi këtë situatë të pazakontë, me shpresën që do të bëheni garant i vullnetit qytetar. Duke ju falënderuar për gjithçka keni bërë e bëni për vendin tim”, shkruan Ademi.

Para procesit zgjedhor, Ademi u vendos në krye të protestave të dhunshme të opozitës në qytetin e Shkodrës ku edhe u dogj një shkollë dhe u sulmua me molotov KZAZ e Bushatit.

Ndryshe nga thirrja e ndërkombëtarëve që të zgjedhurit e rinj vendorë të marrin zyrat dhe të nisin menjëherë punën, Ademi shprehet se nuk do të lëvizë nga zyra e kryetares së Bashkisë së Shkodrës.

Voltana Ademi ia ka dërguar letrën të gjithë ambasadorëve të huaj të akredituar në Tiranë përfshirë këtu edhe Ambasadës Amerikane, e cila e bëri të qartë thirrjen e saj për zgjedhjet.

SHBA tha se kontestimi i zgjedhjeve bëhet vetëm në Gjykatën Kushtetuese.

EXCLUSIVE/ Letra shokuese e Metës për Lajçak, si Berisha pas 21 janarit: “Rama po bën puç shteti, vendi drejt anarkisë”

Ajo çka do të lexoni më poshtë, nuk është ndonjë gjë e re. Ilir Meta ka shkruar me dorën e tij, atë që ne e dimë të gjithë. Se Ai nuk është President, por lider i opozitës. Realstory.al është në posedim të Letrës që kreu i shtetit i ka dërguar Miroslav Lajçak, kreut aktual të OSBE, pikërisht në 20 qershor, një ditë para protestës së opozitës, të cilësuar jo vetëm më civilja por dhe më e bukura nga pikëpamja e organizimit politik, me gra, vajza e fëmijë, në vend të maskave, dhunës së egër dhe molotovëve. Letra e Metës flet për rrëshqitjen e vendit në konflikt civil, në dhjetëra bashki, pikërisht kur dhuna në KZAZ kishte ndalur prej më shumë se 24 orësh, falë një paralajmërimi serioz për dy partitë kryesore se do të shfaqeshin në listën e zezë të DASH, si organizata kriminale. Një lajm që nuk u konfirmua, po as u përgënjeshtrua nga ambasada Amerikane në Tiranë. Por ajo që të shokon nga letra, janë jo vetëm të pavërtetat që Presidenti Meta shkruan në letër, por njëanshmëria me të cilën ai vlerëson situatën në vend. Në një pikë të letrës ai analizon shifrat elektorale si Eduard Zaloshnja, duke ia shtuar njërës palë, e dhënë tjetrës për të “argumentuar” se më pak se gjysma e votuesve pranojnë të shkojnë në zgjedhje, duke i bërë ato “antikushtetuese”. Por nuk mbaron këtu.

Pasi i flet në pjesën e parë duke radhitur vetëm argumentet e opozitës dhe asnjë të maxhorancës, Ilir Meta i shkruan Lajçak se nisur nga Kushtetuta që “si përfaqësues i unitetit të Kombit (?!)… vendosa revokimin e dekretit të mëparshëm, duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit për një datë të afërt”.

Ashtu si patën dyshuar mediat për shpejtësinë e botimit, të atij që OSBE dhe amerikanët e quajnë njoftim dhe jo dekret, në Fletoren Zyrtare, Meta i referohet këtij fakti, si argument THEMELOR për detyrimin ligjor të zbatimit të tij, duke shtuar se “presidenti është i vetmi autoritet ligjor për shpalljen e datës së zgjedhjeve”.  

Në një stil shokues, më pas, për disa burime perëndimorë që kanë parë letrën, ai përmend argumentin e vetëm sfidues të dekretit, Gjykatën Kushtetuese, me lehtësinë që një hajdut mund të thotë: Vodha, se e gjeta derën hapur. Por papërgjegjshmëria e kreut të shtetit, i cili në mungesë të Kushtetueses, duhet të ishte edhe më garant i dokumentit themeltar të shtetit, shkon deri atje, sa të akuzojë se maxhoranca, kryeministri dhe ministra të tij “po ushtrojnë presion të paligjshëm dhe po kapin të gjitha institucionet, çka po çon drejt një puçi institucional”. (lexo puç shteti)

Por letra vazhdon me një thirrje gati “të përlotur”, në stilin e Ismail Qemailit, kur i kërkon Lajçak të vërë dorën në zemër pasi ndërsa i shkruante këtë letër “në dhjetëra bashki ka shpërthyer kaosi civil dhe ku policia bashkiake po përplasen me policinë e shtetit”,  e cila sipas Ilirit po përdoret për mbajtjen e zgjedhjeve monopartiake dhe pengimin e zbatimit. Më pas tabloja (apo më mirë skenari që ka ai në kokë) shprehet hapur: “Prej dhjetë ditësh po përpiqem… të ndaloj konfliktin civil, që për fat të keq mund të dëmtojë procesin e integrimit dhe kryesimin e ardhshëm tonin të OSBE”.

Ankth apo kërcënim ky, i presidentit Meta?

Atë e di ai vetë, në momentet e errëta kur ka vendosur të shkruajë këtë letër, jo si kryetar shteti, e aq më pak si simbol i unitetit ndërkombëtar, por si një sponsor i aksionit opozitar dhe firmëtar i ndërgjegjshëm i akteve që shkojnë kundër Kushtetutës, stabilitetit të vendit, kundër ndërkombëtarëve dhe në fund edhe kundër vetes së tij, në pozicionin e Presidentit.

Në fakt kjo letër mund të ishte letra e dorëheqjes së tij nga posti i kreut te shtetit dhe i kalimit zyrtarisht në krahun e opozitës, që do ishte i vetmi akt i ndershëm i Ilir Metës në fund të kësaj krize.

Përndryshe ai mbetet akti më i rëndë i keqpërdorimit të postit shtetëror tërësisht në konfikt interesik, kundër Kushtetutës që ai duhet të mbrojë. Dhe padyshim në fund “epikriza” e procesit të shkarkimit të tij. Për më rëndë e shkruar vetë, me duart e tij. Më poshtë lexoni të plotë letrën e Metës së bashku me faksimilet e origjinalit të saj./realstory.al/

I dashur ministër (Lajçak)

Po ju shkruaj për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe ndikimin e mundshëm në kursin tonë të integrimit europian, si dhe për të angazhimin tonë për të kryesuar OSBE-në gjatë vitit 2020.

Që nga takimi ynë i fundit në Tiranë, situata politike, sociale dhe ekonomike në vend është përkeqësuar, me një përshkallëzim të përditshëm drejt një konflikti të mundshëm civil.

Duke marrë parasysh:

– Një seri skandalesh botuar në mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, ku përfshihet përgjime, në posedim të prokurorisë, që zbulojnë një skemë të organizuar mes të zyrtarëve të lartë të Partia Socialiste, ministrave të kabinetit dhe Policisë së Shtetit me banda kriminale për zgjedhjet lokale 2016 dhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017;

– Mungesën e gatishmërisë dhe veprimeve nga zyra e prokurorisë për të vazhduar me hetimin dhe ndjekjen e menjëhershme të atyre personave të përfshirë në këtë skemë dhe në raste të tjera të rënda korrupsioni  të botuara nga mediat ndërkombëtare;

– Protestat e rregullta kombëtare nga opozita e bashkuar dhe protestat e tjera lokale, që po shfaqen në të gjithë vendin, heqjen dorë en block të opozitës nga mandatet parlamentare dhe mosregjistrimin e tyre en block në zgjedhjet lokale të 30 qershorit;

– Kryeneçësinë e Kryeministrit për të shkuar përpara me zgjedhjet, pavarësisht faktit se në 31 nga 61 bashki do të kishin vetëm një kandidat të regjistruar nga Partia Socialiste; ndërsa 22 të tjera kanë nga një kandidat alternativ më shumë, nga një parti fallco, të regjistruar përtej afateve ligjore, duke shkelur të gjithë procedurat ligjore dhe administrative;

Duhet të theksohet se:

– Partitë aktuale opozitare politike (PD: LSI, PDIU dhe të tjerë aleatë) përbëjnë 48. 14% të votave të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2017, ndërsa Partia Socialiste (PS) dhe aleatët politikë të saj aktualë përbëjnë gjithsej 49.83% të votave.

– Sa i përket përfaqësimit lokal, blloku aktual i opozitës përbën 48.6% të votës popullore të vitit 2015, ndërsa Partia Socialiste dhe aleatët e saj përbëjnë 43% të votave.

– Në lidhje me këto të dhëna, zhvillimi i zgjedhjeve të qeverisjes vendore më 30 qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës, që përfaqëson të paktën gjysmën e elektoratit shqiptar, shkel parimet kushtetuese cilësuara nga dispozitat e posaçme kushtetuese.

– Në të njëjtën kohë, mbajtja e zgjedhjeve të tilla do të përbënte një shkelje e nenit 3, Protokolli 1, i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe të klauzolave preambulative të MSA-së me BE-në.

– Klima shumë e tensionuar politike dhe sociale po shkon drejt sistemit monopartiak dhe potencialit për të përshkallëzuar konfliktin civil në të gjithë vendin. Veprimet institucionale që kërcënojnë pluralizmin politik, janë një sulm ndaj vetë ekzistencës së Republikës;

– Përpjekjet e mia të vazhdueshme institucionale duke apeluar tek të gjitha palët që të rivendosin dialogun politik dhe për të zgjidhur krizën kushtetuese: politike dhe përfaqësuese nuk patën sukses, duke përfshirë edhe ftesën time për të gjitha palët për një marrëveshje të përbashkët që të caktohet një datë e re për zgjedhjet lokale.

– Informacioni i poseduar në cilësinë time si President i Republikës për një përplasje të mundshme gjatë protestës kombëtare të 8 qershorit;

Duke vlerësuar ngjarjet në këtë shkallë shqetësimi, me kompetencat që më jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe duke marrë në konsideratë se si një përfaqësues i unitetit kombëtar, duhet të siguroj që dita e zgjedhjeve të jetë dita e unitetit dhe jo e konfliktit për popullin shqiptar, vendosa më 8 qershor të revokoj dekretin tim të parë që përcaktonte datën e zgjedhjeve lokale, duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit për një datë të mëvonshme, që do të vendosej së shpejti.

Dekreti im dhe arsyetimi i plotë kushtetues, ligjor dhe logjik u botua më 10 qershor. Ky dekret u botua në Fletoren Zyrtare më 11 qershor, dhe sipas nenit 117 të Kushtetutës sonë është në fuqi dhe i detyrueshëm për të gjitha institucionet shtetërore dhe qytetarët.

Unë kam këmbëngulur dhe apeluar publikisht që kjo periudhë kohore për të gjithë palët duhet të përdoret si një dritare e mundësisë për të hyrë menjëherë në dialog politik dhe të zgjidhë krizën e thellë dhe serioze si çështje urgjente, duke pasur parasysh edhe vendimin në pritje të Këshillit për negociatat e Shqipërisë për pranimin me Bashkimin Europian.

Kushtetuta jonë përcakton qartë Presidentin e Republikës si të vetmin autoritet me të drejtë ligjore për të shpallur datën e zgjedhjeve.

Tashmë dihet publikisht që precedenti i parë për shtyrjen e zgjedhjeve lokale nga Presidenti i Republikës u krijua në dhjetor 2006-janar 2007, falë kontribut ekskluziv të Kryetarit të Partisë Socialiste, Z. Rama, në atë kohë Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Për më tepër, me ligj, i vetmi institucion që mund të gjykojë mbi këtë Dekret të Presidentit është Gjykata Kushtetuese, e cila siç e dini është jo funksionale.

Presidenti i Republikës është institucioni i vetëm që ka shprehur shqetësim serioz në lidhje me mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti bëri çdo përpjekje për të zhbllokuar procesin e themelimit të Këshillit të Emërimeve në Gjyqësor, i bllokuar qëllimisht nga mazhoranca që kërkon të sigurojë kontrollin e plotë të saj, duke rrezikuar rënien e të gjithë sistemit.

Ngjarjet, në mënyrë alarmante po përshkallëzohen nga kryeministri dhe ministrat e kabinetit, jo vetëm duke provokuar me retorikë thellësisht përçarëse dhe konfliktuese me anëtarët e opozitës dhe civilët, por edhe duke ushtruar presion të paligjshëm për kapjen e të gjitha institucioneve të tjera, që të çon drejt një grushti institucional të Kryeministrit.

Kryeministri Rama refuzon të pranojë Dekretin e Presidentit dhe ka urdhëruar përfaqësuesit e tij socialistë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të vazhdojnë përpara me zgjedhjet e 30 qershorit, komplet në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe legjislacionit të vendit.

Nga ana tjetër, këta (socialistët) anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë thirrje për mosrespektimin e Dekretit të Presidentit të Republikës dhe për të ecur përpara me zgjedhjet e 30 qershorit, duke i kërcënuar publikisht të gjithë qytetarët, të cilët vendosin t’i binden këtij akti ligjor.

Ndërkohë që ju shkruaj, trazirat civile kanë shpërthyer në dhjetëra bashki, me punonjës bashkie dhe civilë uke u përplasur me Policinë e Shtetit për zhvillimin e zgjedhjeve lokale njëpartiake.

Policia e Shtetit po përdoret për të ndaluar këto bashki dhe qytetarë që të zbatojnë dhe respektojnë Dekretin e Presidentit, sipas ligjit të Republikës.

Tensionet janë rritur më tej dhe autonomia e organeve të qeverisjes vendore është shkelur, duke ppërshkallëzuar gjendjen e paligjshmërisë dhe anarkinë.

Pavarësisht se kanë kaluar 10 ditë nga dekreti im presidencial, unë vazhdimisht po u bëj thirrje të gjitha palëve të rivendosin dialogun politik, që synon zgjidhjen urgjente të kësaj krize gjithnjë në rritje, dhe për të parandaluar çdo konflikt civil gjë që për fat të keq do të rrezikonte stabilitetin e Shqipërisë dhe atë të Procesi i integrimit evropian të saj, duke përfshirë edhe statusin tonë në pritje për Kryesinë e radhës së OSBE-së.

Rrethanat më detyrojnë t’ju informoj siç thashë më lart për këtë çështje urgjente.

Të vetëdijshëm për axhendën tuaj të zënë me çështje të tjera të rëndësishme, mbetem me besim se kësaj situate fatkeqe dhe të rëndë në vendin tim, do t’i jepet vëmendja dhe shqyrtimi i duhur.

Ju lutem Shkëlqesia Juaj pranoni  t’ju siguroj për konsideratën time më të lartë.

Sinqerisht i juaji

Ilir Meta

/Realstory.al/

Italia dhe 12 shtete të tjera, letër BE-së: Të mbështesim Shkupin dhe Tiranën

Trembëdhjetë shtete anëtare i kërkojnë BE-së që të respektojë zgjerimin dhe të mbështesë Shkupin dhe Tiranën.

Shumica e vendeve janë shtete të anëtarësuara rishtas në BE, përveç Italisë, Hungarisë dhe Austrisë.

Euractiv njofton se ato po hartojnë një letër që do t’i paraqitet të 28 shteteve të duke synuar vazhdimin e zgjerimit dhe pranimin në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në listën e 13 shteteve  bëjnë pjesë Estonia, Lituania, Letonia, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria, Italia, Austria, Kroacia, Sllovenia dhe Malta. Letra duhet të paraqitet në një takim të ambasadorëve të BE në Bruksel të mërkurën.

“Ideja është të nisë një thirrje për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha për EURACTIV një diplomat nga një prej 13 vendeve.

“Kjo është gjithashtu një formë presioni. Pra dilema nëse kemi nevojë për zgjerimin e BE është artificiale dhe e gabuar. Nëse të dyja proceset nuk shkojnë së bashku, BE së shpejti do të përballet përsëri me Ballkanin Perëndimor, por fatkeqësisht në një mënyrë më kërkuese dhe të dhimbshme për të dyja palët”, tha diplomati.

Komisioni Evropian ka rekomanduar zyrtarisht hapjen e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën, por vendimi duhet të konfirmohet nga të gjitha vendet anëtare në Këshill, ku Franca dhe Holanda udhëheqin opozitën.

“Është duke u bërë gjithnjë e më e vështirë për të kuptuar këtë dilemë artificiale, sepse ne po flasim për hapjen e negociatave dhe jo për zgjerimin aktual. Natyrisht, Perëndimi nuk mund ta kuptojë këtë”, citon EURACTIV diplomatin.

Në Gjermani, zgjerimi ka ndarë koalicionin e madh qeverisës. CDU / CSU kundërshton nisjen e negociatave. Gunther Krichbaum, kryetar i Komitetit të Europës në Bundestag tha se një vendim i tillë  nuk do të arrihet përpara tetorit.

Por Ministri i Shtetit Michael Roth i (SPD), dëshiron që negociatat të fillojnë menjëherë. “Tani është koha që BE të bëjë ofertën. Ne dhamë fjalën tonë dhe duhet të mbajmë premtimet tona”, shkroi Roth në një artikull për të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Ministria e Jashtme e Çekisë konfirmoi se Çekia bën pjesë në 13 shtetet që kërkon në mënyrë të përsëritur një rol më aktiv në drejtim të rajonit. “Unë do të jem një mbështetës i fortë për dhënien e dritës së gjelbër për të dy vendet,” tha Petricek të premten në lidhje me nisjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Alibeaj i përgjigjet Ramës për letrën dhe bën thirrje për protestë

Ish deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, i akuzuar për dhunë ndaj policisë në protestën e shkurtit të opozitës, ka reaguar në lidhje me letrën e 7 publike të kryeministrit Rama.

Ai e cilëson të turpshme dhe mediokre letrën e Ramës, ndërsa thekson se kreu i qeverisë kërkon me çdo kusht të mbajë pushtetin.

Në përfundim Alibeaj i bën thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e opozitës që do të zhvillohet ditën e diel.

Postimi i Enkelejd Alibeajt në Facebook:

Ndërsa po shihja nëpër rrjetet sociale, se cili nga qeveria ka shkuar në Korçë, për t’iu gjendur pranë banorëve që po kalojnë momente ferri nga tërmeti që goditi këtë zonë,

Kur prisja ndonjë reagim për megaaferën e rrugës Milot-Balldren, që do të marrë nga xhepat e shqiptarëve, plot 16 milion euro për km,

Kur po prisja një plan pune për lajmin mbi dështimet e qeverisë që sollën vendimin e tmerrshëm që erdhi nga Holanda për rikthimin e vizave,

Kur prisja ndonjë sqarim për shembjen e tunelit në rrugën e Arbërit

Kur prisja ndonjë reagim për kriminelët që ka përfshirë në listat e kandidatëve me të cilët po shantazhon shqiptarët me zgjedhje të parablera,

Kur prisja ndonjë reagim për vitet e burgut që duhet të bëjë Vangjush Dako, Damjan Gjiknuri, Pjerin Ndreu e dhjetra zyrtarë të tjerë të kapur në shitblerje votash, pashë një letër mediokre, të turpshme, të Edi Ramës që kërkon me çdo kusht dhe çdo çmim, të mbrojë karrigen e tij si garanci për të mbrojtur milionat e krimit dhe korrupsionit.

Edi Rama mendon se do të gjunjëzojë popullin me presion me shantazh me kërcënim e nga ana tjetër të vazhdojë ta vjedhë e varfërojë.

Kjo kohë ka mbaruar.

Populli është në këmbë, kundër pushtetit të ardhur nga krimi e nga vota e blera për të vjedhur e grabitur Shqipërine.

Nesër ora 19.00 së bashku para Kryeministrisë për #Shqipëria

Rama, letër të dytë Bashës: Dialog pa lëvizur 30 qershorin

Pas letrës së parë publike dërguar dje, kryeministri Edi Rama i është drejtuar sërish Bashës me një letër të dytë ku thekson gatishmërinë e tij për të dialogur pa lëvizur datën 30 për zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Rama i bën thirrje Bashës të mos shkojë drejt humnerës politike por të dëgjojë apelin e partnerëve ndërkombëtarë dhe të ulët në tryezën e bisedimeve.

LETER E DYTE PUBLIKE LULZIM BASHES

Zoti Kryetar,

e mora reagimin Tuaj ndaj letrës së djeshme ende pa u “tharë boja” e saj dhe nuk jam aspak i çuditur, me refuzimin brutal të Dialogut nga ana Juaj. Por, duke qenë se detyrimi im është të këmbëngul, pa humbur durimin, në të vetmen rrugë që njeh demokracia, Dialogun, mbetem i vendosur t’Ju ofroj të gjithë gatishmërinë time, për t’i hapur rrugë Dialogut.

Natyrisht, Ju jeni në të drejtën Tuaj ta udhëhiqni grupimin Tuaj politik drejt humnerës, duke marshuar përditë sikur jetoni në një botë paralele, pa ligje, pa rregulla, pa të tjerë që mendojnë krejt ndryshe nga Ju në këtë vend (shumica dërrmuese, përfshirë edhe shumicën e votuesve Tuaj) dhe jashtë këtij vendi – pa përjashtim të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë.

Ju jeni në të drejtën Tuaj t’u drejtoheni shqiptarëve sikur janë gjindje pa vetëdije, që s’dinë ç’është demokracia, ligji e vetë liria dhe t’i trajtoni miqtë e partnerët ndërkombëtarë të vendit sikur nuk ekzistojnë.

Ju jeni po ashtu në të drejtën Tuaj të synoni tërheqjen pas Jush të pak individëve që mbase, kushedi, mund të jenë gati të kryejnë krime zgjedhore e të humbasin lirinë e tyre, sipas parashikimeve të Kodit Penal për ato krime dhe më tej akoma, t’i thonë lamtumirë edhe lirisë së hyrjes në SHBA dhe në vendet e Bashkimit Europian, si persona të padëshirueshëm në një botë që rrotullohet përmes zgjedhjeve demokratike, jo përmes dhunës mbi to.

Por, i dashur Lulzim, për fat të mirë Ju s’jeni vetëm në këtë vend dhe as ata që do vijojnë t’Ju ndjekin në aventurën Tuaj të pashoqe, gjithnjë e më të paktë, nuk janë asfare populli i këtij vendi. I cili lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur, nuk i ka marrë borxh nga Ju apo nga unë dhe po ashtu, nuk Ju’a ka borxh as Juve, as mua e askujt në botë, mosmbajtjen në kohë e në paqe të zgjedhjeve të radhës.

Kështu që përsëri Ju bëj publikisht thirrje: Ejani të ulemi në Tryezën e Dialogut! Pa kushte dhe pa humbur kohë.

Fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj dhe ditët e numëruara që kanë mbetur, duhen shfrytëzuar për dialog politik, jo humbur me kërcënimet e dëshpërura dhunënxitëse që nuk Ju turpërojnë vetëm Juve, po edhe vendin tonë e të gjithëve ne bashkë me të.

Ejani në Dialog të arsyetojmë si njerëz me përgjegjësi të mëdha dhe t’i ballafaqojmë divergjencat tona të mëdha, me forcën e arsyes, përpara se sa inercia e rrugës së gabuar që keni marrë t’Ju ketë degdisur në esfeltin e irrelevancës politike, megjithë grupimin Tuaj. Edhe njëherë, mua s’më duhet fati Juaj politik dhe as fati politik i atij grupimi – madje sipas meje, troç fare, rrënimi i plotë me duart Tuaja i grupimit që po udhëhiqni qorrazi është ogur i mirë për këtë vend e për vetë të ardhmen e institucionit të pazëvendësueshëm të opozitës – por ky moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, më imponon t’Ju lutem të ktheni rrugë! Sepse Shqipëria s’ka kohë për të humbur për llogaritë e gabuara politike dhe aventurat antidemokratike të kujtdoqoftë.

Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes.

Edi Rama

23 maj, 2019

Skip to toolbar