Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon të krijoj konfuzion ku njëherë njeh 13 tetorin dhe deklaron e kjo mund të jetë një datë e mundshme për zgjidhjen e krizës, duke harruar sloganin e tij 6 mujor “Rama ik” , ndërsa herë të tjera deklaron nuk ka zgjidhje pa largimin e Ramës, krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pa Ramën kryeministër.
Në takimin me demokratët e Lezhës, kreu i opozitës, Basha tha se Rama është problemin më i madh për ekonominë dhe shkatërrimin e drejtësisë, ndërsa shtoi se Partia Demokratike do të vijojë me avancimin e objektivit madhor të zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Edi Rama është artist i mashtrimit. Çdo gjë që ka premtuar, çdo gjë që ka thënë, ka qenë mashtrim me qëllim për të vjedhur. Çdo projekt, program dhe politikë është mashtrim për shqiptarët në shërbim të oligarkëve. 30 qershori, në këtë pikëpamje vetëm ka përforcuar dhe konfirmuar si të drejta shqetësimet dhe rrugëdaljet nga kriza që kemi parashtruar: një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, çuarjen para drejtësisë të të gjithë politikanëve dhe kriminelëve, të faktuar para të gjithë botës si hajdutët e zgjedhjeve, dhe zgjedhje të parakohshme.” tha Basha
Ndërsa duke iu referuar rastit të vendimit të Gjykatës së Durrësit, Basha tha se kjo tregon se reforma në drejtësi është kapur nga Rama dhe prandaj nuk funksionon.
“Kjo tregon se drejtësia është tërësisht e privatizuar nga Edi Rama. 3 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi, drejtësia është tërësisht e kapur nga Rama. Kjo është arsyeja pse drejtësia nuk funksionon. “- u shpreh Basha.