Basha “vijon refrenin”: Zgjedhje të parakohshme pa Ramën

Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon të krijoj konfuzion ku njëherë njeh 13 tetorin dhe deklaron e kjo mund të jetë një datë e mundshme për zgjidhjen e  krizës, duke harruar sloganin e tij 6 mujor “Rama ik” , ndërsa herë të tjera deklaron nuk ka zgjidhje pa largimin e Ramës, krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve  të parakohshme pa Ramën kryeministër.

Në takimin me demokratët e Lezhës, kreu i opozitës, Basha tha se Rama është problemin më i madh për ekonominë dhe shkatërrimin e drejtësisë, ndërsa shtoi se Partia Demokratike do të vijojë me avancimin e objektivit madhor të zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Edi Rama është artist i mashtrimit. Çdo gjë që ka premtuar, çdo gjë që ka thënë, ka qenë mashtrim me qëllim për të vjedhur. Çdo projekt, program dhe politikë është mashtrim për shqiptarët në shërbim të oligarkëve. 30 qershori, në këtë pikëpamje vetëm ka përforcuar dhe konfirmuar si të drejta shqetësimet dhe rrugëdaljet nga kriza që kemi parashtruar: një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, çuarjen para drejtësisë të të gjithë politikanëve dhe kriminelëve, të faktuar para të gjithë botës si hajdutët e zgjedhjeve, dhe zgjedhje të parakohshme.” tha Basha

Ndërsa duke iu referuar rastit të vendimit të Gjykatës së Durrësit, Basha tha se kjo tregon se reforma në drejtësi është kapur nga Rama dhe prandaj nuk funksionon.

“Kjo tregon se drejtësia është tërësisht e privatizuar nga Edi Rama. 3 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi, drejtësia është tërësisht e kapur nga Rama. Kjo është arsyeja pse drejtësia nuk funksionon. “- u shpreh Basha.

KQZ pranon kërkesën e “Kaubojsit”, hap 11 kuti votimi në Lezhë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hap ditën e premte 11 kuti votimi në qarkun e Lezhës, pas ankimimit të bërë nga partia Kombëtare Konservatore Albania.

Kjo parti është përfaqësuar me kandidatin Eduart Ndocaj, i cili ka deklaruar e në 30 qershor janë vjedhur votat nga komisionerët socialistë. Përfaqësuesi ligjor i Ndocaj paraqiti provat që bindën KQZ të hap 11 kuti votimi të qarkut Lezhë ditën e premte në orën 10:00.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi projektvendimet: 1. Shqyrtimi i kërkesës ankimore nr.58 paraqitur nga subjekti zgjedhor partia “Kombëtare Konservatore Albania”. Ditën e premte në orën 10:00, vijon shqyrtimi i kërkesës ankimore me marrjen e provave dhe rinumërimin e rivlerësimin e votave në 11 qendrat e votimit të objektit të kërkesës ankimore.’ – shkruhet në njoftimin e KQZ.

Eduart Ndocaj ishte një nga kandidatët për kryetar Bashkie të Lezhës, por arriti të merrte vetëm 6 % ose 790 vota. Bashkia e Lezhës u fituat nga kandidati socialist Pjerin Ndreu me 91 % ose 12922 vota, ndërsa kandidati i Bindjes Demokratike, Salvador Kaçaj mori 3 % ose 427 vota.

Përplasen dy makina në Lezhë, plagosen katër persona

Një aksident i rëndë, me pasojë plagosjen e katër personave ka ndodhur në aksin Shëngjin-Lezhë.  Njëri nga mjetet humbi kontrollin dhe u përplasë me mjetin tjetër duke përfunduar jashtë rruge. Makina me targa kosovare  ka qëndruar për disa minuta në ajër, pasi ngeci në kanalin anësor të rrugës.

Katër të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Lezhës, ku edhe po marrin ndihmën mjekësore.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë shkaqeve të aksidentit.

Aksident në Lezhë, humb jetën një person

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin, ku si pasojë e përplasjes së një automjeti me një motor, ka humbur jetën një person, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45 të mbrëmjes të së martës, në vendin e quajtur “Lapidari”.

Dy personat mësohet të kenë qenë duke udhëtuar me një motor, teksa janë goditur nga një mjet. Nga përplasja me makinën, të dy personat që udhëtonin me motor kanë mbetur të plagosur rëndë.

Pas aksidentit në vendin e ngjarjes fillimisht kanë ndaluar udhëtar të rastit, dhe më pas ka mbrritur policia, dhe pas saj ka shkaur në vendin e ngjarjes ambulance (raportohet të ketë shkuar disa minuta me vonesë).

Megjithatë, të dy personat janë transportuar me urgjencë në spitalin e Lezhës, aty ku njëri prej tyre ka humbur dhe jetënn pasi nuk i ka përballuar dot plagët që ka marrë nga aksidenti. Ngjarja mbetet në zhvillin, ndaj identieteti i personit që ka humbur jetën dhe të plagosurit nuk është bërë i ditur ende.

Tmerron banorët me breshëri automatiku në gjendje të dehur, arrestohet 49 vjeçari në Lezhë

Në Lezhë është bërë arrestimi i një tjetër personi në flagrancë, po për armë mbajtje pa leje. Sipas Policisë së Shtetasit, në pranga është vënë një shteas, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, vetëm inicialet A.P., 49 vjeç. Ky shtetas, në gjendje të dehur në fshatin Rraboshtë në Lezhë, mbrëmjen e të hënës ka qëlluar në ajër me armë zjarri në oborrin e banesës së tij.

Të tmerruar nga breshëritë e plumbave, banorë të fshatit kanë lajmëruar policinë e shtetit, e cila ka shkuar në vendngjarje duke bërë arrestimin në flagrancë të personit që kishte qëlluar me armë. Gjatë kontrolleve në banesë, këtij shtetasi i janë sekuestruar 2 armë zjarri automatike (automatik model MP-40 dhe Pushkë model 63), si dhe një granatë dore ofensive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. parashikuar nga neni 278 dhe 274 të Kodit Penal.

Policia e Shkodrës ka arrestuar në flagrancë një person që qarkullonte në rrugë me armë zjarri pa leje. Sipas një njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit, këtë të martë është bërë arrestimi i një personi 25 vjeç, emri i të cilit nuk jepet, vetëm me inicialet L.M., banues në Shkodër, i cili është kapur teksa qarkullonte në rrugë me armë zjarri pa pasur leje. Kanë qenë forcat “Shqiponja” ato që kanë bërë zbulimin dhe më pas arrestimin e këtij personi, pas informacioneve të marra në rrugë operacionale. Arrestimi i këtij shtetasi u bë gjatë kohës që udhëtonte me motorr.

Forcat “Shqiponja” e kanë ndaluar dhe gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e tipit “TT”.  Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Kontrabandë dhe grabitje, arrestohen 3 persona në Lezhë

Policia e Lezhës ka vënë në pranga tre persona që akuzohen për grabitje, kontrabandë mallrash të vjedhura dhe armëmbajtje pa leje.

Në pranga kanë rënë B.M, 40 vjeç, banues në Kukës; N.N, 50 vjeç banues në Kurbin dhe M.L, 38 vjeç banues në Kosovë.  Konktretisht 40-vjeçari, B.M është kapur me 10 thasë kafe kokërr, me peshë totale 600 kg kontrabandë, pa dokumentacion shoqërues. Ai u ndalua pasi polica gjeti mallrat kontrabandë, gjatë një kontrolli tek unaza e qytetit të Rubikut.

Ndërkohë në Kurbin është arrestuar N.N, pasi pas informacioneve të marra nga qytetarët, ai është kapur me armë zjarri të tipit ‘Pushkë’. Ndërsa personi i tretë, M.L është kapur në Shëngjin pasi akuzohet për vjedhjen e  banesës që kishte marrë për pushime. Atij i janë gjetur një televizor ‘Plazma’ dhe disa sende të tjera të vjedhura.

Lezhë, sherri për pronën i merr jetën kryeplakut të Mërqisë

Lezha është gdhirë me një ngjarje të rëndë, ku ka mbeturi vrarë kryeplaku i fshatit Mërqi, Gjin Marku.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës, pikërisht në zonën ku ai ushtronte këtë detyrë. Sipas policisë së Lezhës, Gjin Marku është vrarë nga T.Gj nga fshati Kashnjet, i cili ishte mik i familjes së viktimës.

Shkak për këtë vrasje dyshohet se është bërë një konflikt për motive pronësie mes viktimës, Gjin Marku dhe autorit Tonin Gjini, nga fshati Kashnjet i Lezhës.

Uniformat blu shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes. Ndërsa pas identifikimit të autorit të vrasjes efektivët e policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe kanë mundur ta arrestojnë disa orë pas krimit.

Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rrethanat që çuan në këtë krim të rëndë që tronditi qytetin e Lezhës mëngjesin e së mërkurës.

Kjo është vrasja e dytë në muajin qershor që ndodh për motive pronësie. Dhjetë ditë më parë, një tjetër konflikt prone i mori jetën administratorit të Kotës në Selenicë, Argjil Gjoka.

Ai mësohet se ndërhyri në një konflikt mes dy personave në fshatin Pet që sipas burimeve po konfliktoheshin për çështje prone. Por konflikti ka përshkallëzuar dhe një prej tyre, paraprakisht i identifikuar si Mersin Bejtja ka qëlluar me armë zjarri. Për pasojë administratori Gjoka ka marrë një plumb në gjoks, dhe pavarësisht se u dërgua në spital, ai ndërroi jetë nga plaga e marrë.

Shkrumbohet nga zjarri lokali i dasmave në Lezhë

Digjet nga zjarri një lokal dasmash në qytetin e Lezhës. Zjarri ka rënë gjatë natës së të dielës ndërsa paraprakisht dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike.

Lokali ka qenë në afërsi të tregut të qytetit, ndërsa dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme pasi zjarri ka qenë i përmasave të mëdha.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e plotë të saj.

Maratona e 30 qershorit, Rama e nis me qytetin e Lezhës

Nën sloganin “Bashkia që duam’ kryeministri Rama do të nis sot turin, ose maratonën e 30 qershorit siç e quan ai ndryshe, në qytetin e Lezhës. Ditën e shtunë kryeministri Rama bëri hapjen zyrtare të fushatës elektorale ndërsa më 2 qershor do të vendoset në Lezhë, ku së bashku me kandidatin e PS për bashkinë e qytetit, Pjerin Nderu do të zhvillojnë një takim me qytetarët dhe të prezantojnë programet e tyre.

“Sot 18:00 fushata e 30 qershorit vijon me Lezhën, të cilës bashkë me Pjerinin do t’i japim një hov të ri me rrugën e re turistike Shëngjin/Velipojë e hapjen e një kapitulli të ri zhvillimi turistik e rural për ta vënë atë dhuratë të natyrës në funksion të ekonomisë e punësimit” shkruan Rama në Twitter.

Ndërkohë që Partia Socialiste ka nisu fushatën zgjedhore, opozita e vetëpërjashtuar nga Parlamenti vijon protestat për mosmbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ajo do të protestojë sërish sot në Tiranë për të kërkuar largimin e kryeministrit Rama.

Plagosi 35 vjeçarin në Lezhë, policia identifikon autorin

Pas një sherri banal, një 35 vjeçar është qëlluar me armë zjarri dhe është plagosur mbrëmë në qytetin e Lezhës.

Ndërsa sot policia njofton se ka identifikuar autorin e krimit dhe është vënë në kërkim të tij. Sipas policisë ai është 37 vjeçari me inicialet P.K, nga Lezha, i dënuar edhe më parë për mbajtje të armëve të zjarrit pa leje.

Policia njofton se ngjarja ka ndodhur pas një sherri banal.

Njotimi i plotë:

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i plagosjes së shtetasit R. K., ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në një lokal në qytetin e Lezhës, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi P. K., 37 vjeç, banues në Lezhë, i dënuar me parë për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, ka plagosur me armë zjarri shtetasin R. K.

Policia e Lezhës vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar, i cili është shpallur në kërkim.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 88 dhe 278/2 të Kodit Penal.

Skip to toolbar