Sulmet ndaj medias, Soreca: Liria e shprehjes, pikë referimi për demokracinë

Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca, ka dhënë mesazhe të forta për lirinë e mediave dhe gazetarinë investigative në Shqipëri. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Shtëpinë e Europës, ku u dhanë çmimet për gazetarinë investigative, Soreca është shprehur se BE mbështet fortë lirinë e fjalës në Shqipëri, ndërsa ka thënë se ‘liria e mediave është pikë referimi për demokracinë’.

“Ne jemi sot këtu për të dhënë mbështetjen e fortë të Bashkimit Evropian për lirinë e mediave dhe gazetarinë investigative në Shqipëri. Në Ballkanin Perëndimor dhe më konkretisht në Shqipëri, BE-ja e konsideron lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave si pikë referimi për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjshmërinë politike. Aspirimi për t’u bërë një Shtet Anëtar i Bashkimit Evropian nënkupton që këto dy shtylla kryesore janë të vendosura mirë dhe respektohen”, ka thënë Soreca.

Ky mesazh i ambasadorit të BE në Tiranë, vjen vetëm pak ditë pasi në media u publikua një qarkore e Partisë Demokratike, ku shpallej portali Realstory.al dhe emisioni Real Story i gazetarit Sokol Balla, si media ‘armike’. Ndonëse në fjalën e tij Soreca është treguar i kujdesshëm dhe i rezervuar, mesazhi i lë të kuptohet se BE nuk pranon sulme ndaj ‘lirisë së fjalës dhe medias’, duke i konsideruar shtylla kryesore që duhet të respektohen. Megjithatë, mesazhet nuk mungojnë as për qeverinë, për të cilën kërkon që të bëjë kujdes me zgjerimin e kompetencave të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

“Komisioni Evropian ndan shqetësimet e organizatave të tjera ndërkombëtare, që lidhen me mungesën e sigurisë juridike dhe zgjerimin e fushës së kompetencës së Autoritetit të Mediave Audiovizive për të përfshirë rregullimin në internet të mediave – pasi kjo mund të çojë në efekt negativ mbi lirinë e shprehjes”, është shprehur Soreca.

Gjatë fjalës së tij, Soreca ka folur dhe për ‘fake news’, duke u shprehur se ky fenomen ka zbehur besimin e publikut te media. “Lajmet e rreme dhe dezinformimi gërryejnë besimin e publikut në gazetari dhe në institucionet publike, gjë që nga ana tjetër pengon që e gjithë shoqëria të ecë përpara. Kur bëhet fjalë për trajtimin e dezinformimit, ndërsa ndajmë shqetësimet e autoriteteve shqiptare në lidhje me dezinformimin, Komisioni rekomandon qasje që janë më pak të ashpra, bazuar në një qasje të vetërregullimit. Kjo është qasja që Komisioni Evropian propozon në Komunikimin e tij mbi “Trajtimin e dezinformimit në internet”, ka thënë Soreca.

“Më hapën barkun ata që flasin për ndarje fondesh publike për median”

Reagimin më të ashpër kundër politikanëve në Ditën Botërore të Medias e ka patur gazetari Sokol Balla. Në një postim në Instagram Balla shkruan se ndihet i neveritur nga deklaratat e atyre që flasin për ndarje të fondeve publike për median, në një kohë kur këtë lojë e nisën vetë kur kishin qeverinë.

 “Më hapën barkun Ata që flasin për ndarje fondesh publike për median dhe që e nisën atë lojë vetë kur kishin qeverinë. Më bëjnë të vjell “Ata” që kujtohen për gazetarët që dikur i rrahen dhe i burgosen, sa harrojnë dhe i kërcënojnë kolektivisht edhe Ditën e Lirisë së Shprehjes”, shkruan Balla. Megjithëse nuk përmend emra konkretë, ky postim i gazetarit Balla duket si një replikë ndaj deklaratës së kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe Presidentit Ilir Meta.

 “Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias. Shqetësimet e thella të ngritura në raportet e fundit të “Freedom House” dhe “Reporterëve pa kufij”, për fatin e keq, vijojnë të hasin në vesh të shurdhët. Shtypi ynë sot, edhe sipas këtyre organizatave, është më pak i lirë dhe i pavarur, mediat goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar dhe tentativat për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes janë alarmante”, shkruan presidenti Meta.

“Gazetarët pa liri janë si një vend pa zgjedhje të lira. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, gazetarët shqiptarë janë më pak të lirë, më të pasigurtë, më të censuruar, me fare pak të drejta sociale dhe ekonomike, ndërsa shumë prej pronarëve të televizioneve, gazetave, portaleve janë më të pasur me tendera, licensa dhe favore të tjera qeveritare. Gjendja e përkeqësuar e medias në Shqipëri u reflektua me rënien me 7 vende në indeksin botëror të Lirisë së Medias, në raportin e së cilës shprehet shqetësimi “për kapjen e mediave dhe përqendrimin e tyre në duart e një grushti biznesmenësh. Përdorimi i medias për avancimin e interesave ekonomike dhe jo për interesin publik është problemi kryesor që i ka ulur medias besueshmërinë tek publiku dhe ka bërë që 80% e gazetarëve të shprehen se nuk kanë besim për të ardhmen e tyre profesionale”, shkruan kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Rama-opozitës: Dhunuesit e mediave do gjykohen me votë

Pak pas deklaratës së Bashës se mediat në Shqipëri nuk janë të lira dhe janë kthyer në një vegël në duart e qeverisë, ka reaguar edhe kryeministri Rama në Twitter.

Kryeministri tha se deri dje gazetarët rriheshin e shantazhoheshin, prandaj autorët e dhunimit të tyre nuk mund të flasin në emër të lirisë së medias.

“Ç’komedi e zymtë me djegësit, rrahësit e shantazhuesit e deridjeshëm të gazetave, gazetarëve e mediave që flasin në emër të lirisë së tyre! Po shyqyr ka gjykatës për të gjithë dhe për të gjithë sa bëhen e thuhen, vjen dita e gjykimit ME VOTE.” – shkruan Rama

Basha: Mediat, jo vegël propagande e qeverisë

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypin, edhe kryedemokrati Lulzim Basha ka dhënë një mesazh përmes një postimi në Facebook. Në deklaratën e tij Basha thotë se media shqiptare sot është më pak e lirë dhe e sigurt dhe kjo u reflektua me rënien me 7 vende në indeksin botëror të Lirisë së Medias. “Gazetarët pa liri janë si një vend pa zgjedhje të lira” dhe se mediat po përdoren për avancimin e interesave ekonomike dhe jo për interesin publik.

“Pjesa më e madhe e medias sot në Shqipëri nuk bën më disa nga pyetjet bazë të gazetarisë “PSE”, “SI” “KUSH”. Gjithçka është reduktuar tek “KUR dhe “KU”, sepse pyetjet e tjera çojnë tek pushteti, tek qeveria, tek bashkia, që u japin pronarëve tendera, reklama, leje ndërtimi, licenca e favore të tjera.

Gjendja e përkeqësuar e lirisë së medias gjatë qeverisjes së Edi Ramës reflekton gjendjen e vërtetë të demokracisë në Shqipëri.” – shkruan Basha

Basha cilëson gjithashtu se gazetarët meritojnë të jenë pushteti i katërt dhe jo një vegël propagande në duart e kryeministrit.

Gazetarët pa liri janë si një vend pa zgjedhje të lira. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, gazetarët…

Publiée par Lulzim Basha sur Vendredi 3 mai 2019

Liria e medias, realisht jemi më mirë apo më keq se në 2013?

Një ditë më parë organizata ndërkombëtare “Reporterët pa kufij” publikoi rezultatet e raportit për këtë vit mbi lirinë e medias. Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet në vendin e 82 në listën e 180 vendeve, duke shënuar me një rënie prej 7 vendesh. Në raport theksohet se “tregu i medias në Shqipëri është i përqendruar në duart e vetëm disa pronarëve të mëdhenj të cilët kanë lidhje të ngushta me politikanët dhe në shumicën e rasteve kjo ndikon në intimidimin e gazetarëve ose në përdorimin e tyre për qëllime politike”. Raporti gjithashtu e cilëson denigruese retorikën që përdor kryeministri Rama teksa etiketon mediat apo gazetarët. Menjëherë pas publikimit të këtij raporti reagoi Partia Demokratike përmes ish deputetes Albana Vokshi duke akuzuar qeverinë për këto të dhëna, ndërkohë që i shqetësuar u shfaq edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta i cili e cilësoi këtë raport një këmbanë alarmi.

Reporteret pa Kufij

Shqipëria renditet në vendin e 82 përsa i përket indeksit të lirisë së medias. Lexo të plotë

Po si paraqitet situata në të vërtetë? A jemi më mirë se në 2013, kohë kur qeveriste Partia Demokratike, apo tani?

Në bëmë një kërkim të thjeshtë në internet dhe zbuluam se sipas po të njejtës organizatë, pra “Reporterëve pa kufij” në vitin 2013 Shqipëria renditej në vendin e 102 të listës duke shënuar një rëni prej 6 vendesh krahasuar me 2012.

Reporteret pa Kufij

Shqipëria renditet në vendin e 102 përsa i përket indeksit të lirisë së medias në raportin e vitit 2013. Lexo të plotë

Këtë e konfirmon edhe një shkrim i botuar në vitin 2013 në Ora News, siç e shikoni në link.

Ora News

Në raportin “indeksi i lirisë së shtypit” për vitin 2013, organizata “Reporterët pa kufij” e ul vlerësimin e Shqipërisë me 6 pikë krahasuar me një vit më parë. Sipas raportit Shqipëria mban vendin e 102-të në botë për lirinë e shtypit. Lexo të plotë

Pra mesa duket nga 2013 e deri tani kemi shënuar goxha përmirësim duke kaluar nga vendi 102 në vendin 82. Megjithëse duhet pranuar që gjendja e medias në Shqipëri ka gjithmonë vend për t’u përmirësuar.

Skip to toolbar