“Më hapën barkun ata që flasin për ndarje fondesh publike për median”

OPINION


Reagimin më të ashpër kundër politikanëve në Ditën Botërore të Medias e ka patur gazetari Sokol Balla. Në një postim në Instagram Balla shkruan se ndihet i neveritur nga deklaratat e atyre që flasin për ndarje të fondeve publike për median, në një kohë kur këtë lojë e nisën vetë kur kishin qeverinë.

 “Më hapën barkun Ata që flasin për ndarje fondesh publike për median dhe që e nisën atë lojë vetë kur kishin qeverinë. Më bëjnë të vjell “Ata” që kujtohen për gazetarët që dikur i rrahen dhe i burgosen, sa harrojnë dhe i kërcënojnë kolektivisht edhe Ditën e Lirisë së Shprehjes”, shkruan Balla. Megjithëse nuk përmend emra konkretë, ky postim i gazetarit Balla duket si një replikë ndaj deklaratës së kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe Presidentit Ilir Meta.


 “Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias. Shqetësimet e thella të ngritura në raportet e fundit të “Freedom House” dhe “Reporterëve pa kufij”, për fatin e keq, vijojnë të hasin në vesh të shurdhët. Shtypi ynë sot, edhe sipas këtyre organizatave, është më pak i lirë dhe i pavarur, mediat goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar dhe tentativat për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes janë alarmante”, shkruan presidenti Meta.

“Gazetarët pa liri janë si një vend pa zgjedhje të lira. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, gazetarët shqiptarë janë më pak të lirë, më të pasigurtë, më të censuruar, me fare pak të drejta sociale dhe ekonomike, ndërsa shumë prej pronarëve të televizioneve, gazetave, portaleve janë më të pasur me tendera, licensa dhe favore të tjera qeveritare. Gjendja e përkeqësuar e medias në Shqipëri u reflektua me rënien me 7 vende në indeksin botëror të Lirisë së Medias, në raportin e së cilës shprehet shqetësimi “për kapjen e mediave dhe përqendrimin e tyre në duart e një grushti biznesmenësh. Përdorimi i medias për avancimin e interesave ekonomike dhe jo për interesin publik është problemi kryesor që i ka ulur medias besueshmërinë tek publiku dhe ka bërë që 80% e gazetarëve të shprehen se nuk kanë besim për të ardhmen e tyre profesionale”, shkruan kreu i PD-së, Lulzim Basha.




Skip to toolbar