Tavo braktis ‘betejën’, Luftëtari në ‘luftë’ me rrezikun e shkrirjes si klub

SPORT


Presidenti i Luftëtarit Grigor Tavo është larguar nga klubi. Ai nuk do të jetë më pjesë e aksionerëve, që deri tani mban shumicën e tyre, në sezonin e ardhshëm. Ky vendim i Tavos, që ka reaguar me një letër publike, ka ardhur pasi sipas tij, aksionerët e tjerë të klubit, nuk kanë investuar për pjesën që u takon në skuadër.

“I gjendur në një situatë ku të gjithë aksionerët nuk e mbështesin Luftëtarin, as në kuotat që u takon si një shoqëri aksionere, e kam të pamundur të vijoj drejtimin e skuadrës dhe shoqërisë në tërësi. Është një vendim tepër i dhimbshëm por mua dhe jo vetëm. Do të largohem nga presidenca e Luftëtarit për t`i hapur rrugë investitorëve të rinj, që ndoshta mund të bëjnë më shumë për këtë skuadër dhe këto ngjyra, që secili prej nesh i ka në zemër”, ka shkruar ndër të tjera Tavo, që kishte 37% të aksioneve.


Tashmë Luftëtari mbetet me dy aksionerë të tjerë privatë, dhe Bashkinë e Gjirokastrës, e cila në letrën e Tavos cilësohet se i ka përmbushur detyrimet që i takojnë. Ata që nuk kanë kontribuar për klubin janë dy aksionerët e tjerë, përkatësisht Aleksandër Misto me 38 % dhe Bekim Halilaj me 25 %. Në këto kushte, Luftëtari gjendet në mes të katër rrugëve, pasi klubit do t`i duhet një mbështetje tjetër financiare nga biznesi privat, ose në të kundërt gjërat do të përkeqësohen.

Në fakt, Luftëtari ndodhet përballë një situate akoma dhe më të rëndë pas largimit të Grigor Tavos, pasi klubi ende nuk ka përmbushur kriterin financiar për të marrë licensën për të luajtur në Superligë për sezonin e ardhshëm. FSHF ka paralajmëruar më herët se klubet që nuk do të përmbushin këtë kriter deri më 31 korrik, do të përjashtohen nga kampionati.




Skip to toolbar