Protesta sot kundër sistemit të gabuar

Të hënën Lulzim Basha me shumë mundësi në fjalimin që do të mbajë para protestuesve, mes entuziazmit për fitoren e 30 qershorit, do të kërkojë ndryshimin e sistemit, Kushtetutës, Kodit Zgjedhor, etj., etj. Mos u habisni kur ta dëgjoni me shumë patos dhe forcë, me një timbër zëri që do tentojë të krijojë hipnozë ndaj protestuesve për të thënë se “fajin e ka sistemi”, dhe pa ikur Rama nuk ndryshon sistemi. Në krahun tjetër, ende e pakonfirmuar, por nga që ka marrë frenat e organizimit të protestës në dorë, edhe Monika Kryemadhi mund të dalë në podium para qytetarëve për të folur, ku ndër fjalë do të shqiptojë edhe “t`i japim fund tranzicionit, të ndryshojmë sistemin”. Këto nuk janë shpikje, janë fjalë që Basha dhe Kryemadhi i kanë artikuluar vazhdimisht gjatë protestave të tyre.

Ndaj, ky ligjërim publik për ‘ndryshim sistemi’ kërkon vëmendje. A është halli te sistemi? A është problem Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, apo çfarë? PD dhe LSI nuk e kanë këtë hall, e kanë provuar në mijëra mënyra prej 1990 këtë gjë, dhe sot nuk është nevoja të na risjellin si risi të artikulimit politik togfjalëshin “Ndryshim Sistemi”. Pse, cilin sistem do ndryshojmë? A është ky sistem i ndryshuar me dhjetra herë, Kushtetuta në 2008, Kodi Zgjedhor në disa raste.

A është ky sistemi i 17 majit 2017, kur Basha thirri po fitore, pasi ashpërsoi Kodin Penal për krimet elektorale?. A është ky sistem që u ndryshua pas kohës së  Klanit të Zemunit, Dushkut, Ruzhdies, Tiranës në 2011?! Po, ky sistem është ndryshuar disa herë, janë provuar të gjitha format, janë ndryshuar dhe njerëzit brenda sistemit, është ndryshuar gjithçka, vetëm dy gjëra nuk janë ndryshuar në 19 vjet. Politikanët dhe ai që do duhet të ishte sistemi bazë i funksionimit të shtetit që në gjenezën e tij, Drejtësia.

Por le ta nisim nga fundi. Tani që në fakt Sistemi i Drejtësisë po ndryshon, dhe politikanëve të korruptuar u mblidhet laku pas qafe, kërkohet ndryshim i sistemit, kërkohet kompromis, kërkohet ndryshim përsëri i Kushtetuës, ndryshim i Kodit Zgjedhor (pavarësisht të metave që ka, është i vlerësuar nga partnerët ndërkombëtar), kërkohet pra një ndryshim sistemi, jo për të mirën e shqiptarëve, për hallin e politikanëve.

Dhe kërkohet një kompromis në kurriz të shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur në gati tre dekada pluralizëm, kriza fiktive dhe më pas zgjidhje për interesa partiake, e kanë dëshmuar Meta, Berisha, Basha, Monika, Rama dhe të gjithë bashkë kanë qenë pjesë e sistemit dhe ndryshimit të tij sa herë u është nevojitur. Por, tani ka një ngërç të madh, Rama për fatin e tij është në qeveri, dhe nxiti reformimin e gjyqësorit, që u mbështet nga faktori ndërkombëtar.

Dhe ndërkombëtarët e kuptuan rëndësinë e kësaj reforme, aq sa tashmë e kanë shndërruar në krye të listës së prioriteteve të tyre, zbatimin e saj. Dhe në fakt, dashur pa dashur, ndryshimi i Sistemit të Drejtëisë, i vë fre abuzimit me pushtetin, i vë fre asaj që ish-demokrati i Kukësit, Ibsen Elezi e quan “infektim të sistemit nga korrupsioni që mbolli administrata e LSI”. Dhe në këtë mënyrë, frika është tjetër kund, t`i shpëtojmë drejtësisë në kurris të shqiptarëve.

Mirëpo, tani, pas ndryshimit të Sistemit të Drejtësisë, ka ardhur koha, më sakt fundi i një sistemi politikanësh, që abuzimin, vjedhjen, korrupsionin dhe shkatërrimin e demokracisë, e shndërruan në mjet të mbijetesës në llumin që krijuan vetë. Ujërat tashmë po qartësohen, Shqipëria e ka rrugë pa kthim integrimin në Europë, dhe ashtu si çdo vend tjetër i Ballkanit (që ka fituar anëtarësimin), pavarësisht vonesës, edhe vendi ynë nuk mund të ketë rrugë tjetër, që nis me fundin e një sistemi politikanësh, që pushtetin e kanë parë si pronë të patjetërsueshme.

Pra, si përfundim, tani do të ketë një sistem që do të kontrollojë një sitem të pakontrollueshëm deri tani. Drejtësia do të jetë ajo që do t`i vërë fre 14% të Kukësit, Dibrës, Durrësit e kudo tjetër, pasi fakti është se votat nuk i vjedh as Kodi Zgjedhor dhe as Kodi Penal, madje as politikanët, por deri më sot, votat i ka vjedhur mungesa e drejtësisë. Ndaj, halli i vetëm është një, “Drejtësia”, sistemi që do të fundos sistemin e preferuar të politikës, pandëshkueshmërinë!/Realstory.al/

Elezi: Basha më tha se Meta bleu shumë vota në Kukës

Ibsen Elezi, ish-kryetar i Partisë Demokratike në Kukës, një nga zërat kundër Bashës brenda së djathtës, ka mbajtur një qëndrim të fortë ndaj atyre që janë kundër sulmeve ndaj Ilir Metës. Në një postim në Facebook, Elezi i rikujton demokratëve “bëmat” me vjedhjen e votave të LSI-së në Kukës dhe gjithë Shqipërinë, për të cilat shprehet se i ka përjetuar vetë. Madje Ibsen Elezi, tregon edhe një detaj, një telefonat të Lulzim Bashës, që në 2013 i kërkonte ish-kreut të PD-së në Kukës, që të ishte pjesë e numërimit të votave se “ka informata të sakta që Meta kishte dhënë shumë lekë për të blerë mandatin”.

“Nuk është momenti të sulmojmë Metën dhe LSI, se mbrojmë Edi Ramën, më thotë një mik që ja do të mirën të djathtës. Hajde llogjikë Elefanti hajde, mos keni frikë se s`do e lërë vetë shoku Rama të bjerë, se po u këput zinxhiri i pandëshkueshmërisë shkojnë të gjithë në të sëmës. O shoku, miku, po ti rendis disa nga bëmat e dukshme, që t`jua kujtoj edhe atyre që bëjnë se i kanë harruar. Shoku Meta është ai që e ktheu në femone blerjen e votës. Në 2013 e kam të jetuar si kryetar i PD Kukës, pa pikë turpi solli në Kukës një kandidat të LSI (biznesmenin Cole nga Gjirokastra, pa asnjë lidhje me Kukësin) dhe bleu 14% të votave, hapur në pikë të ditës me diell. Vetë lideri perëndimor Basha më ka marr në telefon dhe më ka kërkuar të jem numërues në Kolegjin Zgjedhor se ka informata të sakta se Meta ka dhënë shumë lekë për të blerë mandatin. Kjo ka ndodhur rëndomtë në të gjithë Shqipërinë, pra ka blerë vota”, shkruan Ibsen Elezi.

Por nuk mbetet me kaq, bëmat e Ilir Metës me vjedhjen nuk kanë të sosur. Ibsen Elezi i kujton demokratëve, e padyshim liderit të tyre Lulzim Basha, vjedhjen e floririt në Krrabë, prishjen e marrëveshjes me PD-në në 2013, instalimin e korrupsionit në çdo ministri e drejtori që administrohej nga LSI gjatë qeverisjes me PD-në, apo dhe videon e të nderit Dritan Prifti, për shkak të së cilës u vranë 4 njerëz të pafajshëm më 21.

“Shoku Meta u akuzua për vjedhjen e thesarit dhe kjo e argumentuar me detaje nga Doktori në atë kohë. Për më tepër këtë ma ka treguar edhe një mik i persekutuar, që bëri edhe disa vite burg pse e dekonspiroj këtë çështje. Pra është akuzuar nga vetë Doktori dhe PD “hajdut”. Shoku Meta në 2013, 3 muaj para zgjedhjeve bëri rokadën e madhe dhe kaloj në krahun e ‘hasmit’ të vetë Ramës, vetëm për të qenë pjesë e tepsisë, ndërkohë që kishte një marrëveshje me PD, pra besprerë. Shoku Meta gjatë qeverisjes me PD 2009-2013, shumicën e ministrive apo drejtorive të LSI e ktheu në vatër të korrupsionit, duke infektuar gjithë sistemin, kjo e pranuar nga drejtuesit e lartë të PD, pas humbjes së 2013. Video e Priftit solli 4 të vrarë. Pra i korruptuar. Shoku Meta dhe LSI janë më komuniste se vetë PS, mjafton t`ju kujtoj faktin e fundit kur në qëndrimin zyrtar të tyre e quajtën Mit`hat Frashërin (themeluesin e parë të fronit antikomunist) kolaboracionist. Pra janë komunistë me thelbin e tyre. mos ju hedhin hi syve, Meta është një e keqe po aq e madhe sa Rama i Soros, ndryshon vetëm në formë, por në përmbajtje”, shkruan Ibsen Elezi.

Basha: Bashkë kundër diktaturës së krimit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një ditë para protestës së 8 korrikut, ka ftuar të gjithë qytetarët të mblidhen për të protestuar së bashku me opozitën në orën 20:00 përpara kryeministrisë.

Basha bën thirrje që qytetarët të ngrihen kundër diktaturës së krimit për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e tyre. Basha thotë se nuk do të ketë asnjë hap pas deri në largimin e kryeministrit Rama.

“Nesër me #8korrik në orën 20:00, bashkohemi të gjithë në Tiranë si njerëz të lirë me dinjitet, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh kurajozë, të gjithë bashkë kundër diktaturës së krimit, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, për familjet dhe fëmijët tuaj, për #ShqipëriaSiEuropa! Asnjë hap pas! #RamaIk”, shkruan Basha.

Nesër me #8korrik në orën 20:00, bashkohemi të gjithë në Tiranë si njerëz të lirë me dinjitet, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh kurajozë, të gjithë bashkë kundër diktaturës së krimit, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, për familjet dhe fëmijët tuaj, për #ShqipëriaSiEuropa! Asnjë hap pas! #RamaIk

Gepostet von Lulzim Basha am Sonntag, 7. Juli 2019

Rrëfimi i Sokol Olldashit: Si i vodhën zgjedhjet Berisha dhe Basha në PD

Në një situatë ku tensionet politike dhe akuzat për vjedhjen e votave janë në maksimum, gazeta tema ka risjell një deklaratë të të ndjerit Sokol Olldashi. Deklarata vjen pas momentit kur ai humbi zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike, që u fituan nga Lulzim Basha. Në atë kohë Olladashi u shpreh se përzgjedhja e kryetarit të ri të PD-së u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar dhe se në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave.

Ky prononcim merr vlerë në këtë situatë kur PD me në krye Lulzim Bashën akuzon qeverinë Rama për vjedhje të votave pas publikimit të përgjimeve të BILD. Përgjime që në fakt Basha i ka pasur që para marrëveshjes së 17 majit 2017 të bërë me kryeministrin Rama.

Pas humbjes së zgjedhjeve të 2013, Berisha dha formalisht dorëheqjen nga kreu i PD, për t’ia dorëzuar partinë Lulzim Bashës si një person i besuar nga familja. Basha ishte i vetmi nga figurat e PD, i cili gjatë përgjimeve, nuk kishte folur keq për Shkëlzenin dhe Argitën.

Por, për të emëruar Bashën në krye të PD, Berisha duhet të kalonte një pengesë të fortë. Ai ishte Sokol Olldashi, personi që përbënte rrezikun kryesor për Bashën e brishtë, i cili nuk kishte asnjë lidhje me bazën, por kishte hyrë në PD dhe kishte bërë karrierë si shok i Argitës.

Berisha dhe Basha u angazhuan në manipulimin e zgjedhjeve në PD, duke shpallur Bashën fitues përballë Olldashit. Manipulimi solli reagimin e fortë të Olldashit, në atë kohë i cili tha:

“Përzgjedhja e kryetarit të ri të PD-së u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar. Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim.

Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD”.

Olldashi deklaroi se këshilltarët e Sali Berishës dhe shumë drejtues degësh bënë fushatë për Lulzim Bashën. “Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, – gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je -, u përjashtua – siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korçë – apo u pushua nga puna, – siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë. Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjetër, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm”.

Në fund, Olldashi u dha një mesazh Berishës dhe Bashës. Ai tha se nuk do të largohej nga PD-ja. Kjo do të thoshte se Olldashi do të ishte përballë Bashës sa herë që Basha të humbte zgjedhjet.

Që nga ajo kohe, Basha ka humbur të gjitha zgjedhjet përballë Edi Ramës.

Në atë kohë Olldashi u shpreh:

“Unë i ftoj të gjithë demokratët që nuk janë ndjerë mirë me këtë proces, të kuptojnë se Partia Demokratike është një shtëpi e madhe, e ndërtuar me kontributin vullnetar të secilit prej nesh dhe, në një shtëpi të madhe, qëllon që edhe prishen rregullat apo humori.

Por, pavarësisht momenteve të tilla, ne mbetemi anëtarë të së njëjtës familje, edhe pas ndonjë nervozizmi apo pezmi. Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë. Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike, në misionin e tyre opozitar për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë një kartë morale opozitare”.

Disa javë më vonë, Olldashi ndërroi jetë.

Basha ‘harron’ krizën, i buzëqeshur në Kavajë

Ndërsa Monika Kryemadhi ka marrë frenat e aksionit opozitar dhe është bërë më aktive në daljet e saj publike për protestën e 8 korrikut, Lulzim Basha duket më i relaksuar krah Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi. Të dy liderët kryesor të PD-së, kanë qenë për një vizitë të paplanifikuar në Kavajë (raporton zyra e shtypit të kësaj partie). Basha dhe Bardhi kanë takuar kryebashkiakun në largim të bashkisë së Kavajës, dhe së bashku me disa simpatizantë kanë ecur në shëtitoren e këtij qyteti, deri sa në fund janë ndalur në një bar. Ajo që të bën përshtypje, është entuziazmi i kreut të PD-së në takimin që ka pasur në Kavajë.

Në njoftimin e PD-së, shkruhej se “Basha është shprehur se beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka njohur kthim pas derisa kjo betejë të fitohet. Lideri i opozitës shorehu mirënjohjen për këdo që i është bashkuar kësaj beteje dhe tha se është shumë e rëndësishme që protestës së 8 Korrikut t’i bashkohen sa më shumë shqiptarë nga ata që refuzuan Edi Ramën”, thotë ndër të tjera lajmi i shpërndarë nga PD.

Në krahun tjetër, Monika Kryemadhi ka pasur një ditë të ngarkuar takimesh, telefonatash dhe dalje televizive, ku ndër të tjera u shpreh se “opozita do të dialogojë me Ramën, vetëm si kryetar i PS, jo si Kryeministër”. Ndërkohë, pas kësaj deklarate, Monika bëri një tjetër deklaratë nga takimi që pati me strukturat e LSI, duke e cilësuar Ramën si “armik virtual”. Këto tone të zbutura të Kryemadhit, duket sikur tregojnë se deri të hënën më 8 korrik, PD dhe LSI, do të artikulohen dhe më butë, nën efektin e të “nxehtit” veror, për të gjetur rrugën e dialogut.

Basha thotë se është “shok” me Ramën (në izolimin ndërkombëtar)

Lulzim Basha ka reaguar me anë të një statusi në Facebook, duke komentuar Samitin e Poznanit në Poloni, ku sipas kreut të PD-së, Shqipëria nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga 180 milionë euro që BE ka dhënë për vendet e Ballkanit Perndëimor. “Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk përfitoi asnjë qindarkë nga 180 milionë eurot që Bashkimi Europian u dha vendeve të Ballkanit për projekte kombëtare infrastrukturore, për vitin 2019”, shkruan Basha.

Për kreun e PD-së, ky është ‘ndëshkim i qëllimshëm’ kundër qeverisë së lidhur me krimin, që sipas Bashës, BE do e mbajë Shqipërinë jashtë procesit të afrimit për aq kohë sa në pushtet është Edi Rama. “Është ndëshkim i qëllimshëm kundër një qeverie të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Është vazhdim i qëndrimit të prerë të vendeve të Bashkimit Europian për të mbajtur Shqipërinë jashtë çdo procesi afrimi për aq kohë sa në pushtet është Edi Rama. Qeveria Rama është e vetmja qeveri në 30 vjet tranzicion që nuk ka bërë asnjë hap të vetëm në procesin e integrimit evropian”.

Si përfundim, për Lulzim Bashën ky është “izolim ndërkombëtar” ndaj qeverisë së Edi Ramës, që do të sjellë pasoja direkte për Shqipërinë. “Fatkeqësisht izolimi ndërkombëtar që po i bëhet qeverisë Rama po sjell pasoja direkte për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët po ndëshkohen për shkak të Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me krimin. Prandaj largimi i Ramës është një arritje që do të përmirësojë jetën e çdo shqiptari”, shprehet Basha.

Në fakt, Lulzim Basha flet për izolim ndërkombëtar, në një kohë që ai vetë kë më shumë se dy vjet, siç u shpreh Arben Imami të enjten në Real Story, që është “izolim” ndërkombëtar sidomos nga SHBA dhe administrata Trump. Ditët e fundit, Lulzim Basha, i cili po përballet me një furtunë reagimesh brenda së djathtës, me njerëz që kërkojnë largimin e tij, duket dhe më i braktisur nga ndërkombëtarët, të cilët i përcollën mesazhin para zgjedhjeve, se pas 30 qershorit e vetmja rrugë për opozitën ishte dialogu. Këmbëngulja e opozitës për të mos pranuar dialogun dhe mbajtja e protestës më 8 korrik, ka gjasa që të përkeqësojë dhe më tepër raportet e PD dhe Bashës me ndërkombëtarët, të cilët nuk lejuan prishjen e stabilitetit më 30 qershor.

Protesta, tani flamurin e merr LSI

Monika Kryemadhi duket se s`po gjen rehat dy ditët e fundit. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, po jep shenja se protesta e 8 korrikut nuk do të jetë një protestë e opozitës, thjesht si një përgjigje ndaj qeverisë për zgjedhjet e 30 qershorit, por kjo protestë do të jetë kryekëput kundër shkarkimit të Ilir Metës nga posti i presidentit. Në fakt, sjellja e shefes së LSI tre ditët e fundit të lë të kuptosh një gjë të tillë.

Prej 16 shkurtit, kur opozita mbajti protestën e parë kombëtare, e deri më 21 qershor, ishte Lulzim Basha ai që udhëhiqte thirrjet e opozitës për protestë, me konferenca shtypi, video e postime të ndryshme në rrjetet sociale, takime në qytete të ndryshme të vendit etj. Por, tani që PD mbeti pa asnjë pushtet faktik, dhe brenda së djathtës kanë nisur zërat kundër Bashës, LSI dhe Kryemadhi po marin në dorë situatën.

“Sot, të shtunën në zyrë duke komunikuar me të gjitha strukturat e LSI-së në të gjithë Shqipërinë. E jashtëzakonshme fryma e qëndresës ndaj sistemit autokrat dhe qeverisë së krimit të organizuar dhe korrupsionit. Entuziazëm në çdo familje shqiptare për ndryshimin e këtij sistemi të kalbur. Ftoni familjarët, miqtë, shokët, të bëhemi të gjithë bashkë më 8 korrik. Gjatë pasdites vazhdojmë me takime në Tiranë”, shprehet Kryemadhi.

Pra, ndryshe nga Basha që është i zënë me punë të tjera në PD, Kryemadhi po merr flamurin e protestës në dorë. Ajo së bashku me drejtues të tjerë të LSI, në raport me ata të PD-së, kanë qenë më aktiv në thirrjet për protestën e së hënës më 8 korrik, duke nxjerr në pah hallin e vërtetë të kësaj proteste, jo qeveria, por shkarkimin e presidentit.

Këto thirrje të Monika Kryemadhit, pavarësisht se synojnë të tregojnë se ka entuziazëm, në fakt, nxjerrin në pah edhe një siklet të madh të opozitës. Largimi i të zgjedhurve vendor të PD dhe LSI nga postet që mbajnë pas 30 qershorit, ka shtuar frikën te të punësuarit e opozitës në këto bashki. Çka në fakt, është frikë e vetë drejtuesve të opozitës, se pas zgjedhjeve, rrezikojnë firo të madhe në elektorat, shto faktin, që tashmë nuk ka më bashki që sjellin protestues me autobus drejt Tiranës. Ndaj, jo më kot, vetëm të premten, Monika Kryemadhi la porosi të veçantë për strukturat e saj, që të trokasin në çdo derë të Tiranës, për të ftuar qytetarët në protestë.

Shpërthejnë memet: “DJ Luli performon live më 8 korrik”

Të nxehtin politik dhe të motit, që së bashku kanë rritur “temperaturat” më shume së sa duhet në Shqipëri, e freskon fantazia e shfrenuar e ‘artistëve’ të rrjeteve sociale.

Protetsa e 8 korrikut që do të mbahet nga opozita ditën që do të ngrihet Komisioni Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës, ka qenë fokusi i ‘memeve’ në rrjetet sociale gjatë kësaj fundjave.

Meme më e bukur është ajo me imazh kryesor Lulzim Bashën, që shihet përpara një aparature muzikore DJ (profesion që e ka bërë në rini), duke performuar para njerëzve. “Ritual, 8 korrik, Bl.

Dëshmorët e Kombit”, është mbishkrimi i kësaj meme me në qendër Lulzim Bashën, që do të ketë performancën e tij “artistike” (siç e quan Kryeministri Rama) përballë zyrës së shefit të Qeverisë.

Në një nga fotot meme, shihet dhe Ilir Meta i shkrirë mbi një foto të Avni Rustemit, patriotit shqiptar që vrau Esat Toptanin. Presidenti aktual i Republikës ka deklauar më herët se do të bëhet dhe “Avni Rustem” për Shqipërinë, megjithëse të tilla premtime Meta ka treguar se nuk i ka mbajtur.

Mjafton të kujtojmë deklaratën e tre muajve më parë kur Meta shprehej “Se do të vrasë veten si Salvardor Alende”, dhe jo vetëm që nuk e ‘vrau’ veten, por tani po kërkon me çdokush shpëtim të postit të presidentit, pasi Kuvendi ka nisur rrugën pa kthim të shkarkimit të tij.

Për më tepër shihni fotot me memet më gazmore të fundjavës.

Hajdari: Bashës i ka dalë situata nga kontrolli, do ketë përplasje

Opozita do të protestojë në 8 korrik përpara godinës së Kryeministrisë, duke mbajtur kështu protestën e 10 kombëtare, që nisi  prej 16 shkurtit të këtij viti. Ky ishte një nga vendimet që PD mori në Kolegjin e Kryetarëve të mërkurën më 3 korrik pasdite, ndërsa më herët është bërë i ditur vendimi se kryetarët e PD në bashkitë e vendit, nuk do të lirojnë karriget për të zgjedhurit e rinj të PS në 30 qershor. Kjo situatë, sipas Rudina Hajdarit, do të krijojë përplasje. Në një studio televizive, ajo u shpreh se Lulzim Bashës i ka dalë situata jashtë kontrollit, ndërsa theksoi se ai nuk është i aftë të gjejë një zgjidhje për këta kryetar bashkie që refuzojnë të largohen nga postet që kanë.

“Është një situatë që i ka dalë jashtë kontrollit. Kryetari i PD nuk është në gjendje të shikojë dhe të gjejë një zgjidhje për këta kryetar bashkie që refuzojnë të largohen nga zyrat e tyre. Mendoj se kjo do të sillte përplasje. E shikoj që kjo do ndodhë, sepse shumë njerëz të thjeshtë do të humbin vendet e punës, dhe këtë gjë nuk mund ta ndalojë dot asnjë njeri. Zgjedhjet dolën, u çertifikuan deri diku dhe do të ketë një zëvendësim të kryetarëve të bashkive, dhe detyrimisht këta që kanë qenë do zëvendësohen me të rinjtë që fituan në zgjedhjet e 30 qershorit. Unë e shikoj të pashmangshme. Është e kotë të themi që nuk i njohim këto zgjedhje. Nuk është në tagrin e këtyre kryebashkiakëve, nuk mund të bëjnë rolin e gangsterëve. Mendoj se zoti Basha ndodhet në situatë të vështirë”.

Presioni ndërkombëtar, Basha harron “Rama Ik”: Të ndryshojmë strukturën kushtetuese

Lulzim Basha ka bërë deklaratën e radhës pasditen e të martës në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit. Kryedemokrati nuk ka zgjedhur mbajtjen e një konference për shtyp, siç ka bërë përditë të paktën në 10 ditët e fundit, por është mjaftuar me vetëm disa rreshta në rrjetet sociale. Basha shkruan se raporti i ODIHR rrëzon votimet e 30 qershorit, ndërsa thekson se duhet ndryshim i strukturës politike, kushtetuese dhe ekonomike në vend.

“Edhe pse shumë i kujdesshëm për të mos e acaruar klimën politike, raporti i ODIHR-it i rrëzoi votimet e 30 qershorit. Jo vetëm zgjedhje të paligjshme, jo vetëm zgjedhje një partiake, por edhe zgjedhje te vetë-vjedhura. Edi Rama kandidoi vetë, votoi vetë, numëroi vetë, dhe prapë manipuloi. Ky regjim është tashmë i degraduar plotësisht. Vetëm një ndryshim i thellë i strukturës politike, kushtetuese dhe ekonomike të vendit mund të na shpëtojë nga autokracia, krimi, varfëria dhe prapambetja”. Pra, në këtë status, Lulzim Basha nuk jep asnjë indicie për dialog me Edi Ramën, por njëkohësisht, as nuk flet kundër dialogut. Madje, ndryshe nga deklarata e të hënës, Lulzim Basha në këtë komunikim në rrjetet sociale, nuk shkruan as “Rama Ik”, fjala lajt motiv e kauzës së PD-së prej nisjes së aksionit të saj deri më tani.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Partia Demokartike dhe kreu i saj Lulzim Basha, duket sikur po kërkojnë të dalin nga “kurthi” që ngritën vetë, duke djegur mandatet dhe vendimit për të bojkotuar zgjedhjet lokale. Zërat kundër brenda së djathtës janë shtuar, nga Jozefina Topalli që kërkoi largimin e Lulzim Bashës të dielën në mbrëmje, vetëm dy orë pasi ishte mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet lokale, e deri te deklarata tjetër e fortë e Glauk Olldashit, djalit të ish-deputetit të ndjerë demokrat, Sokol Olldashi. Glauku reagoi të martën duke kërkuar gjithashtu largim të Lulzim Bashës, ndonëse vetë i riu Olldashi, ka qenë mbështetës i PD-së në çdo protestë.

Në krahun tjetër, vetë Lulzim Basha është konfuz, të paktën kështu ka lënë të kuptohet nga deklaratat që ka bërë pas zgjedhjeve nga Selia Blu. Presioni i parë vjen nga baza, për më tepër që tashmë partia nuk ka më asnjë pushtet faktik, dhe shumë prej militantëve të punësuar në bashkitë e djathta, tani praktikisht kanë arsye për të qenë të pasigurt për vendet e punës, pasi pas një muaj vendin e të zgjedhurve të PD-së do e zënë të zgjedhurit e PS. Basha është në presion edhe nga faktori ndërkombëtar, pasi që prej të premtes e deri të hënën në mbrëmje, SHBA dhe vendet e BE i kërkojnë të futet në dialog me kryeministrin. Këtu qëndron i gjithë problemi.

Lulzim Basha ndodhet mes dy zjarresh, pasi nga njëri krah i ka premtuar militantëve dhe aleatëve të tij se “nuk ka dialog pa largimin e Edi Ramës” dhe nga ana tjetër, është presioni ndërkombëtar, që i kuron kreut të PD “dialog me Edi Ramën”. Ndaj, ky presion që vjen nga disa drejtime  për kreun e PD-së, mund të shpjegojë edhe konfuzionin e deklaratave të tij lidhur me zgjedhjet, krizën politike në vend dhe padyshim hapin e radhës që do të bëj opozita.

Skip to toolbar