Presioni ndërkombëtar, Basha harron “Rama Ik”: Të ndryshojmë strukturën kushtetuese

AKTUALITET


Lulzim Basha ka bërë deklaratën e radhës pasditen e të martës në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit. Kryedemokrati nuk ka zgjedhur mbajtjen e një konference për shtyp, siç ka bërë përditë të paktën në 10 ditët e fundit, por është mjaftuar me vetëm disa rreshta në rrjetet sociale. Basha shkruan se raporti i ODIHR rrëzon votimet e 30 qershorit, ndërsa thekson se duhet ndryshim i strukturës politike, kushtetuese dhe ekonomike në vend.

“Edhe pse shumë i kujdesshëm për të mos e acaruar klimën politike, raporti i ODIHR-it i rrëzoi votimet e 30 qershorit. Jo vetëm zgjedhje të paligjshme, jo vetëm zgjedhje një partiake, por edhe zgjedhje te vetë-vjedhura. Edi Rama kandidoi vetë, votoi vetë, numëroi vetë, dhe prapë manipuloi. Ky regjim është tashmë i degraduar plotësisht. Vetëm një ndryshim i thellë i strukturës politike, kushtetuese dhe ekonomike të vendit mund të na shpëtojë nga autokracia, krimi, varfëria dhe prapambetja”. Pra, në këtë status, Lulzim Basha nuk jep asnjë indicie për dialog me Edi Ramën, por njëkohësisht, as nuk flet kundër dialogut. Madje, ndryshe nga deklarata e të hënës, Lulzim Basha në këtë komunikim në rrjetet sociale, nuk shkruan as “Rama Ik”, fjala lajt motiv e kauzës së PD-së prej nisjes së aksionit të saj deri më tani.


Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Partia Demokartike dhe kreu i saj Lulzim Basha, duket sikur po kërkojnë të dalin nga “kurthi” që ngritën vetë, duke djegur mandatet dhe vendimit për të bojkotuar zgjedhjet lokale. Zërat kundër brenda së djathtës janë shtuar, nga Jozefina Topalli që kërkoi largimin e Lulzim Bashës të dielën në mbrëmje, vetëm dy orë pasi ishte mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet lokale, e deri te deklarata tjetër e fortë e Glauk Olldashit, djalit të ish-deputetit të ndjerë demokrat, Sokol Olldashi. Glauku reagoi të martën duke kërkuar gjithashtu largim të Lulzim Bashës, ndonëse vetë i riu Olldashi, ka qenë mbështetës i PD-së në çdo protestë.

Në krahun tjetër, vetë Lulzim Basha është konfuz, të paktën kështu ka lënë të kuptohet nga deklaratat që ka bërë pas zgjedhjeve nga Selia Blu. Presioni i parë vjen nga baza, për më tepër që tashmë partia nuk ka më asnjë pushtet faktik, dhe shumë prej militantëve të punësuar në bashkitë e djathta, tani praktikisht kanë arsye për të qenë të pasigurt për vendet e punës, pasi pas një muaj vendin e të zgjedhurve të PD-së do e zënë të zgjedhurit e PS. Basha është në presion edhe nga faktori ndërkombëtar, pasi që prej të premtes e deri të hënën në mbrëmje, SHBA dhe vendet e BE i kërkojnë të futet në dialog me kryeministrin. Këtu qëndron i gjithë problemi.

Lulzim Basha ndodhet mes dy zjarresh, pasi nga njëri krah i ka premtuar militantëve dhe aleatëve të tij se “nuk ka dialog pa largimin e Edi Ramës” dhe nga ana tjetër, është presioni ndërkombëtar, që i kuron kreut të PD “dialog me Edi Ramën”. Ndaj, ky presion që vjen nga disa drejtime  për kreun e PD-së, mund të shpjegojë edhe konfuzionin e deklaratave të tij lidhur me zgjedhjet, krizën politike në vend dhe padyshim hapin e radhës që do të bëj opozita.




Skip to toolbar