Rikthimi plangëprishës i Olldashit Jr. Nga protesta, tani “Basha Ik”

Jozefina Topalli nuk është e vetme kundër Lulzim Bashës. Pasi heshtën dhe pritën deri më 30 qershor, ndoshta duke besuar se kauza e kryedemokratit me djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve do të detyronte Edi Ramën të largohej, tani që kjo gjë nuk ndodhi dhe PD është pa asnjë pushtet, reagimet brenda së djathtës janë shtuar. Dhe pas Topallit, një tjetër zë, ndoshta jo më shumë për figurën personale por për atë që mbart në mbiemrin e tij, ka dalë kundër kreut të PD-së, duke kërkuar largimin nga partia.

Ai është Glauk Olldashi, i biri i të ndjerit Sokol Olldashit, një nga ish personalitetet më të rëndësishme të Partisë Demokratike, që u nda nga jeta tragjikisht pak vite më parë. Glauku, i biri i Olldashit, këtë vit ka mbushur moshën për të votuar, ka reaguar pas zgjedhjeve të 30 qershorit, që ‘de facto dhe de jure’ e nxjerrin PD-në pas asnjë pushtet. Olldashi ‘Junior’, i cili ka mbështetur PD dhe Lulzim Bashën në çdo protestë prej 16 shkurtit deri në 21 qershor, shkruan se tashmë Basha duhet të largohet, pasi ka humbur dy palë zgjedhje dhe në të tretat, partia nuk pati mundësi të testonte besimin e popullit.

“E Diela ishte dita në të cilën do të kisha ushtruar për herë të parë të drejtën e votës. Nuk e bëra, edhe pse e kisha pritur këtë ditë prej kohësh.​ Demokratët nuk i janë trembur kurrë proceseve zgjedhore sepse ato janë për ne prova dhe sprova e demokracisë. PD-ja fiton zgjedhje vetëm kur ndjell besim dhe frymëzon demokratët dhe të gjithë shqiptarët që edhe pse nuk kanë bindje të caktuara politike besojnë tek fryma që forca jonë përfaqëson. A është në popull ky besim? Zgjedhjet e 2015 dhe 2017 treguan që, Jo. Tek procesi i 2019 nuk e testuam besimin e popullit. Tashmë ky akt, i cili i dha 61 bashki PS – A do t’i vlejë kësaj force politike? Po për ne a do të vlejë?”, shkruan Glauk Olldashi.

Më pas, djali i Sokol Olldashit, ngre pyetjen se kush e ka fajin për gjithë këtë dështim, duke dhënë dhe përgjigjen, “vetja”. Ai shprehet se demokratët shqiptarë nuk u pyetën për pjesëmarrjen ose jo në zgjedhje, ndaj, tani duhet, sipas Glauk Olldashit, që të nis një proces zgjedhor për ristrukturimin e PD-së. “Fakti i hidhur është që PD nuk do të menaxhojë më asnjë pushtet. Kush ka faj? Sigurisht që përgjigja që na vjen në mendje kur na pyesin është “vetja”. Por, demokratët nuk u pyetën për vendimin e mospjesëmarrjes, në fakt demokratët jo vetëm që nuk pyeten më në PD, por edhe kur ndonjëri guxon të kundërshtojë shpallët “tradhëtarë”. Kjo mendësi komuniste, edhe pse e huaj për partinë tonë, na ka “infektuar”. C’farë është kura? Për mendimin tim do na bënte mirë një proces zgjedhor për ristrukturimin e partisë tonë. Po më quajtët tradhtar. nuk mërzitem”,- e mbyll komentin e tij djali të ndierit Sokol Olldashi, 18-vjeçari me emër Ilir, Glauk.

Në fakt, kjo thirrje e Glaukut, të kujton edhe njëherë se “rrënjët mbeten rrënjë”. Ashtu si babai i tij, Sokoli, që disa vite më parë akuzonte Lulzim Bashën se i kishte marrë partinë duke manipuluar votatat e demokratëve në zgjedhjet për kryetar, një filiz e re po rritet dhe mban të njëjtin mbiemër, ndoshta do të ketë dhe atë karakter si i ati, që edhe sot e kësaj dite, ka idhtarët e tij brenda së djathtës.

Basha konfuz: Duhet ndryshim, fituam në 30 qershor, Rama Ik

Lulzim Basha ka patur të hënën një ditë të ngjeshur takimesh me aleatët. Aksioni opozitar pas mbajtjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, tashmë është më konfuz se kurrë. PD është praktikisht pa asnjë pushtet, humbi dhe bashkitë, të cilat në fakt ishin furnizuesi kryesor i opozitës me protestues, prej shkurtit deri në qershor. Tani që zgjedhjet u mbajtën dhe kryebashkiakët e opozitës duhet të largohen, për ti lënë vendin të zgjedhurve të PS, opozita duhet të mendojë për aksionin e saj nëse do të vijojë të jetë në rrugë apo do të pranojë dorën e shtrirë të dialogut, ofruar nga kryeministri Edi Rama.

Në fakt, gjatë  takimeve të aleatve me Bashën, u la të kuptohet se protestat mund të jenë një alternativë e aksionit opozitar. Por, vetë Basha, duket se nuk është më me këtë mendim, të paktën publikisht nuk e shprehu në daljen për shtyp që pati nga Selia Blu, mbrëmien e së hënës. Por, Basha, ndonëse nuk e njeh 30 qershorin si ditë zgjedhjesh, ai i njeh një meritë kësaj date, pasi ka kuptuar se “shqiptarët duan ndryshim”.

Në fakt, Lulzim Basha përmendi ndryshimin shpesh në fjalimin e tij, por asnjë fjalë për rrugën se si do të vij ky ndryshim, asnjë fjalë për rezistencë, asnjë fjalë për protesta. “Ndryshimi është qëllimi im më i madh. 85% e shqiptareve duan ndryshim. Kjo është e vetmja vlerë e asaj që ndodhi dje”, tha Basha. Megjithatë, gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha, ndonëse i tërhequr nga gjuha e ashpër ndaj kundërshtarit, u shpreh përsëri se Rama duhet të largohet.

“Qëndrimi ynë për Edi Ramën nuk ndryshon: Edi Rama duhet të largohet dhe të hetohen të gjithë ata që janë kapur duke manipuluar zgjedhjet me krimin. Dhe 30 qershori tregoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje te lira dhe të ndershme. Edi Rama duhet refuzuar siç e refuzuat ju. Ai nuk mund të jetë më pjesë e asnjë hapi drej të ardhmes”, u shpreh Basha.

Raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet Basha e lexon si konfirmim të kauzës së opozitës, duke u shprehur se 30 qershori e nxori më të fortë PD-në. “Votimet ishin të paligjshme dhe tani ky është fakt i pranuar nga të gjithë. Farsa dështoi. PD doli më e forte dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Të gjithë së bashku si qytetarë jemi sot më të bashkuar se kurrë më parë dhe më të fortë se kurrë më parë. Edi Rama doli më i vetmuar dhe më i dobët nga 30 qershori”, u shpreh Basha.

Në fakt, PD nuk doli më e fortë nga 30 qershori. Basha, tashmë që nuk ka më asnjë pushtet lokal, duket se më shumë se sa Edi Ramës, po i trembet zërit kundër brenda së djathtës. Ndaj, 30 qershorin vijon ta quajë si fitore, të tijën, të PD-së, të Shqiptarëve.

Rama ironik me Bashën: Po s`kuptove pse humbe, humbet prapë!

Partia Socialiste nuk bëri festën për fitoren e zgjedhjeve të 30 qershorit, madje Kryeministri Edi Rama u shpreh të dielën në mbrëmje, se pas datës 1 korrik, PS do të bëj një analizë të zgjeruar të situatës brenda saj. PS mori votat e saj në këto zgjedhje, pra, pavarësisht mungesës së opozitës në garë, Partia Socialiste konfirmoi numrin e votave që mori dhe në zgjedhjet e fundit elektorale.

Kryeministri Rama ka shkruar një Tëitter pasditen e të hënës, ku i drejtohet me një mesazh sa filozofik aq dhe ironik kundërshtarit të tij politik. Me një thënie filozofike, të cilën Rama thotë se është shprehje e gjyshes, ai i përcjell edhe një mesazh opozitës, të cilës më herët i ka shtrirë dorën për dialog dhe bashkëpunim për reformat.

“Gjyshja ime thoshte po s’e kuptove pse ke humbur, s’e kupton dot pse tjetri ka fituar dhe humbet prapë. Ndërsa unë për vete kam mësuar që kur fituesi nuk kupton se ka fituar ngaqë dikush tjetër ka humbur, atëherë ai rrezikon ta humbasë fitoren e tij”, shkruan Rama. Mesazhi, sa filozofik aq dhe ironik, duket se e fton përsëri Lulzim Bashën për të reflektuar dhe nisur dialogun.

Topalli i shkruan Bashës letrën e “funeralit”: shkatërrove PD. Ik!

E ashpër dhe e papërmbajtur është treguar Jozefina Topalli ndaj Lulzim Bashës, për atë që ajo e cilëson “vrasje mizore” të Partisë Demokratike, pas mospjesëmarrjes së PD-së në zgjedhjet e 30 qershorit. “Pas rreth 3 dekadash, PD nuk ka më asnjë pushtet. Partia Demokratike nuk është me as në Parlament dhe nuk ka më asnjë bashki. Me urdhrin për djegien e mandateve Lulzim Basha e nxori atë me dhunë, jashtë parlamentit duke tradhtuar e fyer, mbi 400 mijë demokratë, që votuan siglën e kësaj force politike. Me këtë, që është akti më i papërgjegjshëm i historisë së demokracisë, ai praktikisht i ftoi shqiptarët në luftë vëllavrasëse”, shprehet Topalli.

Më tej ajo shton se pas ditës së diel, Basha i dhuroi në tavolinë Edi Ramës të gjitha bashkitë, duke e cilësuar këtë si vrasje mizore. “PD është jashtë çdo pushteti politik dhe lokal, ndërkohë që Edi Rama ka marrë çdo gjë. Demokratët e fundit të punësuar në bashkitë e djathta do jenë në mëshirën e Edi Ramës. Partia Demokratike praktikisht nuk është më. Dhe kjo është vrasja më mizore, që kreu i saj mund t`i bënte demokratëve”, shkruan Topalli.

Më tej, ish-deputetja demokrate, shprehet se e gjithë kjo është dëmi më kriminal ndaj vendit, që Lulzim Basha e bëri për karrigen dhe hallet e tij, ndërsa e cilëson Lulzim Bashën një eksperiment  të pamerituar për demokratët dhe vendin.

“Ti ishe eksperimenti më i pamerituar për demokratët dhe për vendin. Partia Demokratike ka kaluar edhe një herë tjetër një moment tragjik. Edhe sot Lul, njerëz të ndershëm, të rinj e të reja, idealistë e intelektualë, patriotë, të pakorruptuar e të pashitur do ta shpëtojnë nga pengmarrja e tradhtia jote, do ta ngrejnë sërish në piedestalin që i takon, për t`i dal zot vendit, interesit publik e njerëzve që i le pa shpresë e pa perspektivë. Është koha për të ringritur Partinë Demokratike nga e para. Është koha për të larguar këtë klasë politike. demokratët, shqiptarët do ia dalin”, shkruan Topalli, duke paralajmëruar se tashmë do të nis procesi “Basha Ik”.

Pas rreth 3 dekadash, PD nuk ka me asnje pushtet. Partia Demokratike nuk eshte me as ne Parlament dhe nuk ka me asnje…

Gepostet von Jozefina Çoba Topalli am Sonntag, 30. Juni 2019

Basha: Fitore! Nuk iki. Rama ik!

Lulzim Basha nxitoi për të folur i pari në konferencë për mediat, pasi është njohur me vendimin e kryeministrit Edi Rama, se do të dilte në konferencë për shtyp në orën 21:00. Ndonëse numri i zgjedhësve që kanë shprehur vullnetin ka shkuar rreth 760 mijë, shifër shumë e përafërt me votat që PS mori në zgjedhjet e fundit, për Lulzim Bashën, kjo është braktisje e Edi Ramës.  

“Sot shqiptarë braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. 85 për qind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste. Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët, pasi për të sot votuan më pak se në vitin 2015 dhe 2017. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati, i cili vendosi të braktiste garën e 30 qershorit së bashku me aleatët e tij, pretendon se votuesit e të dielës, janë rrogëtar, të cilët kanë dalë në votime, sipas Bashës, nga kërcënimi se do të largohen nga puna.

“Në mënyrë të veçantë, regjimi ka ushtruar trysni dhe kërcënime ndaj punonjësve të sektorit publik. Mbi 150 mijë punonjësit publikë janë kërcënuar me pushim nga puna, nëse nuk votojnë së bashku me familjarët e tyre. Ata janë identifikuar dhe matrikuluar më një sistem të veçantë kodifikimi në të gjitha qendrat e votimit për të vertetuar pjesëmarrjen e tyre në votim. Në të vërtetë, thuajse e gjithë vota e sotme është vota e sektorit publik, e rrogëtarëve të shtetit, e marrë nën kërcënim dhe dhunim të vullnetit të lirë të punonjësve dhe familjarëve të tyre”, u shpreh Basha.

Megjithatë, Basha, ashtu siç ka premtuar nga 16 shkurti se largimi i Ramës është afër, edhe në konferencën për shtyp nga Selia Blu, u shpreh përsëri se fundi i Ramës do jetë i afërt, por nuk tha si dhe kur, do të vij, ajo që Basha e quajti “ankth”.

“Numri real tregon asgjë më shumë sesa rrogëtarët e shtetit nën terror, të detyruar, njësoj siç e tregojnë përgjimet e BILD-it të dalin bashkë me familjarët që të mos e humbasin bukën e gojës. Atyre u jap fjalën se ne do të çlirohemi shumë shpejt nga ky ankth, nga ky krim ndaj jush dhe fëmijëve tuaj. Njësoj si të gjithë qytetarët, Ju do të jetoni me dinjitet dhe do t’u shërbeni me dinjitet vetëm qytetarëve dhe ligjit dhe jo pushtetit të radhës”, u shpreh ndër të tjera.

Basha zbutet si pambuk: S`kam asnjë përfitim nga dhuna

Mesazhi amerikan ka depërtuar në koshiencën e Lulzim Bashës. Në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së shtunës, pak orë para nisjes së procesit të votimit të 30 qershorit, kreu i PD-së i ka kërkuar militantëve të Partisë Demokratike të distancohen nga dhuna. Mesazhi i Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, se nëse “ka dhunë në 30 qershor, PD-LSI, përjashtohen nga marrëdhëniet me SHBA-në”, ka bërë që kryedemokrati të tërhiqet nga skenari i dhunës, i bërë publik nëpërmjet Qarkores, publikuar dhe nga Realstory.al, pak ditë më parë.

Të dashur bashkëqytetarë: Unë e di që shumë prej jush kanë dashur dhe kanë pritur që nesër të mos kishte as votime farsë, të mos kishte asgjë. Por e vetmja mënyrë për ta arritur këtë, o të ishte mënyra e dhunshme, e cila do të shkaktonte vëllavrasje dhe humbje njerëzore e plagë shoqërore. Dhuna nuk do të prodhonte as përfitime politike. Ajo thjesht do të sillte një ndjenjë të rremë të triumfit të çastit dhe do të linte plagë të hapura e probleme të pazgjidhura. Unë dhe demokratët nuk besojmë tek rruga e dhunës”, shprehet Basha.

Sigurisht, në fjalën e tij kuptohet qartë se Lulzim Basha nuk i frikësohet vetëm përkeqësimit të situatës dhe daljes jashtë kontrollit të saj, në rast se do të ketë përplasje. Halli është dhe më i madh, ai e ka kuptuar që dhuna nuk “do të prodhonte as përfitime politike”. Këtë e thekson dhe më tepër kur shprehet se “asnjë rezultat politik, asnjë pushtet politik që del nga dhuna, nuk ka sjellë kurrë asgjë të mirë për popujt e qeverisjet e tyre”, shprehet Basha. Kreydemokrati, shprehet se fundi i Edi Ramës nuk do të vij nga dhuna, por në mënyrë evropiane. “Ky fund është pranë dhe, mbi të gjitha, sepse përpjekjet tona të deritanishme kanë qenë thellësisht europiane, thellësisht parimore dhe jo për pushtet personal”.

Në fund, duke u bërë thirrje qytetarëve që të shmangin në çdo mënyrë provokimet dhe aktet e dhunës, Lulzim Basha kërkon që forma e kundërshtimit të zgjedhjeve të jetë vetëm bojkoti ndaj tyre, pasi, kreu i PD-së shprehet se “unë kam përgjegjësinë për jetën e çdo demokrati, çdo socialisti, çdo qytetari shqiptar”.

“Të dielën, bojkot!”

Pas deklaratave të Mathew Palmer “se PD-LSI do të ndërpresin marrëdhëniet me SHBA-në nëse pengojnë zgjedhjet”, Lulzim Basha ka folur në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së premtes. Ndonëse nuk tha asnjë fjalë për deklaratat e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, ndër rreshta, Basha la të kuptohet  se në çfarë situate është PD aktualisht. Pavarësisht, se deklarata e tij ishte kundër Edi Ramës, kreu i opozitës u shpreh se “Mungesa e reflektimit ka qenë një mallkim shoqëror për ne si shoqëri. Ne, rrallë, kemi reflektuar pas të këqijave, prandaj i kemi përsëritur ato”.

Këtë shprehje, ku padyshim futet dhe ai vetë, pavarësisht se flet kundër Qeverisë dhe i drejtohet asaj, e vuri në dukje më tej gjatë fjalimit të tij, kur u shpreh se se politika shqiptare ka pasur arritje dhe dështime, që sipas Bashës, do të jetë historia që nuk do ti heqë as përgjegësitë e as meritat askujt. “Politika shqiptare ka patur mjaft arritje këto tre dekada, por ajo ka patur edhe dështime spektakolare. Ajo ka prodhuar edhe mjaft të këqija. Ka shumë nga ata që i kanë bërë keq këtij vendi. Historia nuk do t’ua heqë as përgjegjësitë, as meritat askujt. Por në të gjithë këtë mori dështimesh e politikanësh të këqij, Edi Rama është monumenti më i lartë, mishërimi i çdo të keqeje që politika dhe shoqëria jonë ka prodhuar këto tre dekada”.

Gjatë deklaratës së tij, Lulzim Basha nuk foli asnjë fjalë për deklarata e Mathew Palmer, as komenti deklratat “on-blok” të ambasadave të vendeve të BE, Delegacionit të BE në Shqipëri, dhe partnerë të tjerë ndërkombëtar, të cilët gjatë së premtes i kanë përsëritur, ndoshta për herë të fundit para 30 qershorit, se opozita duhet të distancohet nga aktet e dhunshme gjatë zgjedhjeve, pasi do të mbajë përgjegjësi. Megjithatë, duket se Basha, u ka dhënë një përgjigje indirekte ndërkombëtarëve, duke u bërë thirrje simpatizantëve të PD-së, që më 30 qershor të shmangin dhunën  e duke ngritur zërin “si qytetarë europianë”.

“Edi Rama po kërkon viktima, që t’i përdorë ato për të justifikuar apo mbajtur pushtetin. por ne nuk duhet të lejojmë që asnjë fije floku i asnjë shqiptari të preket për të zgjatur jetën e kësaj kufome politike. Ndaj ju ftoj të gjithëve që të mos biem pre e provokimeve të Edi Ramës.   Refuzojeni Edi Ramën! Braktiseni Edi Ramën! Mos iu përkulni presionit të tij për të dalë në votimet farsë! Denonconi çdo gjë që regjimi i tij bën, presionin, dhunën, fallsfikimin, mashtrimin! Mbi të gjitha, le të jemi bashkë më 30 qershor, duke ngritur zërin si qytetarë të denjë evropianë”.

Në fund, Lulzim Basha ka dhe një thirrje, disi të dëshpëruar, duke treguar se  PD është shumica, falë protestave. “Të respektojmë gjithë mundin dhe sakrificat e çdo shqiptari gjatë këtyre 6 vjetëve – të çdokujt që ka ngritur zërin, të çdokujt që ka protestuar, që ka denoncuar, që ka kritikuar, që është distancuar nga ky regjim. Së dyti, duhet të jemi plot besim. Ne sot jemi shumica, më të bashkuar se kurrë gjatë këtyre 6 vjetëve, më të qartë se kurrë gjatë këtye 6 vjetëve, me një qëllim të drejtë dhe një kauzë të madhe”, tha Basha.

Rama-Bashës: Jepi shpjegim Zef Hilës, merr përgjegjësi për dyfytyrësinë

“Është hakmarrje personale politike, kundër një përfaqësuesi të ligjshëm, të denjë të njerëzve”, e quajti Lulzim Basha vendimin e Qeverisë për të shkarkuar kryetarin e Bashkisë Vau i Djeës, pas shkatërrimit të materialeve zgjedhore në këtë bashki nga militantët e PD-së. Por, Zef Hila u distancua nga ngjarja duke ia faturuar atë Partisë Demokratike, njëherazi duke e lënë topin në fushën e Lulzim Bashës.

Pas deklartës së kreut të PD-së, ka reaguar dhe Kryeministri Edi Rama. Me një Tëitter në rrjetet sociale, Rama ironizon me Lulzim Bashën duke u shprehur se ai, Basha, duhet të dalë dhe ti japë xhevap (shpjegim) Zef Hilës, që tha se shkollën e dogji PD-ja. “Artist, dil jepi xhevap Zef Hilës që tha shkollën e dogje ti me atë fotokopjen e shëmtuar të enveristëve më kokëboshë të 91shit, Aleanca e Demokratëve a si e quan ti! Dil Artist, se është koha të marrësh përgjegjësi për dyfytyrësinë e javës së fundit, hidh gurin e fshih dorën”, shkruan Rama.

Të enjten një grup militantësh të Partisë Demokratike dhunuan materialet zgjedhore në Bushat të bashkisë Vau i Dejës. Ngjarja e rëndë ka tërhequr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, që pas saj, ka kryqëzuar Partinë Demokratike për aktet e dhunës, duke e paralajmëruar se do të futet në “listën e zezë”. “Do t’i izolojmë ndërkombëtarisht dhe do t’u kërkojmë partnerëve që të trajtohen si organizata konspirative kundër  SHBA”, u shprehën burime për Realstory.al.

Basha, urdhër për të kontrolluar partinë. (Frikë nga Berisha?)

Mbajtja e zgjedhjeve më 30 qershor ka sjellë çorientim dhe panik në radhët e opozitës. Ndërsa vetëm 3 ditë na ndajnë nga 30 qershori, për të mbajtur situatën nën kontroll, kreu i PD, Lulzim Basha ka shpërndarë një urdhër të ri për të gjitha degët e partisë Demokratike për organizmin e punës për periudhën 28 qershor-2 korrik. Në letrën e dërguar kryetarëve të bashkisë që drejtohen nga opozita dhe krerët e degëve të PD në qytetet e vendit, Basha kërkon ngritjen e Shtabit Qendror të Koordinimit që do të ketë si detyrë organizmin e strukturave të partisë demokratike dhe dokumentimin e informacioneve në bazë të detyrave të caktuara.  Për çfarë i duhen Bashës këto Shtabe të reja në terren?

Zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe aksioni i protestave disa mujore të opozitës për moslejimin e tyre ka përfunduar keq. Kjo sigurisht ka nxitur pakënaqësi jo vetëm tek militantët por edhe vetë bazën e tij. Në këto kushte, Lulzim Basha është duke u përpjekur për të mbajtur nën kontroll partinë. Sipas burimeve, baza është e irrituar dhe e mërzitur për një tjetër aksion të përfunduar keq të Lulzim Bashës. Kjo mund të bëjë që situata në 30 qershor të dalë jashtë kontrollit të strukturave dhe të shkaktojë incidente për të cilat ndërkombëtarët kanë thënë se do mbajnë përgjegjësi jo vetëm zbatuesit por edhe organizatorët.

Por duket se Basha me këtë urdhëresë shpreh ankthin se çfarë mund të ndodhë më 1 korrik. Shumë drejtues dhe ish deputetë shprehen thuajse hapur me njeri tjetrin tepër kritikë ndaj Bashës dhe aksionit të tij të nxituar për djegien e mandateve dhe mosmarrjen pjesë në zgjedhje. Gjendjen e rëndon dhe heshtja e Berishës prej disa javësh dhe zërat e një klime të ndere mes tij dhe beniaminit të dikurshëm dhe hija e Bujar Nishanit si mëkëmbës i Berishës sa vjen dhe rritet. A është kjo shkrese fillimi i një përplasje mes Berishës dhe Bashës? Shpeshherë i është thënë se nëse nuk “vret” babën politikisht, partia s’mund të jetë kurrë e Bashës. Por nëse dështon dhe në këtë përplasje, lideri i PD rrezikon realisht fundin pa lavdi të karrierës së tij politike. Përballë Amerikës edhe mund të mbijetosh, por përballë Berishës? Historia flet tërësisht ndryshe  /realstory.al

Lexoni urdhërin e plotë:

URDHËR I KRYETARIT TË PARTISË

PËR ORGANIZIMIN E PUNËS PËR PERIUDHËN 28 QERSHOR – 2 KORRIK

Në mbështetje të nenit 51 të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë,

U R D H Ë R O J:

1. Ngritjen e Shtabit Qendror të Koordinimit të situatës në vend në periudhën 28 Qershor – 2 Korrik 2019, me detyra dhe ndarje si më poshtë:

I. Organizimi i strukturave;

II. Dokumentimi i informacioneve;

III. Përpunim informacioni;

IV. Media.

2. Secili grup i Shtabit Qendror të Organizimit harton strategjinë e tij të punës në përmbushje të detyrave që mbulon, i cakton detyrat dhe udhëzon strukturat lokale të partisë mbi veprimet që duhet të ndërmerren rast pas rasti në varësi të situatës, kërkon dhe mbledh informacion nga strukturat, si dhe raporton në mënyrë periodike gjatë gjithë periudhës tek Kryetari i Partisë.

3. Me përjashtim të anëtarëve të Shtabit Qendror që njoftohen me urdhër të veçantë të Kryetarit të Partisë, anëtarët e Kryesisë së PDSH, anëtarët e Grupit Parlamentar dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar, nga data 28 Qershor – 2 Korrik 2019, qëndrojnë pa ndërprerje në zonat që mbulojnë, sipas ndarjeve të njoftuara edhe më parë gjatë periudhës 16 Shkurt 2019 e deri më tani. Ato koordinojnë veprimet, në varësi të tematikës, me Shtabin Qendror të Koordinimit.

4. Pranë çdo Degë të Partisë, në nivel bashkiak, ngrihet menjëherë Shtabi Lokal i Punës, që në koordinim me Shtabin Qendror, organizon punën në terren, sipas të katër fushatave që përfshihen në pikën 1. Në Degët ku Partia Demokratike drejton bashkinë, drejtues i Shtabit është Kryetari i Bashkisë dhe Kryetari i Degës. Në Degët e tjera, drejtues i Shtabit është Kryetari i Degës.

5. Shtabet bashkërendojnë veprimet me të gjitha partitë e Koalicionit Opozitar, në nivel qendror dhe lokal.

6. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

KRYETARI

LULZIM BASHA

Basha përshëndet mosardhjen e disa vëzhguesve, por lajmi përgënjeshtrohet të shtunën

Lulzim Basha vijon ta quaj deklaratën e Kongresi të Autoriteteve Vendore, se nuk do të dërgojë vëzhgues në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, si tërheqje të Këshillit të Europës. Gjatë një deklarate për shtyp nga Selia Blu, sipas kreut të PD-së, kjo është hera e parë që Këshilli i Europës nuk do të vëzhgojë zgjedhjet lokale në Shqipëri. “Këshilli i Europës ka qenë monitorues i zgjedhjeve lokale të vitit 2015, së bashku me OSBE/ ODHIR –in. Ditën e zgjedhjeve misionet e monitorimit të votimit ishin misione të përbashkëta të OSBE-së dhe mes Këshillit të Europës. Këtë vit, Këshilli i Europës u tërhoq, për herë të parë në historinë e tij, nga monitorimi i zgjedhjeve lokale në një vend anëtar të tij.

Sikurse e thekson vetë njoftimi i Këshillit të Europës, farsa që po përgatit Edi Rama nuk ka ndodhur në vendet e Këshillit të Europës, që nga rënia e komunizmit”, u shpreh Basha. Pavarësisht se gjithçka u sqarua pasditen e të mërkurës, se deklarata nuk ishte e Këshillit të Europës, por i një organi që përbëhet nga të zgjedhurit lokal të shteve të BE-së, sikundër ka pohuar kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, kreu i opozitës i mëshon idesë se kjo është tërheqje e Këshillit të Europës. Më tej, Lulzim Basha u shpreh se opozita nuk i cilëson si zgjedhje këto, pasi sipas tij, ato kanë rënë ligjërisht, duke treguar se këtë qëndrim ia ka bërë të ditur edhe partnerëve ndërkombëar, që sipas Bashës, po e ndihmojnë për të zgjidhur krizën.

“Për opozitën këto nuk janë zgjedhje, ato nuk qëndrojnë ligjërisht. Këtë qëndrim ia kam bërë të qartë parnerëve që po më ndihmojnë për zgjidhjen e krizës politike. Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku nuk zhvillohen zgjedhje të lira, ku vidhen votat. Ne e kemi bërë të qartë, se pa ndëshkuar kriminelët dhe pa larguar Edi Ramën, në Shqipëri nuk do ketë zgjedhje të lira. Ai ka vendosur të vazhdojë aventurën e 30 qershorit”. Kështu, Lulzim Basha shprehet se më 30 qershor opozita do të bëjë gjithçka për të ndalur, atë që kreu i PD-së, e quan fars elektorale.

“Të dielën nuk ka zgjedhje, është një fars. Ne do bëjmë gjithçka që kjo të ndalet. Regjimi i Edi Ramës  po i bën presion administratës të dalin të votojnë. 30 qershori do të jetë fillimi i fundit të Edi Ramës. Abuzimi, dhuna dhe krimi ndëshkohen gjithmonë. Dita e ndëshkimit për Edi Ramën është kaq pranë. Po kaq pranë është dhe dita e clirimit të Shqipërisë nga diktatura auto-kratike. Zoti ju bekfotë ju dhe zoti e bekoftë Shqipërinë”.

Skip to toolbar