Basha zbutet si pambuk: S`kam asnjë përfitim nga dhuna

AKTUALITET


Mesazhi amerikan ka depërtuar në koshiencën e Lulzim Bashës. Në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së shtunës, pak orë para nisjes së procesit të votimit të 30 qershorit, kreu i PD-së i ka kërkuar militantëve të Partisë Demokratike të distancohen nga dhuna. Mesazhi i Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, se nëse “ka dhunë në 30 qershor, PD-LSI, përjashtohen nga marrëdhëniet me SHBA-në”, ka bërë që kryedemokrati të tërhiqet nga skenari i dhunës, i bërë publik nëpërmjet Qarkores, publikuar dhe nga Realstory.al, pak ditë më parë.

Të dashur bashkëqytetarë: Unë e di që shumë prej jush kanë dashur dhe kanë pritur që nesër të mos kishte as votime farsë, të mos kishte asgjë. Por e vetmja mënyrë për ta arritur këtë, o të ishte mënyra e dhunshme, e cila do të shkaktonte vëllavrasje dhe humbje njerëzore e plagë shoqërore. Dhuna nuk do të prodhonte as përfitime politike. Ajo thjesht do të sillte një ndjenjë të rremë të triumfit të çastit dhe do të linte plagë të hapura e probleme të pazgjidhura. Unë dhe demokratët nuk besojmë tek rruga e dhunës”, shprehet Basha.


Sigurisht, në fjalën e tij kuptohet qartë se Lulzim Basha nuk i frikësohet vetëm përkeqësimit të situatës dhe daljes jashtë kontrollit të saj, në rast se do të ketë përplasje. Halli është dhe më i madh, ai e ka kuptuar që dhuna nuk “do të prodhonte as përfitime politike”. Këtë e thekson dhe më tepër kur shprehet se “asnjë rezultat politik, asnjë pushtet politik që del nga dhuna, nuk ka sjellë kurrë asgjë të mirë për popujt e qeverisjet e tyre”, shprehet Basha. Kreydemokrati, shprehet se fundi i Edi Ramës nuk do të vij nga dhuna, por në mënyrë evropiane. “Ky fund është pranë dhe, mbi të gjitha, sepse përpjekjet tona të deritanishme kanë qenë thellësisht europiane, thellësisht parimore dhe jo për pushtet personal”.

Në fund, duke u bërë thirrje qytetarëve që të shmangin në çdo mënyrë provokimet dhe aktet e dhunës, Lulzim Basha kërkon që forma e kundërshtimit të zgjedhjeve të jetë vetëm bojkoti ndaj tyre, pasi, kreu i PD-së shprehet se “unë kam përgjegjësinë për jetën e çdo demokrati, çdo socialisti, çdo qytetari shqiptar”.




Skip to toolbar