“Akt kërcënimi”, Lubonja flet për sulmin: Ne s’jemi me truproje

Sulmin ndaj makinës së tij personale analisti Fatos Lubonja e cilësoi një akt vandal dhe urrejtje për shkak të deklaratave të forta që ai bën ndaj politikanëve. Lubonja tha se ky ishte sulmi i dytë që i bëhej makinës së tij, ku i pari u justifikua se ishte një person me probleme mendore, ndërsa për sulmin e dytë akuzoi si nxitës të kësaj urrejtje kryeministrin Rama me deklaratat që ai bën shpesh për televizionet dhe analistët e ftuar në studio të ndryshme.

Lubonja tha se kjo gjuhë e kryeministrit nxit urrejtjen duke bërë që persona të ndryshëm të bëjnë sulme të tilla, ndërsa tha se analistët nuk ruhen nga shteti apo me truproje. Për Lubonjën këto sulme e rikthejnë vendin në kohë të errëta.

Di që u ktheva nga Italia më 1 në darkë dhe e gjeta makinën të dëmtuar mbrapa rëndë, thyer xhamat, që dukej e qëllimshme se nuk kishte ndonjë vjedhje. Ishte një akt vandal, akt urrejtje nga dikush. Në incidentin e korrikut u tha se ishte një me probleme të shëndetit mendor… Ai është i arrestuar. Nuk do të jetë ky. Pistat janë të shumta, por mua pista më çon te një urrejtje për qëndrimet politike. Kryeprotagonisti i kësaj klime urrejtje është kryeministri, që del aty e thotë ‘ndiqeni analistin’. Një nga këta analistë jam edhe unë. Unë e marr si akt kërcënimi. Ne nuk jemi me bodyguard, nuk na mbron shteti, për ato që themi mund të shkojmë dhe në gjyqe. Këto janë akte vandale, që të kthejnë në kohët e errëta” tha Lubonja në News 24.

Makina e analistit Fatos Lubonja u sulmua nga persona të paidentifikuar gjatë natës së ndërrimit të viteve në qendër të Tiranës ku gjendej e parkuar. Makina e tij është sulmuar dy herë në harkun kohor të pak muajve, ndërsa autorit i sulmit të parë ishte një person me probleme mendore, për të cilin u dha dhe masa arrest me burg.

Turqia prezanton makinën e saj, miqësore ndaj mjedisit (foto)

Automobili do të prodhohet në dy kategori, njëri do të mund të arrijë shpejtësinë 100 km. në orë në 4,8 sekonda, si dhe tjetri në 7,6 sekonda. Bateria e tij do të mund të ngarkohet deri në 80 për qind në më pak se 30 minuta

Prezantohet automobili vendas i Turqisë

Turqia prezantoi prototipin e automobilit vendas, të zhvilluar nga Grupi i Iniciatviës së Automobilit të Turqisë (TOGG), raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia u realizua në Luginën e Informatikës në rrethin Gebze të provincës industriale Kocaeli, me pjesëmarrjen e shumë zyrtarëve të lartë, përfshirë presidentin Recep Tayyip Erdoğan, krerët e projektit, inxhinerë, ekspertë dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij në ceremoni, Erdoğan tha se Turqia sot po përjeton një ditë historike.

“Sot po dëshmojmë një ditë historike për vendin tonë, realizimin e ëndrrës 60-vjeçare”, tha presidenti turk.

Duke thënë se mbi 100 inxhinierë turq kanë punuar për të realizuar projektin, ai tha se “Ne nuk blejmë licencë ose leje nga askush, por i përcaktojmë vetë të gjitha tiparet teknike”.

Erdoğan theksoi se Turqia nuk do të lejojë përpjekjet për të penguar prodhimin e veturës së saj.

“Ata arritën të pengojnë prodhimin e Devrim (makina e parë vendase e Turqisë), por nuk do të jenë në gjendje ta pengojnë këtë automobil”, shtoi ai.

Turqia fillimisht u përpoq të prodhojë makinën e vet në vitin 1961, të quajtur Devrim, por ajo kurrë nuk kaloi fazën e prototipit.

“Turqia nuk është vetëm një treg për teknologji të reja, por është bërë një vend që zhvillon, prodhon dhe eksporton ato në të gjithë botën”, tha Erdoğan.

“Automobili nuk do të ndotë mjedisin, për arsye se punon me teknologji me zero-emetime”, shtoi ai.

Pas fjalës së tij, me një spektakël të përgatitur, u prezantuan dy modele të automobilit, njëri SUV dhe tjetri Sedan, me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, si referencë në flamurin e Turqisë. Pas prezantimit, Erdoğan realizoi vozitjen e parë të njërit prej prototipeve të automobilit turk.

Karakteristikat e automobilit 

Në muajin qershor të vitit 2018, pesë gjigantë të industrisë turke, respektivisht Anadolu Group, BMC, Kok Group, Turkcell dhe Zorlu Holding, si dhe organizata ombrellë Unioni i Odave dhe Shkëmbimeve të Mallrave të Turqisë, bashkuan fuqitë për të krijuar nismën TOGG, e cila projektoi automobilin vendas të Turqisë për një periudhë 18-mujore.

Automobili do të prodhohet në dy kategori, njëri me më pak kuaj fuqi që do të mund të punojë me një të mbushur mbi 300 kilometra dhe të arrijë shpejtësinë 100 kilometër në orë në 4,8 sekonda, si dhe ai me më shumë kuaj fuqi që do të mund të arrijë shpejtësinë 100 kilometër në orë në 7,6 sekonda.

Bateria e këtij automobili, e zhvilluar plotësisht nga TOGG, do të mund të ngarkohet deri në 80 për qind në më pak se 30 minuta./AA/

“S`ka lekë për makina”, Rama, bashkiakëve: Lëvizni me kalë!

Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave është diskutuar edhe për  ndryshimet në buxhetin e vitit të ardhshëm, që tashmë do të jenë të detyruara për shkak të dëmeve të tërmetit. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi kryebashkikat se gjatë vitit të ardhshëm nuk do të ketë shpenzime luksi nga bashkitë. Ai tha se nuk do të blihen makina apo shpenzime për mobilim zyrash.

 “Ne do të kalojmë si fazë të parë nga buxheti i 2020, 0.4% të PBB duke u siguruar që defiçiti primar pozitiv të mbetet pozitiv, asnjë ndryshim parametrash që mund të kërcënojë qëndrueshmërinë e gjithë sistemit makroekonomik. Po studiohet edhe cilat fonde mund të transferohen”.

“Ka një zë që lidhet me të gjitha shpenzimet, në vitin e ardhshëm nuk do të blihet asnjë makinë, nuk do të pajisjet asnjë zyrë, nga ato që kanë qenë rutina dhe do të bllokohen blerjet e makinave, dollapëve, kolltuqeve, TV-ve në të gjithë bashkitë e vendit”.

“Kush do të jetë keq për makinë të gjejë një kalë edhe nuk ka problem, kryetar bashkish me kuaj do të ishin një inovacion ekologjik. Edhe sidomos kryetarët e njëzive administrative do të ishin të mirëseardhur në komunitet, që të mos levizin me vetura nëpër qendrat e qyteteve”, tha Rama.

Sulmi ndaj prokurorit, gjendet mjeti dhe dy armët e atentatit

Sipas gazetës Tema, policia gjeti makinën që dyshohet se është përdorur në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Makina është gjetur e padjegur në fshatin Shkafanë në Ishëm, ku ndryshe nga ngjarje të mëparshme kriminale, ajo nuk është djegur.

Po sipas gazetës, brenda makinës tip Benz me ngjyrë gri dhe targa të falsifikuara, janë gjetur dy armë automatike AK47 dhe dy maska, gjë që të bën të dyshosh se kanë qenë dy persona.

Autorët, duket se për shkak të nxitimit nuk e kanë djegur mjetin, që dyshohet se është përdorur në atentatin ndaj Arjan Ndoja dhe dy personave të tjerë. Targat e makinës dyshohet se janë të falsifikuara. Policia ende nuk ka dhënë detaje për emra konkretë lidhur me ngjarjen.

Prokurori Arjan Ndoja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa u vizitua në spital nga drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit, të cilët po punojnë për kapjen e autorëve.

Ndërkohë, Aleksnadër Laho (Landi Muharremi) ndodhet ende në sallën e operacionit për shkak të plagëve të marra, por dhe ai raportohet se është jashtë rrezikut për jetën. I vetmi që mbeet në rrezik për ejtën është shoferi i prokurorit, Andi Maloku, i cili ka marrë një plumb në shtyllën kurrizore.

Kosovë, banorët zgjohen dhe gjejnë makinat në gropë

Banorët e Prishtinës kanë pasur një zgjim jo si gjithë të tjetër mëngjesin e të dielës. Shkak është bërë një zonë në ndërtim në të cilën është hapur një gropë e madhe për të hedhur themelet e objektit. Megjithatë për shkak të rrëshqitjeve të dherave, makinat e parkuara anës rrugës kanë përfunduar në këtë gropë.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Bedri Gjini” në Prishtinë, ndërsa qytetarët shprehen të shqetësuar pasi madhësia e gropës që shkon deri në 7 metra e gjatë dhe më shumë se një metër e gjerë. Gjithashtu probleme janë shfaqur edhe me rrjetin e ujësjellësit, ku ka pasur dëmtim të tij.

“Autorët u larguan me motorë, pasi dogjën makinën e Lelit”

Dy persona me motorë mendohet se i kanë vënë flakën mëngjesin e të enjtes makinës së kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli. Këto janë deklaratat e dëshmitarëve okularë, që gjejnë mbështetje edhe nga kamerat e sigurisë. Sipas dëshmitarëve kanë qenë dy persona me mortor, të cilët i vunë flakën makinës “Range Rover” dhe më pas u larguan me motorë.

“Njëri prej tyre qëndroi deri sa makina shpërtheu dhe më pas u largua me motor. Tjetri iku më herët” thonë dëshmitarë. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve përreth për të zbardhur të plotë zjarrvënien e qëllimshme ndaj makinës së kryebashkakut Leli.

Makina shpërtheu në flakë rreth orës 04:26 të mëngjesit të 10 tetorit në lagjen ‘Lef Sallata’ në Vlorë. Si pasojë e shpërthimit ka marrë flakë edhe një makinë tjetër tip “Ford” ishte parkuar aty pranë. ‘Range Roveri’ që përdorej nga kryebashkiaku Leli, ishte parkuar pranë pallatit ku banonte shoferi i tij me iniciale E.T.

Gjendet e djegur makina e vrasësve me maska në Lushnje

Pak orë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mëngjesin e të martës në Lushnje, është gjetur i djegur një mjet, që dyshohet se është përdorur në atentatin e Besnik Hidës. Makina është gjetur e djegur në një zonë perifike të qytetit të Lushnjës.

Ajo dyshohet se ëshë përdorur  nga dy  personat, që ekzekutuan me breshëri kallashnikovi shtetasin Besnik Hida, 35-vjeç. Në sedijen e pasme të mjetit tip “Seat”, policia gjeti një pistoletë dhe dy kallashnikovë.

Personi i mbetur i vdekur në atentat, dyshohet se është i lidhur me një vrasje që ndodhi 2 vite më parë. Hida ishte daja i Zamir Latifit i vrarë në një atentat në 2017, ku mbeti i vdekur dhe një person tjetër, Jurgen Goxha, ndërsa u plagos Marius Xhepexhiu.

Tiranë, digjet makina gjatë natës, dëmtohen dy të tjera

Një makinë ka marrë flakë në orët e para të mëngjesit të së hënës në rrugën “Haredin Shtino” në Tiranë. Sipas policisë zjarri ka qenë i qëllimshëm, duke dëmtuar edhe dy mjete të tjera që kanë qenë të parkuara pranë tij.

Mjeti tip Benz i përfshirë nga flakët është pronësi të shtetasit G. N., ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Nuk dihet ende qëllimi i sulmit ndaj këtij shtetasi, ndërsa policia ia ka referuar rastin Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Trafikonte makina nga Maqedonia, pranga një personi

Policia e Elbasanit ka goditur një rast të trafikut të automjeteve në mënyrë të paligjshme nga jashtë vendit. Sipas një komunikate zyrtare të Policisë së Elbasanit, mësohet se është arrestuar një shtetas dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Konkretisht, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Librazhd, finalizoi operacionin “Rrajca 2019”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit me inicialet; Xh. B., 53 vjeç, lindur në Prrenjas, Librazhd, dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. R., banues në Strugë, Maqedoni e Veriut. 

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë organizuar trafikimin e disa automjeteve nëpërmjet kufirit të gjelbër jashtë pikave të kalimit kufitar, nga shteti i Maqedonisë së Veriut drejt Shqipërisë. Në kuadër të operacionit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një autoveturë e markës Volksëagen Passat, me targa të shtetit të Maqedonise së Veriut, në pronësi të një shtetasi maqedonas.

Automjeti është vjedhur në shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe me pas trafikuar në Shqipëri. Vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të perfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe sekuestrimin e disa automjeteve të trafikuara nga ky grup personash (për të cilët nuk jepen të dhëna për arsye hetimi). Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.

Aksident i frikshëm, makinat përplasen kokë më kokë në Qafë-Thanë

Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e së dielës në Qafë-Thanë ku dy makina janë përplasur kokë më kokë me njëra tjetrën, por fatmirësisht nuk ka pasur të plagosur.

Në këtë aksident janë përfshirë një makinë me targa të huaja nga Ohri i Maqedonisë dhe një makinë me targa shqiptare.

Ndërkohë policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.

Skip to toolbar