15 biznesmenë në pranga dhe 35 në kërkim. Skema, si mashtronin me fatura fiktive

15 biznesmenë janë arrestuar nga policia gjatë të enjtes dhe 35 të tjerë janë shpallur në kërkim për veprën penale të mashtrimit me TVSH-në.

Report TV ka zbuluar se si ka funksionuar skema e mashtrimit përmes faturave fiktive që realizoheshin nga 5 kompani fantazmë, ndërkohë që të përfshirë në grabitje janë 50 kompani gjithsej.

Këta biznesmenë, akuzohen se prodhonin fatura fiktive shit-blerjesh me qëllim përfitimin e TVSH-së duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 25.7 mln lekësh, shifër kjo e  përllogaritur nga faturat që ka arritur të sigurojë policia si provë. Megjithatë, sipas burimeve të informacionit mendohet se shifra është më e madhe dhe mund të shkojë nga 25-30 mln euro.

Hetimet për këtë skemë kanë zgjatur prej dy vitesh, nga ku e gjitha është kryer nga 5 kompani fiktive , BTI; Bani/ 5 shpk; E.B.A Ndërtim; Uniservice shpk; Konstruksion Aieni.

Të arrestuarit

1.Paqsor Buzi, aksioner me 50% i G.P.G Company

2.Besnik Pelivani, kompania e ndërtimit A.B.BE

3.Astrit Lala, kompania Leksi Security 1

4.Haxhi Sala, kompania Leksi Security

5.Ilia Dimo, kompania IBS sh.p.k

6.Fatmir Firi, kompania Arb &Trans Sh.p.k

7.Shkëlqim Prodani, kompania Red Black

8.Ardian Bejko, kompania “Babeko Trans”

9.Shpresa Joanidhi, kompania “Shpresa” sh.p.k

10.Mhill Ndreca, kompania “Kombeas”

11.Rabi Kurti, kompania “Kurti Construction”

12.Riza Roshi, kompania “Dorgen” sh.p.k

13.Rrapo Baduni, kompania “Bani/s”

14.Vasil Korita, kompania “Medi Pharma”

15.Vangjush Mbriçe, kompania C.E.C Group

Hetim në gjendje të lirë

1.Përparim Hasani

2.Albert Ahmeti

Me diplomë false drejt SHBA, gjykata lë në burg Agron Selmanin

Tentoi të mashtronte SHBA-në duke paraqitur një diplomë false të shkollës dhe menjëherë sapo ka dalë nga ambasada është vënë në pranga shtetasi Agron Selmani, ndërsa gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për të.

Agron Selmanin u arrestua të mërkurën, sapo doli nga Ambasada Amerikane pas intervistës  për të marrë vizën. Gjyqtari Sokol Tona vendosi ta lërë në burg deri në përfundim të hetimeve. 41-vjeçari Selmani akuzohet për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve shkollore”.

Ishte Shërbimi Diplomatik i Sigurisë DSS që zbuloi se mes dokumenteve që kishte dorëzuar për të marrë vizën përmes llotarisë, Selmani kishte edhe një diplomë të shkollës së mesme “Jordan Misja” në Shkodër. Diploma rezultoi se ishte false, pasi Selmani nuk kishte qenë asnjëherë në këtë shkollë.

Personat pa diplomën e shkollës së mesme nuk mund të fitojnë vizën amerikane.

Vodhën 3.7 milionë euro me kredi false, pranga 7 punonjësve të fondacionit

7 anëtarë të një fondacioni në Tiranë që mashtronte njerëzit me kredi false janë arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Kredia”.

Policia njofton se përmes mashtrimit me kredi fiktive këta persona kanë përfituar jo pak, por 3.7 milion euro.

Arrestimi është bërë pas akuzës së bërë nga drejtuesit e fondacionit të cilët kishin akuzuar se një pjesë e stafit të këtij fondacioni kishin dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kishin marrë me interes shuma të mëdha valute nga persona të ndryshëm. Menjëherë pas kësaj akuze janë vënë në punë specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik në drejtorinë vendore të Policisë së Tiranës, të cilët kanë arrestuar 7 anëtarë të këtij fondacioni, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

Në pranga kanë rënë:  A. I., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Drejtoreshë në një nga degët e filialit të Fondacionit.

B. K., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.

M. D., 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.

M.H., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.

E. V., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.

 O. D., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive.

A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht është me masë sigurie “Arrest në burg”, për një tjetër vepër penale dhe akuza do t’i komunikohet në ambientet e burgut.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një shtetasi, pjesëtar i grupit, në rolin e sekserit dhe vijon puna për kapjen e tij.

Si funksiononte skema e mashtrimit

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasja A.I., në pozicionin e drejtoreshës së njërës nga degët e filialit të fondacionit, kishte krijuar ketë skemë mashtrimi  dhe në bashkëpunim me personat e tjerë të ndalur kanë lëshuar kredi në mënyre fiktive dhe klientët që kanë përfituar kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit për kredi.

Ata paraqiteshin vetëm në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe Sekserët që siguronin klientët dhe në përfundim të këtij procesi nga Drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e kredituar ishte likuiduar nga klienti.

Shuma e kredive që janë dhëne nga ky staf, deri tani ka shkuar në vlerën 2 000 000 euro dhe në përditësimin e saj shkon në rritje.

Nga Drejtoresha e Degës, shtetasja A. I., janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, të cilat kapin vlerën deri në 1.7 milion euro.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprave penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro.

Policia njofton se vazhdojnë hetimet intensive për evidentimin e përmasave  të kësaj skeme mashtrimi dhe përftimit nëpërmjet këtyre kredive fiktive.

Mashtrim dhe falsifikim parash, Interpol arreston dy të dënuar për llogari të drejtësisë shqiptare

Interpol Tirana në bashkëpunim me homolohët britanikë dhe belg, ka bërë ekstradimin e dy personave nga këto dy shtete, për llogari të drejtësisë shqiptare. Sipas një komunikate të Policisë së Shtetit, këtë të premte është bërë ekstradimi i shtetasit Kreshnik Kule, 35 vjeç, i cili është ndaluar në Belgjikë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Ky shtetas, është akuzuar me 10 vjet burg për veprën penale “Mashtrim”.

“Interpol Tirana, Estradohen  nga Londra dhe Belgjika dy shtetas  të kërkuar për vepra penale në fushën e krimit ekonomik e financiar. Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Belgjika drejt Shqipërisë, i shtetasit  Kreshnik Kule, 35 vjeç. Shtetasi Kreshnik Kule është arrestuar nga autoritetet policore në Belgjikë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, pas informacioneve të dërguara nga  Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2016 e ka dënuar këtë shtetas me 10 vjet burg, për veprën penale “Mashtrimi”, shkruhet në komunikatën e Policisë së Shtetit.

Ndërsa shtohet se në vitin 2008 ky shtetas ka mashtruar një tjetër person duke i marrë shuma të konsiderueshme parash. “Ky shtetas në bashkëpunim me të atin, në vitin 2008 kanë mashtruar një shtetas shqiptar dhe i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash (rreth 30.000 $)  duke i premtuar që do të mundësonin dërgimin e tij dhe të familjes së tij në Kanada”.

Sakaq, nga Londra drejt Shqipërisë është ekstraduar dhe një tjetër shtetas, me inicialet S.P., 40 vjeç i lindur në Fier. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit ky shtetas është ekstraduar pasi rezulton i dënuar nga Gjykata e Fierit me masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale të “Falsifikimit të monedhave”.

Po nga Specialistët e Interpol Tirana, u krye ekstradimi nga Londra drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar, S.P. 40 vjeç, lindur në Fier. Shtetasi S.P. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier në Mars të vitit 2018, ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest me burg” për veprat penale “Falsifikim monedhash”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, ose vizave”. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Manchester, u bë i mundur arrestimi  dhe ekstradimit i tij nga Britania e Madhe drejt vendit tonë”, përfundon komunikata e Policisë së Shtetasit.

Vëllai i Salianjit në kërkim nga policia, akuzohet për “Mashtrim”

Gazeta “Tema” ka publikuar një lajm këtë të premte, ku tregon se Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e “Arrestit në burg” për shtetsin Alex Kaçani, vëlla i ish-deputetit të PD, Ervin Salianji. Vendimi i Gjykatës mban datën 3 prill 2019 e firmosur nga gjyqtarja Shefkie Demiraj. Alex Kaçani akuzohet për “Mashtrim”, parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal, vepër për të cilën rrezikon deri në 5 vite burg.

Prokuroria e Tiranës ka firmosur në datë 4 prill 2019 një urdhër ekzekutimi të vendimit të Gjykatës, për vëllain e Salianjit, duke ia përcjellë Policisë Gjyqësore dhe Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Policinë e Tiranës, për gjetjen dhe ndalimin e tij. Kërkimet për ndalimin e vëllait të deputetit Salianji deri tani nuk kanë rezultuar ekase. Burime policore thonë për TemA se Kaçani i fshihet drejtësisë dhe nuk jeton në Shqipëri.

Alex Kaçani, vëllai i ish-deputetit Salianji ka ndërruar disa herë emrin e mbiemrin. E këtu ka shfrytëzuar faktin se i ati i tij, Bujar Salianji ishte kryetar komune në Gorë, Korçë. Nga verikimet e bëra pranë gjendjes civile në ish-komunën Lozhan, e cila është drejtuar për tre mandate nga babai i Ervinit, Bujar Salianji, rezulton se ish-deputeti i Bashës ka një vëlla nga nëna.

Sipas të dhënave zyrtare, personi tani quhet Alex Kaçani, me emër të ndryshuar, ka lindur në Lozhan në vitin 1979 dhe është vëllai i madh i Ervin Salianjit nga martesa e parë e nënës të tij Shega, me Bedri Xhengon. Më pas ajo është martuar me Bujar Salianjin dhe ka dy djem, një prej të cilëve Ervini. Emri i tij i vërtetë është Klodian Xhengo, por, për shkak të problemeve me drejtësinë në vendet e Evropës ku ka qëndruar për disa kohë, aika ndryshuar emrin dhe mbiemrin.

Skip to toolbar