Det i trazuar, shpëtohen nga mbytja dy pushues në Spille dhe Shëngjin

Dy pushues janë shpëtuar nga mbytja ditën e shtunë në plazhin e Shëngjinit dhe atë të Spillesë.

Për shkak të detit të trazuar dhe me dallgë të forta, një 50-vjeçar është shpëtuar nga mbytja. Kanë qenë vrojtuesit e plazhit të cilët kanë ndërhyrë në kohë, të ndihmuar edhe nga plazhistët për të shpëtuar jetën e Ismet Muçës, 50 vjeç. Ai ishte futur për t’u larë, por dallgët e forta kanë tentuar ta mbysin atë, ngjarje që fatmirësisht u parandalua në kohë.

Një tjetër pushues është shpëtuar nga mbytja në plazhin e Shëngjinit. Shtetasi me iniciale B.B., 35 vjeç, nga Kosova ka pësuar gjendje të fikëti në ujë. Menjëherë ka ndërhyrë vrojtuesi i plazhit duke e nxjerrë nga deti dhe i dhënë ndihmën e parë. 35-vjeçari është transportuar drejt spitalit të Lezhës dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Vrojtuesi bregdetar i shpëton jetën 15-vjeçarit në Velipojë

Vendosja e vrojtuesve bregdetar është një detyrim ligjor në plazh, i cili shpëton jetë dhe kjo u vërtetua të martën në plazhin e Velipojës. Ndërhyrja në kohë e një vrojtuesit bregdetar në plazhin e Velipojës, i ka shpëtuar jetën një 15-vjeçari që rrezikoi të mbytej. 

15-vjeçari me iniciale E.H., u nxor nga deti në gjendje të rëndë, por që roja i dha ndihmën e parë duke e risjellë në jetë. Më pas adoleshenti u transportua drejt qendrës shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.

Rastet e mbytjeve gjatë këtij sezoni turistik fatkeqësisht kanë qenë të shumta, por gjithashtu është bërë e mundur edhe shpëtimi i shumë të tjerëve fal ndërhyrjes së vrojtuesve bregdetare.

Bie nga motori i ujit, mbytet 33-vjeçari te Gjiri i Lalëzit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në bregdetin e Durrësit, ku një nga pushuesit ka humbur jetën.

Një 33-vjeçar ka humbur jetën pasi është rrëzuar nga motori i ujit që po argëtohej dhe si rezultat i rënies në det është mbytur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:50, në Gjirin e Lalëzit, Durrës, ndërsa viktima është shtetasi me iniciale B.M., rreth 33 vjeç, banues në Tiranë.

Edhe pse i riu u dërgua me urgjencë në spital, nuk ka mundur dot të mbijetojë. Policia po heton për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Tragjedi në Mesdhe, mbyten 150 veta, shpëtohen 150 të tjerë

Tragjeditë në Detin Mesdhe nuk kanë të numëruar, por duket se as nuk do të ndalen. Emigrantë e shumtë që largohen nga Libia, Tunizia  apo vendet e Afrikës Veriore me shpresën për një jetë më të mirë në Europë, fillimisht duhet të përballen me “egërsirën’ e madhe që kanë në mes, Detin Mesdhe.

Një tjetër tragjedi ka ndodhur të enjten ku 150 refugjatë u mbytën jo shumë larg brigjeve të Libisë, ndërsa rreth 150 të tjerë u shpëtuan nga rojat bregdetare dhe peshkatarët në zonë. Lajmi u konfirmua nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Nuk ka një informacion të saktë nëse refugjatët po udhëtonin në dy anije apo në një të vetme.

Anijet mbyten si pasojë e mbipopullimit me emigrantë që tentojnë të largohen, por nuk përjashtohen edhe rastet kur ato nuk i kanë kushtet teknike për të udhëtuar.

Mbytet anija në Tunizi, të paktën 80 emigrantë humbin jetën

Një anije është mbytur duke shënuar 82 viktima, që i mbante në bordin e saj. Tragjedia e rëndë ka ndodhur në brigjet e Tunizisë, nga ku varka me emigrant ishte nisur drejt Italisë.

Varka është gjetur nga peshkatarët tunizianë, të cilët arritën të shpëtonin një emigrant gjallë. Fatkeqësisht ai ndërroi jetë në spital.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin në Tunizi, tha se numri i të mbyturve pritet të jetë edhe më i madh. Kjo tragjedi pason atë të muajit Maj, ku  një varkë me 65 emigrantë u mbyt sapo u nis nga Libia drejt Europës.

Fëmija gjendet i mbytur në Valbonë

Një 12 vjeçar ka humbur tragjikisht jetën duke u mbytur në lumin e Valbonës. Familjarët e kanë shpallur të humbur fëmijën, ndërsa trupi i tij u gjet një ditë më pas i nxjerr në breg nga lumi.

Mendohet se fëmija ka shkuar për të peshkuar, por është mbytur në mënyrë aksidentale.

Ujërat e Mesdheut mbushen me trupat e emigrantëve

Me mijëra emigrantë përpiqen të kalojnë përmes detit Mesdhe për në Evropë çdo vit dhe Libia është pika e nisjes me numrin më të madh të emigrantëve. Udhëtimi i këtyre emigrantëve ndodh me varka të vogla dhe të mbipopulluara duke çuar në shumë viktima deri në arritjen e destinacionit të tyre përfundimtar. Në shumicën e rasteve ndodh që varka të mos arrijë kurrë në tokë duke çuar në qindra të mbytur.

Rreth 164 vetë janë mbytur vetëm në 4 muajt e parë të 2019 sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR). Ndërsa ditën e sotme raportohet se të paktën 65 emigrantë janë mbytur ndërsa 16 të tjerë kanë arritur të shpëtohen në kohë nga Marina Tuniziane. Emigrantët ishin nisur nga Libia drejt Tunizisë, por dallgët e forta kanë çuar në përmbysjen e varkës.

Pavarësisht politikave të ndryshme që janë ndjekur për kufizimin e numrit të emigrantëve, ende me qindra të tillë ndërmarrin këtë udhëtim të rrezikshëm përmes detit Mesdhe, që u kushton edhe jetën.

Alarm SOS në Durrës “Po mbytemi”

Një jaht austriak ka dhënë alarmin SOS duke kërkuar ndihmën e rojeve bregdetare në Durrës. Alarmi u dha pas fikjes së motorëve për shkak të motit të keq në zonën e Kallmit.

Rojat bregdetare kanë dhënë ndihmën për 3 personat që gjendeshin në bord dhe ndihmuan në ankorimin e jahtit në portin e Durrësit.

Ishte shpallur i humbur, gjendet i mbytur në liqen

Një trup i pajetë është gjetur në liqenin e fshatit Fushë-Stud në Librazhd. Policia e ka identifikuar atë si shtetasin I.Lala, 55 vjeç, i cili ishte shpallur i humbur nga familjarët në fshatin Letëm para 20 ditësh.

Nuk dihen ende shkaqet e mbytjes së 55-vjeçarit, ndërsa nga këqyrja paraprake e kufomës nuk konstatohet shenja dhune.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Skip to toolbar