Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i është
drejtuar me një letër të hapur kancelares gjermane Angela Merkel si dhe
presidentit të Francës, Emmanuel Macron, të cilëve i kërkon ndihmë për
zgjidhjen e krizës në Shqipëri.
Letra i dërgohet dy drejtuesve kryesorë të
BE-së në prag të samitit të Berlinit. Këshilli i Ambasadorëve, i cili drejtohet
nga ish ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj dhe në përbërjen e tij ka figura me
kontribute në fushën e diplomacisë, kërkon nga Merkel dhe Macron që të japin mesazhe
të qarta për të inkurajuar të gjithë faktorët politikë dhe shoqërinë shqiptare
për të përqafuar rrugën e dialogut.
Letra e hapur:
Tiranë 25 Prill 2019
Shkëlqesisë së saj, Zonjës Angela Merkel,
Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë
Shkëlqesisë së tij, Zotit Emanuel Macron,
President i Republikës Franceze
Opinioni ynë publik është njohur për samitin
që ju do të organizoni në Berlin më 29 prill 2019 me kryetarët e shteteve dhe
të qeverive të Ballkanit Perëndimor.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se kjo
nismë vjen në kohën e duhur për t’i dhënë një shtytje të re procesit të
ngadalshëm dhe plot konvulsione të ndërtimit të demokracisë dhe të shtetit të
së drejtës në vendet e rajonit tonë.
Ne besojmë thellësisht, Shkëlqesi, se Ju, në
emër të shteteve të fuqishme, bujare dhe me ndikim planetar për lirinë dhe
demokracinë, që udhëhiqni, në emër të Bashkimit Europian do t’u përcillni
udhëheqësve të shteteve të rajonit tonë mesazhe të qarta për paqe të
qëndrueshme, stabilitetin pa cënuar standartin e demokracisë e të shtetit
ligjor dhe zhvillimin ekonomik duke respektuar dinamikën e tregut të lirë dhe
konkurrencën e ndershme.
Ky samit është një rast fatlum veçanërisht për
përfaqësuesit e lartë të Serbisë dhe të Kosovës, dy vende shumë të rëndësishme
të rajonit tonë, të cilat gjenden prej afro një dekade të përfshira në një
proçes shumë të vështirë negociatash për të normalizuar marrëdhëniet midis
tyre. Serbia dhe Kosova janë dy shtete sovrane, të cilat kanë të përbashkët një
të kaluar të afërt të mbushur me urrejtje dhe luftë të përgjakshme ndëretnike.
Por këto dy vende kanë sot të përbashkët edhe aspiratën për integrim europian.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se
pikërisht kjo aspiratë përbën motorrin më të fuqishëm frymëzues për shoqëritë
dhe institucionet e këtyre dy shteteve, për t’i shtyrë ato drejt pajtimit
përfundimtar duke lënë pas të kaluarën e hidhur, në emër të ndërtimit të një
fqinjësie të shëndetshme, miqësore, si interes jetik në radhë të parë për
popujt e tyre, por edhe për të gjithë popujt e rajonit.
Ne shpresojmë se vizioni dhe autoriteti juaj i
lartë, Shkëlqesi, do të nxjerrë njëherë e mirë nga rendi i ditës i negociatave
midis këtyre dy vendeve çdo plan për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh.
Përcaktimin e kufijve midis këtyre shteteve sipas vijës së ndarjes etnike do të
shënonte një kthim prapa dhe do të ishte i mbushur me rreziqe jo vetëm për këto
dy shtete, por edhe për vendet e mbarë rajonit.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh
bindjen e thellë se pajtimi i vërtetë serbo-shqiptar mund të arrihet vetëm
sipas përvojës dhe modelit franko-gjerman, që ju mishëroni.
Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj dëshirojmë
të vendosim ne vëmendjen tuaj edhe disa problematika të vendit tonë.
Gjatë këtyre 28 vjetëve pas shembjes së
diktaturës staliniste, Shqipëria ka bërë pa dyshim përparime substanciale në
rrugën e ndërtimit të demokracisë dhe të zhvillimit të ekonomisë. Shqipëria
është sot anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, duke e
bërë kështu të pakthyeshëm orientimin tonë perëndimor. Më shumë se 90 për qind
e opinionit publik shqiptar mbetet i vendosur në mbështetje të perspektivës
europiane.
Mbarë shoqëria jonë pret me shpresë që
Këshilli Europian të vendosë në qershorin e ardhshëm për çeljen e negociatave,
duke shënuar një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit europian
të vendit tonë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreson se
ju Shkëlqesi, dhe qeveritë që ju udhëhiqni, do të jeni në mbështetje të ëndrrës
europiane të shqiptarëve. Kjo ëndërr e shenjtë frymëzoi shqiptarët për t’u
ngritur kundër sistemit më represiv të kohës.
Shqipëria po kalon një tranzicion të
stërzgjatur dhe shoqëria shqiptare vazhdon të përballet me një sistem endemik
korrupsioni. Krimi i organizuar, sidomos ai që vepron në fushën e trafikimit të
drogës, vazhdon të ketë lidhje me politikën.
Prej më shumë se një viti vendi është pa
Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë është praktikisht jashtë funksioni,
duke e futur krejt drejtësinë në kolaps.
Prej dy muajsh opozita parlamentare ka braktisur
përfundimisht parlamentin, duke dalë në rrugë e kërkuar një qeveri tranzicioni,
e vetmja mënyrë, sipas saj, që do të siguronte zgjedhje të lira e të ndershme,
të pacënuara nga lidhjet e krimit me politikën.
Vendi po kalon një krizë përfaqësimi dhe
riciklim të krizës politike pa precedent qysh nga rënia e diktaturës. Kjo krizë
ka lëkundur shpresën e shoqërisë shqiptare dhe sipas statistikave gjatë pesë
vitëve të fundit janë larguar nga vendi në rrugë legale dhe ilegale afro një e
pesta e shqiptarëve.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se
forcat politike shqiptare, edhe falë mbështetjes suaj, do të gjejnë sa më
shpejt gjuhën e përbashkët të dialogut për kapërcimin e krizës duke qene të
bindur se ëndrra europiane nuk realizohet duke u larguar nga Shqipëria, por
duke ndërtuar në Shqipëri vlerat europiane.
Ne gjithashtu shpresojmë që ju shkëlqesi, si
miq të pazëvendësueshëm të shqiptarëve të përdorni rastin e këtij samiti për të
dhënë mesazhe të qarta dhe inkurajuar të gjithë faktorët politikë dhe shoqërinë
shqiptare për të përqafuar rrugën e dialogut.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i uron
suksese këtij samiti dhe u shpreh mirënjohje të përzemërt nismëtarëve dhe
organizatorëve të tij.
Me respekt
Këshilli Ambasadorëve Shqiptarë