“Moody’s” rrit vlerësimin për Shqipërinë/ Rritja ekonomike nga “e qëndrueshme”, në “pozitive”

EKONOMI


“Moodys” agjensia prestigjioze e kreditit ka rritur vlerësimin për ekonominë shqiptare duke e kaluar nga e qendrueshme në pozitive. Agjencia parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3.6 për qind në vitin 2026.

Sipas Moody’s, përmirësimi lidhet me forcimin e financave publike si dhe vijimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Kjo ecuri optimiste  ka vazhduar edhe përgjatë  vitit 2026, pavarësisht goditjes së çmimeve të energjisë si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Një tjetër tregues pozitiv që vlerësohet në raport është edhe niveli i  borxhit publik.

Moody’s parashikon që ai të vijojë të ulet, nga 52.9 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2025, në rreth 50.2 për qind në vitin 2027.

Agjencia vlerëson gjithashtu forcimin e pozicionit të jashtëm të Shqipërisë, rritjen investimeve të huaja dhe nivelin e rezervave valutore që kanë  arritur në rreth 7.9 miliardë euro në qershor të këtij viti , nivel që mbulon dukshëm më shumë se shtatë muaj importe dhe përbën një mbrojtje të rëndësishme ndaj goditjeve të jashtme.

Ky përmirësim i përspektivës nga Moody’s është një tregues mjaft i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë, duke dhënë një sinjal pozitiv për investitorët e huaj.



Skip to toolbar