“Konflikt civil më 30 qershor”, Rama: Bylykbashi një shëmtirë, braktiseni bashkë me PD-në!

Kryeministri u është përgjigjur para qytetarëve të Elbasanit deklaratave të ish-deputetit të PD-së Aurel Bylykbashi, që deklaroi se “më 30 qershor do të ketë vëllavrasje”. Edi Rama është shprehur se Bylykbashi është një turp për Elbasanin, dhe demokratët e këtij qyteti, duhet të braktisin Partinë Demokratike, derisa kjo forcë politike përfaqësohet me një njeri të tillë.

“Ai është një turp për Elbasanin, është një shëmtirë për Elbasanin, që del e flet sikur do hajë “tavë dheu” me Lulin. Të refuzojnë ofensivën shtazarake që përfaqëson ai lloj tipi, një personazh shtazarak. Është një arsye e mjaftueshme që të gjithë ta braktisin sa kohë ai e përfaqëson Partinë Demokratike. Është çerja tipike e shpirti të keq që e ka pushtuar shpesh herë politikën e shqipërisë qëkur është krijuar shteti shqiptar. Është vemja tipike që ka ngrënë trungun e kësaj politike që nga Ismail Qemali krijoi shtetin”, tha Kryeministri Edi Rama.

Më tej, Kreu i qeverisë u shpreh se të gjithë fajin për këtë situatë e kanë vetëm katër veta: Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. “Çdo njeri që i thotë vetes i tillë dhe që kërkon ta meritojë emrin shqiptar dhe emrin njeri, duhet ta ndajë qartë më 30 qershor. O me Shqipërinë që përpiqet, që ulet e ngrihet, o me Shqipërinë e këtyre Luçianove çingieve e mallkimtarit Neritan, se dhe atë e keni nga Elbasani. Fajin nuk e kanë këta, por fajin e kanë ata katër veta. Tek imagjinata e tyre e shfrenuar për ta bërë Shqipërinë plaçkë për të tregtuar karrierën e tyre. Tek imagjinata e tyre që le të digjet ky vend, por shikojeni se si po digjen vetë. Shikojeni se si zjarri që ju ka bërë shkrumb e hi mendjen dhe shpirtin po i djeg përditë. Por më besoni që çdo ditë shkrumb e hi do të bëhen në sytë e njerëzve”, tha ndër të tjera Rama.

GRAMSH/ Rama: Sot kemi një Haxhi Qamil që bën shqiponjën dhe nxjerr dekrete

Kryeministrit Rama nuk i del e keqja me presidentin Meta dhe këtë nuk heziton aspak ta thotë sa herë i jepet mundësia. Gjatë takimit elektoral në Gramsh, Rama e krahasoi Metën me Haxhi Qamilin duke thënë se ai është shpirti i rrëmujës dhe i së keqes.

“Nuk ishte para asnjëherë që opozita dhe presidenti i republikës të zhvilloni ssy aktivitete paralelel dhune. E para me zjarre, i dyti me dekrete. Dhune ne rruge,m dhune nga institucioni me i  larte i shtetit. E gjitha kjo për të krijuar idenë se ky vend nuk meriton çeljen e negociatave. Nuk jemi në kohën e Haxhi Qamilit. Edhe sepse është shfaqur pa mjekër pa kravatë. Dhe bën shqiponjën. Është vetë Haxhi Qamili atje. Fallxhorja të bëjë magji për të shpëtuar presidentin. Për ta çliruar nga shpirti që e ka kapluar komplet. Kjo nuk është e mirë për vendin dhe procesin zgjedhorë, që ata krijuan një siklet për shqiptarët. Të jeni të sigurt. Ka vetëm një rrugë për tu marrë me këtë. Duke e kthyer 30 qershorin shkuljen e një keqeje të madhe që ka mbajt peng popullin. Që politikanë i kanë dhënë vetës të drejtën për të qenë mbi ligjin. Populli shqiptarë duhet ti japi fund kësaj të keqeje. T’i japi mësim të gjithë politikanëve se kur populli zgjedh partitë. Kush ikën nga Parlamenti për të djegur Shqipërinë digjet vetë. “ tha Rama

Gjithashtu Rama ka bërë thirrje edhe për demokratët që mendojnë se duhet të pengojnë zgjedhjet duke thënë se nuk janë vlen të bëhet burg për Monikën dhe Lulin. Kryeministri ka siguruar se ditën e zgjedhje nuk do të ndodh asgjë pasi për herë të parë në historinë e saj qeveria e SHBA  tregon me gisht persona, duke bërë Bashën dhe Kryemadhin si përgjegjës për gjithçka çfarë ndodh.

“Ditën e diel s’kanë për të bërë asgjë. Mund të gjejnë budallenj lartë e poshtë. Por do thyejnë kokën e tyre. Nuk shkohet në burg për Monën e Lulin. Për Saliun jo e jo. As për Metën. Nuk i hiqet viza vetes për të shkuar as në Janinë e as në Bari për këta të katërt. Nuk ja vlen të bëni burg për këta person që kërkojnë të shpëtojnë karrierat e tyre. Iu drejtohem demokrateve të vërtet mos pengoni veten për të dal jashtë Shqipërisë duke ndjekur këto të katërt. Zgjedhje do ketë më 30 qershor dhe nuk do ndodh asgjë. Kush guxon të ndalojë dike që do të votojë, do të përballet me ligjin dhe nuk do te dal dot jashtë Shqipërisë. Hera e parë që SHBA tregon me gisht persona, Basha dhe Kryemadhi përgjegjës për gjithçka çfarë ndodh, nuk kish ndodh ndonjëherë kjo gjë.” – tha Rama

Exclusive/Raporti i plotë i Ligjeve: Meta mori pushtet ekzekutiv, dekreti, antikushtetues

Realstory.al ka siguruar raportin e plotë që Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi në mbledhjen e së mërkurës përmes të cilit kërkon shkarkimin e Presidentit Meta.

Raporti fillimisht i referohet vendimit të KQZ që e cilësoi nul vendimin e Metës për të anuluar zgjedhjet dhe vendosi me vijimin e procesit zgjedhor.

 “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si organi përgjegjës për organizimin, administrimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, nuk e mori në konsideratë për zbatim dekretin e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe vijoi me procesin zgjedhor duke arsyetuar se ky akt i presidentit është absolutisht i pavlefshëm, pasi ka dalë në kapërcim të kompetencave të presidentit dhe në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë. Sipas nenit 94 të Kushtetutës, presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre të njohura shprehimisht në Kushtetutë dhe ligj. Akti që del në mungesë të kompetencës konsiderohet që nuk ka ekzistuar asnjëherë”, shkruhet në raport.

Më pas theksohet rezoluta e miratuar me 100 vota në kuvend që mbështet KQZ në vijimin e punës për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Kuvendi i Shqipërisë përmes rezolutës së miratuar mbi aktin e presidentit, bazuar në përgjegjësinë që i ngarkon kushtetuta në nenin 1 të saj ku shprehimisht thuhet se Shqkpëria është republikë parlamentare, duke mbajtur parasysh rolin dhe kompetencat e presidentit në një republikë parlamentare, mbështet qëndrimin e KQZ për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimsinë e procesit zgjedhor të datës 30 qershor”, shkruhet në raport.

Deputetët e komisionit të Ligjeve më pas rendisin arsyet se pse duhet shkarkuar presidenti Meta.

“Duke anuluar datën e zgjedhjeve, presidenti ka kryer shkelje të rëndë të kushtetutës. Ai ka cenuar parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit. Ka shkelur kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe kuvendit. Është sjellë arbitrarisht me pushtetin si pushtet ekzekutiv i pakufizuar përkundër natyrës së republikës parlamentare. Ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve. Ka cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverie e dalë nga zgjedhje të lira. Ka nxjerrë një akt në kundërshtim flagrant me ligjet. Ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur”, shkruhet në raport.

Në përfundim Komisioni i Ligjeve i propozon Kuvendit ngritjen e një komisioni hetimor për të shkarkuar presidentin në përmbushje të procedurave parlamentare. Raporti do të kalojë për miratim në datën 4 korrik në seancë parlamentare./Realstory.al

Trembëdhjetë kundër Metës. Hallin e madh ia mban vetëm Alimadhi

13 deputetë të Komisionit të Ligjeve votuan të mërkurën pro shkarkimit të Presidentit Meta, ndërsa i vetmi që votoi kundër ishte Adriatik Alimadhi i Ballit Kombëtar, i cili ka marrë mandatin së fundi pas braktisjes së kuvendit nga deputetët e opozitës (mandate të cilët Meta po i kontrollon me lupë se si janë dhënë nga KQZ që më vonë t’i cilësojë të paligjshëm).

Gjatë mbledhjes së të mërkurës deputetët e Komisionit të Ligjeve miratuan raportin përfundimtar i cili do t’i propozojë Kuvendit, në zbatim të procedurave parlamentare ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit.

Objekt hetimi i komisionit hetimor do të jetë edhe vendimi i marrë nga Kolegji Zgjedhor i cili e cilësoi nul dekretin e Metës, përmes vendimit të dhënë për partinë e Idajet Beqirit të cilin nuk e çregjistroi nga zgjedhjet e 30 qershorit, duke lënë në fuqi pikërisht këtë datë për të zhvilluar zgjedhjet vendore.

Seanca për miratimin e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës do të mbahet më 4 korrik. Ngritja e Komisionit hetimor në këtë rast është thjeshtë në zbatim të procedurave parlamentare pasi në raportin e Komisionit të Ligjeve nuk ka vend për mëdyshje, është faktuar se presidenti ka shkelur kompetencat që i njeh Kushtetuta me vendimin për të anuluar datën e zgjedhjeve.

Nga lufta me molotov te braktisja e zgjedhjeve, si u shfry Basha-Meta

Të gjithëve na kujtohen sesi nisën me molotov, shashka e tymuese protestat e opozitës. Na kujtohen edhe gishtat e këputur të polices Ina Nuka në protestën e nëntorit, e cila ndodhej në detyrë në mbrojtje të institucionit të parlamentit ku një protestues i opozitës i hodhi shashkën që i dogji gjysmën e dorës. Dhjetëra policë kanë mbetur të plagosur gjatë asaj proteste. Të gjithë mbajmë mend zjarrin mbi kryeministri në protestën e 16 shkurtit dhe protestuesit që u përpoqën të thyenin portën e blinduar.

Kështu nisën protestat e opozitës deri tek kjo e fundit (21 qershor), që u shndërrua në një shëtitje në bulevard.

Nga thirrjet për revolucion, cunam, mosbindje civile deri tek dorëzimi i së martës i presidentit i cili gati sa nuk ngriti duart lart, kur tha se “nuk kam çfarë t’i bëj 30 qershorit”, ndërsa në mbrëmje Basha bëri lutje për braktisje të zgjedhjeve.

“Mënyra më e mirë për të përshpejtuar rënien e Edi Ramës, është braktisja e tij, është braktisja e oborrit të tij të kriminelëve, të klientëve, shërbëtorëve dhe veglave të tij. Refuzojeni Edi Ramën! Refuzojini kriminelët që ai mban pranë! Mbi të gjitha, braktiseni Edi Ramën politikisht! Unë ju ftoj që t’i braktisni!

Ju ftoj që të mos dilni të mos bëheni pjesë e kësaj farse, e cila i shërben vetëm krimit dhe pushtetit personal të Edi Ramës. Ju ftoj edhe juve të bëni tuajën duke i braktisur”, kështu tha Basha të martën në mbrëmje, një fjalim që ngjante më shumë si lutje drejtuar shqiptarëve.

Siç realstory ka shkruar, presioni i fortë ndërkombëtar bëri që opozita dhe presidenti të zbuteshin dhe të ndryshonin qëndrim. Gjatë ditës së martë përfaqësuesja e lartë e SHBA dhe ambasadori i BE-së, Soreca qëndruan mbi 1 orë në zyrën e Bashës dhe ia bënë të qartë mesazhin: Në Shqipëri nuk ka më vend për luftë me molotov. Nuk mund të merret pushteti duke bërë njerëzit kamizakë. Në Shqipëri zgjedhjet do të bëhen ashtu siç e parashikon Kushtetuta dhe këtë e di shumë mirë tashmë si Basha ashtu dhe Meta të cilët e treguan me zë dhe me figurë se tashmë janë të dorëzuar./realstory.al

KQZ i përgjigjet Metës. Si u plotësuan vakancat e Kuvendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është përgjigjur letrës së Presidentit Meta, ku kërkohej procedura e ndjekur për plotësimin e vakancave në Kuvend nga deputetët e rinj, pas djegies së mandateve nga Partia Demokratike, LSI dhe aleatët e tyre.

KQZ i ka dërguar Presidentit Meta të gjithë dokumentacionin, që nga nisja e mandatit pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 e deri te vendimet e deputetëve të opozitës për të lënë mandatet. Bashkangjitur me njoftimet e vendeve vakante, KQZ informon presidentin dhe për vendimet e dhënies së mandateve të deputetëve që kanë plotësuar vakancat në parlament, të ardhura nga listat shumë emërore të PD-së dhe LSI-së.

Letra e dytë e Presidentit drejtuar KQZ u konsiderua si një strategji e Metës për të mbrojtur veten nga një shkarkim i mundshëm nga Kuvendi i Shqipërisë, pas rezolutës së miratuar me 100 vota, që vinte në pah paligjshmërinë dhe shkeljet e Kushtetutës përmes dekretit të tij për anulimin e 30 qershorit.

Gjatë deklaratës të martën në mëngjes Meta nuk tha asgjë pse po kërkonte shkresat për deputetët. Ai pranoi se s`ka asnjë mjet për të ndaluar zgjedhjet në 30 qershor. “Duhet të keni të qartë që presidenti nuk ndërhyn për të penguar zgjedhjet partiake, por padyshim lidhur me 30 qershorin, kjo datë ka rënë. Nuk ekziston më ligjërisht. Kush do të zhvillojë zgjedhje partiake është i lirë”, tha Meta.

Rama: Meta si Nard Ndoka, por jo me batuta. Ai flet me molotov dekretesh

Kryeministri Rama e cilëson të palogjikshëm dekretin e anulimit të zgjedhjeve (një gabim si nga pikëpamja ligjore ashtu edhe politike) që presidenti Meta bëri për të mbrojtur opozitën me arsyetimin se po mbronte pluralizmin politik dhe po shmangte dhunën. Në fakt rezultoi se ky dekret solli krejt të kundërtën duke u shoqëruar me dhunë në disa KZAZ të vendit.

Rama e cilësoi dekretin si molotov institucional dhe se për nga logjika dhe batuta, ai bëri një krahasim ironik të presidentit Meta me Nard Ndokën, kreun e PDK. Gjatë takimit elektoral në Tropojë, Rama tha se dhunës në rrugë të opozitës, vendit ju shtua edhe dhuna institucionale përmes molotovëve me dekrete që presidenti vendoi të hidhte jo vetëm ndaj parlamentit dhe Kushtetutws, por edhe ndërkombëtarëve.

llir Meta ka zënë vendin e Nard Ndokës, me fjalinë, shantazhin ndaj gjykatësve, e pashë në fotografi. Nard Ndoka këtë nivel nuk e kishte kapur.  Ilir Meta ka marrë përsipër molotovët institucionalë, ka marrë përsipër të gjuajë me molotov dekretesh zgjedhjesh, me molotov fjalësh nga zyra e parlamentit, gjykatave, Amerikës, Europës…Unë nuk kam anuluar zgjedhjet në Amerikë që të pyesim Amerikën, sa të kem Lulin dhe Monikën nuk pyes për Italinë dhe Amerikën. Haxhi Qamili kur mori kot atëherë i çuan fjalë i thanë sikur po e tepron kujdes se po preken interesat e Francës, sa të kem Kavajën me vete nuk pyes për Francë dhe Angli unë. Ç’a ti bësh, është ky vend që e rrotullon dhe e rrotullon dhe prapë tak, e nxjerr ndonjë Haxhi Qamil“, tha Rama

Rama ofron negociata. Meta: opozita të futet në zgjedhje

Në një intervistë dhënë “Evropa e Lirë” Rama shprehet se është gati të ulet në tryezën e dialogut dhe të negociojë gjithçka përveç afateve kushtetuese.

“Unë kam insistuar për dialog gjithmonë. Kam bërë të gjitha përpjekjet për dialog. E vetmja gjë që nuk mund të negociohet është demokracia dhe patjetër nuk mund të negociohen edhe afatet kur populli duhet të marri fjalën. Këto janë të panegociueshme. Gjithçka tjetër është lehtësisht e negociueshme”, është shprehur Rama.

Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar presidenti Meta, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, i cili thotë:  “Shumë dakord me kryeministrin. Zgjedhjet nuk janë të politikanëve, por të popullit. Demokracia dhe pluralizmi politik janë të panegociueshme”.

Në këtë reagim duket qartë se meraku i presidentit është “pluralizmi”, pra futja në zgjedhje e PD-së dhe e LSI-së dhe duket se kjo është e thembra e Akilit, në negociatat mes palëve.

 A do të bien palët dakord për një tjetër datë zgjedhjesh, në mënyrë që t’i jepet mundësia edhe opozitës që të marrë pjesë? Deri tani palët janë të vendosura fort tek qëndrimet e tyre të palëvizura, por asnjëherë nuk i dihet. Zbutja e toneve nga ana e opozitës por edhe e Presidentit, gjatë dy ditëve të fundit mund të jetë një shenjë.

Rama duket këmbëngulës te 30 qershori, por a do të ishte i gatshëm ai dhe ndërkombëtarët të “toleronin” një shtyrje të pranueshme (maksimumi deri në 14 korrik), në mënyrë që presidenti të dilte mirë dhe opozita të futej në zgjedhje? Presioni i madh që bën Rama për datën 30, mund të kompensohet vetëm në këtë mënyrë. Kështu PD, e cila është e karikuar politikisht prej 5 muaj proteste, futej në zgjedhje shumë më mirë sesa ndonjëherë më parë; presidenti nxjerr një dekret të pranueshëm nga të gjithë dhe Rama futet në zgjedhje si kryeministër, së bashku me opozitën.

Ndoshta ky është një skenar optimist. Shenjat janë inkurajuese (Meta që bie dakord me Ramën në pak minuta nuk ndodhte së paku prej një gjysmë dekade) dhe Basha që sot do të bëjë një shëtitje familjare para kryeministrisë. Fundja s’kemi ç’humbasim. Shpresa vdes e fundit. Vetëm nëse vdes, nuk ka dekret që ja shtyn datën./realstory.al

Intervista e plotë e Ramës dhënë “Europa e Lirë”

Zoti kryeministër, ku e shihni zgjidhjen dhe si do ta ruani stabilitetin politik në vend?

Zgjidhja është e qartë, është zgjidhja që e mbështet gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe shumica dërrmuese e popullit shqiptar. Kjo do të thotë se zgjedhjet nuk janë të politikanëve, por janë të popullit. Populli ka të drejtë të zgjedhë ditën e përcaktuar nga Kushtetua dhe nga ligji dhe politikanët kanë të drejtën të paraqiten para popullit. Kush nuk paraqitet para popullit, është i lirë ta bëjë, por historia ka treguar se nuk fiton asgjë por përkundrazi paguan një kosto të madhe politike.

Në 30 qershor ju thoni se do të shkoni në zgjedhje, ndërkohë që 27 nga 61 bashki të Shqipërisë thonë se nuk do ta mbështesin këtë proces, përkundrazi ata insistojnë që do të përpiqen ta pengojnë atë. A mendoni se mund të mbahen zgjedhje në gjysmën e Shqipërisë?

Zgjedhjet do të mbahen në të gjithë Shqipërinë. Ata që përpiqen ta pengojnë janë gabim, luajnë me zjarrin sepse djegin veten në raport me ligjin dhe ligjet janë të qarta. Zgjedhjet kanë një administratë zgjedhore, kanë një gjykatë zgjedhore dhe bazuar edhe në opinionin e kah hershëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, çdo problem i kujtdo me zgjedhjet adresohet në gjykatën zgjedhore dhe askund tjetër. Kështu që janë përpjekje të dëshpëruara të cilat nuk kanë asnjë shans që të përmbysin bazën e rregullave të bashkëjetesës demokratike. Nuk është problemi që unë insistoj që të shkoj në zgjedhje, unë insistoj që të respektohet kushtetuta, dhe e drejta e popullit për të zgjedhur.

Megjithatë presidenti i çdekretoi dekretin për datën e zgjedhjeve. gjykatë kushtetuese nuk ka për momentin. Ku do të vërtetohet vlefshmëria e këtij vendimi por edhe vlefshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve?

Gjykata Kushtetuese e ka dhënë opinionin e vet disa vite më parë dhe ka nënvizuar se aktet e presidentit janë akte individuale të cilat kur lidhen me zgjedhjet adresohen në gjykatën e zgjedhjeve që është Kolegji Zgjedhor dhe askund tjetër, kështu që jemi të qartë në këtë pikë. Përsa i përket aktit të presidentit për çdekretimin e zgjedhjeve është një akt, absolutisht i pavlefshëm, përbën një shkelje të rëndë të kushtetues për të cilin presidenti është në procedurë shkarkimi në parlamentin e Shqipërisë.

Gazeta gjermane Bild, nxori një numër përgjimesh ku dyshohet që ka përfshirje të socialistëve në manipulimin e procesit zgjedhor. Ju si kryetar i PS a jeni i gatshëm të përballeni me këto akuza dhe si do ti adresoni ato?

Faleminderit për pyetjen dhe pyetja që pason këtë është se përse këto përgjime nuk janë përdorur për të bërë një hetim shterues. Pse qysh prej 216 këto përgjime janë mbajtur mbyllur dhe nuk është bërë asnjë hetim dhe pse këto përgjime të mbyllura janë dërguar tek partia e opozitës dhe pse partia e opozitës këto përgjime i dërgon në Gjermani për t’i paraqitur si zbulime gjermane. Këto nuk janë zbulime gjermane. Këto janë përgjime të prokurorisë shqiptare të cilat në mënyrë të paligjshme janë keqpërdorur duke thyer rëndë sekretin hetimor dhe përgjigja është e dhimbshme por e thjeshtë: përgjimet janë kthyer nga një bazë për të hetuar në ushqim për të helmuar njerëzit dhe për të helmuar opinion ndërkombëtar në prag të çeljes së negociatave. Sepse e gjithë çka po ndodh në Shqipëri është një përpjekje e dëshpëruar për të frenuar çeljene negociatave. Pse? Sepse me çeljen e negociatave fillon bashkëbisedimi për kapitujt e drejtësisë dhe nuk është më çështje se çfarë ligjesh ka Shqipëria dhe si po e pastron sistemin e drejtësisë përmes vettingut, por Shqipëria duhet të provojë se ka një sistem drejtësie që i vendos të gjithë të barabartë përpara ligjit dhe ndëshkon këdo, që nga më të gjatit gjer tek më të shkurtrit. Që nga më të fortët gjer tek më të dobëtit, kur ata shkelin ligjin,. Dhe këtë e dinë shumë mirë organizatorët e gjithë këtij plani dhe nxitësit e gjithë kësaj dhune.

A mendoni se BE megjithëse vendosi për hapjen e negociatave, dha sinjale pozitive. A mendoni se hezitoi për shkak të zhvillimeve politike dhe krizës në Shqipëri?

Rreziku që ky plan qartësisht antikombëtar të mund të funksionojë është real, sepse në fund të fundit e gjithë kjo që ndodh nuk ndihmon ata që duan të na ndihmojnë dhe ushqen ata që s’duan të na ndihmojnë. Kështu që rreziku është real  por përpjekjen do ta bëjmë deri në fund.

Bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje që kjo krizë të zgjidhet me dialog të brendshëm politik. A keni një ofertë për opozitën dhe ku është kompromisi?

Unë kam insistuar për dialog gjithmonë. Kam bërë të gjitha përpjekjet për dialog. E vetmja gjë që nuk mund të negociohet është demokracia dhe patjetër nuk mund të negociohen edhe afatet kur populli duhet të marri fjalën. Këto janë të panegociueshme. Gjithçka tjetër është lehtësisht e negociueshme.

https://www.evropaelire.org/a/edi-rama-intervista/30012448.html

Te henen Meta para “gjyqit”? Xhaçka: s’ngrejmë komision, e shkarkojmë për 10 ditë!

1 javë, maksimumi 10 ditë. Kaq i duhen maxhorancës për të shkarkuar presidentin Meta dhe nuk do të ngrejë asnjë komision hetimor. Deklarata është bërë nga ministrja Olta Xhaçka. Ajo ka bërë të ditur se kërkesa për shkarkimin e Metës do të diskutohet në komisionin e ligjeve i cili harton raportin dhe më pas ai votohet në seancë. Por socialistët do t’i japin mundësi presidentit të argumentojë dhe njëherë arsyet për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit në Komisionin e Ligjeve.

“Sot për sot, kërkesa e deputetëve firmëtarë i ka shkuar Komisionit të Ligjeve. Komisioni i Ligjeve shqyrton kërkesën e deputetëve paligjshmëritë, antikushtetutshmërinë e veprimeve të presidentit.

Më pas Komisioni e kthen ose i bën kërkesë Parlamentit të votojë shkarkimin e presidentit. E gjitha mund të ndodhë në një javë ose 10 ditë. Nuk ka pse të ketë Komision Hetimor. Mund ta bëjë dhe Komisioni i Ligjeve. Ndoshta do të thërrasë dhe vetë Presidentin, kam përshtypjen të hënën. Më pas Komisioni del me një vendim që ja dërgon Kuvendit. Procedura është më e shpejtë nga sa e parashikuat ju”, u shpreh Ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka në A2 Cnn.

Mesa duket gjërat janë mjaft të qarta. Presidenti sipas PS ka shkelur kushtetutën dhe nuk ka nevojë për një komision hetimor. Raporti hartohet nga komisioni i ligjeve dhe më pas kërkesa për shkarkim miratohet në seancë. PS vërtetoi herën e fundit me miratimin e rezolutës se kishte jo 93 vota (aq i duhen për shkarkimin e presidentit), por 100 të tilla. Kështu për 10 ditë, me votë parlamenti Meta nuk do të jetë më president. Fjalën e fundit gjithsesi e jep Gjykata Kushtetuese, ndaj formalisht Meta do të vazhdojë do të qëndrojë në presidencë deri në një vendim të prerë të gjykatës.

Përgjimet e Ismailajt, cili ishte gazetari A.Zh. që kërkonte mbështetje për vota në zgjedhjet e 2009?

Gazeta Shqiptarja.com vjen sot me një kryeartikull përmes të cilit ka zbardhur dosjen ku shfaqet presidenti Meta që kërkon 200 mijë euro bizesmentit Kastriot Ismailaj një ditë para zgjedhjeve të 2009-ës, por edhe një gazetar A.ZH i cili kërkon mbështetje për vota.

Më poshtë artikulli i plotë:

Pas 10 vitesh zbardhet dosja e prokurorisë së Tiranës ku tregohen përgjimet e Kastriot Ismailajt me biznesmenët dhe njeriun e besuar të Ilir Metës dhe Fatos Nanos në prag të zgjedhjeve të vitin 2009. Në bisedat tashmë të zhdukur, del edhe ish-kryeministri Berisha. Përgjimi me gazetarin A.Zh. dhe biseda “për ta ndihmuar me vota”.

Biseda për Berishën dhe si u asgjësuan CD me përgjimet nga prokuroria

Pas 10 viteve dalin në sipërfaqe disa nga përgjime tashmë të zhdukura që tregojnë sistemin e zgjedhjeve në koha kur PD dhe LSI ishin gati për të qeverisur bashkë. Bëhet fjalë për Dosjen me nr.978 e regjistruar në 2009 në prokurorinë e Tiranës, ku objekt i hetimit ka qenë biznesmeni i kompanisë “Adriatik Development Corporatiopn LTD”, Kastriot Ismailaj, që sot po vuan dënimin me 11 vite burgim në burgun e Fierit, dhe ka nxjerrë emra të njohur të politikës dhe gazetarisë. Në përgjimet që prokuroria ka kryer në dobi të këtij procedimi penal, del një komunikim me sms mes Kastriot Ismailaj dhe presidentin aktual Ilir Metës, ku ky i fundit një ditë para zgjedhjeve te 2009, i kërkon me urgjencë Kastriotit një shumë prej 200 mijë euro.

Por në këtë dosje nuk është vetëm kaq, pasi Meta dhe bashkëpuntori i tij, ka mjaft komunikime telefonike me Kastriot Ismailaj, biseda këto që tashmë çuditërisht janë fshirë dhe asgjësuar nga prokuroria e Tiranës me vendim gjykate. Në këto biseda Meta, Kastrioti dhe personazhi tjetër me inicialet I.K, bisedojnë për punën e fushatës elektorale dhe mbështetjen të nevojshme. Gjithashtu në këtë dosje del dhe emri i Fatos Nano dhe Sali Berisha.

Në 3 mars 2009 Kastrioti gjatë një bisede telefonike me shtetasen amerikane Rebeka Gaskin Gain, kjo e fundit i dërgon një sms me tekst: “Ministër i kujt resurs është ai?.” Ndërsa Kastriot Ismailaj ia kthen Rebekës  se është “…kryeministri…”, që për në atë periudhë rezulton të jetë Sali Berisha. Çfarë kërkonte Rebeka Gaskin nga kryeministri Sali Berisha? Nuk dihet pse nga dosje mungon biseda para dhe pas kësaj sms.

Mes emrave të tjerë që dalin në përgjimet e kësaj dosje, janë Fatos Nano, gazatarët I.K dhe A. Zh., botues A. D. dhe A.S, biznesmeni A.P. dhe E. Sh., dhe amerikania Rebeka Gaskin. “Shqiptarja.com” siguron të plotë dosjen e prokurorisë së Tiranës, ku evidentohen një sërë bisedash.

Fillimi i problemeve e sms me Ilir Metën për 200 mijë euro

Viti 2009, ishte periudhë që sapo kishin nisur problemet ligjore për Kastriot Ismailaj, dhe gjatë bisedave telefonike të përgjuara nga prokuroria ka rezultuar se Ismailaj kanë filluar ti dalin probleme në Zvicër, ku ai ka shkuar dhe po interesohet me një person me emrin Mustafa, për t’i gjetur një avokat. Në këtë kohë Ismailaj komunikon me E. Sh. për pagesat lidhur me drejtimin e kompanisë. Thuaj se çdo ditë Ismailaj ka komunikuar në gjuhën angleze me Rebeka Gaskin Gain, si dhe t’i dërgoj fatura të diskutoj për transferta parash, çështje biznesesh dhe në rajonin e Ballkanit. Njëherësh gjatë kësaj kohe rezulton se Ismailaj ka bërë investime në lokalin e marrë me qëra, pranë ambasadës Greke në Tiranë.

Ka telefonuar dhe organizuar takime me Ilir Metën etj. Një ndër komunikimet me këtë të fundit ka qënë nje ditë para zgjedhjeve parlamentare në 22 qershor 2009, ku Meta i thotë Kastriotit në orën 17:57 me një sms me tekst: “Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”. Ndërkohë po në këtë ditë Kastriot Ismailaj komunikon me Edi Sh., ku bisedon për një transfertë ekspres. Kastrioti i përgjigjet se jam rrugës duke u kthyer nga Maqedonia dhe do e përfundoj nesër.

Për çfarë i duhen ato “200 mijë patjetër” Ilir Metës pikërisht për ditën e zgjedhjeve? Prokurori ka dyshuar që ato lekë mund të ishin produkt nga vepra kriminale e Kastriot Ismailaj, që ishte nën hetim pikërisht për pastrim parash dhe lekët mund të ishin të destinuar për blerjen e votave. Sipas burimeve të prokurorisë rezulonte që Ilir Meta dhe Kastriot Ismaili komunikonin për ditë me telefon dhe në dosje kishin edhe përgjime të tjera.

Por të gjitha janë të zhdukur pse prokuroria e ka mbyllur çështje dhe me vendim të gjykatës gjithë CD me audio-pergjime janë asgjesuar. Nga dosje është shpëtuar vetëm një pjesë shumë e vogël, pjesa e të cilave janë këto dokumenta që po botojmë sot.

Kastrioti kërkon një avokat në Zvicër

Përgjimi telefonik i Kastriot Ismailaj ka filluar të realizohet në muajin Maj 2009, pasi akuza dyshonte për një skemë të pastrimit të parave dhe falsifikimit të dokumentave. Në përgjime del se Kastrioti flet me një njeri të besuar të Fasto Nano, I.K, dhe i kërkon të zhvillonin një takim kokë më kokë në lokalin e Kastriotit që ndodhet afër ambasdës greke në Tiranë. Mandej,në një bisedë tjetër në datën 23 maj 2009, Kastrioti del se flet me një person tjetër në Zvicër që quhet Mustafa, dhe që thiret Mustë. Mes dy personazheve shvillohet kjo bisedë:

Kastrioti:Çfarë po bën

Mustafai:Kam dalë në plazh afër liqenit.

Kastrioti:Unë do vij nesër

Mustafa:Kur? Mbas dite.

Kastrioti:Po nuk e di kur vjen Mustë.Duhet të vijë rreth orës 8…, vij nga Mynihu.

Mustafai:Si e kalove këto ditë?

Kastrioti:Hiq i lodhur jam

Mustafai:Puna si shkoj?

Kastrioti:Po mirë..

Mustafai:Sa do rrish ti këtej? Kismet?

Kastrioti:Unë do rrij nja dy ditë jo më tepër…domethënë nga e mërkura them të kthehem…

Mustafai:Atëherë shihemi kismet

Kastrioti:Po po desha, po më gjete dhe ndonjë avokat, të ma rekomandosh vëlla. Që të shkojmë ta takojmë

Mustafai:Po tashi vajza i ka provimet përmbyllëse, e nuk kam kohë njijherë kështu…po të hënën do ta gjejmë kismet nji.

Kastrioti:Epo mirë nesër shifena, po që se ke kohë

Mustafai:Nesër jam në pjesën Franceze, një nipit tim i ka vdekut baba dhe shkoj në orën pesë për ngushëllim..

Kastrioti:S’ka problem jo

Mustafai:Po të hënën jam këtu në Zyrih në qytet dhe takohemi, kismet. Do e gjejmë nji dikund mos u bëj merak.

Kastrioti:Mirë tu bafsha. Mirëardhsh!

Ndërkohë fill pas kësaj bisede të përgjuar nga prokuroria në 23 maj 2009 në mëngjes Kastriot Ismailaj zhvillon një bisedë në anglisht me një numër që mbaron në fund me shifrën 502 dhe zhvillohet kjo bisedë.

+502:Tungjatjeta Kastriot!Jam duke shkruar një mesazh tani nga shtëpia

Kastrioti:Në rregull jemi nga Bullgaria. Po po. Jam në Sofje në shtëpinë time.

+502:Unë takova Irfanin me pesëmbëdhjetë…për bashkëpunimin

Kastrioti:Po po. Edhe unë u takova me të.

+502:Faleminderit shumë Kastriot për dërgimin tuaj…javën tjetër do tju dërgoj ofertën

Kastrioti:Më thuaj në rregull ose jo?

Pasi Kastriot Ismailaj ishte kthyer nga Zvicra ku kishte zhvilluar një takim me Mustafain për gjetjen e një avokati,në datë 29 maj 2009, ka marë 207 herë nëj mesazh të dërguar nga Rebeka Gaskin Gain me tekst si vijon:

“…Duhet firmosur se banka nuk bën asgjë… është e rëndësishme të dërgosh tek Rebeka e-mailin…Unë do të dërgoj E-mail direkt do tju dërgoj juve informacionin. Do ta dërgoj në mëngjes e-mail për Tomas në Itali.Ju dërgoni informacionin për Rebeka që Bruno është larguar. Unë e di këtë por e rëndësishme është informacioni për SECO….”

Po në datën 29 maj 2009 mbas dite Rebeka Gaskin Gain telefonon Kastriot Ismailaj dhe zhvillohet kjo bisedë si vijon në gjuhën angleze

Kastrioti:Mirdita!

Rebeka:Si jeni ju?

Kastrioti:Mirë, po ju?

Rebeka:Jam mirë…unë jam duke kërkuar ndonjë lajm për takimin e dytë me Edin

Kastrioti:Mirë mirë jo keq. Mirë. Me Edin nuk ka problem. Unë jam kthyer. Jam në Tiranë tani. Jam duke shkuar në vijim…Unë do të jem tek Berti pas orës 2.

Rebeka:Super. Thuaji tungjatjera prej meje…jam takuar dje me gruan e Mustafait. Ishte e këndshme.

Gjatë kësaj kohe Kastriot Ismailaj është sëmurë dhe kryen seanca fizioterapie në një spital në Ohër të Maqedonisë. Një gjë e tillë evidentohet gjatë një bisedë që Kastrioti bën me shtetasin Edi Shimsho

Ndërkohë në datën 16 qershor 2009 mbas dite nje personazh shumë i afërt me Ilir Metënpor edhe me Fatos Nano, me inicialet I.K, bisedon me Kastriot Ismailaj duke zhvilluar këtë bisedë.

K:Po vij. Jam në shesh “Skëndërbej”. Ku je ti?

Kastrioti:Unë jam këtu more tek vila duke të prit, se the do të vij që në një e gjysëm or vëlla!

K:Or vëlla po çar ti bëj unë!?Doli muhabet për makinë e shokut Fatos, çfarë ti bëj unë. Unë po më mori ai në telefon unë….

Kastrioti:Nuk e diskutoj

K:Erdha, për dy minuta erdha aty…

Kastrioti:Hajde futu brenda një çik

Ndërkohë disa ditë më parë në 1 qershor 2009 mbas dite mes I.K dhe Kastriot Ismailaj, zhvillohet një bisedë 2 minuta e 38 sekonda, ku flasin për çështje të fushatës dhe mbështetje politike, por këto biseda me këtë karakter janë fshirë nga prokuroria.

Në përgjimet që ka bërë prokuroria gjatë verës së vitit 2009 ka evidentuar dhe një bisedë mes Kastriot Ismailaj dhe gazetarit A. Zh.. Të dy së bashku flasim se kishte mbëritur nga Vjena/Austri botues A.S. së bashku me Nanon. Dhe ketu Kastriot Ismaili u tregua i gatshëm për ta ndihmuar për vota.

Gazetari A.Zh: O Joti!

Kastrioti: Po ku je, o deputet!? Se të mora atë ditë, po s’e ngrejte. Isha me Sevranin…

Gazetari A.Zh: … Të mora edhe unë mbrapsht, po s’e ngrite … dilte i padisponueshëm … Nga je ti?

Kastrioti: Unë në Tiranë jam se na erdhi edhe Sevrani dje nga Vjena me gjithë Nanon, janë bashkë

Gazetari A.Zh: Jo ore!

Kastrioti: E ore e! Kemi habere të reja. Po ça më tha mua ai, se nuk mora vesh nji gjë unë?

Gazetari A.Zh: He?

Kastrioti: Është ndërru zona jote, nga Tirana e Re, ke vajt te  … rruga e Fortuzit, ë?

Gazetari A.Zh: Jo, te rruga e Durrësit … nga 9-ta, te 5-a … Nga 5-a, tek 9-ta.

Kastrioti: … e ishte lagja 5 e vjetër.

Gazetari A.Zh: E, e, e

Kastrioti: Se, ndodhi rastësisht, më tako Tit Vargu.

Gazetari A.Zh: Po

Kastrioti: Edhe më thotë jam këtu anej, knej shefi?

Gazetari A.Zh: Ti ke ke 7-a?

Kastrioti: Jo, nuk është tek 7-a ai, vëlla … Këtu, këtu, mor, tek Samsungu. Nuk e di si i bjen si numër. Ku ka qenë Kol Nako … edhe kishte jo shefi pa shefi. I thashë unë: Ti do jeshë ajo nana jote ka qenë zysha e nanës teme … po unë do jem me deputetin tjetër … Një kena shefin dhe një kena vëllain e shefit.

Gazetari A.Zh: Sa i madh që je

Kastrioti: Po, për Zotin, Jo, tha, jo. Me më nimu për gjana, për vota, jo për lekë, më tha mu. Për lekë, e di unë që s’kërko ti, se ke fitu boll, i thashë unë.

Gazetari A.Zh: Lekë ka boll ai shkërdhatë.

Kastrioti: E e e

Gazetari A.Zh: … dua të them që … sot … të mbaroj emisionin dhe të takohemi mos pimë ndonjë kafe.

Kastrioti: … Aty tek vinoteka tek Tirana e Re e kemi lanë me shku deri tani. Nuk e di nëse ndryshon plani.

Gazetari A.Zh: Kam qef ta pi një kafe tek për tek me ty unë, mos sot, nesër.

Kastrioti: … Jo sot, jo sot … nesër do hiki deri në Ohër e do vij në darkë … se kam mision … vëlla. Se shtyva edhe Amerikën unë për datën 15. Dua të hiki në Amerikë unë më datën 14 dhe mund të hiki më 16.

Gazetari A.Zh: Mirë, shifemi sot, atëhere. Kur të mbaroj, do të të bëj telefon.

Kastrioti: Mirë, vëlla. Hajde… /Shqiptarja.com 

Shënim i redaksisë RS: Në bazë të listës së kandidatëve të LSI, të atij viti, ka vetëm një emër që ka këto iniciale dhe që është edhe gazetar. Ai është i vetmi që kandidoi për deputet, por jo në Tiranë, por në Durres. Ai ishte Artur Zheji.

Xhaçka i heq “spaletat” Komandant Metës: rriji larg ushtrisë

Pak ditë më parë, në një takim që presidenti Meta zhvilloi me ambasadorët e huaj në Tiranë u tha atyre se do të nxirrte ushtrinë në rrugë për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Po sa shanse ka që kjo të ndodhë? Për këtë ka folur ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila tregon rastet se kur mund të aktivizohet ushtria për të mbrojtur institucionet, ndërsa shton se në asnjë skenar Meta nuk mund të urdhërojë ushtrinë të dalë në rrugë.

“Absolutisht jo, në asnjë skenar. Ushtria del në rrugë në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila nuk ka lidhje fare me Presidentin, por me Këshillin e Ministrave që i propozon Parlamentit në kushtet kur Policia e Shtetit, jo është dorëzuar, por nuk arrin dot të mbrojë institucionet, rendin kushtetues dhe kërkon ndihmë më shumë. Atëherë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme bëhet nga Këshilli i Ministrave dhe me vendim Parlamenti, ushtria mund të asistojë në vendosjen e rendit, në ruajtjen e rendit kushtetues. Nuk ka absolutisht asnjë shans të vetëm që në kohë paqeje Presidenti të urdhërojë ushtrinë të dalë në rrugë. Përveçse në kohë lufte, në kohë paqeje Komandanti i Forcave të Armatosura ushtron të drejtën e tij përmes Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes. Kur e dëgjova këtë mendova se ishte shaka sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër”, u shpreh Olta Xhaçka në një intervistë në A2 CNN.

Me siguri që edhe Presidenti e di këtë, pra që kompetencat e tij si Komandant i Forcave të Armatosura kalojnë përmes Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, por deklarata para ambasadorëve duket se është bërë për t’i dhënë më shumë peshë vendosmërisë së tij për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor.

Skip to toolbar