Patozi: Vendimi antikushtetues, përgjegjësit e krizës nuk mund të na tregojnë gishtin

Kreu i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi e ka cilësuar vendimin e Presidentit Meta për çdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit si jo kushtetues dhe se dekreti i presidentit nuk kishte asnjë arsye pse të shfuqizohej prej atij vetë.

Gjatë një interviste për Report Tv Patozi tha se presidenti nuk duhet të mbajë qëndrime emocionale, por institucionale të bazuara në fakte ligjore. Konsideratat negative të Presidentit për Bindjen Demokratike, Patozi i ka cilësuar si vendosje të gishtit në partinë e gabuar, pasi kjo parti nuk ka asnjë rol në krijimin e krizës së thellë politike në vend.

Intervista e plote:

Z. Patozi, doja t’ju bëja një pyetje në lidhje me dekretin e Presidentit paraditen e sotme, i cili ka kërkuar shfuqizimin e dekretit të mëparshëm për zgjedhjet e 30 qershorit. Cili është opinioni juaj? Pasi përveç Partisë Socialiste, edhe ju jeni pjesë e garës elektorale për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Astrit Patozi: Së pari, unë dua të sqaroj që BINDJA DEMOKRATIKE që në daljen e parë të saj publike ka theksuar që data për ne nuk është problem. Pra, ne nuk kemi qënë të lidhur me datën, por ne kemi theksuar që ne do të hyjmë në këto zgjedhje, kurdo që ato të mbaheshin. Dhe ne jemi bërë pjesë e fushatës elektorale me datën që kishte dekretuar vetë Presidenti i Republikës, që ishte 30 qershori. Sot kemi një qëndrim tjetër të Presidentit, të cilin ne e konsiderojmë si jo kushtetues, por më shumë emocional. Por, tek e fundit, nuk ka vlerë opinioni që ne kemi për këtë punë, përsa kohë që ne presim që të shprehen institucionet. Në çastin që institucionet do të flasin sigurisht që ne do të marrim qëndrimin tonë dhe ne shpresojmë shumë që data 30 qershor të mos lëvizë, sepse kemi bindjen që dekreti i presidentit nuk kishte asnjë arsye pse të shfuqizohej prej atij vetë.

Në rast se kjo datë ndryshon, ju si BINDJE DEMOKRATIKE çfarë do të bëni?

Astrit Patozi: Së pari njëherë ne nuk kemi pse të marrim qëndrime tani, pasi ngjarjet nuk kanë ndodhur. Ne shpresojmë që institucionet të vendosin ndryshe, por tek e fundit kjo nuk varet prej nesh. Ne kemi qënë që ditën e parë të prirur që të marrim pjesë në këto zgjedhje, kurdo që ato të mbahen, dhe në rast se do të ketë një datë tjetër sigurisht që ne do të marrim pjesë sërish.

Gjatë deklaratës së tij paraditen e sotme, Z. Meta ju ka sulmuar duke ju quajtur ju BINDJEN DEMOKRATIKE farsë e regjistruar në limite të cilat kishin përfunduar. Keni një koment në lidhje me këtë që ka shprehur Presidenti?

Astrit Patozi: Ne kemi pasur një qëndrim publik për këtë çështje dhe e konsiderojmë joracional qëndrimin e presidentit. E vlerësojmë si një ndjesi e tij personale, si një opinion dhe ne mendojmë që Presidenti i Republikës nuk mund të shprehet emocionalisht, por duhet të shprehet në bazë të të dhënave që ka nga institucionet përgjegjëse. Ne jemi një parti e regjistruar në këto zgjedhje, e regjistruar në Gjykatë, pra i kemi kaluar gjithë etapat ligjore në mënyrën më perfekte të mundshme dhe gjykojmë se çdo gjë tjetër që thuhet në adresën tonë, vetëm e nxjerr zbuluar Presidentin. I cili, në rast se do të ishte përfaqësuesi i unitetit të popullit, siç pretendon, sigurisht që nuk mund të shprehte konsiderata negative për njërën nga partitë, që merr pjesë në garën e 30 qershorit, datë të cilën e ka dekretuar vetë.
Por mbi të gjitha, ajo që është më e rëndësishmja në këtë rast, Partia BINDJA DEMOKRATIKE është një forcë e re politike, e cila nuk ka asnjë përgjegjësi politike lidhur me këtë krizë, që ne e shohim, e ndjejmë dhe e prekim çdo ditë nè Shqipëri.
Pra, në rast se Presidenti do të kishte për të shprehur ndonjë konsideratë negative, mund ta kishte për partitë, që e kanë shkaktuar këtë dhe, jo për BINDJEN DEMOKRATIKE. Fakti që ai e bëri është sigurisht problemi i tij, nuk është shqetësimi ynë.

Keni ndonjë koment për sa i përket krizës politike në vend, pasi kemi, siç ka deklaruar Presidenti, protesta nga ana e opozitës, antimitingje nga ana e mazhorancës, të cilat kanë qënë edhe një nga arsyet që Presidenti ka marrë këtë vendim në vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve lokale?

Astrit Patozi: Tani, ne kemi një qëndrim shumë të qartë për krizën. Ne e konsiderojmë atë si një korrje të asaj që kanë mbjellë forcat e vjetra politike, të cilat e kanë shkaktuar. Ne mendojmë se sistemi politik është në grahmat e fundit dhe kjo krizë është shprehja më e qartë e deformimit dhe e kalbëzimit të sistemit. Ne mendojmë që sot Shqipëria ka ardhur në këtë pikë për shkak të një pazari të pisët që është bërë para dy vitesh mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, e cila në vend të prodhonte stabilitet dhe paqe, prodhoi konflikt dhe ashpërsim mes dy kampeve. Dhe ne mendojmë se zgjidhja e vërtetë e krizës për Shqipërinë do të ndodhë pas mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, me korrektimin dhe formatimin e rendit kushtetues në Shqipëri që do të ndodhë përmes një marrëveshjeje të madhe, që në radhë të parë të ndryshojë Kushtetutën dhe në radhë të dytë të shpëtojë sistemin nga kryetarokracia, që e ka çuar në këtë pikë.

Ju do te jeni pjesë e kësaj marrëveshjeje, si forca më e re poltike në vend?

Astrit Patozi: Pa diskutim që po. Ne jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë në çdo tavolinë ku diskutohet riformatimi i sistemit, pra shpëtimi i Shqipërisë nga kryetarokracia që e ka çuar këtu ku po flasim.

Deri në një përgjigje të institucioneve të tjera, ju do të vijoni normalisht fushatën tuaj elektorale?

Astrit Patozi: Pa asnjë dyshim, ne nuk kemi asnjë arsye për të mos vazhduar. Në rast se të gjithë të tjerët janë në fushatë, ne nuk mund të jemi si delja e zezë që të marrim një vendim të njëanshëm, pra që të tjerët të jenë në fushatë dhe ne të dalim nga loja. Ne sigurisht që jemi pjesë e fushatës, për sa kohë që institucionet nuk kanë vendosur ndryshe. Ne çastin që institucionet do të vendosin dikur, ne sigurisht që do të marrim një qëndrim tjetër.

Shkarkimi i presidentit, PS dorëzon kërkesën për debat në Kuvend

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka nisur një letër kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi ku kërkon që në seancën parlamentare të ditës së enjte të zhvillohet një mocion debati në lidhje me vendimin e presidenti Meta për të çdekretuar zgjedhjet e 30 qershorit.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Balla e cilëson vendimin e presidentit Meta të pavlefshëm dhe përtej kompetencave të tij në kundërshtim me parimet Kushtetuese.

Gjatë ditës së hënë, edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi se në seancën e së enjtes në Parlament do të kërkohet shkarkimi i presidentit Meta.

PS, të enjten shkarkon Ilir Metën nga posti i Presidentit

Kryesia e Partisë Socialiste vendosi që të enjten të nisë procedurën për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës. Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali, tha të hënën pas mbledhjes së kryesisë se në seancën e së enjtes do të zhvillohet debat dhe do të diskutohen të gjitha shkeljet që ka bërë Ilir Meta. Ajo tha se pavarësisht se nuk ka Gjykatë Kushtetuese kjo nuk ia heq të drejtën PS të nisë procedurën për shkarkimin e tij, ndërkohë që vendimi i Metës për të anuluar zgjedhjet do të diskutohen nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

“Kryesia vendosi që të të enjten në seancë plenare të zhvilloje një debat të gjatë duke shteruar të gjithë argumentet sesi Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziton askund, të quajtur çdekretim. Në fund i takon KQZ apo kolegjit zgjedhor ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike. Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion. Kuvendi do të nisë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga posti i presidentit. Kjo procedurë do të nisë të enjten. Është detyra jonë për të mbrojtur kushtetutën dhe rendin kushtetues në vend”, tha Spiropali e cila tha dhe njëherë se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor.

Meta mesazh Ramës: Pa datë nga presidenti, s’ka zgjedhje

Që në fillim të fjalës së tij Meta u sigurua që t’i çonte një mesazh kryeministrit Rama duke theksuar disa herë se vetëm presidenti ka të drejtë të caktojë datën e zgjedhjeve dhe se pa një datë të caktuar prej tij, nuk mund të ketë zgjedhje. Kjo bazuar edhe në deklaratat e kryeministrit, i cili ka thënë se zgjedhjet do të zhvillohen  më 30 qershor. Ja çfarë thotë presidenti Meta.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

“Në zbatim të nenit 92 të Kushtetutës presidenti i republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetence caktimin e datës së zgjedhjeve në Shqipëri. Konkretisht në këtë dispozitë, Kushtetuta përcakton se presidenti cakton datën e zgjedhjeve për kuvendin, për zhvillimin e referendumeve dhe zgjedhjet lokale. Sipas Kushtetutës pa patur një datë të caktuar nga presidenti i republikës zgjedhjet nuk mund të zhvillohen. Zgjedhja e kushtetutëbërësit thotë se presidenti është autoriteti i vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve. Kjo është e lidhur drejtëpërdrejtë me rolin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit.

Dita e zgjedhjeve duhet të jetë një moment bashkimi i shqiptarëve ku ata zgjedhin midis alternativave dhe kurrsesi s’mund të jetë një ditë përçarje mes tyre”, tha Meta.

LIVE – Konferencë për gazetarët

Gepostet von Ilir Meta am Sonntag, 9. Juni 2019

Meta: Shtyva zgjedhjet se konstatova rrezik serioz për sigurinë e vendit

Në daljen e tij para mediave, presidenti i Republikës tha mëngjesin e së hënës se arsyeja pse shfuqizoi datën e zgjedhjeve është se konstatoi se zhvillimi i tyre në këtë situatë, ishte rrezik serioz për sigurinë  e vendit.

“Presidenti i Republikës, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka vënë re se sjellja e aktorëve politike në vend, ka krijuar një klimë të theksuar konflikti që rrezikon stabilitetin e e rendit publik, çka do të përbënte rrezik edhe për vet sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe do tëdefaktorizonte rolin e vendit tonë si faktor paqe e stabiliteti në rajon.

Presidenti i Republikës, ka ndjekur të gjitha protestat zhvilluara nga forcat opozitare, ashtu sikundër ka evidentuar edhe kundërpërgjigjen e mazhorancës nëpërmjet mitingjeve të organizuara prej saj në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë.

Të dy palët kanë bërë nxitje për provokime ndaj njera-tjetrës, ku shpesh herë me deklaratat e tyre i ndajnë qytetarët e vendit në dy pjesë duke i vendosur kështu për shkak të bindjeve politike përballë njeri-tjetrit, të gatshëm për të demostruar fuqinë e secilës palë.

Pikërisht zhvillimi i protestave dhe i deklarimeve të opozitës si dhei antimitingjeve apo thirrjeve kërcënuese të mazhorancës nuk japinaspak siguri për zhvillimin e zgjedhjeve, të qeta, të lira, të ndershme,kunkuruese dhe me standarde.

Nga ana tjetër në protestat e zhvilluara deri më tani nga opozita, janë vërejtur elementë të dhunës ndaj forcave të rendit, apo ndaj pronës publike, ndërkohë që edhe nga forcat e zbatimit të ligjit, janë përdorur mjete, teknika, dhe në disa raste reagime jo proporcionale.

Në këtë mënyrë, nësedita e zgjedhjeve do të shndërrohet në një betejë force midis mbështetësve të mazhorancës dhe opozitës, apo në një betejë midis qytetarëve dhe organeve ligjzbatuese, atëherë zgjedhjet do të humbisnin vlerën e tyre në një shoqëri demokratike, dhe nga një mjet esencial i garantimit tënjë shoqërie demokratike, do të ktheheshin një mjet rreziku për bashkëjetesën demokratike dhe unitetin e popullit.

Ky rrezik duhet të parandalohet me mjete kushtetuese, ku pa dyshim përfshihet dhe anulimi i datës së zgjedhjeve nga organi që ka kompetencë dhe detyrë kushtetuese, nga njëra anë të mbrojë unitetin e popullit (neni 86 i Kushtetutës), dhe nga ana tjetër të caktojë datën e zgjedhjeve (neni 92/gj i Kushtetutës)”, tha Meta.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

LIVE – Konferencë për gazetarët

Gepostet von Ilir Meta am Sonntag, 9. Juni 2019

Rama me qetësi pa dashuri: Zgjedhjet do mbahen ne 30 qershor

Rama është i vendosur në mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor. Përmes një statusi në Facebook, kryeministri ka konfirmuara atë që tha edhe më herët nga Berati: Zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor.

Me këtë koment te shkurtër, kryeministri Rama i ka dhënë përgjigjen deklaratës se presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve te 30 qershorit.

Si Real Story lajmëroi lëvizjen e Metës (dhe Rama nuk e besonte)

Gjatë emisionit Real Story të enjten, Sokol Balla ia paralajmëroi Kryeministrit lëvizjen e Presidentit, ndërsa Rama kërkoi që mos të aludohej për sa kohë, kreu i shtetit kishte qenë i qartë me deklaratat e tij.

“Presidenti nuk ka ndërmend ta bëjë këtë gjë, nga ato që ka thënë deri tani. Se tani u bëmë shiko përgjime e futu në mendjen e njerëzve, nuk mund të flasim me hamendësime. Presidenti ka qenë shumë korrekt kur ka bërë një propozim që ja ka lënë në dorë palëve. Duhet të jenë palët dakord dhe prapë është shumë e shtrënguar.” – ka thënë Rama në Real Story.

Sërish duke ju referuar po deklaratave të së enjtes në Real Story, Rama u shpreh se ishte tre lëvizje përpara të tjerëve. Por a e ka menduar Rama këtë kur tha se ishte tre lëvizje para?

Një gjë dihet, me lëvizjen e Metës, Basha mori një fitore të vogël. Sigurisht nga ato fitoret e tij si gjithmonë në tavolinë. 5 muaj proteste prodhuan vetëm dekretin e aleatit te tij politik Meta. Siç e tha dhe vete: “protesta jonë solli sot një fitore. Presidenti Meta anuloi dekretin për zgjedhjet.”  E tha dhe ishte serioz, përkrah kishte gruan e Ilirit.

Meta merr parullën e Bashës dhe i jep fitore në tavolinë (prapë)

“Shqipëria si gjithë Europa”, keshtu e mbyllte dekretin e zhberjes se dekretit qe beri po vete Prsidenti i Republikës. Ilir Meta ka bërë një lëvizje të papritur për shumëkënd këtë të shtunë (por jo per ne).

Në sinkron të plotë me nisjen e protestës së opozitës, se do të shfuqizonte dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Kam vendosur të shfuqizoj dekretin nr. 10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019”, shkruhej në komunikatën e Ilir Metës, i cili shprehet se të hënën më 10 qershor, do të tregojë edhe arsyet e argumentuara pse e ka marrë këtë vendim. në rreshtat e njoftimit të së shtunës, lexohej se Presidenti Ilir Meta shprehej i shqetësuar për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mosreflektimit të asnjërës palë.

Por, megjithatë, ndonëse shqetësimi ishte për mosreflektimin e asnjërës palë, Ilir Meta i erdhi në ndihmë njërës palë, opozitës, duke vendosur zhbërjen e një vendimi kushtetues, të firmos më parë nga vetë ai. Argumentet e tij te henen mund te jene te shumte.

Por në mungese të Gjykatës kushtetuese, argumenteve të tij antikushtetuese do ti mungojë arbitri. Kryeministri tha në mbrëmje se zgjedhjet do të mbahen. Çfarë i mbetet tani të hënën të thotë Presidenti? Larg qoftë vetëflijimin e paralajmëruar. Domethënë dorëheqjen?

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Rama, mesazh Metës nga Skrapari: Tani di të bëj rafting vetëm, s’kam nevojë për shoqërues

E ka nisur fjalimin elektoral në Skrapar me një falënderim për Presidentin Ilir Meta që dikur e kishte aleat dhe që i tregoi mrekullinë e kanioneve, por Rama e ka përfunduar fjalimin e tij duke thënë se tani nuk ka nevojë për shoqërues pasi di të bëjë rafting vetëm, ose të qeverisë vetëm.

“Unë jam shumë i vetëdijshëm, dhe ia di për nder Ilir Metës i cili më ka treguar mrekullinë e kanioneve që nuk e kisha njohur më parë.

Do të vij përsëri këtu sepse është një nga perlat e këtij vendi. Më vjen shumë mirë që bashkë me Ilirin i bëmë reklamë kanioneve, kur bëmë rafting bashkë, por tani e kam mësuar se si bëhet rafting kështu që e bëj edhe pa shoqërues”, tha Rama në Skrapar.

ERTV Live😊: SKRAPAR #30QERSHOR🌹 ⭐BASHKIA QE DUAM⭐ SHQIPERIA🇦🇱QE🇪🇺DUAM

Gepostet von Edi Rama am Samstag, 8. Juni 2019

“Ka përgjime me 200 mijë euro të kërkuara copë”. Ulsi Manja, mesazh Metës

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja gjatë konferencës për shtyp të mërkurën ku kërkoi që prokuroria të hetojë nxjerrjen e sekretit hetimor, tha ndër të tjera se ka edhe dosje me përgjime ku flitet për 200 mijë euro të kërkuara copë dhe për të cilën prokuroria e ka për detyrë të hetojë. Deputeti socialist nuk tregoi emra se për kë bëhet fjalë dhe kush është i përfshirë në këtë dosje.

Por kujtojmë se pak kohë më parë gazetari Artan Hoxha deklaroi se presidenti Meta ka kërkuar 200 mijë euro nga një biznesmen në fushatën e 2013.

“Ka pasur përgjime edhe me 200 mijë euro të kërkuara copë, të pazbardhura nga prokuroria. Shpresojmë që SPAK dhe BKH t’i zbardhë ato sa më shpejt”, tha ai.

Manja më tej i çoi një mesazh edhe kryedemokratit Lulzim Basha.

“Ka edhe dosje të tjera, 1 miliard USD lobime nga kryetari i saj. Është ora që prokuroria dhe agjensitë e zbatimit të ligjit të flasin me gjuhën e së vërtetës. Kushdo i përfshirë në vepra penale të marrë ndëshkim sipas ligjit. Të mos e mbarsin opinionin publik me gjëra të panevojshme”, shtoi ai.

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:
Skip to toolbar