Patozi: Vendimi antikushtetues, përgjegjësit e krizës nuk mund të na tregojnë gishtin

Më të fundit


Kreu i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi e ka cilësuar vendimin e Presidentit Meta për çdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit si jo kushtetues dhe se dekreti i presidentit nuk kishte asnjë arsye pse të shfuqizohej prej atij vetë.

Gjatë një interviste për Report Tv Patozi tha se presidenti nuk duhet të mbajë qëndrime emocionale, por institucionale të bazuara në fakte ligjore. Konsideratat negative të Presidentit për Bindjen Demokratike, Patozi i ka cilësuar si vendosje të gishtit në partinë e gabuar, pasi kjo parti nuk ka asnjë rol në krijimin e krizës së thellë politike në vend.


Intervista e plote:

Z. Patozi, doja t’ju bëja një pyetje në lidhje me dekretin e Presidentit paraditen e sotme, i cili ka kërkuar shfuqizimin e dekretit të mëparshëm për zgjedhjet e 30 qershorit. Cili është opinioni juaj? Pasi përveç Partisë Socialiste, edhe ju jeni pjesë e garës elektorale për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Astrit Patozi: Së pari, unë dua të sqaroj që BINDJA DEMOKRATIKE që në daljen e parë të saj publike ka theksuar që data për ne nuk është problem. Pra, ne nuk kemi qënë të lidhur me datën, por ne kemi theksuar që ne do të hyjmë në këto zgjedhje, kurdo që ato të mbaheshin. Dhe ne jemi bërë pjesë e fushatës elektorale me datën që kishte dekretuar vetë Presidenti i Republikës, që ishte 30 qershori. Sot kemi një qëndrim tjetër të Presidentit, të cilin ne e konsiderojmë si jo kushtetues, por më shumë emocional. Por, tek e fundit, nuk ka vlerë opinioni që ne kemi për këtë punë, përsa kohë që ne presim që të shprehen institucionet. Në çastin që institucionet do të flasin sigurisht që ne do të marrim qëndrimin tonë dhe ne shpresojmë shumë që data 30 qershor të mos lëvizë, sepse kemi bindjen që dekreti i presidentit nuk kishte asnjë arsye pse të shfuqizohej prej atij vetë.

Në rast se kjo datë ndryshon, ju si BINDJE DEMOKRATIKE çfarë do të bëni?

Astrit Patozi: Së pari njëherë ne nuk kemi pse të marrim qëndrime tani, pasi ngjarjet nuk kanë ndodhur. Ne shpresojmë që institucionet të vendosin ndryshe, por tek e fundit kjo nuk varet prej nesh. Ne kemi qënë që ditën e parë të prirur që të marrim pjesë në këto zgjedhje, kurdo që ato të mbahen, dhe në rast se do të ketë një datë tjetër sigurisht që ne do të marrim pjesë sërish.

Gjatë deklaratës së tij paraditen e sotme, Z. Meta ju ka sulmuar duke ju quajtur ju BINDJEN DEMOKRATIKE farsë e regjistruar në limite të cilat kishin përfunduar. Keni një koment në lidhje me këtë që ka shprehur Presidenti?

Astrit Patozi: Ne kemi pasur një qëndrim publik për këtë çështje dhe e konsiderojmë joracional qëndrimin e presidentit. E vlerësojmë si një ndjesi e tij personale, si një opinion dhe ne mendojmë që Presidenti i Republikës nuk mund të shprehet emocionalisht, por duhet të shprehet në bazë të të dhënave që ka nga institucionet përgjegjëse. Ne jemi një parti e regjistruar në këto zgjedhje, e regjistruar në Gjykatë, pra i kemi kaluar gjithë etapat ligjore në mënyrën më perfekte të mundshme dhe gjykojmë se çdo gjë tjetër që thuhet në adresën tonë, vetëm e nxjerr zbuluar Presidentin. I cili, në rast se do të ishte përfaqësuesi i unitetit të popullit, siç pretendon, sigurisht që nuk mund të shprehte konsiderata negative për njërën nga partitë, që merr pjesë në garën e 30 qershorit, datë të cilën e ka dekretuar vetë.
Por mbi të gjitha, ajo që është më e rëndësishmja në këtë rast, Partia BINDJA DEMOKRATIKE është një forcë e re politike, e cila nuk ka asnjë përgjegjësi politike lidhur me këtë krizë, që ne e shohim, e ndjejmë dhe e prekim çdo ditë nè Shqipëri.
Pra, në rast se Presidenti do të kishte për të shprehur ndonjë konsideratë negative, mund ta kishte për partitë, që e kanë shkaktuar këtë dhe, jo për BINDJEN DEMOKRATIKE. Fakti që ai e bëri është sigurisht problemi i tij, nuk është shqetësimi ynë.

Keni ndonjë koment për sa i përket krizës politike në vend, pasi kemi, siç ka deklaruar Presidenti, protesta nga ana e opozitës, antimitingje nga ana e mazhorancës, të cilat kanë qënë edhe një nga arsyet që Presidenti ka marrë këtë vendim në vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve lokale?

Astrit Patozi: Tani, ne kemi një qëndrim shumë të qartë për krizën. Ne e konsiderojmë atë si një korrje të asaj që kanë mbjellë forcat e vjetra politike, të cilat e kanë shkaktuar. Ne mendojmë se sistemi politik është në grahmat e fundit dhe kjo krizë është shprehja më e qartë e deformimit dhe e kalbëzimit të sistemit. Ne mendojmë që sot Shqipëria ka ardhur në këtë pikë për shkak të një pazari të pisët që është bërë para dy vitesh mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, e cila në vend të prodhonte stabilitet dhe paqe, prodhoi konflikt dhe ashpërsim mes dy kampeve. Dhe ne mendojmë se zgjidhja e vërtetë e krizës për Shqipërinë do të ndodhë pas mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, me korrektimin dhe formatimin e rendit kushtetues në Shqipëri që do të ndodhë përmes një marrëveshjeje të madhe, që në radhë të parë të ndryshojë Kushtetutën dhe në radhë të dytë të shpëtojë sistemin nga kryetarokracia, që e ka çuar në këtë pikë.

Ju do te jeni pjesë e kësaj marrëveshjeje, si forca më e re poltike në vend?

Astrit Patozi: Pa diskutim që po. Ne jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë në çdo tavolinë ku diskutohet riformatimi i sistemit, pra shpëtimi i Shqipërisë nga kryetarokracia që e ka çuar këtu ku po flasim.

Deri në një përgjigje të institucioneve të tjera, ju do të vijoni normalisht fushatën tuaj elektorale?

Astrit Patozi: Pa asnjë dyshim, ne nuk kemi asnjë arsye për të mos vazhduar. Në rast se të gjithë të tjerët janë në fushatë, ne nuk mund të jemi si delja e zezë që të marrim një vendim të njëanshëm, pra që të tjerët të jenë në fushatë dhe ne të dalim nga loja. Ne sigurisht që jemi pjesë e fushatës, për sa kohë që institucionet nuk kanë vendosur ndryshe. Ne çastin që institucionet do të vendosin dikur, ne sigurisht që do të marrim një qëndrim tjetër.




Skip to toolbar