Ekskluzive: Nga trajneri gjerman për stolin e Shqipërisë te Rashica, Altin Lala tregon gjithçka!

Për Armand Dukën, periudha 25 mars deri më 10 prill, ka qenë kohë e ngjeshur me telefonata, takime dhe analiza emrash trajnerësh, për të zjedhur pasardhësin e Christian Panuccit në krye të stolit të Kombëtares. Altin Lala është një prej ish-lojtarëve të ekipit kombëtar të Shqipërisë, që vijon të jetë pranë futbollit duke punuar si menaxher lojtarësh. Kjo detyrë i jep mundësi ish-kapitenit kuqezi, që ketë njohje të mira me trajner të huaj.

Për këtë arsye, Armand Duka, ashtu si dhe me ish-futbollistin tjetër të kombëtares Edvin Murati, ka pasur një bisedë me Lalën, duke i kërkuar këtij të fundit që t`i sygjerojë një emër për trajner të ekipit kombëtar. Michael Skibbe është emri që Lala i ka sygjeruar Armand Dukës, por që palët nuk kanë shkuar në negociata pasi, ish-ndihmësi i Rudi Feler te kombëtarja gjermane, kishte firmosur një kontratë me akademinë e Dortmundit.

Megjithatë, emri i Skibbe del për herë të parë në skenë, si një kandidat që mund të merrte drejtimin e Kombëtares kuqezi. Sakaq, Lala analizon emërimin e Edi Rejës në krye të stolit të ekipit përfaqësuese, duke vlerësuar eksperiencën e trajnerit italian. Në fund, ai zbulon për “RealStory.al”, se pas shpërthimit të Milot Rashicës, futbollist që menaxhohet nga Altin Lala, ka nisur interesimi i klubeve të mëdha për sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës.

Altin, si të duket emërimi i Edi Rejës si trajner i ekipit kombëtar?

Është emër i njohur në futbollin italian. Shpresoj që ai të njihet sa më shpejtë me skuadrën dhe pastaj të zbatojë idetë e tij për të marrë rezultate pozitive.

Me që ka pasur menaxhim vetëm klube, i trembesh këtij fakti, pasi s`ka eksperiencë me ekipet kombëtare?

Absolutisht jo, ai ka shumë eksperiencë por është dhe njeri që ka energji pozitive. Kjo është diçka pozitive për të transmetuar energji dhe në skuadër. Mbi të gjitha mendoj se trajneri i kombëtares dhe trajneri i klubeve ka diferenca, por jo në të punuar. Madje ke më tepër kohë për të vëzhguar lojtarët dhe për të krijuar grupin. Më pas për t`i transmetuar idetë futbollistëve. Kështu që mendoj se eksperienca që ka ai do të jetë diçka pozitive.

Nëse bën një krahasim me Panuccin, si e sheh Edi Rejën në raport me ish-trajnerin, duke pasur parasysh aspaketin professional si ish-futbollist?

Futbollisti dhe trajneri janë dy gjëra krejt ndryshe. Panucci ka qenë futbollist i mirë, ndërsa Edi Reja ka qenë trajner i mirë. Kjo është ajo që unë do thoja nëse bëjmë një krahasim mdisi tyre. Panucci është i ri në pozicionin e trajnerit dhe natyrisht që ka akoma për të mësuar. Në shumicën e rasteve, lojtarët e mëdhenj janë bërë rrallë trajner po ta marrim në proporcion. Është Mourinho që ka luajatur në ligën e dytë, apo Guardiola që ka luajtur me Barcelonën por nuk ka qenë lojtari më i mirë në ekip. Unë  e shoh ndryshe, pasi duke qenë “lojtar i madh” ndonjëherë bën më shumë gabime.

Shumë lojtarë të ekipit kombëtar luajnë në ligat italiane, mendon se Armand Duka synon trajnerët italian prej këtij fakti, apo ka diçka tjetër sipas teje?

Kemi dhe mentalitetin shumë të ngjashëm me italianët. Fakti që shumë shqiptar jetojnë në Itali është diçka pozitive. Suksesi që patëm me Gianni De Biassin është një precedent, gjuhën e kuptojnë shumica e shqiptarëve, diçka që sipas mendimit tim është pozitive. Natyrisht kemi pasur dhe trajner gjerman siç ka qenë Brigeli, që ka qenë pozitive për kohën. Megjithatë, zgjedhja e Edi Rejës mendoj se është shumë pozitive. Trajneri ka eksperiencë, ka akoma energji të punojë dhe pastaj do t`ia lëmë kohës.

Kontrata e trajnerit të ri është deri në fund të muajit nëntor kur përfundojnë kualifikueset e Euro 2020, si e vlerëson këtë fakt?

Për mendimin tim është zgjidhja më e mirë e mundshme për të dyja palët. Nga njëra anë trajneri ka kohë pët të treguar vlerat e tij, ndërsa në krahun tjetër federata nuk ka rrezik të madh. Në qoftë se kjo nuk do të funksionojë, ka mudësi për të gjetur një trajner tjetër. Megjithatë, unë shpresoj që ai të rinovojë kontratën dhe të vazhdojë për disa vite me Shqipërinë. Them që do ishte gjëja më e mirë.

Altin, Edvin Murati, si menaxher futbolli, i ka propozuar Armand Dukës një emër për trajner të kombëtares. Ju keni pasur kontakt, me që jeni menaxher dhe a i keni propozuar një emër konkret kreut të FSHF-së për përfaqësuesen?

(Qesh), po, i kam sygjeruar dhe unë një emër gjerman. Michael Skibbe, tani ka shkuar në Dortmund tek akademia. Ka qenë ndihmësi i Rudi Feler te kombëtarja Gjermane, ka qenë te Liverkusen. Është një njeri shumë pozitiv. Mirëpo ai ka pasur kontratë dhe mbeti vetëm si sygjerim pa influencuar te presidenti. Por firma me Edi Rejën mendoj se është zgjidhje e mirë, kështu që shpresoj të çdo gjë si duhet.

Me qenë se po flasim për menaxhimin, si është marrëdhënia me Milot Rashicën tani që po kalon një sukses të jashtëzakonshëm te Bremen?

Ai tani është në ritmin, që unë kam besuar se do e merrte. Ka të dhëna jashtëzakonisht të veçanta, që në futbollin e sotëm ka pak lojarë që i kanë ato të dhëna. Unë i kam thënë që duhet t`i prekësh gjërat vetë dhe t`i besosh pastaj. Për këtë më bëhet qejfi, pasi që nga janari deri tani ka marrë një emër shumë të madh në Bundesligë dhe në Europë. Emri i tij tani përflitet shumë, kështu që idea është që të mbajë ritmin konstat, pasi ka dhe faza ku mund të mos japësh më të mirën. Por ai ka kualitet të jashtëzakonshëm, që dhe në një lojë të keqe, mund të nxjerr një assist, apo mund të shënojë një gol nga hiçi. Kjo është e veçanta që ka Miloti dhe për këtë gjë ai akoma duhet të jetë në “Hight Level”.

Kanë nisur klube të huaja ti bjenë telefonit Altin Lalës për Milot Rashicën?

Për momentin ka shumë klube që interesohen, por s`mund të them emra sepse nuk është serioze. Ka inters nga klube të mëdhaja, por është gjë që duhet menduar hap pas hapi. Ai duhet të mbajë këtë ritëm, sepse dhe klubi i Verder Bremenit është klub nga ku kanë dalë lojtarë që kanë shkuar te Real Madrid apo diku tjetër. Ka potencial që të zhvillohet dhe më mirë dhe të jetë më i qëndrueshëm.

Mund të bëhet Rashica lojtari më i suksesshëm shqiptar në histori, duke pasur parasysh vlerën e transferimit që mund të arrijë si lojtar dhe klubin ku mund të luajë në të ardhmen?

Unë e kam thënë pesë vjet më parë. Nga të dhënat që ka ai mund të bëhet një nga lojtarët më të mirë të Shqiptarisë. Është në rrugën e duhur, por duhet të shkosh deri në fund të kësaj rruge. Nëse vazhdon me këtë ritëm, padyshim që do ketë sukses. Ka talentin, por mbi të gjitha është djalë i mirë dhe kjo është pozitive, pasi mund të jesh futbollist i mirë, por mund të jesh dhe “idiot”. Rashica është lojtar shumë i mirë por dhe djalë shumë i mirë. I kam thënë që mos merr për idhull Kasanon apo Balotelin, këto “palaço” që nuk e dinë ku janë. Të jesh futbollist i mirë mbi të gjitha duhet të jesh dhe njeri me karakter.

Skip to toolbar