OSBE me 250 vëzhgues. Glover: S’kam monitoruar zgjedhje pa opozitën

Shefja e misionit të OSBE-ODHIR për monitorimin e zgjedhjeve të 30 qershorit në Shqipëri, Audry Glover, tha se do të angazhohen 250 vëzhgues për monitorimin e procesit zgjedhor dhe më pas për hartimin e raportit përfundimtar. E pyetur nga gazetarët sesi do të cilësohen zgjedhjet në Shqipëri kur opozita nuk do të marrë pjesë në to, ajo tha se nuk kishte monitoruar asnjë proces zgjedhor ku opozita nuk merr pjesë, ndërsa shtoi se në raport do të mbahet shënim çdo gjë që lidhet me standardet zgjedhore. Ajo gjithashtu tha se vëzhguesit e OSBE-së do të bëjnë sytë katër përsa i përket shit-blerjes së votave dhe presioneve që mund t’i bëhen votuesve.

 “Siç e kam thënë gjithmonë, roli ynë është të japim një vëzhgim teknik të këtij procesi. Është roli i qeverisë dhe partive politike që të vendosin si do t’i përdorin rekomandimet  tona. Nuk më ka ndodhur asnjëherë të vëzhgojë zgjedhje ku opozita nuk ka marrë pjesë në zgjedhje. Por ne do të bëjmë atë që bëjmë gjithmonë në çdo proces zgjedhor, do raportojmë atë që ndodh gjatë procesit zgjedhor.

Ne nuk i përmendim parregullsitë në momentin kur ndodhin, por në fund të procesit kur nxjerrim raportin. Sigurisht që vëzhguesit tanë do ti mbajnë sytë hapin raste të tilla si shit blerja e votave, por edhe intimidimi i votuesve”, është shprehur Glover.

Ajo është pyetur nëse do të ishte më mirë që në Shqipëri të shtyhet data e zgjedhjeve për shkak se në gjysmat e bashkive ka vetëm një kandidat dhe u shpreh se “nuk është puna jonë që të ndërhyjmë në këtë mënyrë duke bërë sugjerime të tilla. Por ne jemi këtu për të vëzhguar zgjedhjet në mënyrë të paanshme. Nuk jemi për të dhënë sugjerime sepse kjo do ishte ndërhyrje”.

Opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhje duke dhënë si një nga arsyet, shit blerjen e votave nga qeveria.

Skip to toolbar