Katër policë kanë mbetur të plagosur gjatë
operacionit policor në Veri të Mitrovicës, mëngjesin e së martës. Lajmin e ka
konfirmuar zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa.
“Për momentin katër policë janë të plagosur
por që janë jashtë rrezikut për jetë. Tre prej tyre janë duke u trajtuar në
Emergjencë dhe njëri në Kirurgji”, tha Mustafa.
Mediat e Kosovës raportojnë se janë disa
persona të arrestuar të cilët janë dërguar në Inspektoratin Policor.
Ndërkohë që pas Haradinajt ka reaguar edhe
presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar mbështetje për punën e
policisë, ndërsa ka theksuar se në Kosovë nuk ka vend për krim të organizuar
dhe për persona që merren me aktivitete të kundraligjshme.
“Institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë
për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pa kompromis
kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin
e Republikës së Kosovës. Shpreh keqardhjen time për plagosjen e policit tonë në
krye të detyrës dhe i uroj shërim sa më të shpejt. Në dekadën e dytë të
Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që
merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave.
Operacioni i sotëm policor është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë
dallim dhe ftoj komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrah
luftën kundër krimit të organizuar. Forcimi i rendit dhe ligjit është jetik për
barazinë e gjithë qytetarëve dhe përshpejton lëvizjen tonë drejt procesit të
integrimeve euroatlantike! HTH”, shkruan Thaçi në Facebook.
Ndërkohë që mediat serbe raportojnë se Vuçiç ka mbledhur qeverinë mëngjesin e së martës dhe ka njoftuar ndërkombëtarët që të frenojnë Prishtinën. “Serbia nuk do të lejojë pastrimin etnik të ndodhë në Kosovë dhe Metohi”, raportohet të ketë thënë Vuçiç në mbledhjen e qeverisë.
Media serbe B92 shkruan se Presidenti Aleksandër
Vuçiç ka urdhëruar që Ushtria Serbe të vihet në gatishmëri të plotë luftarake.
Të njëjtin urdhër ka dhënë edhe Ministria e
Punëve të Brendshme të Serbisë që edhe policia të jetë në gatishmëri të plotë.
B92 shkruan se këto masa janë marrë pasi njësia e policisë së Kosovës
“Rosu” sulmoi veriun e Kosovës dhe Metohisë.
“Ministria ka vënë njësitë e saj të posaçme në gatishmëri të plotë. Ky informacion është konfirmuar të martën në mëngjes. Transmetuesi publik i Serbisë RTS po raporton se Serbia ka filluar veprimtarinë diplomatike me qëllim që bashkësia ndërkombëtare “të qetësojë autoritetet e Kosovës”. Njësia “Rosu” këtë mëngjes sulmoi veriun, duke bërë një numër arrestimesh në të katër komunat serbe atje”, shkruan B92.
Mediat e Kosovës raportojnë se gjatë
operacionit të mëngjesit të së martës në Mitrovicë janë kryer disa arrestime
nga policia e Kosovës, mes tyre dhe komandanti i Policisë së Kosovës në Zubin
Potok, i cili është i nacionalitetit serb.
Policia e Kosovës ka hasur në rezistencë në
kryerjen e operacionit. Për shkak të shkëmbimit të zjarrit raportohet se ka
pasur një polic të plagosur.
Gjithashtu raportohet se 100 banorë serbë kanë
protestuar duke bllokuar rrugën drejt Mitrovicës me automjete dhe kamionë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit
të Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ka postuar një mesazh në Facebook.
Haradinaj shkruan se operacioni i gjerë
policor është ndërmarrë me urdhër të prokurorit në të gjithë territorin e
Kosovës dhe synon kapjen e personave të përfshirë në krim, kontrabandë e vepra
të tjera kriminale.
“Me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale. Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Operacioni u zhvillua me sukses edhe në Komunat Veriore të Kosovës. Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin! RH”, shkruan Haradinaj.
Policia e Kosovës ka nisur mëngjesin e së martës
një operacion të gjerë për arrestimin e disa punonjësve të policisë të dyshuar
për pjesëmarrje në grupe kriminale dhe në vepra të tjera penale.
Operacioni policor i nisur në orët e para të mëngjesit
ka hasur në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës duke bërë që situata
të tensionohet në këtë zonë.
Vetë Policia e Kosovës në një deklaratë për
mediat njofton se operacioni vazhdon ende dhe se shumë shpejt do të ketë një
konferencë për shtyp për të dhënë të tjera detaje. Ky operacion është ndërmarrë
pas një hetimi paraprak disa mujor.
“Këtij operacioni policor i ka paraprirë një
hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës,
i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve
policor dhe të disa qytetarëve në; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit
Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”,
“Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e
drejtësisë, Inspektoratin Policor mbeten të përkushtuara në realizimin e
detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe
qetësisë publike, parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme, pa marrë
parasysh përfshirjen e personave në raste të tilla penale”, njofton policia e
Kosovës.
Ndërsa mediat në Kosovë, referuar burimeve,
njoftojnë se nga ky aksion janë prangosur dhjetëra zyrtarë të policisë të
nacionalitetit serb. Ndërsa kreu i shtetit serb, Vuçiç raportohet se ka urdhëruar
ushtrinë dhe policinë e Serbisë që të vihen në gjendje gatishmërie.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Policia e Kosovës në bashkëpunim me
Inspektoratin Policor po realizon një operacion në rajonin e Mitrovicës Veri
dhe Mitrovicës Jugu
Prishtinë, 28 maj 2019
Sot, me 28.05.2019 Policia e Kosovës (PK), në
bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si dhe nën asistimin e
njësiteve tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore
Prishtinë, po realizohet një operacion i cili ka rezultuar me ndalimin e disa
zyrtarëve policor dhe disa qytetarëve.
Këtij operacioni policor i ka paraprirë një
hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës,
i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve
policor dhe të disa qytetarëve në; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit
Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”,
“Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.
Edhe përkundër hasjes në rezistencë të
armatosur në Veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar,
përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve të cilat kanë rezultuar
me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e
drejtësisë, Inspektoratin Policor mbeten të përkushtuara në realizimin e
detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe
qetësisë publike, parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme, pa marrë
parasysh përfshirjen e personave në raste të tilla penale.
Lidhur me detajet rreth realizimit të këtij operacioni të gjerë do të njoftoheni, në një konferencë të përbashkët ku pritet të marrin pjesë Prokuroria, Policia dhe IPK-ja: