“Sulm me molotov”, plagosen 5 efektivë të FNSH dhe 7 banorë tek Astiri

Policia e Tiranës dha informacion zyrtar për përplasjet me banorët në zonën e Astirit, ku IKMT nisi aksionin për prishjen e 33 objekteve, që i hapin rrugë zbatimit të projektit të “Unazës së Re”. Sipas policisë, një grup banorësh kundërshtuan me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e policisë.

“Banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba moltov punonjësit e Policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim. Si pasojë e sulmit mbi Policinë janë plagosur 5 punonjës të Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak”, shkruhet në deklaratën e policisë.

Sipas policisë janë plagosur dhe 7 banorë, të cilët po marrin ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

“Gjithashtu edhe 7 banorë janë lënduar e po marrin ndihmë mjekësore jashtë rrezikut për jetën. Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të distancohen nga dhuna dhe të mos bien pre e provokimeve, pasi do përballen me pasojat ligjore. Gjithashtu, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, policia e Tiranës nuk jep të dhëna nëse janë shoqëruar apo jo banorë të cilët  kanë përdorur dhunë kundër punonjësve të policisë apo atyre të IKMT. Megjithatë, Policia Rrugore e Tiranës ka bllokuar përkohësisht lëvizjen në të dy krahët e Unazës së Re, deri në përfundim të aksionit të IKMT-së për shembjen e disa objekteve, që do t’i hapin rrugë projektit të ri.

80 vjet nga pakti Molotov-Ribbentrop, që prodhoi sistemet totalitare në Europë

Europa ka kujtuar këtë 23 gusht, “Ditën e viktimave të regjimeve totalitare”. Kjo datë është thjesht një ditë simbolike përkujtimore për miliona njerëz në Europë që vuajtën pasojat e regjimeve totalitare, por ka dhe një rëndësi të madhe historike. Më 23 gusht të vitit 1939, Minisrti i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik Vyacheslav Molotov dhe ai i Gjermanisë Naziste Joachim von Ribbentrop, firmosën paktin e ‘asnjanësisë’ mes dy vendeve. Në fakt, pakti përcaktonte, 80 vjet më parë, se Gjermania mund të pushtonte Poloninë, ndërsa Bashkimi Sovjetik nuk do të kundërshtonte. Por në këmbim, Stalini do të aneksonte shtetet baltike, Letoninë, Lituaninë, Estoninë dhe Finlandën.

Pesëdhjet vetë më vonë, gati dy milion njerëz u bashkuan në të gjitha vendet balltike në një protestë paqësore, anti-sovjetike. Protesta u mbajt pikërisht më 23 gusht të vitit 1989, 50 vjet nga pakti Molotov-Ribbentrop. 30 vjet pas asaj proteste, këtë 23 gusht, pesë shtete të BE dolën me një deklaratë të përbashkët duke u bërë thirrje qeverive evropiane për dalë kundër regjimeve totalitare. Ministritë e jashtme të Estonisë, Letonisë, Polonisë dhe Rumanisë, u shprehën në deklaratën e tyre se dokumenti i nënshkruar nga ish-ministri i jashtëm sovjetik Vyacheslav Molotov dhe homologu i tij nazist gjerman, Joachim von Ribbentrop, “ndezi Luftën e Dytë Botërore dhe dënoi gjysmën e Evropës në dekada të tëra mjerim”.

Shtetet që kanë bërë deklaratën kanë nënvizuar dhe arsyen pse Parlamentin Evropian zgjodhi 23 gushtin si ditën Evropiane të Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, që synon të kujtojë “vdekjen dhe jetët e shkatërruara nga krimet e kryera nën ideologjinë e nazizmit dhe stalinizmit”. Rënia e ‘Perdes së Hekurt’ 30 vjet më parë i hapi rrugën transformimit të ish-vendeve komuniste, duke u bërë pjesë e BE. Ndërkohë, ishte Rusia që për herë të parë publikoi marrëveshjen e nënshkruar 80 vjet më parë nga Molotov dhe Ribbentrop, të cilët ravijëzuan hartën e Europës mes Gjermanisë naziste dhe Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.

Dokumentet e nënshkruara nga dy-ish ministrat e regjimeve totalitare, u publikuan për herë të parë në një ekspozitë në Arkivin e Shtetit të Moskës, së bashku me dokumentet e tjera nga marrëveshja e Mynihut e vitit 1938, deri në shpërthimin e luftës. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov mbajti një fjalë përshëndetëse në çeljen e ekspozitës, ku justifikoi vendimin e Bashkimit Sovjetik për firmosjen e paktit  me Hitlerin. Sipas Lavrov, “Bashkimi Sovjetik u detyrua të ruante veten dhe të siguronte kufijtë, duke nënshkruar një pakt jo-agresiviteti me Gjermaninë”. Sipas Lavrov, ky vendim erdhi pasi “bendet e Europës perëndimore luajtën një rol të dyfishtë, duke u përpjekur që agresionin nazist ta shtynin drejt Europës lindore”.

Qëlluan policinë me molotov, dy në pranga për krime elektorale

Dy persona të tjerë janë arrestuar të enjten për krime elektorale.

Policia e Kavajës ka vënë në pranga një 26 vjeçar i cili gjatë protestës së opozitës dhe sulmit në KZAZ nr.42 ka hedhur shishe me molotov drejtuar policisë.

Ai ishte shpallur në kërkim prej disa ditësh dhe është arrestuar ditën e enjte nga policia.

Sipas policisë ky person në datë 19.06.2019, gjatë zhvillimit të protestës para KZAZ nr 42 Kavajë, duke tentuar të hyjë me forcë në ambientet e KZAZ-së ka qëlluar me sende të forta, mjete piroteknike dhe shishe molotov punonjësit e policisë të dislokuar në shërbim pranë kësaj KZAZ-je.

I dyshuari me inicialet SH. D., banues në Kavajë akuzohet për veprat penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, i mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”

Ndërsa në Burrel është arrestuar një 43-vjeçar për sulmin ndaj KZAZ-ve numër 16 dhe 17. Ai është identifikuar me inicialte A.L, i cili së bashku me disa persona kanë ushtruar dhunë ndaj forcave të rendit që mbanin në ruajtje KZAZ, dhe më pas kanë dëmtuar materialet zgjedhore.  Mbi të rëndon akuza për veprat penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Burreli ka qenë nja nga zonat e “nxehta” të sulmeve ndaj KZAZ-vë nga militantë, punonjës Bashkie, si dhe përfaqësues të PD-së. Ata mësynë në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa” ku morën materialet zgjedhore brenda KZAZ-së dhe i vunë flakën.

Voltana: I dua molotovët…figurativisht

Po të kisha dhe unë molotov, do të gjuaja me molotov”, kjo fjali e thënë nga Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, shkaktoi reagime të shumta këtë të enjte. Në një intervistë për mediat lokale në Shkodër, Ademi deklaroi se merr pjesë në çdo protestës të opozitës, duke deklaruar se do të dëshironte që të godiste dhe me bomba molotov. Megjithatë, pas shpërndarjes në media të kësaj deklarate, duket se Voltana Ademi ka kuptuar nxitimin në të shprehur, duke bërë një reagim publik, ku sqaron atë çfarë ka dashur të thotë në të vërtetë, sipas saj. Sipas Ademit, deklarata është nxjerrë nga konteksti, ndërsa thekson përsëri se Shkodra dhe shkodranët kanë pasur shumë arsye për “molotov”.

Molotov ka shqetësuar deri në trembje shumëkënd! E artikuluar mjaft qartë, nga unë, në një intervistë televizive në studion e emisionit “Tonight” në televizionin StarPlus, kanë tentuar e po te tentojnë ta nxjerrin nga konteksti. Në fakt, këto katër vite por edhe më herët, Shkodra dhe shkodranët kanë patur mijëra arsye për të përdorur “molotov”. U anashkaluan deri në harresë të plotë nga kjo qeveri, u burgosën, u dhunuan, iu hoq ndihma ekonomike, iu hoq buka e gojës, i pushtoi e i dhunoi kriminaliteti e pushteti i kriminelëve”, shkruan Voltana.

Më pas, ajo sqaron se fjala “molotov” është përdorur në mënyrë figurative, duke dashur të thotë, se nënkupton bërjen e zhurmën. “E po e artikuloj edhe një herë: “… me “molotov” për të bërë shumë zhurmë! Shumë zhurmë! “. Ashtu siç kanë ushtuar e ushtojnë sheshet e kryeqyteteve perendimore në Itali, Francë, Greqi etj. Fjalën time duhet ta kishit transmetuar të plotë e jo gjysma- gjysma! E keni të postuar të gjithën, prej kater ditësh, në faqen time Facebook! Protesta, figurativisht edhe me “molotov” është një mënyrë për t’u mbrojtur nga ata që po na vrasin! Është mënyrë për të bërë zhurmë për t’u dëgjuar!

Po prap do të protestojmë, me tërë fuqinë! Për të mbledhur të tjerë e sa më shumë!  E figurativisht me “molotov” , për të zhurmuar për dyert e mbyllura të institucioneve, dhe burgun që Edi Rama po i ndërton përditë njerëzve të thjeshtë, e qe po i vret përditë”, shprehet Voltana Ademi.

Kush e furnizoi opozitën me bomba molotov?

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka deklaruar se bombat molotov të përdorur nga opozita në protestat e saj janë financuar dhe transportuar nga një rrjet i organizuar. Lleshaj ishte mbrëmë i ftuar në emisionin Java në RTSH, ku bëri të ditur se policia është duke hetuar se ku i gjeti opozita bombat molotov. Ai tha se asnjë nga protestuesit e arrestuar nuk ka pranuar se di t’i ndërtojë këto bomba.

“Kam bërë disa sondazhe me drejtuesit e policisë. I kam pyetur kush nga ata dinte të bënte molotov dhe asnjëri nuk më tha që dinte. Tani kush nga protestuesit e thjeshtë mund të bëjë molotov? Molotovi është organizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Është financuar dhe transportuar në mënyrë të organizuar. Di që policia ka nisur hetime për personat që i kanë krijuar dhe transportuar”, u shpreh Sandër Lleshaj.

Bombat molotov u përdorën gjatë protestës së 11 majit, ku mbetën të plagosur të paktën 11 efektivë.

Skip to toolbar