Protesta sot kundër sistemit të gabuar

Të hënën Lulzim Basha me shumë mundësi në fjalimin që do të mbajë para protestuesve, mes entuziazmit për fitoren e 30 qershorit, do të kërkojë ndryshimin e sistemit, Kushtetutës, Kodit Zgjedhor, etj., etj. Mos u habisni kur ta dëgjoni me shumë patos dhe forcë, me një timbër zëri që do tentojë të krijojë hipnozë ndaj protestuesve për të thënë se “fajin e ka sistemi”, dhe pa ikur Rama nuk ndryshon sistemi. Në krahun tjetër, ende e pakonfirmuar, por nga që ka marrë frenat e organizimit të protestës në dorë, edhe Monika Kryemadhi mund të dalë në podium para qytetarëve për të folur, ku ndër fjalë do të shqiptojë edhe “t`i japim fund tranzicionit, të ndryshojmë sistemin”. Këto nuk janë shpikje, janë fjalë që Basha dhe Kryemadhi i kanë artikuluar vazhdimisht gjatë protestave të tyre.

Ndaj, ky ligjërim publik për ‘ndryshim sistemi’ kërkon vëmendje. A është halli te sistemi? A është problem Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, apo çfarë? PD dhe LSI nuk e kanë këtë hall, e kanë provuar në mijëra mënyra prej 1990 këtë gjë, dhe sot nuk është nevoja të na risjellin si risi të artikulimit politik togfjalëshin “Ndryshim Sistemi”. Pse, cilin sistem do ndryshojmë? A është ky sistem i ndryshuar me dhjetra herë, Kushtetuta në 2008, Kodi Zgjedhor në disa raste.

A është ky sistemi i 17 majit 2017, kur Basha thirri po fitore, pasi ashpërsoi Kodin Penal për krimet elektorale?. A është ky sistem që u ndryshua pas kohës së  Klanit të Zemunit, Dushkut, Ruzhdies, Tiranës në 2011?! Po, ky sistem është ndryshuar disa herë, janë provuar të gjitha format, janë ndryshuar dhe njerëzit brenda sistemit, është ndryshuar gjithçka, vetëm dy gjëra nuk janë ndryshuar në 19 vjet. Politikanët dhe ai që do duhet të ishte sistemi bazë i funksionimit të shtetit që në gjenezën e tij, Drejtësia.

Por le ta nisim nga fundi. Tani që në fakt Sistemi i Drejtësisë po ndryshon, dhe politikanëve të korruptuar u mblidhet laku pas qafe, kërkohet ndryshim i sistemit, kërkohet kompromis, kërkohet ndryshim përsëri i Kushtetuës, ndryshim i Kodit Zgjedhor (pavarësisht të metave që ka, është i vlerësuar nga partnerët ndërkombëtar), kërkohet pra një ndryshim sistemi, jo për të mirën e shqiptarëve, për hallin e politikanëve.

Dhe kërkohet një kompromis në kurriz të shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur në gati tre dekada pluralizëm, kriza fiktive dhe më pas zgjidhje për interesa partiake, e kanë dëshmuar Meta, Berisha, Basha, Monika, Rama dhe të gjithë bashkë kanë qenë pjesë e sistemit dhe ndryshimit të tij sa herë u është nevojitur. Por, tani ka një ngërç të madh, Rama për fatin e tij është në qeveri, dhe nxiti reformimin e gjyqësorit, që u mbështet nga faktori ndërkombëtar.

Dhe ndërkombëtarët e kuptuan rëndësinë e kësaj reforme, aq sa tashmë e kanë shndërruar në krye të listës së prioriteteve të tyre, zbatimin e saj. Dhe në fakt, dashur pa dashur, ndryshimi i Sistemit të Drejtëisë, i vë fre abuzimit me pushtetin, i vë fre asaj që ish-demokrati i Kukësit, Ibsen Elezi e quan “infektim të sistemit nga korrupsioni që mbolli administrata e LSI”. Dhe në këtë mënyrë, frika është tjetër kund, t`i shpëtojmë drejtësisë në kurris të shqiptarëve.

Mirëpo, tani, pas ndryshimit të Sistemit të Drejtësisë, ka ardhur koha, më sakt fundi i një sistemi politikanësh, që abuzimin, vjedhjen, korrupsionin dhe shkatërrimin e demokracisë, e shndërruan në mjet të mbijetesës në llumin që krijuan vetë. Ujërat tashmë po qartësohen, Shqipëria e ka rrugë pa kthim integrimin në Europë, dhe ashtu si çdo vend tjetër i Ballkanit (që ka fituar anëtarësimin), pavarësisht vonesës, edhe vendi ynë nuk mund të ketë rrugë tjetër, që nis me fundin e një sistemi politikanësh, që pushtetin e kanë parë si pronë të patjetërsueshme.

Pra, si përfundim, tani do të ketë një sistem që do të kontrollojë një sitem të pakontrollueshëm deri tani. Drejtësia do të jetë ajo që do t`i vërë fre 14% të Kukësit, Dibrës, Durrësit e kudo tjetër, pasi fakti është se votat nuk i vjedh as Kodi Zgjedhor dhe as Kodi Penal, madje as politikanët, por deri më sot, votat i ka vjedhur mungesa e drejtësisë. Ndaj, halli i vetëm është një, “Drejtësia”, sistemi që do të fundos sistemin e preferuar të politikës, pandëshkueshmërinë!/Realstory.al/

Kryemadhi: Protestojnë edhe për taksa më të larta

Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë së saj gjatë pasdites së vonë këtë të shtunë. Gjatë fjalës së saj të gjatë para militantëve të LSI-së, Kryemadhi renditi disa nga arsyet pse shqiptarët duhet të protestojnë të hënën. Dhe ndër këto argumenta, Monika Kryemadhi bëri një lapsus, duke u shprehur se në 8 korrik “dikush duhet të protestojë për taksa më të larta”.

“Në shesh nuk do të dalim për opozitën, por për të gjitha hallet e shqiptarëve, secili sipas mënyrë së vet, dikush se kërkon një vend pune, dikush se kërkon taksa më të larta, dikush se i ka falimentuar biznesi për shkak të taksave të Edi Ramës, dikush se i ka ikur fëmija në emigracion me dokumente falso…e kështu të gjithë me radhë. Të gjithë nuk duhet të ndalojmë”, tha Kryemadhi.

Në fakt, ndonëse është një lapsus, ky mund të marrë shpjegim nëpërmjet teorisë së “lapsusit frojdian”. Sipas teorisë psikoanalitike të Freud-it, kemi një lapsus kur shfaqet një konflikt në mes qëllimeve të vetëdijshme të individit dhe ato të pavetëdijshme, duke shkaktuar një humbje momentale kontrolli dhe duke favorizuar keshtu dëshirat e pavetëdijshme. Në këtë kuptim, lapsusi mund të jetë ngatërrimi i emrit të një personi me atë të një miku të vjetër kur flitet për ndonjë situatë që na kujton atë; lapsus frojfian është kur të hedhim ndonjë send që na kujton gjëra negative etj.

Kryemadhi ul pak kryet: Rama në tryezë po si kryetar i PS

Monika Kryemadhi bën një ndryshim në artikulimin e saj publik lidhur me dialogun me Kryeministrin Edi Rama, për ti dhënë fund krizës. E ftuar në një studio televizive, kryetarja e LSI, u shpreh se opozita është e gatshme të shkojë në tryezën e dialogut me Edi Ramën, por vetëm në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, jo si Kryeministër. “Dhe e treta, ajo që është shumë e rëndësishme, ne e themi, sepse vërtetë themi dialog; Edi Rama nuk duhet të ulet në tavolinë si Kryeministër, sepse është Kryeministër ilegjitim. Edi Rama duhet të ulet në tavolinë si kryetar i Partisë Socialiste, pastaj hajde flasim”, tha Kryemadhi.

Gjithashtu, ajo u shpreh edhe për dy kushtet e tjera që e rikthejnë opozitën te dialogu. Hetimi i vjedhjes së votave në Durrës dhe Dibër, si dhe krijimi i standardeve për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, janë kushtet e tjera, që sipas Monika Kryemadhit, krijojnë mundësi dialogu. “E para, ne e kemi thënë shumë qartë, hetim i dosjes ‘184’ dhe ‘339’ dhe dalja para drejtësisë e të gjithë shkaktarëve të deformimit dhe manipulimit të zgjedhjeve të 2017. E dyta, krijimi i standardeve të zgjedhjeve sepse pa standarde çfarë do bësh?! Do bësh zgjedhje të krimit të organizuar”.

Kjo është hera e parë, që një drejtues i opzitës, deklaron se është gati të dialogojë me Edi Ramën, pavarësisht se kushti moderohet, nga ‘s`ka dialog me Edi Ramën’ në ‘dialog me Edi Ramën, si kryetar i PS”. Nuk dihet nëse kjo zbutje e Kryemadhi ka të bëj me presionin ndërkombëtar apo shkarkimin e Ilir Metës si president, por në fakt, është sinjali i parë që të krijon përshtypjen se opozita është në kërkim të një rruge dialogu, duke u tërhequr dhe nga “Rama Ik”.

Opozita ka lajmëruar  mbajtjen e një proteste të hënën më 8 korrik, ku në fakt, LSI duket se po merr rol kryesor në organizimin e saj. Ky përfytyrim është krijuar nga fakti se vetë Monika Kryemadhi ka qenë shumë aktive ditët e fundit duke thirrur qytetarët në protestë, aq sa sipas saj, vetëm gjatë ditës së shtunë kishte zhvilluar mbi 200 telefonata me strukturat për të ftuar qytetarët në protestë.

Protesta, tani flamurin e merr LSI

Monika Kryemadhi duket se s`po gjen rehat dy ditët e fundit. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, po jep shenja se protesta e 8 korrikut nuk do të jetë një protestë e opozitës, thjesht si një përgjigje ndaj qeverisë për zgjedhjet e 30 qershorit, por kjo protestë do të jetë kryekëput kundër shkarkimit të Ilir Metës nga posti i presidentit. Në fakt, sjellja e shefes së LSI tre ditët e fundit të lë të kuptosh një gjë të tillë.

Prej 16 shkurtit, kur opozita mbajti protestën e parë kombëtare, e deri më 21 qershor, ishte Lulzim Basha ai që udhëhiqte thirrjet e opozitës për protestë, me konferenca shtypi, video e postime të ndryshme në rrjetet sociale, takime në qytete të ndryshme të vendit etj. Por, tani që PD mbeti pa asnjë pushtet faktik, dhe brenda së djathtës kanë nisur zërat kundër Bashës, LSI dhe Kryemadhi po marin në dorë situatën.

“Sot, të shtunën në zyrë duke komunikuar me të gjitha strukturat e LSI-së në të gjithë Shqipërinë. E jashtëzakonshme fryma e qëndresës ndaj sistemit autokrat dhe qeverisë së krimit të organizuar dhe korrupsionit. Entuziazëm në çdo familje shqiptare për ndryshimin e këtij sistemi të kalbur. Ftoni familjarët, miqtë, shokët, të bëhemi të gjithë bashkë më 8 korrik. Gjatë pasdites vazhdojmë me takime në Tiranë”, shprehet Kryemadhi.

Pra, ndryshe nga Basha që është i zënë me punë të tjera në PD, Kryemadhi po merr flamurin e protestës në dorë. Ajo së bashku me drejtues të tjerë të LSI, në raport me ata të PD-së, kanë qenë më aktiv në thirrjet për protestën e së hënës më 8 korrik, duke nxjerr në pah hallin e vërtetë të kësaj proteste, jo qeveria, por shkarkimin e presidentit.

Këto thirrje të Monika Kryemadhit, pavarësisht se synojnë të tregojnë se ka entuziazëm, në fakt, nxjerrin në pah edhe një siklet të madh të opozitës. Largimi i të zgjedhurve vendor të PD dhe LSI nga postet që mbajnë pas 30 qershorit, ka shtuar frikën te të punësuarit e opozitës në këto bashki. Çka në fakt, është frikë e vetë drejtuesve të opozitës, se pas zgjedhjeve, rrezikojnë firo të madhe në elektorat, shto faktin, që tashmë nuk ka më bashki që sjellin protestues me autobus drejt Tiranës. Ndaj, jo më kot, vetëm të premten, Monika Kryemadhi la porosi të veçantë për strukturat e saj, që të trokasin në çdo derë të Tiranës, për të ftuar qytetarët në protestë.

Kryemadhi “mallkon” reformën dhe fton shqiptarët në protestë (kundër)

Monika Kryemadhi ka mbledhur strukturat e LSI-së në Tiranë, duke u kërkuar që në dy ditët në vijim të shpërndajnë ftesa për qytetarët për protestën e 8 korrikut. Duke i cilësuar zgjedhjet e 30 qershorit të paligjshme, bazuar në raportin e ODIHR, Kryemadhi u shpreh se Rama largohet vetëm duke bërë qëndresë. “Vetëm me metodë asimetrike dhe qëndresë mund të largohet një njeri i çmendur si Edi Rama. Çdo hap i opozitës ka qenë  i menduar shumë mirë. Sot jemi në atë proces që kërkonin analistët në mars për të bojkotuar pushtetin vendor”, tha Kryemadhi.

E ashpër, po aq sa dhe Ilir Meta, ka qenë Monika Kryemadhi gjatë fjalës së sa për Reformën në Drejtësi. Gjatë fjalës së saj para militantëve të LSI, kryetarja e kësaj partie u shpreh se “LSI i besoi symbyllur ndërkombëtarëve”. “Reforma në Drejtësi pa LSI, nuk do ishte votuar. Ndoshta kemi bërë dhe gabim që e kemi lejuar një gjë të tillë. Gabimi LSI, duke qenë se kemi besuar symbyllurazi ndaj ndërkombëtarëve, votuam 7 ligjet që i dhanë mundësi Ramës të kap sistemin. Për ta kthyer këtë sistem të drejtësisë që ndëshkon popullin e tij dhe liron kriminelët”, tha Kryemadhi.

Ajo ka dhënë dhe një mesazh për kryeministrin Rama, i cili është shprehur se opozita dhe drejtuesit e saj, i tremben ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, para të cilave do të jenë të gjithë të barabartë. Kryemadhi u shpreh se nuk i trembet askush nga LSI reformës. “Që ta keni të qartë, nëse një anëtar i LSI-së do kishte frikë nga reforma, jo vetëm që nuk do ishte këtu në këtë sallë, por do dilte me flakadanë nëpër rrugë”.

Protesta e 8 korrikut mbahet në të njëjtën ditë, kur në Parlament merr jetë Komisioni Hetimor, që do të hetojë shkeljet kushtetuese të Ilir Metës, dhe më pas do të kërkojë shkarkimin e tij. Kryemadhi, nuk e përmendi këtë fakt, por sigurisht, la të kuptohet se protesta e 8 korrikut do të jetë një demonstrim force ndaj qeverisë, për të treguar mbështetjen e opozitës. Në fakt, ndoshta dhe për shkak të pasigurisë se protesta mund të ketë pjesëmarrje të ulët, Monika Kryemadhi u kërkoi anëtarëve të LSI të përdorin çdo mjet për të ftuar qytetarët në protestë. “Ne na leverdis që Rama të qëndrojë në pushtet, është më keq për shqiptarët, por më mirë për politikanët. Sa më shumë rri ai, më shumë shkatërrohet PS. Të gjithë ça keni Facebook, Ëhats app, mesazhe, çdo gjë, i përdorni të shpërndani ftesën për njerëzit në protestën e 8 korrikut”, tha Kryemadhi.

Kërcënon Kryemadhi: Bashkiakët e PS nuk do shkojnë në zyrë

Monika Kryemadhi është shprehur me tone kërcënuese, duke thënë “se të zgjedhurit e rinj lokal në 61 bashkitë e vendit, nuk do të shkojnë kurrë në zyrë”. “Aksioni do të jetë hap pas hapi, këtë javë është konsultimi ynë me partitë aleate. Do vazhdojmë gjithë procesin që do vijë në mënyrë të njëpasnjëshme. Nuk është problemi aty, tek zënia e zyrave, ata nuk do të shkojnë në zyrë asnjëherë. E di sa gjëra do ndodhin deri ën 12 gusht”, tha Monika Kryemadhi.

Këto deklarata Monika Kryemadhi i bëri në një lidhje direkte në Tv Klan, ndërkohë që gjatë fjalës së saj ajo ka komentuar edhe deklaratën e Maja Kocijanaçiç. Kryemadhi është shprehur se zonja (Koçijançiç) nuk e ka shkruar vetë deklaratën.

Zonja që ka bërë deklaratën nuk e ka shkruar vetë, ia kanë shkruar të tjerët. Zonja nuk e ka të qartë që faktikisht ka një ngërç shumë të madh në atë që thotë. Ajo thotë të shkojnë në zyrë, kush të shkojnë në zyrë. Po kush?”.

Në lidhje me reagimin e ambasadës Amerikane ajo tha se e mbështet atë. Sipas saj zgjedhje do të ketë në 13 tetor, pasi dekretin e Presidentit nuk e gjykon dot tjetër gjykatë, vetëm ajo Kushtetuese siç e mështet dhe OSBE-OHDIR.

“Bye Bye Edi” Kryemadhi: 85 % e shqiptarëve refuzuan votimet moniste

Rreth një orë pas mbylljes së orarit zyrtar, ka ardhur edhe reagimi i kryetares së LSI, Monika Kryemadhi. Ajo i cilësoi këto votime si fitore të demokracisë, pasi 85 % e shqiptarëve refuzuan të shkonin në votimet moniste të Ramës.

“85% e shqiptarëve refuzuan sot votimet moniste të Edi Ramës. Refuzuan premtimet boshe. Refuzuan Ramën. Kjo e sotmja është një fitore për demokracinë shqiptare! Pjesëmarrja ekstremisht e ulët është një fitore për popullin shqiptar e demokracinë në Shqipëri si dhe një goditje kundër diktaturës së Ramës. Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve  P.S: Sado që ti mbushësh kutitë, shqiptarët të refuzuan. Bye bye Edi” – shkruan Kryemadhi

Kriza politike, Ambasadori britanik në zyrën e Kryemadhit

Kur vetëm 4 ditë na ndajnë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale,  në zyrën e LSI-së, është shfaqur ambasadori britanik, Duncan Norman, i cili ka zhvilluar një takim me kryetaren e kësaj force politike, Monika Kryemadhi. Takimi vjen në një kohë kur opozita ka bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve nga qytetarët, por edhe është distancuar nga dhuna dhe përplasjet fizike. Ambasadori i Britanisë së Madhe është shprehur qartësisht pro zgjedhjeve më 30 qershor dhe distancim nga çdo akt i dhunës dhe pengim i procesit zgjedhor. Ky mesazh mendohet se është përcjellë edhe në takimit që u zhvillua mes Kryemadhit dhe ambasadorit Norman.

Më herët edhe shefja e misionit të vëzhgimit të OSBE, Glover ka zhvilluar një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha, pavarësisht faktit se ai nuk do të marrë pjesë në zgjedhjen e 30 qershorit.

Mazhoranca është e vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, opozita e bashkuar thotë se ato janë të paligjshme dhe nuk do t’i njoh. Ndërsa për ndërkombëtarët zgjedhjet e 30 qershorit janë plotësisht të ligjshme dhe madje bëjnë thirrje për një proces zgjedhor pa incidente dhe pa pengim të zgjedhësve për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Madje SHBA ka shkuar edhe më tej ku i ka kërkuar Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit se do të mbanin përgjegjësi direkt nëse do të kishte dhunë, duke i kërcënuar për t’i futur edhe në listën e zezë.

Duket se faktori ndërkombëtar ka pasur ndikim tek liderët e opozitës jashtë parlamentare, pasi nga thirrjet për dhunë dhe pengim të procesit zgjedhor, në daljet e tyre të fundit publike kanë folur me një gjuhë shumë herë më të butë dhe paqësore duke u distancuar nga përplasjet fizike dhe vëllavrasja.

Basha, Kryemadhi në kor… për paqen

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kanë mbajtur të njëjtin qëndrim në lidhje me protestën e 21 qershorit. Ato thanë se askujt nuk do i preket asnjë fije floku gjatë protestës ditën e premte, gjatë prononcimit në një media televizive, ndërsa theksuan se janë marrë masa edhe për të shmangur provokacionet  e mundshme që mund të ndodhin.

Gjatë fjalës së tij Basha tha se do të jenë në protestë me familjen dhe vajza e tij, duke treguar se në protestë nuk do të ketë asnjë lloj kërcënimi për qytetarët, të cilët do i bashkohet. “Unë nesër do të dal në protestë me familjen time, me dy vajzat e mia dhe u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të vijnë me fëmijët e tyre, me bashkëshortet e tyre, sepse do të jetë protesta më e madhe dhe më qytetare që ka njohur ndonjëherë Shqipëria.

Basha tha se nuk do të lejojnë që në protestë të ndodhin provokacione që padrejtësisht i adresohen opozitës, duke shtuar se nuk do t’i preket asnjë fije floku asnjë polici apo qytetari. “Përpjekjet për të amnistuar krimet me të cilat është kapur në flagrancë Edi Rama, duke inkriminuar opozitën kanë dështuar tashmë. Nuk do të ketë absolutisht asgjë që të kërcënojë një fije floku të një qytetari apo të një punonjësi të ndershëm të rendit. Kemi marrë të gjitha masat për të neutralizuar çdo provokator të qeverisë në bashkëpunim me shërbimet inteligjente të vendeve partnere në Tiranë me të cilët kam qenë në komunikim sot dhe dje.” – tha Basha

Në të njëjtin linjë ishte edhe kryetarja e LSI, Kryemadhi, e cila theksoi se protesta do të jetë paqësore dhe se opozita do e menaxhojë me përgjegjshmëri të plotë. “Protesta do të jetë paqësore, do ta menaxhojmë me përgjegjshmëri të plotë. Nuk kanë faj policët e shtetit. Mos harroni që nuk është më tashmë në dorën tonë, çdo ditë që Rama provokon populli aq më shumë irritohet.”

Kryemadhi-Ramës: Boll u more me filxhanët, por jep llogari për bandat e krimit në qeveri

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pas ironive të shpeshta të kryeministrit Rama, që bën në fushata elektorale duke e quajtur “fallxhorja që sheh filxhanin dhe i bën ato realitet.”

Me një status në Facebook, Krymadhi i drejtohet Ramës që të mos merret me filxhanë, kazanë apo tepsi, por t’u shpjegojë shqiptarëve se si ai ka vënë shtetin në shërbim të krimit. Ajo ka përmendur disa nga akuzat që opozita ka bërë shpesh kundër qeverisë duke kërkuar rrëzimin e saj dhe vendosjen e një qeverie tranzitore.

Kryemadhi e mbyll postimin e saj duke i bërë thirrje të mos sjell më përçarjen e shqiptarëve, pasi kush është munduar ta bëjë ka korrur një fund të tmerrshëm.

Edi sa keq më vjen për ty. Je bërë si Kizi dikur. Merr nëpër gojë, shan e pështyn këdo, që të fanepset në ëndrra dhe të…

Gepostet von Monika Kryemadhi am Samstag, 15. Juni 2019
Skip to toolbar