Kryemadhi “mallkon” reformën dhe fton shqiptarët në protestë (kundër)

AKTUALITET


Monika Kryemadhi ka mbledhur strukturat e LSI-së në Tiranë, duke u kërkuar që në dy ditët në vijim të shpërndajnë ftesa për qytetarët për protestën e 8 korrikut. Duke i cilësuar zgjedhjet e 30 qershorit të paligjshme, bazuar në raportin e ODIHR, Kryemadhi u shpreh se Rama largohet vetëm duke bërë qëndresë. “Vetëm me metodë asimetrike dhe qëndresë mund të largohet një njeri i çmendur si Edi Rama. Çdo hap i opozitës ka qenë  i menduar shumë mirë. Sot jemi në atë proces që kërkonin analistët në mars për të bojkotuar pushtetin vendor”, tha Kryemadhi.

E ashpër, po aq sa dhe Ilir Meta, ka qenë Monika Kryemadhi gjatë fjalës së sa për Reformën në Drejtësi. Gjatë fjalës së saj para militantëve të LSI, kryetarja e kësaj partie u shpreh se “LSI i besoi symbyllur ndërkombëtarëve”. “Reforma në Drejtësi pa LSI, nuk do ishte votuar. Ndoshta kemi bërë dhe gabim që e kemi lejuar një gjë të tillë. Gabimi LSI, duke qenë se kemi besuar symbyllurazi ndaj ndërkombëtarëve, votuam 7 ligjet që i dhanë mundësi Ramës të kap sistemin. Për ta kthyer këtë sistem të drejtësisë që ndëshkon popullin e tij dhe liron kriminelët”, tha Kryemadhi.


Ajo ka dhënë dhe një mesazh për kryeministrin Rama, i cili është shprehur se opozita dhe drejtuesit e saj, i tremben ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, para të cilave do të jenë të gjithë të barabartë. Kryemadhi u shpreh se nuk i trembet askush nga LSI reformës. “Që ta keni të qartë, nëse një anëtar i LSI-së do kishte frikë nga reforma, jo vetëm që nuk do ishte këtu në këtë sallë, por do dilte me flakadanë nëpër rrugë”.

Protesta e 8 korrikut mbahet në të njëjtën ditë, kur në Parlament merr jetë Komisioni Hetimor, që do të hetojë shkeljet kushtetuese të Ilir Metës, dhe më pas do të kërkojë shkarkimin e tij. Kryemadhi, nuk e përmendi këtë fakt, por sigurisht, la të kuptohet se protesta e 8 korrikut do të jetë një demonstrim force ndaj qeverisë, për të treguar mbështetjen e opozitës. Në fakt, ndoshta dhe për shkak të pasigurisë se protesta mund të ketë pjesëmarrje të ulët, Monika Kryemadhi u kërkoi anëtarëve të LSI të përdorin çdo mjet për të ftuar qytetarët në protestë. “Ne na leverdis që Rama të qëndrojë në pushtet, është më keq për shqiptarët, por më mirë për politikanët. Sa më shumë rri ai, më shumë shkatërrohet PS. Të gjithë ça keni Facebook, Ëhats app, mesazhe, çdo gjë, i përdorni të shpërndani ftesën për njerëzit në protestën e 8 korrikut”, tha Kryemadhi.




Skip to toolbar