Dialogu, shfaqet Kryemadhi, thumbon Bashën: Lider është ai që sakrifikon për grupin

Monika Kryemadhi është shfaqur publikisht për herë të parë që prej mesit të muajti korrik, ku ndali aktivitetin e saj politik, duke mos komentuar asnjë zhvillim të aktualitetit. Kryetarja e LSI ka marrë pjesë në kampin e të rinjve të LSI, që zhvillohet në Jalë. Ajo ka folur para të rinjve, duke mbajtur një fjalim me doza të ulëta politike, por pa shmangur mesazhet për PD dhe PS. Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi u shpreh se ‘këto kanë qenë ditë të vështira’, duke u kërkuar të rinjve ndryshimin e gjendjes.

“Këto ditë kanë qenë ditë të vështira për LSI, për PD, për opozitën, për qeverinë, institucionet. Por ta dini se më shumë po vuajnë shqiptarët. Ne dhe ju si të rinj keni përgjegjësi për të ndryshuar gjendjen. Kjo që po bëjmë është përballë krimit të organizuar ndërkombëtar. Sigurisht që sfida është shumë e vështirë, por forca, idealizmi juaj është shumë më i fortë sesa makutëria e qeverisjes sonë”, tha ndër të tjera Kryemadhi”, u shpreh Kryemadhi.

Ndërkohë, ndër rreshta gjatë fjalimit të saj, Kryemadhi ka përcjell edhe mesazhe për kreun e PD, që deri më tani nuk ka pranuar të dialogojë me qeverinë dhe kryeministrin Rama, për t`i dhënë fund krizës. Kryemadhi, partia e së cilës, por dhe ajo vetë, kanë shprehur qëndrime të kundërta nga Basha pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duke kërkuar zgjidhje të krizës nëpërmjet dialogut. Ndaj, në fjalimin përballë të rinjve, Kryemadhi u shpreh se ‘lider është ai që sakrifikon nga vetja për grupin’.

“LSI theu monopolin e dy partive të mëdha. Ne u rritëm me hapa të përditshëm. Kemi kaluar momente dhe sfida të vështira. Lider është ai që sakrifikon nga vetja për shoqërinë dhe grupin. Ky ka qenë misioni i kampit të LSI. Ne kampin e LSI e përmirësuam edhe më tej. Është puna në grup ajo që i jep shansin dhe mundësive njerëzve.”, tha Kryemadhi. Në këtë mesazh, më shumë se sa drejtuar të rinjve, Kryemadhi duket se i tregon Bashës se duhet të ‘sakrifikojë për grupin’. Në fakt, grupi janë të gjitha partitë aleate, që ndryshe nga kreu i PD, kanë kërkuar dialog dhe ulje në tavolinë me Ramën, për t`i dhënë fund krizës politike.

Shfaqet Kryemadhi, 30 minuta kokë më kokë me Bashën, pas pushimeve në Prevallë

Monika Kryemadhi ka përfunduar pushimet e zgjatura verore, ku dy javët e fundit ka qenë në Prevallë së bashku me bashkëshortin e saj presidentin, Ilir Meta. Gjatë ditës së premte Kryemadhi ka nisur punën dhe takimin e parë e ka zhvilluar në selinë blu me kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Takimi mes dy drejtuesve të opozitës ka zgjatur 30 minuta dhe në përfundim që të dy refuzuan të flisnin për gazetarët që prisnin në selinë blu, por nuk u ndalën të tregonin se mes tyre gjithçka shkon mirë, pasi dhuruan puthje dhe përqafime. Pra në sytë e medias Basha dhe Kryemadhi treguan se nuk ka asnjë përçarje në koalicionin opozitar, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që këto dy parti kanë mbajtur në lidhje me dekretin e Metës për zgjedhje më 13 tetor.

Nuk dihet ende se cili do të jetë aksioni i ardhshëm i opozitës, e cila prej më shumë se 1 muaji ka ndërprerë protestat, sikurse kishte premtuar se gjatë verës nuk do bënin pushime.

Situata politike ka zhvillime të reja për shkak të dorëheqjes së kryebashkiakut të Shkodrës Valdrin Pjetri, pas akuzave të PD-së për fshehje të dënimit në Itali. Nuk dihet se si do të veprojë opozita. Askush deri tani nga politikanët nuk ka përmendur faktin se në Shkodër duhet të zhvillohen zgjedhje të pjesshme vendore dhe nëse PD do të marrë pjesë në to.

Deri tani e vetmja datë që përsëritet vazhdimisht nga Meta është 13 tetori, megjithëse janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore që do të mundësonin zhvillimin e një procesi zgjedhor në këtë datë që duhet thënë se nuk është njohur nga institucionet.

Monika me pushime, harron protestat. Me Metën në “konkursin” e kosit!

Monika Kryemadhi, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, partia e dytë më e madhe opozitare në vend në krah të PD-së së Bashës është zhdukur nga skena politike, ka nisur pushimet e gjata verore dhe ka harruar aksionin opozitar të premtuar pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ajo është shfaqur shpesh kohët e fundit në facebook, por ka bërë vetëm postime familjare. Më e fundit është ajo e publikuar të mërkurën nga presidenti Meta, në krah të të cilit është edhe Monika Kryemadhi, bashkëshortja e tij. Të dy ndodhen me pushime familjare në Prevallë. Në postimin e fundit, presidenti Meta ka prezantuar një qytetar dhe thotë se atij i përket çmimi ndërkombëtar për kosin më të mirë (nëse do të kishte një çmim të tillë).

Nëse bëjmë një kontroll të postimeve të Kryemadhit do të shohim, urimin për festën e Bajramit, më 11 gusht; më pas një foto me të birin, Besarin, sërish me pushime në Prevallë në 4 gusht dhe një postim tjetër më 1 gusht, përmes të cilit uron Klajda Gjoshën për lindjen e vajzës së saj.

Pra gjatë gjithë gushtit Kryemadhi nuk ka bërë politikë. I vetmi postim politik është ai i datës 22 korrik ku kujtoi 3-vjetorin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në Drejtësi dhe ku akuzoi qeverinë për deformimin e reformës duke përdorur pothuajse të njejtën retorikë si Meta.

Ajo që bën përshtypje është jo vetëm distancimi i qartë që Kryemadhi ka bërë nga Basha por edhe harresa e premtimeve të saj se aksioni politik do të vazhdojë gjatë gjithë verës, përmes protestave.

Në daljen e fundit për mediat pas protestës së fundit të opozitës në 8 korrik Kryemadhi premtoi se “protestat do të vijojnë së bashku me aksionin politik”. Ajo tha se opozita dhe maxhoranca duhet të ulen në tryezë jo për të zgjidhur krizën aktuale por për të zgjidhur krizën e tranzicionit 30 vjeçar në Shqipëri duke kërkuar ndryshim rrënjësor të sistemit. Kryemadhi tha më 8 korrik se “opozita ka përgjegjësi të udhëheqë 85% të shqiptarëve (shifër kjo që u rrëzua nga Meta)”.Ajo gjithashtu premtoi se “për ne si opozitë nuk ka pushime. Nuk do ndalojmë. Do takojmë shqiptarët. Do protestojmë në mënyra të ndryshme”.

Por nga kjo deklaratë kanë kaluar më shumë se 1 muaj dhe deri tani, asgjë nuk ka ndodhur. Monika është me pushime. Tani duhet të japë çmimin ndërkombëtar për kosin më të mirë./Realstory.al

Meta me qetësi, Kryemadhi pa dashuri, politizon Bajramin: Të fitojmë kohën e humbur

Pas një heshtje të gjatë në lidhje me sulmet politike dhe reagimet për çështje kryesore në vend, kryetarja  e LSI, Monika Kryemadhi ka zgjedhur pikërisht festën e Kurban Bajramit që të jap sërish mesazhe politike dhe të numëroj ato që ajo i quan defekte të sistemit të korruptuar. Ndryshe nga bashkëshorti i saj, i cili bëri thirrje për dialog gjithëpërfshirës dhe foli me tone të qeta, Kryemadhi ka preferuar të bëjë thirrje për lëvizje në mënyrë që të fitohet koha e humbur dhe t’i jepet fund këtij sistemi të korruptuar .

Shqipëria sot ka nevojë për më shumë solidaritet në mënyrë që të ofrojë mundësi për një të ardhme më të mirë, për të gjithë! Plagët sociale si varfëria, korrupsioni, emigrimi dhe probleme të tjera shoqërore mund të gjejnë zgjidhje vetëm duke ndërtuar sisteme të drejta e të ngritura mbi vlera! Ne duhet të fitojmë kohën e humbur!” shkruan Kryemadhi.

Ndryshe nga Meta, Kryemadhi nuk ka kohë për të humbur dhe largimi qoftë edhe për një ditë nga sulmet politike, nuk është në opsionet e saj. Me herët, presidenti Meta bëri thirrje për dialog gjithëpërfshirës dhe kërkoi nga palët që të luftohet për të ardhmen e vendit dhe të mendojnë mbi interesat personale.

Mandati i Sakos trishton Kryemadhin: Ra siguria juridike

Monika Kryemadhi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Durrësit, që i dha mandatin kryetares së bashkisë së zgjedhur më 30 qershor Valbona Sako. Kryemadhi është shperhur se me vendimin e të premtes, “ra siguria juridike e një vendimi gjykatë”. Sipas kryetares së LSI, ky vendim tregon edhe rrugën se ku po shkon Reforma në Drejtësi. “Vendimi i Gjykatës së Durrësit, tregon ku po na çon ‘Rilindja’ e Reformës në Drejtësi. Absurdi i sotëm duhet të futet në librat e jurispudencës”, është shprehur Kryemadhi.

Një ditë më parë, Monika Kryemadhi e përshëndeti vendimin e Gjykatës së Durrësit, që nuk i dha mandatin Valbona Sakos. Ndërkohë, vendimi i të premtes, duket se i ka prishur ‘festën’ e parakohshme kryetares së LSI, por dhe kreut të PD, Lulzim Basha, që reagoi gjatë ditës duke akuzuar se “drejtësia është e kapur nga qeveria”.

Ndërkohë, të enjten Realstory.al paralajmëroi se si opozita po ndjek rrugët ligjore, atë që thanë ndërkombëtarët, për të bërë të pavlefshëm, sipas tyre, zgjedhjet e 30 qershorit. Në shkrimin e publikuar një ditë më parë, Realstory.al theksohet fakti se opozita po shfrytëzon hapësirat dhe vakumet e reformës në drejtësi dhe dekretet presidenciale, si një mjet justifikimi para ndërkombëtarëve, për t`u thënë atyre “se po ndjekim këshillën tuaj”, duke i kontestuar zgjedhjet në rrugë institucionale. (Lexo shkrimin e Realstory.al).

Mandati Sakos, Kryemadhi: Hetim ndaj KQZ

Monika Kryemadhi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Durrësit për të cilësuar të pavlefshëm mandatin e bashkiakes së zgjedhur në 30 qershor, Valbona Sako. Kryemadhi e ka cilësuar këtë si “pavlefshmëri absolute” të zgjedhjeve, duke akuzuar KQZ se ka shpërdoruar detyrën. “Nul! Pavlefshmëri absolute! Thjesht e saktë pa tambure politike. Vendimi i Gjykatës së Durrësit vetëm teknikisht tregoi se që në krye të herës, që në hapin e saj të parë procedural e administrativ, atë të regjistrimit të subjekteve zgjedhore KQZ ka shkelur hapur Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike, dhe gjithë veprimtaria e vendimmarrja e saj rezulton në shkelje të hapur të Kodit të Procedurave Administrative”, shkruan Kryemadhi.

Më tej, shefja e LSI, i kërkon Arta Markut që të fillojë menjëherë çështjen penale ndaj anëtarëve të KQZ për “Shpërdorim detyre”. “Që pas këtij momenti çdo vendim i KQZ është nul. Pavlefshmëria absolute e aktit administrativ sjell pavlefshmëri absolute të të gjithë procesit në vijim. Gjithçka konsiderohet nul. A mund të diskutohet tani mbi diçka që nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike?? Nul i gjithë procesi. Zgjedhje nuk ka patur. E vetmja pyetje tani që mbetet të bëhet është: Kush do të mbajë përgjegjësi tani për të gjithë dëmin ekonomik, juridik, moral, të krijuar nga veprimtaria e paligjshme e KQZ? I bëj thirrje Prokurores së Përkohshme të fillojë menjëherë çështjen penale për “Shpërdorim detyre” në ngarkim të anëtarëve të KQZ”, shkruan Kryemadhi.

Kryemadhi përgatitet për 13 tetorin: Nuk ka pushime për LSI

Monika Kryemadhi u mohon pushimet verore strukturave të saj partiake në mënyrë që të përgatiten për zgjedhjet e 13 tetorit. Ky reagim erdhi në të njëjtën ditë që Basha për herë të parë njohi 13 tetorin si një mundësi e mirë për të dalë nga kriza.

Kryemadhi tha se për LSI muaji korrik dhe gusht nuk do të jenë muaj pushimesh por përgatitjesh për zgjedhjet, që sipas saj do të jenë më 13 tetor. Këtë deklaratë, Kryemadhi e bëri gjatë një takimi me strukturat e LSI në Durrës. Pasi i falënderoi simpatizëntët e saj për braktisje të votimeve të 30 qershorit, Kryemadhi tha se beteja nuk është për karrigen por për ndryshimin e të ardhmes së shqiptarëve.

 “Falenderoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI që bojkotuan votimet moniste të 30 qershorit, pavarësisht presionit kriminal dhe trysnisë së pushtetit me bukën e gojës dhe vendin e punës. Strukturat e LSI janë të angazhuara plotësisht në të gjithë vendin.

Muaji korrik dhe gusht nuk do të jenë muaj pushimi, por pune të plotë për zgjedhje. Në këtë betejë jemi, jo për një zgjidhje të momentit për klasën politike, por për ndryshimin e sistemit për të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. Votimet e Rilindjes së 30 qershorit u refuzuan në mënyrë plebishitare nga shqiptarët’’ – tha Kryemadhi

Kryemadhi te Glover, i dorëzon shkeljet e 30 qershorit

Shefja e misionit të OSBE/ODIHR, Audrey Glover ka zhvilluar ditën e mërkurë një takim me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Në takim Kryemadhi i ka paraqitur shefes së misionit OSBE/ODIHR, Glover një dosje të plotë ku sipas LSI janë paraqitur të gjitha shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor për votimet e kryera më 30 qershor.

Kryemadhi i ka cilësuar votimet e 30 qershorit si maskarada më e madhe e këtyre 29 viteve pluralizëm, por cilëson se kjo do të jetë e fundit. Kryemadhi tha se është turp për klasën politike, që pas gati 3 dekadash demokraci ende diskutohet për procese zgjedhore aspak demokratike dhe në shkelje të ligjit.

 “I dorëzova asaj një dosje voluminoze me të gjitha shkeljet e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor për votimet moniste të 30 qershorit. Është shumë e rëndë për demokracinë shqiptare dhe turp për klasën politiken që 29 vite pas vendosjes së demokracisë pluraliste, vazhdojmë flasim për pamundësi mbajtjesh së proceseve zgjedhore në respekt të ligjit. Akoma nuk kemi një proces zgjedhor ku qytetarët të votojnë të lirë e në mënyrë të fshehtë pa ndikimin e krimit të organizuar dhe intimidimin e tyre me bukën e gojës apo vendin e punës, si dhe ku rezultati në reflektimin e vullnetit real të qytetarëve të jetë i gjithëpranuar nga palët. Votimet farsë të 30 qershorit ishin maskarada më e madhe, por besoj edhe e fundit! Shqipëria do ketë zgjedhje demokratike, sipas parimeve europiane, nga të cilat do dalin përfaqësues që do rivendosin shtetin e së drejtës dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë në rrugën e duhur”, tha Kryemadhi.

Takimi i Glover me Kryemadhin, vjen një ditë pas takimit me liderin e PD-së, Lulzim Basha. Edhe pse PD, LSI dhe aleatët e tjerë të opozitës nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, Glover ka vendosur të zhvillojë takime me drejtuesit e opozitës si para ashtu edhe pas 30 qershorit.

Më herët Glover ka deklaruar se ajo do të mbajë shënim të gjitha pretendimet e partive të ndryshme mbi zgjedhjet e 30 qershorit dhe do t’i pasqyrojë ato në raportin përfundimtar të OSBE.

Përçahet opozita, Monika ‘flirton’ me Ramën

Monika Kryemadhi prej disa ditësh ka dalë me qëndrime më të moderuara se kryetari i Partisë Demokratike, në lidhje me vijimin e aksionit opozitar dhe zgjidhjen e krizës. Shefja e LSI-së, deklaroi tre ditë më parë, se ishte gati për dialog me Edi Ramën, por me kushtin e vetëm që Kryeministri, të paraqitet në tryezën e dialogut si kryetar i PS-së. Ky qëndrim i Kryemadhit, nuk ka marrë mbështetje nga liderë të tjerë të opozitës, por as nuk është kundërshtuar.

Megjithatë, Lulzim Basha vijon të mbetet i prerë në qëndrimin e tij, Rama të largohet dhe më pas zgjidhet kriza. Por, qëndrimet e Bashës, duket se tashmë nuk janë në koherencë të plotë me ato të Kryemadhit. Shefja e LSI, mbrëmjen e vonë të së martës, ka folur në një studio televizive, ku është shprehur se “ Të jem unë si Lulzim Basha unë shkoj në zgjedhje me Edi Ramën. Sot të shkosh në zgjedhje me Edi Ramën kemi 90% të shqiptarëve. Ja kam thënë dhe Basha e di shumë mirë këtë gjë, jo vetëm Basha por shumë të tjerë. Nuk kam asnjë kontraditë (me Bashën), jemi të rakorduar. Jemi në negociata me ndërkombëtarët. Sot opozita është në udhëheqje të opinionit kombëtar dhe shqiptar”.

Një deklaratë e fortë kjo e Kryemadhit, që bëhet për herë të parë pas pesë muajsh aksion opozitar, dhe që duket se vë kreun e PD-së nën presion për të pranuar hyrjen në dialog. Në këtë pikë, deklarata e Monika Kryemadhit duhet lexuar edhe si një sfidë ndaj Lulzim Bashës për 13 tetorin. Të gjithë aleatët e vegjël të Bashës kanë deklaruar më herët se do të futen në zgjedhjet e 13 tetorit, edhe LSI e Monika Kryemadhit do të mbështesë dekretin e Ilir Metës. I vetmi që nuk ka pranuar këtë dekret deri më tani, është Lulzim Basha, i cili deklaroi më 27 qershor (ditën që doli dekreti) se nuk do të pranonte asnjë datë zgjedhjesh pa largimin e Ramës.

Në këto kushte, Monika Kryemadhi, e vënë edhe nën presion elektoral, tashmë që nuk do të ketë më asnjë pushtet lokal dhe qendror, dhe me rrezikun e firove në rradhët e partisë së saj, duket se po kërkon një proces të përshpejtuar të zgjidhjes së krizës dhe shkuarjen në zgjedhje sa më parë, pasi vetëm kështu mund të shpëtohet LSI.

Këtë e vërteton edhe një sondazh i fundit i Eduard Zaloshnjës, i cili tregon se LSI, nëse zgjedhjet mbahen sot, humb më shumë se 140 mijë vota në krahasim me zgjedhjet e fundit. Ndërkohë, këto vota që kanë rrjedhur nga LSI, kanë shkuar te PD-ja, pasi po sipas këtij sondazhi, Partia Demokratike kishte  pësuar një rritje me rreth 100 mijë vota.

Kryemadhi si Basha për ndryshimin, si Meta për Shqipërinë!

Disa orë pasi Lulzim Basha publikoi një video të protestës së 8 korrikut, ku fjalën më të përdorur të përshkrimit të tij kishte “ndryshimin”, shembullin e kreut të PD-së, e ka ndjekur dhe partnerja e tij opozitare, Monika Kryemadhi. Kryetarja e LSI-së, ka publikuar gjatë pasdites të së martës një video nga protesta, ku përsëri flet për ndryshimin. Megjithatë, ndryshe nga Basha, Monika është më e përmbajtur te përdorimi i fjalës “ndryshim”, pasi e përdor vetëm një herë këtë fjalë, ndryshe nga Basha, që e përdorte plotë gjashtë herë, në pesë fjali.

Monika Kryemadhi shkruan se “shqiptarët meritojnë një qeveri që mban përgjegjësi para popullit, një sistem demokratik funksional që vjen nga zgjedhjet e lira e të ndershme, një Shqipëri ku të gjithë janë të barabartë para drejtësisë, me mundësi të barabarta për punësim, mirëqenie, shëndetësi, arsim dhe ku dinjiteti njerëzor nuk nëpërkëmbet”.

“Ky është momenti për t’i dhënë Shqipërisë një shtet me institucione të forta dhe sistem që nuk çimenton kontrollin e individit mbi shtetin por garanton fuqinë e popullit mbi pushtetin. Pazaret në kurriz të shqiptarëve për karriket e politikës kanë marrë fund. Ne jemi së bashku në këtë betejë si qytetarë të barabartë që duan më shumë Shqipërinë se sa partinë. Rruga jonë është e mbushur me sfida dhe ne jemi të gatshëm t’i përballojmë. Sepse për ne Shqipëria është e para, shqiptarët janë të parët. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan në komentin shoqërues të videos nga protesta.

Ndërsa në mesazhin e videos, ndër të tjera theksohet “protestat e shqiptarëve janë për ti dhënë fund tranzicionit 30 vjeçar që ka kapur  Shqipërinë”. Pra, në fakt, shefja e LSI thotë diçka të vërtetë në këtë rast, pasi ajo, bashkëshorti i saj Ilir Meta, Sali Berisha dhe disa politikanë të tjerë, kanë prej 1990-së që mbajnë Shqipërinë në tranzicion.

Skip to toolbar