Murrizi: Kryetare grupi, Hajdari. Disa deputetë u tërhoqën

Nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi foli për tentativën për shkarkimin e kryetares së grupit “Demokrat” Rudina Hajdari. Murrizi tha se pati një kërkesë për disa deputetët për zëvendësimin e saj, por që në fund nuk u arrit pasi një pjesë e tyre u tërhoqën. Sipas Murrizit kjo ndodhi për arsye të mosmarrëveshjeve në grup, por që janë debate normale.

Çdo grup ka debate dhe kjo për mua është gjë e mirë. Për disa arsye të mos funksionimit në mënyrë perfekte të grupit, nga disa deputet u kërkua që znj.Hajdari të jepte dorëheqjen nga kreu i grupit duke menduar që është e ngarkuar me disa funksione të tjera. Pastaj disa deputet u tërhoqën nga kjo kërkesë dhe kaq. Rudina vazhdon të jetë kryetare e grupit.” tha Murrizi gjatë një interviste për “Gazetën Shqiptare”.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve, Murrizi tha se opozita e re është e bashkuar në qëllimin e saj madhor: Ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Opozita e re është e bashkuar rreth një qëllimi të vetëm që është ndryshimi i sistemit zgjedhor. Për të tjera ata kanë treguar me vepra që janë deputetë rebelë e nuk mund të pretendoj askush se mund t’i mbajë në rresht apo t’i trajtojë si ushtarë.” – tha Murrizi.

Rudina Hajdari vijon të qëndrojë në krye të grupit parlamentar demokrat, pasi dy deputetë të opozitës së re, Fatjona Dhimitri dhe Halit Valteri, u tërhoqën nga firma e tyre për të zgjedhur si kryetar të ri Korab Litën. Deputetja Hajdari tha se ndaj deputetëve është ushtruar presion nga Korab Lita dhe gangsterët e tij, dhe do i drejtohej prokurorisë me pamjet filmike të disponuara nga Kuvendi.

SPAK, Murrizi: Tani ‘Peshqit’ e mëdhenj në burg

Të martën u miratua lista paraprake me 15 emrat e prokurorëve, të cilët do të synojnë një vend  në Prokurorinë Speciale (SPAK). Krijimi i këtij organi, që del nga Reforma në Drejtësi, është çelsi i edhe për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në tetor. Në një intervistë televizive, nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi, ëshë shprehur se rezultatet e SPAK do të jenë të shpejta. Sipas tij, peshqit e mëdhenj, do të bien shumë shpejt në “grepin” e Prokurorisë Speciale për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Do të ishte mirë të vinin amerikanë apo anglezë për një periudhë kohe, por këta kemi tani. Ishalla uroj që të gjithë këta me kurajo dhe integritet të kalojnë edhe vettingun dhe të fillojë kjo strukturë dhe të merren me ata që janë bërë si baballarët e kombit. Do të merren ustallarët e baballarëve të kombit. Ata që ua kanë futur dy këmbët në një këpucë do i detyrojnë”.

“Peshqit e mëdhenj? Goditjet e para besoj që do të jenë brenda këtij viti. Hajduti nuk ka ngjyrë, këta janë në një vend. Nuk janë veç e veç për të vjedhur, po të hapësh tefterët e biznese do të shikosh gallatë. Kjo është arsyeja që prej 20 e ca vitesh punojnë 2-3 biznesmenë që kur ka qenë Nano, qeveria ime, por edhe kjo punonin bashkë, që Basha u thotë tani oligarkë. E kanë mbyllur rrethin. Kur ndajnë me ata i quajnë biznesmenë, kur nuk ndajnë i quajnë oligarkë” tha ai.

Murrizi: 15 deputetë do shoqërojnë Metën në qeli

Nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi, i cili është pjesë e grupit parlamentar të PD-së tha të enjten në seancë parlamentare se 15 deputetë do të shoqërojnë presidentin në qeli.

Në këtë kontekst, Murrizi ishte i qartë kur theksoi se kushdo që ka futur duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë, qoftë president apo zyrtar i lartë i shtetit, sipas tij, meriton të shkojë pas hekurave.

“Hallin që keni me presidentin është hall i përbashkët, i 10-15 individëve që shumë shpejt do të jenë ortakë apo banorë të ndonjë burgu të famshëm a të Reçit apo Peqinit, apo të ndërtojë ndonjë të

vetin si Eskobari. Edhe luftën që keni me njëri tjetrin nuk na bie mendja fare, keni që në 1942 me Qemal Stafën që keni vrarë dhe prerë njër-i tjetrin. Kështu që të gjithë, nëse meritojnë të shkojnë në burgun e Reçit, rruga e mbarë qoftë. Nga presidenti, ish-presidenti, kryeministri, ish-kryeministri, nëse meritojnë nga kjo drejtësi që të shkojë në burg, le ta gëzojnë, nëse i njohim do t’i çojmë ndonjë paketë cigare. Haramin nuk do të gëzojë askush, as çunat që ishin dhe as çunat që janë këtu”, u shpreh deputeti i opozitës.

Ai gjithashtu tha se opozita është gati të mbështesë nismën e PS për të shkarkuar presidentin, ndërsa në këmbim të votave kërkoi miratimin e reformës zgjedhore dhe zhbërje të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.

“Ne do ta kushtëzojmë çdo ndryshim me reformën zgjedhore. Po keni qejf i bëni zgjedhjet edhe në 16 tetor t’i bëni qejfin liderit. Do të kushtëzojmë votën edhe për ligjet e reformës në drejtësi edhe për të shpallur shokun Mehmet armik dhe për ti vënë prangat te komiteti qendror vetëm me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ta ndryshojmë kushtetutën e prillit të 2008. Kështu që nëse do të votojmë ndryshimet zgjedhore, do keni edhe votat tona për çdo nismë”, deklaroi ai.

Skip to toolbar