Udhëheqësit
e NATO-s u mblodhën të mërkurën në një vendpushim golfi pranë Londrës për të
paraqitur një front të bashkuar mes mosmarrëveshjeve të hidhura mbi
terrorizmin, Turqinë dhe rritjen e ndarjes së barrës me Shtetet e Bashkuara.
29
udhëheqësit, përfshirë Presidentin Donald Trump, pozuan për një fotografi
tradicionale “familjare” përpara se të largoheshin për takimin e
planifikuar prej tre orësh. Udhëheqësit e NATO-s thanë se “veprimet
agresive” të Rusisë ishin një kërcënim për sigurinë euro-atlantike dhe
ndikimi në rritje i Kinës
paraqet
mundësi dhe sfida për aleancën. Në një deklaratë të publikuar pas samitit të
Londrës, 29 udhëheqësit riafirmuan “lidhjen e qëndrueshme
Transatlantike” midis Evropës dhe Amerikës së Veriut, dhe parimin e
mbrojtjes së ndërsjellë sipas të cilit një sulm kundër një vendi anëtar
vlerësohet si një sulm kundër të gjithëve.
Në
kuadër të takimeve të Natos, Presidenti Trump u takua me Presidentin turk
Rexhep Tajip Erdogan. Shtëpia e Bardhë tha se “të dy Presidentët diskutuan
mbi rëndësinë përmbushjes së angazhimeve të Turqisë ndaj aleancës, forcimin e
mëtejshëm të tregtisë përmes një marrëveshjeje dypalëshe prej 100 miliardë
dollarësh, sfidat rajonale të sigurisë dhe energjinë.”
Një
ditë më parë, udhëheqësit ishin mbledhur për takime joformale për të shënuar 70
vjetorin e themelimit të aleancës, por festimet u zbehën kur tensionet mes
Presidentit Trump dhe Presidentit Francez Emmanuel Macron u shfaqën publikisht përmes
ekranit të televizionit.
Në
një seancë gati 40-minutëshe me gazetarët, të dy udhëheqësit u përplasën për
një numër çështjesh, përfshirë ndarjen e barrës brenda NATO-s, terrorizmin,
inkursionin e Turqisë në veri të Sirisë dhe tërheqjen e Shteteve të Bashkuara
nga një traktat armësh me Rusinë.
Të
dy udhëheqësit u takuan disa orë pasi Presidenti Trump kritikoi Presidentin
Macron për deklaratën e tij të fundit duke e cilësuar NATO-n se po përjetonte
një “vdekje klinike”, për shkak të udhëheqjes së zvogëluar të Shteteve
të Bashkuara. Presidenti Trump e quajti atë një “deklaratë të
rrezikshme”.
Ndërsa
të dy udhëheqësit u ulën për bisedime, Presidenti Trump paralajmëroi vendet
anëtare të NATO-s që nuk plotësojnë kuotën 2% të PBB-së për mbrojtjen
kolektive, se mund të përballen me “pasoja tregtare” duke iu referuar
tarifave të produkteve, përfshirë ato për verën franceze.
Kjo
bëri që Presidenti Macron, i cili aktualisht po kontribuon me 1.9% të PBB-së të
Francës për NATO-n, të përgjigjej.
“Nuk
është vetëm çështje parash,” tha presidenti Macron. “Po paqja në Evropë?” pyeti
ai Presidentin Trump.
“Është
e pamundur të thuash vetëm se duhen paratë, ushtarët, pa patur të qartë
themelet e asaj që duhet të jetë Nato-ja, tha Presidenti Macron.
Macron
tha se ai mbështet një komponent më të fortë evropian në NATO, por theksoi se
pas përfundimit të Traktatit INF (Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme), vendet
evropiane përballen me një kërcënim të ri të raketave ruse.
Administrata
Trump u tërhoq nga traktati i kontrollit të armëve në vitin 1987 midis Shteteve
të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik në gusht pas atyre që thotë se ishin
shkelje të përsëritura të Moskës ndaj marrëveshjes.
Trump
dhe Macron argumentuan rreth mënyrës së zgjidhjes së problemit me Shtetin
Islamik pas tërheqjes në tetor të forcave amerikane nga Siria, një veprim që
Presidenti Trump e bëri pa u këshilluar me aleancën. Tërheqja hapi rrugën që
Turqia të niste një ofensivë kundër milicisë kurde, aleate e Shteteve të
Bashkuara në veri të Sirisë dhe shkaktoi shqetësim mes aleatëve për një ringjallje
të mundshme të ISIS-it.
Në
përgjigje të një pyetje nëse Franca duhet të bëjë më shumë për të marrë
luftëtarët e Shtetit Islamik të kapur në Lindjen e Mesme, Presidenti Trump e
pyeti Macronin nëse ai do të donte “disa luftëtarë të spikatur të
ISIS-it”.
Presidenti
Macron u përgjigj duke thënë se problemi kryesor janë luftëtarët e ISIS-it në
rajon. Duke iu referuar tërheqjes së papritur të Shteteve të Bashkuara nga
veriu i Sirisë, Macron tha “ka gjithnjë e më shumë nga këta luftëtarë për
shkak të situatës së sotme”.
Macron
është “më shumë në krah të atyre që duan të përballen me krizën dhe të
flasin për të,” tha Hans Kundnani nga organizata Chatham House. Ai është
një “faktor shkatërrues” në krahasim me liderët e tjerë që mund të
zgjedhin të shoshisin mosmarrëveshjet, tha zoti Kundnani.
Samiti
vjen ndërsa Trump përballet me një hetim të Dhomës së Përfaqësuesve për
shkarkimin e tij. Ai përsëriti kritikën e tij të martën për demokratët që
kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se është e padrejtë të mbahen
seanca dëgjimore ndërsa ai po merr pjesë në samit.
Trump
nuk është presidenti i parë i amerikan që merr pjesë në një samit të NATO-s nën
renë e fajësimit. Në vitin 1974 Richard Nixon shkoi në takimin e 25-vjetorit të
NATO-s në Bruksel, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve po përmbyllte hetimin e saj për
procesin e shkarkimit. Nixon dha dorëheqjen pak javë më vonë./VOA/