Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, Stoltenberg: Ishte i nevojshëm për të mbrojtur popullsinë

Ndërhyrja e forcave të NATO-s në vitin 1999 ishte vendimtare për përfundimin e agresionit serbë ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. 10 qershori njihet si ndalja e bombardimeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut ndaj ushtrisë serbe, që ndërhyri në Kosovë, duke kryer masakra të përgjakshme ndaj popullsisë civile. Në kuadër të kësaj date, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur për gazetën “Politiko”, duke konfirmuar dhe njëherë rëndësinë që pati ndërhyrja e aleancës për ndaljen e luftës në Kosovë.

Unë e di se NATO vazhdon të shkaktojë ende polemika në Serbi. Shumë prej tyre ende janë kujtime të këqija të fushatës ajrore në vitin 1999. Është edhe më e vështirë për ata që humbën të dashurit e tyre. Çdo jetë e humbur e pafajshme është një tragjedi. Dhe ne kemi shumë keqardhje për këtë”, tha Jens Stoltenberg.

Stoltenberg është shprehur gjithashtu se fushata e NATO-s nuk ishte kundër popullsisë serbe, por regjimit të Millosheviçit. “Kjo fushatë nuk është drejtuar kurrë kundër popullit serb. Përkundrazi. Qëllimi ishte mbrojtja e civilëve në rajonin e gjerë duke ndaluar veprimet e regjimit të Millosheviçit, të cilin bashkësia ndërkombëtare e dënoi. Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë të kaluarën, por ne duhet të mësojmë prej saj dhe ta lëmë pas”, vuri në dukje Stoltenberg.

Stoltenberg: Rusia, tentativa për destabilizim e rajonit. Rama: Protestat, ujë për mullirin rus

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, doli në konferencë për shtyp së bashku me Kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës që pati në Tiranë. Jens Stoltenberg u shpreh se Aleanca e Atlantikut të Veriut do të vijojë investimin në bazën ushtarake të Kuçovës, duke theksuar se ky investim nuk do të kushtëzohet nga trazirat politike në vend. Ndërsa u shpreh se ky investim është mënyra më e mirë për të parandaluar konfliktet, ndërsa shtoi se ka informacione se Rusia po bën përpjekje për tu përfshirë në institucionet e vendeve anëtare të NATO-s.

Rusia po bën përpjekje për t’u përfshirë në institucionet tona, duke u përfshirë edhe në proceset demokratike të vendeve anëtare. Trazirat politike dhe tensionet që kemi parë nuk do të ndikojnë si mënyrën si do të realizojmë investimet në bazën e Kuçovës. Për mua kjo është një shembull sesa e rëndësishme është NATO për Shqipërinë dhe e kundërta”, tha Jens Stoltenberg.

Gjatë fjalës së tij, Rama i pyetur nga media, ka folur edhe për influencën ruse në Shqipëri dhe Ballkan. Duke folur për opozitën, e cila ka paralajmëruar mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve në datën 30 qershor, Rama tha se ky do të ishte një akt që do të njolloste vendin, si pjesë e NATO-s. Ndërsa, sipas Ramës, nëse këto skenare do të ndodhin, ato do të çonin ujë në mullirin e atyre që nuk duan integrimin e Shqipërisë në BE.

Së pari, nuk është sekret, ose mbase është sekreti më i madh publik, që qasja e Rusisë ndaj BE dhe proceseve integruese nuk është një qasje miqësore. Së dyti, unë dua të nënvizoj faktin se në asnjë vend të NATO nuk ka ndodhur, çka po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore jo vetëm të opzitës, paralajmërojnë dhe përpiqen, dhe mesaduket do të përpiqen që të ndodh këtu”.

“Do të ishte një njoll për vendin tonë si një vend anëtar i NATO. Së treti patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat e NATO dhe BE, dhe si e tillë, me ose padashje çon ujë në mullirin e atyre që nuk e dëshirojnë integrimin e  Ballkanit Perëndimor as në NATO as në Bashkimin e Europian”, tha Rama.

Stoltenberg për opozitën: Dhuna e papranueshme për NATO-n! Mos minoni zgjedhjet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO,  i ka bërë thirrje opozitës  vetëm pak orë para protestës së radhës që mos të minojë procesin e zgjedhjeve, pasi sipas tij dhuna është e papranueshme për aleancën euro-atlantike dhe duhet dialog mes palëve. Jens Stoltenberg e dha këtë mesazh gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.

“Debati politik, mosmarrëveshjet janë pjesë e demokracisë dhe kjo është shenjë force, por dhuna nuk është e pranueshme dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike. Respektoni institucionet demokratike. Zgjedhjet janë një pjesë themelore e demokracisë dhe prandaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve që të marrin pjesë dhe kontribuojnë në dialog dhe jo të minojnë institucionet demokratike. Ne duhet të mbështesim institucionet demokratike dhe mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes dialogut” deklaroi Stoltenberg. Më tej, ai deklaroi se trazirat politike dhe tensionet në Shqipëri nuk do të ndikojnë në vendimet e NATO-s, teksa iu referua investimin në bazën ajrore në Kuçovë.

Po ashtu, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Stoltenberg falënderoi Shqipërinë për kontributin në NATO dhe shprehu ngushëllimet për dy ushtarakët shqiptarë që humbën jetën gjatë misionit me forcat paqeruajtëse në Letoni.

Stoltenberg mesazh Bashës nga kryeministria tre ore para protestës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg mbërrin ditën e dielë në Tiranë. RealStory ka mësuar se kreu i Aleancës së Atlantikut të Veriut, përpara së të udhëtoj për në Maqedoninë e Veriut, ku do të zhvilloi në takim dy ditorë, të planifikuar që më parë, do të bëjë një ndalesë në Tiranë. Stoltenberg pritet të takohet me Kryeministrin Edi Rama. Vizita e tij vjen në të njëjtën ditë kur opozita ka planifikuar protestën e radhës kombëtare. Sipas burimeve të RealStory.al, Stoltenberg do të bëjë një ndalesë të shkurtër për 2 orë në Tiranë dhe do të japë një konferencë për shtyp në Kryeministri me një mesazh të qartë për opozitën, që do të zhvillojë protestën e saj 3 orë më pas.

Konferenca për shtyp pritet të mbahet në kryeministri në orën 15:30, ndërsa opozita do të nis protestën e saj në orën 19:00.

Edhe në axhendën e tij të bërë publike nga NATO, thuhet se Stoltenberg do të vizitojë Maqedoninë e Veriut më 2 dhe 3 qershor, ndërsa nuk parashikohet asnjë vizitë në Shqipëri.

“NATO bombardoi Serbinë, pasi pa gjendjen në Kosovë”. Flet ish-kancelari gjerman

Ish kancelari gjerman, Gerhard Schreder është përplasur me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në lidhje me vendimin e NATO-s për të bombarduar Serbinë gjatë luftës me Kosovën. Që të dy politikanët kanë qenë pjesëmarrës në një konferencë në Beograd, ku Vuçiç e quajti të gabuar sulmin e NATO-s mbi Serbinë.

 “Do të ishte shumë lehtë të kritikohet Schreder dhe të thuhet se sulmi i NATO’s ka qenë vendim i keq. Ne duhet të falim, por kurrë ta harrojmë”, ka thënë Vuciç.

Ndërkaq ish-kancelari gjerman sqaroi se vendimi për të sulmuar Serbinë u mor pasi u pa situata e rëndë në Kosovë.

“Vendimi i parë ishte për në Irak, ne vendosëm nëse duhet të marrim pjesë ose jo. Tjetër vendim i vështirë ka qenë të pranojmë ndërhyrjen në Afganistan. Bashkë me aleatët në NATO ne morëm vendim ta sulmojmë Serbinë. Ishte një vendim emocionues, por ne duhet të vendosnim që marrim pjesë në bombardime duke  parë gjendjen në Kosovë”, ka thënë Schreder në konferencë.

NATO ankorohet në portin e Durrësit

Forcat e NATO-s janë ankoruar në Portin e Durrësit në kuadër të 10 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut. Dy fregatat të grupit të gatshëm të NATO-s ndodhen në portin e Durrësit.

Grupi i gatshëm i NATO është një forcë ndërkombëtare e përbërë nga anije të vendeve të ndryshme të aleancës që stërviten dhe kryejnë operacione si një grup i vetëm. Komandanti i anijes holandeze, Boudewjn Boots tha se NATO është e gatshme të bashkëpunojë më të gjitha vendet anëtare për t’ju përgjigjur situatave të ndryshme.

“Duhet ta vizitojmë më shpesh Shqipërinë, qëkur u bë anëtare e NATO-s. Me vjen mirë që jemi këtu bashkë me kolegët tanë shqiptarë dhe jemi gati të bëjmë çfarë është e nevojshme. Ne po bashkëpunojmë me të gjitha vendet anëtare për t’ju përgjigjur në kohë të gjitha detyrave dhe situatave që paraqiten.” – tha Boudewjn Boots

Ndahet nga jeta ushtaraku shqiptar, reagon NATO: Humbëm një nga tanët

Incidenti në bazën ushtarake të Letonisë, i mori jetën një tjetër ushtaraku shqiptar, major Klodian Tanushit. Ai mbeti i plagosur pas shpërthimit të minës, por pasi luftoi për gati 1 javë në spital, mbrëmë ndërroi jetë. Grupi i NATO-s në Letoni i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të majorit duke thënë se “humbëm një vëlla nën armë”.

“Është dhimbje e madhe që sot ka ndërruar jetë Major Klodjan Tanushi. Ne i shprehim ngushëllimet tona më të thella bashkëshortes, fëmijëve dhe të afërmve të tij. Pasi luftoi për jetën e tij, Major Klodjan Tanushi vdiq nga lëndimet e pësuara gjatë një detyre të EOD, në vijën e detyrës më 6 maj 2019, që mori gjithashtu jetën e Nëntetares Zarife Hasanaj. Kemi humbur një nga tanët, një vëlla nën armë. Në këto kohë dhimbjeje, mendimet tona shkojnë tek të dashurit, miqtë dhe kolegët e tij. Jeta e tij do të kujtohet”, shkruhet në njoftimin e NATO-s.

Vdekja e efektives shqiptare, reagon kryeministri letones

Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins ka shprehur ngushëllimet e tij për rastin tragjik të shpërthimit të një mine ku mbeti e vdekur efektivja e Forcave të Armatosura Shqiptare, Zarife Hasanaj dhe u plagosën dy ushtarakët e tjerë, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj.

“Një ditë e trishtuar për të gjithë ne për shkak të aksidentit tragjik në bazën ushtarake Adazi. Ngushëllimet e mia për familjen e një anëtari të Forcave të Armatosura Shqiptare, që humbi jetën.
Uroj një shërim të shpejtë të ushtarëve të tjerë të lënduar. Letonia është mirënjohëse për Shqipërinë për kontributin e saj në misionin NATO.”

Zarife Hasanaj ishte pjesë e misionit të NATO-s për demontimin e minave gjatë një misioni në Letoni.

Meta në kolegjin e NATO-s: Politika e ‘Dyerve të Hapura’ edhe për vendet e tjera të Ballkanit

Në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë si i “Ftuar i Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në Romë.

Gjatë fjalës së tij në auditorin e Kolegjit, Presidenti Meta nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor e njëkohësisht është një përgjegjësi e madhe për t’i shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë së rajonit tonë, në Mesdhe dhe më tej.

“Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, veçanërisht në përmbushjen e rolit të saj të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti në rajon, si promotore e palodhur e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, si mbështetëse e vendosur e politikës së ‘Dyerve të Hapura’ të NATO-s dhe si partnere strategjike e Aleancës përmes një politike të jashtme koherente dhe të besueshme. Shqipëria është një partner i besueshëm i NATO-s dhe lider në të gjitha nismat rajonale me qëllim rritjen e masave të besimit mes vendeve të rajonit, forcimin e bashkëpunimit dhe ndarjen e përvojës së saj të anëtarësimit. ” – ka thënë Meta

Meta foli edhe për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut por edhe Kosovës si një domosdoshmëri për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit të Ballkanit.

“Ne jemi të bindur se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte veprimi i duhur dhe i domosdoshëm me impakt rajonal dhe gjeostrategjik. Aleanca provoi fuqinë, forcën dhe vendosmërinë e saj duke sfiduar me sukses përpjekjet serioze që synonin dështimin e këtij procesi. Jemi të lumtur sot për përfundimin e sagës së gjatë të mosmarrëveshjes mes Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, sepse jam i bindur se anëtarësimi i vendit tonë fqinj në NATO dhe në Bashkimin Europian është një gur tjetër themeli për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria mendon se përshpejtimi i hapave të Kosovës dhe vendeve të mbetura të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian do t’i shërbente jo vetëm sigurisë dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të Ballkanit por edhe bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve të huaja, kryesisht nga vendet e Aleancës dhe të Bashkimit Europian.” – tha Meta

Skip to toolbar