Deputeti i CDU/CSU: Merkel na ndryshoi mendje për Shqipërinë

Deputeti gjerman i grupit CDU/CSU Christian Schmidt tha se ndryshimi i mendimit të këtij grupi për hapjen e negociatave për Shqipërinë erdhi si pasojë e një impenjimi të fortë dhe personal të kancelares Merkle. Për Schmidt grupi i CDU/CSU ndryshoi mendimin nga qershorit deri në shtator fal Merkel dhe kontakteve që Gjermania ka pasur me nivele të larta qeverisëse.

“Në qershor, pavarësisht qëndrimit të qeverise federale, grupi mund të kishte tendencën për një ‘ndarje’ të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Vlerësimi në atë moment ishte i favorshëm për Maqedoninë e Veriut, ndërsa për Shqipërinë nuk kishte disponim pozitiv dhe vendimmarrja për të mund të lihej për një moment të mëvonshëm. Në vlerësimin tonë ndryshimi brenda grupit të CDU/CSU i dedikohet në radhë të parë impenjimit personal të Kancelares Merkel, e më tej kontakteve te ndërmarra nga vendi ynë deri në nivelet më të larta”. Tha Schmidt gjatë  fjalës së tij në Forumin e Ambasadorëve të Ballkanit Perëndimor.

Grupi i CDU/CSU miratoi një rezolutë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe më pas u miratuar në Bundestag me 395 vota “PO”.

Kuvendi, rezolutë për negociatat: Dialog për reformat

Deputetet Rudina Hajdari dhe Senida Mesi propozojnë një Rezolutë për “Çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian”. Dy deputetet hartuese të Projektrezolutës, kërkojnë që “Kuvendi të vijojë me intensitet punën e tij në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Kushtetuta, Rregullorja e tij si dhe ligjet në fuqi përsa i përket në veçanti procesit të integrimit në Bashkimin Europian”.

Ndërsa më tej, kërkohet që “Reforma në Drejtësi, administrata publike, lufta kundër kundër korrupsionit, apo Reforma Zgjedhore”, të jenë prioritet i punës së Kuvendit.  Projektrezoluta kërkon që në kuadër procesit të integrimit, “Kuvendi të angazhohet në zbatimin e reformave”. Veç Kuvendit, Projektrezoluta i drejtohet dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të cilat në datat 17-18 tetor, do të vendosin për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Po cilat janë 10-të pikat që përmban Rezoluta, dhe që kërkohen të shqyrtohen në Parlament?

Në pikën e parë, Kuvendi duhet të “Vlerësojë raportin e Komisionit Europian dhe rekomandimet e tij për reformat e mëtejshme në kudër të procesit të integrimit”. Një tjetër pikë është “vlerësimi i rolit të tij në drejtimin e zhvillimit të dialogut gjithëpërfshirës, mbështetur në parimet demokratike, brenda kuadrit kushtetues dhe institucional mbi çështjet e integrimit”, ndërsa inkurajon “rolin e mëtjeshëm në mbikëqyrjen e reformave integruese të vendit”,

Një ndër pikat kryesore, është ajo që shpreh “mbështetjen e Reformës në Drejtësi, dhe inkurajon institucionet përgjegjëse për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, SPAK, BKH, Gjykata Kushtetuese, etj”. Ndërsa, në pikën 6 të Projektrezolutës, kërkohet “nga organet ligjzbatuese rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drejtave të njeriut”.

Gjithashtu, Projektrezoluta, kërkon angazhim për reformën zgjedhore, vullnetin politik për të bashkëpunuara për këtë dhe të tjera reforma, ndërsa në fund, shprehet “inkurajimi i vendeve anëtare të Bashkimit Europian që në takimin e ardhshëm të Këshillit të Europës të shprehin vullnetin e tyre për çeljen e negociatave të Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Europian”, përfundojnë 10-të pikat e Projektrezolutës.

Nisur nga sa më sipër, kërkesat e Projektrezolutës për “çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE”, janë as më shumë dhe as më pak, “detyrat” e lëna nga Bundestagu gjerman, që i tha “Po” Shqipërisë për negociatat në datën 27 shtator. /Realstory.al/

Rezoluta e plotë:

Gjermania lobon për Shqipërinë, te skeptikët e BE

Gjermania kërkon një “PO” edhe nga skeptikët e BE-së, Franca dhe Holanda për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ministri i Jashtëm gjerman, social demokrati Heiko Maas, ka bërë thirrje që këto dy shtete t’i bashkohen vendimit “pro” të Gjermanisë me shpresën e se 9 kushtet e vëna për kapitujt dhe forcimin e reformave në vend, të shërbej si një garanci për to.  

Kam besim se qasja e kushtëzuar e propozuar nga Bundestag-u gjerman mund të bindë edhe të tjerët në BE të vendosin të fillojnë negociatat e pranimit. Miratimi i Bundestagut gjerman për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një sinjal i rëndësishëm.

Vendimi nënvizon rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për BE-në . Në të njëjtën kohë, është e qartë se reformat do të shpërblehen. Të dy vendet duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre të reformës në mënyrë që të ecin përpara në rrugën drejt BE-së .” thuhet në deklaratën e Maas, i cili ka nisur një fushatë lobuese në favor të Shqipërisë për marrjen një drite jeshile më 18 tetor nga BE për hapjen e negociatave.

Dy vendet skeptike ende nuk kanë shprehur një qëndrim në lidhje me Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut. Presidenti Macron ka bërë të qartë gjithnjë qëndrimin tij se është kundër një politike zgjerimi të BE për momentin, deri sa të vendosen rregulla të reja. Holanda, nga ana tjetër, ka miratuar më herët një rezolutë ku kërkon heqjen e Shqipërisë nga lëvizja Shengen, pasi i konsideron shqiptarët si trafikantët e drogës dhe kriminel që po shkatërrojnë vendin e tyre.

Mbrëmjen e 26 shtatorit, Bundestagu, me 395 vota pro, miratoi rezolutën që është në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë. Megjithatë hapja e tyre do të varet nga vota e të gjithë anëtarëve të BE që do të jepet më 18 tetor.

Ahmetaj: I bindur, “Po” dhe nga Franca e Holanda

Ish ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se është shpresëplotë se edhe vendet e tjera skeptike në lidhje me Shqipërinë, si Franca apo Holanda do të japin “PO” për hapjen e negociatave ashtu siç bëri Gjermania. Në lidhje me kushtet e vendosura nga Gjermania, Ahmetaj i cilësoi si detyra shtëpie për vendin dhe jo kryeministrin Rama, duke theksuar se puna e qeverisë është vlerësuar deri më tani. Ajo që prite, tha Ahmetaj është që të vijojë bashkëpunimi institucional dhe me opozitën jashtëparlamentare për të ecur përpara me reformën zgjedhore.

Pres një po më 17-18 tetor për hapjen e negociatave. Kushtet mendoj se do jenë në tavolinë. Pozicioni i Bundestagut do jetë ky edhe në KiE. Franca përtej atij emocioni negativ ndaj hapjes ka qëndrim shumë pozitiv ndaj Shqipërisë. Holanda ka pasur idenë se shqiptarët janë grupi më i madh kriminal, por kur panë statistikat ndryshoi stereotipi. Unë besoj se do marrim një ‘Po’ nga Franca dhe Holanda, të formatit siç po bën Gjermania. Këto janë kushte për vendin, nuk janë kushte për Edi Ramën. Edi Rama i ka plotësuar kushtet e veta si qeveri sepse komisioni i ka dhënë ‘OK’ si qeveri”, tha Ahmetaj për News 24.

Në lidhje me ecurinë e reformave në vend, Ahmetaj tha se Shqipëria është maturuar për të hapur negociatat duke përmirësuar reformat e saj dhe institucionet. Një vendim pozitiv nga Gjermania nuk erdhi për shkak të dashurisë tha Ahmetaj, por për shkak të maturimit të vendit. Ai bëri thirrje opozitës që të heqë dorë nga kushtet irracionale dhe të ulet në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore.

Kjo mbështetje nuk vjen rastësisht vetëm nga dashuria, që patjetër ekziston, por se Shqipëria është maturuar për të hapur negociatat. Maturuar me reformat e thella për përmirësimin e institucioneve. Patjetër që i prisja dhe kushtet. Po t’i shohësh kushtet nuk është dëshira e Bundestagut për të vënë disa kushte por janë e mira e Shqipërisë. Miratimi i reformës zgjedhore është betejë e përbashkët e opozitës dhe pozitës. Kryeministri nuk ka thënë asnjëherë jo. Është ftuar opozita jashtë parlamentare të marrë vendet e veta në komisionin e reformës zgjedhore, të thotë fjalët e veta.  Opozita ka përgjegjësinë të mbajë ‘check and ballance’ qeverinë. Unë mendoj që opozita e ka atë racionalitet, të heq dorë nga ato kushte që i konsideroj irracionale, diku-diku të stisura e të ulet të dialogojë në të mirë të vendit.” u shpreh Ahmetaj

Deputeti gjerman: Kushtet për Shqipërinë, të papranueshme

Të Gjelbërit në Bundestag janë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe madje e cilësojnë atë si një vendim të vonuar për të dy shtete. Politikani i Të Gjelbërve, Manuel Sarrazin kritikoi hapur kushtet që iu vendosën Shqipërisë duke e cilësuar atë të padrejtë. Sarrazin tha se të dy vendet janë gati për të çelur negociatat, ndërsa shtoi se BE duhet të tregojë se është një partner i besueshëm.   

Ne, Të Gjelbrit, do ta miratojmë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ky vendim vjen i vonuar dhe u vonua vetëm për shkak të taktikës së zvarritjes të disa pjesëve të grupit parlamentar CDU / CSU. Të dy vendet i kanë përmbushur mjaftueshëm kushtet. BE-ja tani duhet të tregojë se është një partner i besueshëm dhe të hapë bisedimet e anëtarësimit në BE. Kushtet shtesë të formuluara nga koalicioni për Shqipërinë e tejkalojnë objektivin. Është e papranueshme që Shqipëria çdo vit të duhet të përmbushë kushte të reja për negociatat e anëtarësimit në BE.  Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por edhe e padenjë për një bashkë-ekzistencë evropiane,” – shprehet Manuel Sarrazin në një deklaratë për Deutsche Welle-n.

Të gjelbërit iu shtuan në këtë mënyrë votës “pro” hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas CDU/CSU dhe SPD. E vetmja që mbetet ende skeptike është Alternativa për Gjermaninë (AfD), ndërsa pritet që Bungestagu të miratojë më 26 shtator hapjen e negociatave për të dy shtetet.

Bindet Greqia, pro negociatave për Shqipërinë

Ministrat e Jashtëm të katër vendeve anëtare të BE nga Ballkani, Greqia, Kroacia, Bullgaria dhe Rumania, kanë zhvilluar një takim në New York. Ministrat e katër vendeve konfirmuan mbështetjen “pro” integrimit Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Lajmi konfirmohet nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, i cili në një deklaratë zyrtare, shprehet se: “Kam pasur kënaqësinë e madhe që sot të jem me Delegacionin Grek, në takimin me ministrat e jashtëm të tre vendeve të Ballkanit që janë anëtare të Bashkimit Evropian, përkatësisht Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë”.

“Gjatë takimit tonë diskutuam perspektivën e Ballkanit Perëndimor, perceptimin tonë të përbashkët se vedet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një perspektivë evropiane dhe çështjet specifike të zgjerimit në lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Unë mendoj se është një hap i mirë që Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit janë në gjendje të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe të mbajnë qëndrime të përbashkëta për interesin dhe zonën e përbashkët gjeografike brenda Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Greqisë. 

Ky qëndrim pozitiv i Greqisë, që konfirmon mbështetjen për hapjen e negociatave me Shqipërinë, vjen pas takimit që Kryeministri Edi Rama zhvilloi në New York me hologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis. Kryeministri i shtetit fqinj kishte paralajmëruar “veton” për Shqipërinë, por duket se pas takimit me Edi Ramën, Greqia ka ndryshuar qëndrim.

Gjatë takimit mes dy kryeministriave në New York, është diskutuar për hapjen e negociatave dhe tema të tjera të bërbashkëta mes dy vendeve. Ky takim, ishte vendimtar, për të “bindur” Greqinë, se Shqipëria i meriton negociatat me Bashkimin Europian. Rezultati konfirmohet nga Ministria e Jashtme e Greqisë të mërkurën, e cila u shpreh se “vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një perspektivë evropiane”. /Realstory.al/

Maqedonia e Veriut, “PO” nga Gjermania për negociatat

Deputetët e koalicionit CDU/CSU votuan Rezolutën Pro hapjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Partia e kancelares Merkel i thanë “PO” hapjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE, pa kushte. Në rezolutën e votuar vlerësohej përparimi që Maqedonia e Veriut kishte bërë me ecjen para të reformave dhe implementimin e tyre.  

Bundestag gjerman vlerëson progresin që ka bërë Maqedonia Veriore që nga qershori 2018 për Implementimi i Marrëveshjes së Prespës, e cila zgjidh mosmarrëveshjen për emrin me Greqinë si dhe vlerësoi përparim e arritur në rivendosjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias për sundimin e ligjit. Në rezolutë u vlerësuan edhe arritjet e bëra deri tani nga Maqedonia e veriut në reformën e administratës publike, ligjit antikorrupsion etj.

Rezoluta kërkon që Maqedonia e Veriut të vijojë punën e saj me reformat dhe për të përmbushur kriteret e pranimit, veçanërisht në fushat e sundimi i ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që janë edhe baza e ADN-së së Bashkimit Europian.

Të martën CDU/CSU i dha dritën jeshile edhe Shqipërisë duke i vendosur si kusht parësor zgjidhjen e krizës politike në vend. Bundestagu pritet të miratojë më 26 shtator pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa më 18 tetor do të jenë të gjitha vendet anëtare të BE-së që do të japin vendimin përfundimtar në lidhje me negociatat për të dy shtetet.

Teksti i plotë që do miratojë Bundestagu

Të enjten, Buntestagu gjerman do të votojë Rezolutën e miratuar të martën nga Grupi Parlamentar CDU/CSU, ku kërkohet miratimi i hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE. Rezoluta e miratuar nga CDU/CSU përmban nëntë kushte, të cilat në fakt, nuk pengojnë hapjen e negociatave. Ato do të vihen në zbatim në momentin që Shqipëria do të ulet të diskutojë në nivel teknik kapitujt për negociatat me Brukselin.

Më poshtë, teksti i plotë që do të miratojë Bundestagu të enjten më 26 shtator!

Vendimi i plotë i grupeve parlamentare:

Parlamenti gjerman     Qarkore 19/[…]

Legjislatura e 19-të     Datë: 18.09.2019, Ora 15.00

Kërkesë e grupeve parlamentare CDU/CSU dhe SPD

Marrëveshje e përbashkët e Bundestag-ut dhe Qeverisë Federale mbi kërkesën për anëtarësim të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mbi rekomandimin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësueses së Lartë të datës 29 Maj 2019 për çeljen e negociatave të anëtarësimit

Parlamenti gjerman dëshiron të vendosë:

Në samitin e tyre me shtetet e Ballkanit Perëndimor më 21 qershor 2003, krerët e shteteve dhe qeveritë e Bashkimit Evropian (BE) u dhanë vendeve të Ballkanit mundësinë e anëtarësimit në BE nëse i plotësonin kushtet. Shqipëria paraqiti një kërkesë për anëtarësim në BE më 28 prill 2009 në përputhje me nenin 49 të Traktatit për Bashkimin Evropian (TEU). Në qershor 2014, Këshilli Evropian miratoi për Shqipërinë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bazë të vlerësimit të Komisionit Evropian.

Më 29 maj 2019, Komisioni paraqiti një raport mbi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Komisioni rekomandon në këtë raport çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Këshilli Evropian vendosi më 20 qershor 2019 që të marrë një vendim thelbësor sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se Tetori 2019 për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë.

Në letrën e saj të datës 6 shtator 2019, Qeveria Federale i kujtoi  Bundestagut gjerman që Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme më 15 tetor 2019 si dhe Këshilli Evropian më 17 dhe 18 Tetor duhet të vlerësonin përparimet e Shqipërisë dhe të vendosnin për hapjen e negociatave të pranimit në BE. Qeveria Federale i ka referuar Bundestagut gjerman mbi të drejtën e tij për të komentuar vendimet për hapjen e negociatave të pranimit në BE. Sipas nenit 9 të Ligjit për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë Federale dhe Bundestagut gjerman në çështjet e BE-së, Qeveria Federale duhet të ketë dakordëesi me Bundestagun gjerman përpara se ajo të japë miratimin e saj për negociatat e pranimit.

Në raportin e tij para Parlamentit Evropian dhe Këshillit mbi përpari-min e Shqipërisë në arritjen e shkallës së nevojshme të plotësimit të  kritereve të anëtarësimit, Komisioni arrin në përfundimin se Shqipëria ka bërë përparim të qëndrueshëm në zbatimin e reformave në fushat kryesore të administratës, drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të drejtat e njeriut. Në qershor 2018, në kon-kluzionet e tij Këshilli shprehu miratimin për  marrjen e vendimit për hapjen e bisedimeve të pranimit në vitin 2019 në bazë të progresit të arritur deri më tani si dhe përmbushjes së kritereve kyçe të përcaktuara. Që prej asaj kohe Shqipëria i ka çuar më tej përpjekjet e saj për reforma dhe ka bërë përparim në kriteret kyçe. Përveç vlerësimit pozitiv të përparimit të reformave, Komisioni kërkon gjithashtu një përmirësim të klimës politike.

Bundestagu gjerman mbështet perspektivën e Shqipërisë në BE dhe vlerëson pavarësisht gjithë mangësive përpjekjet për reforma në vend. Procesi i anëtarësimit është një shtytës vendimtar për reformat dhe stabilitetin në rajon. Gjermania dhe BE janë veçanërisht të interesuara për stabilizimin dhe bashkëpunimin e fqinjësisë së mirë në rajon. Shqipëria i jep procesit të afrimit në BE një përparësi shumë të lartë, dhe motivimi i këtij vendi të NATO-s për t’u anëtarësuar në BE është i lartë. Vitet e fundit, vendi ka filluar pjesërisht reformat thelbësore politike për të përmbushur kushtet për hapjen e negociatave të prani-mit. Reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi është duke u zbatuar.

Bundestagu gjerman sidoqoftë vëren se gjatë zbatimit të disa priorite-teve kyçe faktikisht u arrit progres, por gjithashtu ekzistojnë shumë deficite. Institucionet e reja për vetë-administrimin në fushën e drejtësisë faktikisht janë ngritur, por nuk janë akoma funksionale. Janë ndërmarrë hapa për forcimin e pavarësisë dhe detyrimit të lloga-ridhënies së drejtësisë. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë tani duhet të plotësohen. Është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet ri-marrja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të kualifikuar dhe të pavarur përmes shkollimit dhe trajnimit.

Tashmë është bërë progres i dukshëm në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Në bashkëpunim intensiv me autoritetet italiane janë reali-zuar fluturime të shumta vëzhguese për të gjurmuar plantacionet. Madhësia e plantacioneve të kultivuara është zvogëluar ndjeshëm.

Sasia e kanabisit të konfiskuar në Itali – një tregues i sasisë së kultivuar – ra me 81% brenda një viti (6,59 ton në vitin 2018 krahasuar me 34,72 ton në vitin 2017). Ekziston edhe një bashkëpunim i ngushtë me autoritetet gjermane. Shqipëria mbetet sidoqoftë, qender e trafikut të drogës për tregun evropian. Trafiku i drogës është rritur ndjeshëm.

Në lidhje me reformën në administratën publike, Shqipëria gjithashtu ka bërë përparim në efikasitetin dhe transparencën e shërbimeve pub-like. Këto duhet të konsolidohen në mënyrë që të ngrihet një admini-stratë publike më efikase, e depolitizuar dhe profesionale.

Përveç pesë prioriteteve kyçe të formuluara nga Komisioni në Raportin e progresit për plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit, OSBE / ODIHR dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës në 2013 dhe 2015 formuluan rekomandime për një reformë zgjedhore. Edhe pse këto nuk janë pjesë e katalogut evropian të kërke-save, Bundestagu gjerman konsideron se është i nevojshëm zbatimi i shpejtë i rekomandimeve. Për këtë qëllim një projekt-ligj u paraqit në dhjetor 2018, por ai ende nuk është miratuar.

Shqipëria është në një krizë politike te brendshme te rende. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme.

II.

Bundestagu vëren se:

Të gjithë 57 gjyqtarët dhe prokurorët e listës prioritare të gjykatave dhe prokurorive të nivelit më të lartë u morën në pyetje në kuadër të procesit të verifikimit. Personat e verifikuar me rezultat negativ u larguan nga detyra.

Është paraqitur një ligj për reformën zgjedhore që përputhet me rekomandimet e OSBE / ODHIR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatës zgjedhore, por mbetet për t’u vendosur.

Janë ndërmarrë disa procedime penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për vepra penale në procesin e vetingut. Të tjera duhet të pasojnë.

Në Gjykatën Kushtetuese u verifikuan të gjithë gjyqtarët dhe u shkarkuan të gjithë gjyqtarët e pakualifikuar nga veting-u. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vetëm një anëtar, ndërkohë që Gjykata ka një numër të madh të çështjeve në pritje. Gjykata Kushtetuese pritet të jetë në gjendje të punojë në muajt e ardhshëm me pesë nga nëntë anëtarët e rregullt të saj.

Gjykata e Lartë aktualisht përbëhet nga vetëm një gjyqtar në detyrë dhe dy gjyqtarë të deleguar. Verifikimi i kandidatëve nuk ka përfunduar ende. Për shkak të procedurave të gjata të verifikimit, nuk pritet që  Gjykata e Lartë të jetë funksionale para fundit të vitit 2019.

Detyra e Prokurorit të Përgjithshëm kryhet nga një prokuror i përkohshëm dhe duhet të përzgjidhet një prokuror sipas mandatit sa më shpejt të jetë e mundur.

Për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar u krijua struktura speciale e kërkuar SPAK, një Gjykatë speciale për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për këtë Shqipëria bashkëpunon ngushtë me ekspertë nga Gjermania, Austria dhe shtetet e tjera anëtare dhe ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me EUROJUST. Deri tani janë miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë 15 kandidatë. SPAK pritet të fillojë funksionimin deri në fund të vitit 2019.

Prokuroria ka ndërmarrë një hetim kundër atyre që akuzohen për blerje votash; megjithatë, deri tani nuk është lëshuar asnjë urdhër arresti. Duhet të fillojnë menjëherë procedime penale dhe të përfundojnë shpejt, sapo të vërtetohet një dyshim për veprën.

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 ishin kryesisht paqësore; megjithatë mungon një vendim mbi ligjshmërinë e tyre. Nevojitet një vendim urgjent i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve.

Ndërsa hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimet në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar po njohin sukses, ato duhet të vazhdojnë me shpejtësi dhe energji në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe zyrtarët dhe politikanët e nivelit të lartë.

Progres është arritur edhe në reformën administrative. Për shembull, legjislacioni i shërbimit civil është miratuar dhe janë krijuar struktura për trainimin dhe rekrutimin e personelit profesional administrativ. Megjithatë zbatimi po përparon ngadalë.

Është forcuar lufta kundër trafikut të drogës dhe kultivimit të saj. Falë grupeve të përbashkëta hetimore me Italinë dhe Gjermaninë, mundën të arrestoheshin grupe kriminale në Itali. Kultivimi i drogës mundi të frenohej, por në vend të saj është rritur roli i Shqipërisë në trafikun e saj.

Deklaratat politike dhe përpjekjet për bashkimin e popullatës shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nën Shqipërinë e Madhe mund të çojnë në konflikte të paparashikueshme në Ballkanin Perëndimor. Ato duhet të ndalen menjëherë sepse këto përpjekje do të ishin të papajtueshme me anëtarësimin në BE dhe do të çonin në ndërprerjen e negociatave të anëtarësi-mit.

III.

Bundestagu gjerman deklaron në bazë të nenit 9 të ligjit federal mbi bashkëpunimin e Qeverisë Federale më Bundestagun gjerman në çështjet e BE-së miratimin e tij, që Qeveria Federale të miratojë një vendim të Këshillit të Evropës për çeljen e negociatave mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në të njëjtën kohë ai shpreh pritshmërinë që kur të merret një vendim i mëvonshëm për anëtarësi-min në BE jo vetëm është vendimtare plotësimi i kritereve të anëtarësimit, por edhe të merret parasysh kapaciteti për anëtarësim i BE-së.

Bundestagu gjithashtu i kërkon Qeverisë Federale që,

Në Këshillin e Evropës më datë 17/18 Tetor 2019 të miratohen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë parimisht vetëm me kushtin, që Konferenca e parë e anëtarësimit të zhvillohet atëherë kur Qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

– Sigurimi i vënies në punë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës së Lartë duke angazhuar një numër të arsyeshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh të verifikuar.

– Të merret vendim  për reformën zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit të përgatitur atje duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5 shtator 2019.

b) Mbajtja e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapja e negociatave përmes kapitujve të parë të ndodhë, kur qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

– Zbatimi i ligjit për reformen zgjedhore të inicuar

– Fillimi i procedimeve  penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme;

– Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore  kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve,

– Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj  për të punuar

– Progres solid në krjimin e bilanci suksesi  në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe proçedimet e para të përfunduara kundër nënpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë. Këto përfshijnë hetime proaktive, eventualisht ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar,

– Progres i prekshëm në reformën administrative, përfshirë rishikimin e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, edhe nën këndvështrimin e  parregullsive,

– Një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese; nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor,

të sigurojë, që kuadri i negociatave të ndërtohet në mënyrë të tillë që të sigurohet një vazhdim konsekuent i kursit të reformës dhe mbi të gjitha zbatimi i reformave të miratuara nga Shqipëria. Nëse pas hapjes së negociatave të pranimit, Shqipëria vonon, pezullon ose tërheq përmbushjen e detyrimeve, atëherë negociatat e pranimit duhet të ndalojnë dhe në rast dyshimi, të ndërpriten. Hapja dhe mbyllja e kapitujve individualë të negociatave duhet të varen nga kritere të qarta;

të qartësojë se Shqipëria duhet të bëjë ende përpjekje të tjera të konsiderueshme për të përmbushur kriteret e pranimit, veçanërisht në fushat

–           Sundimi i ligjit, kjo do të thotë vazhdimi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (proçesi i vetingut), krijimi i strukturave të reja të drejtësisë,

–           Luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë forcimin dhe lidhjen e  institucioneve në rrjet, si dhe krijimin e bilanci suksesi në të gjitha nivelet dhe zbulimin dhe konfiskimin e fondeve financiare në lidhje me korrupsionin;

të sigurojë që Komisioni dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm të informojnë rregullisht për përparimin e reformave gjatë negociatave të pranimit, veçanërisht në këto fusha kyçe;

Të sigurojë që shtjellimi i ketyre kapitujve (para së gjithash kapitulli 23 Gjyqësori dhe Të Drejtat Themelore, kapitulli 24 Drejtësia, Liria dhe Siguria) të kryhet në fillim të negociatave dhe ato të mbyllen vetëm në fund të negociatave. Planet e veprimit për këto kapituj të propozuar nga Komisioni duhet të përcaktojnë afate dhe synime të qarta, përmbushja e të cilave përbën një parakusht për hapjen e kapitujve të rinj; kapitujt e tjerë të negociatave nuk duhet të hapen më parë. Komisioni duhet të raportojë rregullisht për zbatimin e planeve të veprimit, përveç progres raporteve vjetore. Hapja dhe mbyllja e kapitujve të tjerë duhet të varen nga përparimi thelbësor në këto fusha.

Bundestagu rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtën e tij të përgjithshme për të komentuar në përputhje me ligjin federal mbi bashkëpunimin e Qeverise Federale me Bundestagun gjerman për çështjet e BE-së nëse ai konkludon se kushtet për hapjen e kapitujve të negociatave nuk janë përmbushur;

Të sigurojë, që temat

–           Institucione demokratike funksionale,

–           Reforma në administratën publike,

–           zhvillimi ekonomik dhe aftësia konkuruese,

–           fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal,

–           liria e shtypit dhe e medias,

–           të drejtat e grupeve më vulnerabël dhe anëtarëve të pakicave,

–           shoqëri civile aktive

të pasqyrojnë pikat thelbësore të negociatave të anëtarësimit. të sigurojë që Shqipëria të përmbushë plotësisht kriteret politike dhe ekonomike në rast anëtarësimi. Përmbushja e rreptë e kritereve të Kopenhagenit mbetet parakusht për anëtarësimin.

Nuk duhet të ketë anëtarësim automatik, për shembull duke përmendur një datë pranimi përpara përfundimit të negociatave; të angazhohet që në përshtatjen me aktin komunitar (acquis communautaire) të arrihen sa më pak rregulla të përkohshme dhe përjashtime; Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në BE dhe duhet të pranojë që Acquis të mos zbehet nga negociatat;

Të angazhohet që Shqipëria gjatë procesit të negociatave t‘i nënshtrohet dispozitave të Paktit Evropian të Stabilitetit dhe të Rritjes dhe ajo të respektojë kriteret e Stabilitetit të Traktatit të Mastrihtit përpara se të mund të bashkohej zyrtarisht në bashkimin monetar pas një anetarësimi të mundshëm;

Të informojë në vazhdim Bundestagun gjerman në përputhje me nenin 3 deri 6 të ligjit federal mbi bashkëpunimin e Qeverise Federale me Bundestagun gjerman në çështjet e BE-së mbi përparimin e negociatave të pranimit dhe gjithashtu të qartësojë pozicionin e saj. Progresi në rrugën e pranimit nuk duhet të vlerësohet vetëm nga Komisioni, por edhe rregullisht nga Qeveria Federale duke përfshirë këtu përfaqësitë e saj diplomatike.

Dështimi i madh i Wahdepul

Gjermania votoi pro hapjes së negociatave me Shqipërinë. Përmes një rezolute që mori votat “pro” nga CDU/CSU, Gjermania vërtetoi se të gjitha kushtet e kërkuara nga Shqipëria për hapjen e negociatave janë plotësuar. Por për zëvendëskryetarin e grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann David Wadephul ky nuk është një lajm i mirë, pasi tregon pikërisht dështimin e tij.

Në një deklaratë të tij më 30 maj, para marrjes së vendimit nga BE në muajin qershor për shtyrjen e vendimit në tetor,  Wadephul doli kundër Shqipërisë duke deklaruar se ajo nuk ka plotësuar asnjë kusht për hapjen e tyre dhe kritikoi sistemin gjyqësor që nuk është funksional. “ Një analizë fillestare tregon se Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim, siç u tha nga ministrat e jashtëm të BE më 26 qershor 2018. Ende nuk ka sistem gjyqësor funksional. As Gjykata Kushtetuese as Gjykata Supreme nuk funksionojnë”, tha Wadephul

Miratimi i rezolutës pro hapjes së tyre nga vetë grupi parlamentar i Wadephul, tregon se ai dështoi me parashikimet e tij dhe se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e tyre. Rënia e skepticizmit gjerman erdhi pikërisht nga përmbushja e kërkesave nga ana e Shqipërisë dhe reforma në drejtësi. Kushtet e reja që Gjermania i ka vendosur Shqipërisë nuk janë për negociatat por për kapitujt që do të pasojnë me hapjen e tyre.

Në lidhje me pakënaqësitë e Wadephul për sistemin gjyqësor, Reforma në Drejtësi është një ndër reformat më të vlerësuara nga Bashkimi Europian dhe se po jep efektet e saj të para me vettingun duke spastruar nga drejtësia gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. / Real Story

Exclusive: “Kushtet”, për kapitujt, jo për negociatat

Kryeministri Edi Rama ka arritur të ulë skepticizmin gjerman dhe me shumë gjasë Shqipëria do marrë hapjen e negociatave në 18 tetor, dhe mbledhja e parë ndërqeveritare me Komisionin Europian, mund të mbahet para fundit të dimrit. Nëntë kushtet gjermane, sipas një burimi zyrtar për Realstory.al, janë kushte që lidhen me kapitujt, por jo me hapjen e negociatave. Megjithëse, nuk duket me rëndësi për njerëzit, për shkak se nga Meta e deri te Shpëtim Idrizi, mos hapja quhej fundi i tij, kjo ishte një fitore politike private e Edi Ramës.

Ndoshta ky lajm shtyu sërish Kryeministrin të ftonte opozitën jashtë Kuvendit të bashkohej në tryezën e Reformës Zgjedhore. Pas drejtësisë duket se kjo reformë po kthehet strategjikisht e rëndësishme pasi opozita e re drejtuar nga Rudina Hajdari kërkon ndryshim të sistemit, ndërsa gjithë të tjerët, Rama, Basha, Meta dhe Berisha, nuk duken të dëshiruar të ndryshojnë rregullat që i damkosën çel e mbyll në pushtet.

Lulzim Basha u përgjigj ftohtë por kësaj radhe “Rama ik” e zëvendësoi me “Gjiknuri largohu”, një kusht që për Ramën nuk është domosdoshmërisht i papranueshëm. Ndaj dhe takimi pasdite mes aleatëve të opozitës është interesant, pasi aleatët prej javësh i bëjnë Bashës presion publik dhe privat që të heqë dorë nga kushtet dhe të ulet e bisedojë e bjerë dakord me Ramën për rregullat e reja të lojës. /Realstory.al/

Skip to toolbar