Turneu i UEFA, Dede nuk fshihet: Dua kualifikimin me U-19

Trajneri i kombëtares U-19, Nevil Dede doli në një konferencë për shtyp, ku zbardhi listën e futbollistëve të grumbulluar për turneun zyrtar kualifikues të UEFA-s për grupmoshën U-19, që do të zhvillohet në Belgjikë në datat 13-19 nëntor 2019. Shqipëria bën pjesë në grupin e 4-t së bashku me Belgjikën, Greqinë dhe Islandën. Sipas rregullores së këtij kompeticioni, kualifikohen 2 skuadrat e para dhe e treta më e mirë në 13 grupe gjithsej. Europiani i 19-vjeçarëve do të zhvillohet në Irlandën e Veriut vitin e ardhshëm.

Nevil Dede në fjalën e tij theksoi: “Të jem i sinqertë, në nëntor bëhet gati 1 vit që punohet dhe bashkë me drejtorinë teknike kemi bërë gjithçka të mirë. Broja, Bullari dhe Ndreçka kanë qenë pjesë e U-21 madje duke lënë edhe gjurmë në ndeshje të caktuara. Është marrëveshje e bërë mes drejtorit teknik, presidentit, trajnerit të U-21, por edhe trajnerit të Kombëtares A. Kjo tregon pritshmërinë që ne kemi dhe objektivat. Nuk dua të fshihemi dhe ne shkojmë atje për t’u kualifikuar. Shpresoj që kjo gjeneratë të jetë e artë për Kombëtaren. Ne njohim çdo kundërshtar. Duke parë rivalët që ne kemi, pretendojmë se jemi shumë të fortë. Sipas gjykimit dhe punës që ne bëjmë, jemi pretendent për t’u kualifikuar. Greqia ka bërë mirë vitet e fundit, Belgjika po ashtu, ndërsa Islanda është në rritje gjithmonë”, tha Dede.

Më tej ai shtoi se  të gjithë lojtarët e grumbulluar janë duke u aktivizuar me ekipet ku luajnë. “Vetë lojtarët para ndeshjes me Poloninë e dinin se kishin të njëjtin nivel përballë tyre në miqësore, si edhe me këto ekipet e tjera që kemi në grup. Ato e kuptuan se deri ku shkonte kapaciteti ynë dhe unë jam shumë i kënaqur në fitoren 3-1. Po të shohësh listën e U-19 vetëm dy lojtarë nuk po luajnë me ekipet e tyre, pasi janë në ekipet e para, Ernest Muçi dhe Ledio Beqja. Të gjithë të tjerët po luajnë në skuadrat e tyre dhe kjo tregon formën e mirë. Ne jemi fokusuar të gjejmë lojtarët më të mirë të mundshëm. Jemi treguar gjithmonë të kujdesshëm, për të mos tentuar lojtarë që janë të dyzuar dhe të zhgënjehemi në fund kur ata zgjedhin një tjetër Kombëtare”, tha Dede.

Kombëtarja U-19, në listë sulmuesi i Bayern Munich

Trajneri i kombëtares U-19 Nevil Dede ka publikuar listën me lojtrët e grumbulluar për dy ndeshjet miqësore me Bosnjen, që do të luhen në datat 7 dhe 9 shtator në Zenicë.  Kuqezinjtë janë grumbulluar në qytetin e Shkodrës ku do të kryejnë edhe seancat stërvitore përpara se të udhëtojnë drejt Bosnje Hercegovinës.

Në urdhërat e trajnerit Dede janë plot 23 lojtarë, një pjesë e rëndësishme e të cilëve kanë qënë edhe në grumbullimet e mëparshme gjatë këtij viti, dhe do të vëzhgohen në detaje nga stafi teknik me fokus ndeshjet kualifikuese të muajit nëntor ku U-19 do të përballet me Belgjikën, Islandën dhe Greqinë. Turneu “Qualifying Round” do të zhvillohet në Belgjikë nga data 13 deri në 19 Nëntor 2019.

Ndërkohë, nga emrat e grumbulluar nga Nevil Dede, ka dhe talente që vijnë nga akademi ekipesh të mëdha në Europë. Mes tyre është Marvin Çuni i cili vjen nga Bayern Munich dhe luan në pozicionin e sulmuesit. Gjithashtu, nuk mungojnë as futbollistë të ardhur nga akademi si Sampdoria në Itali, Panathinaikos në Greqi, Ostende në Belgjikë dhe Dinamo Zagreb në Kroaci. Gjithashtu për këto dy ndeshje miqësore janë grumbulluar dhe futbollistë nga kampionati shqiptar.

Lista për dy ndeshjet miqësore me Bosnje Hercegovinën:

Kombëtarja U-19, flet Nevil Dede: Kemi strategji të shohim sa më shumë futbollistë nga Shqipëria

Nevil Dede ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme, për të folur për listën e lojtarëve të grumbulluar, në prag të dy ndeshjeve miqësore me Kosovën, që kombëtarja jonë U-19 do të luajë më 3 dhe 5 qershor.  Për këtë grumbullim nën urdhërat e trajnerit Dede do të jenë 22 lojtarë, një pjesë e të cilëve vijnë për herë të parë në grumbullim me këtë grupmoshë, siç është rasti i Lucaj, Selishta, Shiba, Ajazi etj. Skuadra është duke u përgatitur dhe testuar për ndeshjet eliminatore të muajit nëntor, ku Shqipëria ndodhet në grup me Belgjikën, Islandën dhe Greqinë dhe faza kualifikuese zhvillohet në muajin nëntor në Belgjikë.

“Deri diku, kjo skuadër po formohet. Ka marrë një fytyrë. Strategjia e zyrës tonë përkatëse është që të shohim sa më shumë futbollistë nga Shqipëria. Këtë e kam deklaruar që në fillim. Arsyeja e parë dhe e vetme për këta futbollistë që marrin pjesë në klubet shqiptare është që të ketë respekt dhe vëmendje. Veç kësaj, i duhet dhënë oksigjen ekipeve shqiptare, pasi kanë edhe një sërë ekipesh zinxhir. Duhet të përmirësohen në procesin e rritjes dhe të jenë sa më funksionalë”, tha Dede.  

Për sa i përket zgjedhjes së lojtarëve, Nevil Dede u shpreh se kjo është strategji për të ndihmuar futbollin në vend. “E para është zgjedhja e elementit më të mirë. Strategji apo ide që duam të ushqejmë futbollin shqiptar. Aty pastaj problematika është se cilët janë më të mirët. Për të furnizuar ekipin U-21 dhe kombëtaren A më pas. Ne i vëzhgojmë gati të gjithë, kudo që ndodhen. Federata ka strukturat e saj edhe në shtetet e tjera të Europës dhe marrim informacion sa më të plotë dhe të saktë. Nëse këta luajnë rregullisht, dërgojmë ftesa dhe shohim se si përshtaten me ambientin”.

Mungesa? “Përqindja më e madhe e lojtarëve janë të pranishëm. Por, duke qenë këto data, dikush mungon për impenjime të shkollës dhe të tjerë luajnë playoff. Ne me 3 qershor dhe 5 kemi ndeshjet zyrtare miqësore. Dikush është ende në aktivitet. Bozhani mungon sepse klubi i tij merr pjesë në playout. Edhe disa emra të rinj, duhet ta shpjegojmë se kemi parë një pjesë. Ky ështe proces që ka edhe ndryshime. Nuk është se nuk i kemi nën vëzhgim dhe vëmendje.”

Ekskluzive: Pas Milanit, talentit shqiptar të AEK-ut i shkon ftesa nga kombëtarja!

Gilberto Gega, talenti shqiptar i AEK-ut të Athinës, është duke kaluar një moment fantastik në karrierën e tij.

Futbollisti i të rinjëve të klubit grek, prej disa ditësh ndodhet në Akademinë e Milanit në Itali, ku është duke kryer një provë te klubi gjigantë italian, dhe nëse gjithçka shkon mirë ai mund të bashkohet me të rinjtë e kuqezinjëve.

Por ditën e sotme, një tjetër lajm i mirë ka shkuar në adresë të Gilberto Gegës, i cili ka marrë ftesë nga kombëtarja shqiptare U18, e cila do të marrë pjesë në një turne disa ditor në Kroaci, që do të mbahet nga data 26 maj deri në 3 qershorm.

RealStory.al ka mësuar ekskluzivisht se qendërmbrojtësi i talentuar ka marrë një ftesë nga Nevil Dede për këto ndeshje, teksa më herët Gilberto Gega ka refuzuar ftesën e Kombëtares U-17 të Greqisë.

Gilberto Gega, veç Milanit ku është duke zhvilluar në provë, është në fokusin e Olympique Lyon, që prej kohësh e ka vëzhguar futbollistin shqiptar, ndërsa gjatë verës, nëse nuk do të ndodhë gjë në Milano, Gega do të niset drejt Lionit për një tjetër provë.

Mesfushori i QPR-së i jep fitoren Shqipërisë U-18 ndaj Maqedonisë!

Kombëtarja U-18, e grumbulluar rishtaz nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede, e ka mbyllur me sukses provën e saj të parë.

Ditën e sotme, kuqezinjtë e vegjël kanë luajtur takimin e dytë miqësor me homologët e së njëjtës moshë të Maqedonisë së Veriut.

Pas barazimit 2-2, të tre ditëve më parë, skuadra e Nevil Dedes ka fituar me rezultatin 1-0 në miqësoren e dytë, me ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Sopoti” në Librazhd.

Kuqezinjtë luajtën me këtë formacion: Fatmir Ceka (C), Neshat Murati, Ergis Shala, Usni Ismaili, Omar Musai, Andri Stafa, Enes Kuka, Gledjan Pusi, Lion Cahani, Aldo Gjumsi, Fabian Shahaj.

Pjesa e parë e ndeshjes miqësore është mbyllur me rrjeta të paprekura 0-0. Në të dytën Shqipëria ka qenë më kërkuese për golin dhe ne minutën e fundit ’90 ka shënuar Armelindo Mema, golin e vetëm dhe të fitores për kuqezinjtë.

Kombëtarja U-18, Dede analizon kuqezinjtë dhe tregon takimin me Edi Rejën (video)

Trajneri i ekipit kombëtar U-18, Nevil Dede, ka folur në konferencë për shtyp një ditë pas ndeshjes miqësore me Maqedoninë e Veriut, ku 18 vjeçarët tanë barazuan me homologët e tyre maqedonas.

Nevil Dede u shpreh fillomisht se lojtarët e grumbulluar janë më të mirët e moshës së tyre, megjithëse, sipas trajnerit, për shkak se kjo gurpmoshë nuk rakordon me datat e UEFA-s dhe FIFA-s, disa lojtarë që kanë pasur ftesë nuk janë lejuar nga klubet të vijnë në grumbullim.

“Është një moshë delikate pasi janë 1 vit më të vegjël se mosha zyrtare, si numër lojtarësh është i madh. Ne jemi munduar të marrim pjesën më të mirë, por duhet theksuar se kjo moshë nuk rakordon me datat e UEFA-s dhe FIFA-s, kemi bërë disa ftesa në Gjermani dhe Itali por klubet nuk na janë përgjigjur pozitivisht pasi jane ende ne aktivitet. Pavarësisht këtyre fakteve, me grupin që kemi po mundohemi të krijojmë një bosht solid deri ne fund të vitit 2019 ku do mund ti shërbejnë ekipeve përfaqësuese me rradhë”, është shprehur ndër të tjera Dede.

Më tej ai ka analizuar ndeshjen miqësore të luajtur dje kundër Maqedonisë së Veriut, duke e vlerësuar pozitivisht paraqitjen e ekipit tonë.

“Unë gjykoj që deri diku bëmë një paraqitje të mirë sa i përket ndeshjes miqësore me Maqedoninë e Veriut, por është hera e parë që grumbullohen dhe futbollistët e kanë të vështirë që të japin më të mirën, duhet koha e duhur për të bërë paraqitjen e mirë. Për këto dy ndeshje 50% ishin nga Shqipëria dhe 50 % nga jashtë, me mbështetjen e federatës do të kryejme edhe një stejxh seleksionues dhe ne maj do të kemi grupin e plotë për turneun miqësor”, është shprehur trajneri.

Në fund ai ka treguar edhe takimin e zhvilluar me trajnerin e ekipit kombëtar A, Edi Reja, që pas prezantimit ka pasur dhe një takim me trajnerët e ekipeve zinxhir të kombëtares.

“Nga viti në vit shpresojmë të rritet cilësia në klube se ata janë faktori kryesor i rritjes së një lojtari. Një fëmijë mund të lind talent por varet sesa punohet dhe a zhvillohet sesi duhet lojtari. Pas emërimit trajneri Reja na takoi të gjithë ne trajnerët e moshave, për mua ishte shumë i vlefshëm, trajneri dontë informacion të saktë për U21 dhe U19.” – ka përfunduar Dede.

Miqësorja e U-18, Shqipëria barazon me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut!

Pas vendimit për krijimin e ekipeve të reja kombëtare të futbollit, për grupmoshat U-16, U-18 dhe U-20, kanë nisur dhe grumbullimet e para për këtë vit.

Pas ekipit U16, që mori pjesë në dy turne ndërkombëtar, radha ka qenë e ekipit U-18 të drejtuar nga Nevil Dede, që të nis grumbullimin për zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore me ekipin e Maqedonisë së Veriut.

Ndeshja e parë është luajtur sot në stadiumin “Sopoti” të qytetit të Librazhdit, e cila ka përfunduar në barazim 2-2.

18 vjeçarët kuqezinj kanë zbritur në fushën e lojës me këtë formacion: Ceka; Murati; Pruti; Kuci; Ismaili; Zahi; Pusi; Sulollari; Mema; Gaxhia; Zaimi.

Në pjesën e parë u luajt një futboll i hapur, me një lojë shumë të mirë të kuqezinjve që edhe falë mbështetjes së publikut arritën të kalojnë në avantazh me anë të Muratit.

Me këtë gol nga mbrojtësi i Shkëndijës së Tetovës u mbyll dhe fraksioni i parë i lojës. Në pjesën e dytë u kryen shumë zëvëndësime nga trajneri Dede, që aktivizoi Hasanagollin, Stafën, Musain, Gjumsin, Cahanin dhe Memushajn.

Në minutën e 70-të miqtë arrijnë të barazojnë rezultatin me anë të numrit 7 Behar Feta. I menjëhershëm reagimi i Shqipërisë që 5 minuta më pas fiton një penallti që shndërrohet në gol nga Henri Sulovari.

Lojë e hapur nga të dy skuadrat që rrezikojnë në portat respektive, por maqedonasit tregohen më të saktë dhe arrijnë të barazojnë në minutën e 80-të me anë të Maksikov.

Kuqezinjtë kanë kërkuar me ngulm golin e fitores por nuk arrijnë ta shënojnë, duke e mbyllur këtë takim me rezultatin 2-2.

Ditën e enjte do të zhvillohet ndeshja e dytë miqësore, përsëri në stadiumin “Sopoti” të qytetit të Librazhdit, duke filluar nga ora 13:00. Hyrja për tifozët është falas.

Skip to toolbar