Miqësorja e U-18, Shqipëria barazon me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut!

Më të fundit


Pas vendimit për krijimin e ekipeve të reja kombëtare të futbollit, për grupmoshat U-16, U-18 dhe U-20, kanë nisur dhe grumbullimet e para për këtë vit.

Pas ekipit U16, që mori pjesë në dy turne ndërkombëtar, radha ka qenë e ekipit U-18 të drejtuar nga Nevil Dede, që të nis grumbullimin për zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore me ekipin e Maqedonisë së Veriut.


Ndeshja e parë është luajtur sot në stadiumin “Sopoti” të qytetit të Librazhdit, e cila ka përfunduar në barazim 2-2.

18 vjeçarët kuqezinj kanë zbritur në fushën e lojës me këtë formacion: Ceka; Murati; Pruti; Kuci; Ismaili; Zahi; Pusi; Sulollari; Mema; Gaxhia; Zaimi.

Në pjesën e parë u luajt një futboll i hapur, me një lojë shumë të mirë të kuqezinjve që edhe falë mbështetjes së publikut arritën të kalojnë në avantazh me anë të Muratit.

Me këtë gol nga mbrojtësi i Shkëndijës së Tetovës u mbyll dhe fraksioni i parë i lojës. Në pjesën e dytë u kryen shumë zëvëndësime nga trajneri Dede, që aktivizoi Hasanagollin, Stafën, Musain, Gjumsin, Cahanin dhe Memushajn.

Në minutën e 70-të miqtë arrijnë të barazojnë rezultatin me anë të numrit 7 Behar Feta. I menjëhershëm reagimi i Shqipërisë që 5 minuta më pas fiton një penallti që shndërrohet në gol nga Henri Sulovari.

Lojë e hapur nga të dy skuadrat që rrezikojnë në portat respektive, por maqedonasit tregohen më të saktë dhe arrijnë të barazojnë në minutën e 80-të me anë të Maksikov.

Kuqezinjtë kanë kërkuar me ngulm golin e fitores por nuk arrijnë ta shënojnë, duke e mbyllur këtë takim me rezultatin 2-2.

Ditën e enjte do të zhvillohet ndeshja e dytë miqësore, përsëri në stadiumin “Sopoti” të qytetit të Librazhdit, duke filluar nga ora 13:00. Hyrja për tifozët është falas.




Skip to toolbar