Ngjela: Opozita në depresion, SHBA po pastron korrupsionin Meta, Berisha, Basha

Nga Spartak Ngjela

Në çdo kohë që kalon me ngjarje të rënda në një vend, gjithmonë pyetet: pse erdhën këto ngjarje të rënda; dhe, çfarë i shkaktuan shoqërisë ato?

Këtu flitet, sigurisht, për ngjarjet e rënda që ia shkaktojnë shoqërisë së vet të pushtetshmit.

Sa herë që një shoqëri drejtohet nga injorantë dhe të korruptuar, pyetet: nga erdhën këta individë, si dolën në krye të vendit dhe cili ishte dëmi i tyre?

Po në Shqipërinë e 30 vjetëve të fundit, e cila u drejtua nga injorantë, dhe një plejadë të korruptuarish, nga erdhën, si hipën në pushtet, dhe sa është realisht dëmi që i sollën këta Shqipërisë e shqiptarëve?

Dëmi është shumë i madh. Por, ardhja e krerëve të tyre është shumë e dyshimtë. Tani, kur të gjithë bashkë janë drejt likuidimit, origjinën e tyre dhe përkrahjen politike për të ardhë në pushtet, duhet t’ia lëmë kohës ta zgjidhë me anë të provave dokumentare, sepse Shqipëria dhe shqiptarët ka dyqind vjet që janë sulmuar brutalisht nga fqinjët pushtues territoresh të gjera të Arbërisë.

Ajo që i duhet imediatisht shqiptarëve dhe Shqipërisë, është likuidimi tërësor i korrupsionit të lartë shtetëror.

l.

Korrupsionin lartë shtetëror shqiptar ka qenë një gjëmë kombëtare. Por tani ai është në grahmat e fundit, për këtë duhet të jemi të sigurt.

Shqiptarët e kanë ditur saktë se kush i ka qeverisur, por nuk kanë patur mundësi të vepronin. E vetmja gjë që kanë bërë shqiptarët ka qenë ikja nga Shqipëria.

Po korrupsioni si ka operuar në Shqipëri pas vitit 1991?

Ky ka operuar me injorancën e blerë, me fanatikë të paguar si fansa që iu premtohej pronë, dhe me njerëz të thjeshtë që kanë besuar te gënjeshtrat e përsëritura të liderëve të korrupsionit kryeministror shqiptar që drejtonin dy partitë kryesore: Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste.

Por, historia e Shqipërisë befas hyri në një rrjedhë të re të pamenduar dot nga korrupsioni. Në këtë rrjedhë të re e futi me forcë politika amerikane – kështu do të shkruajë historia.

ll.

Ka pasur një këmbëngulje permanente të politikës amerikane kundrejt Shqipërisë, duke filluar që në vitin 1919 me presidentin Ëillson.

Ka vijuar pastaj në vitin 1961 dhe në vitin 1962 me presidentin Xhon Kenedi kundër ndërhyrjes sovjetike në Shqipëri dhe largimin e flotës sovjetike nga Vlora; ka vijuar me presidentin Riçard Nikson për garantimin e autonomisë së gjerë të Kosovës, e cila u vendos direkt nga presioni i Niksonit kundrejt Josif Broz Titos. Por gjithçka erdhi dhe dha një shkëlqim historik me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë amerikane në luftën për çlirimin e Kosovës, në vitin 1999.

Tani gjithçka po flet për një aleancë të gjerë shqiptaro-amerikan dhe për karakterin demokratik të ndërhyrjes së politikës amerikane për likuidimin e korrupsionit të lartë shqiptar. Likuidimi i këtij korrupsioni është domosdoshmëri për politikën e re amerikanë në panshqiptarizimin e Ballkanit Perëndimor. Politika amerikane sot në këtë zonë është thjesht: “gjithëshqiptarizmi në Ballkanin Perëndimor “.

Në fakt, Ballkani Perëndimor është Arbëria klasike dhe me panshqiptarizëm duhen kuptuar të drejtat e shqiptarëve që janë shkelur nga fqinjët pushtues territoresh shqiptare dhe, në një rrafsh historik, nga fuqitë e mëdha, Rusia dhe Franca.

Kjo është arsyeja që korrupsioni Berisha, Basha, Meta me taboret e tyre, në një sens historik, janë për Shqipërinë një gjëmë pushtuese. Sigurisht që korrupsioni shqiptar është shumë më i gjerë se kaq, por politika amerikane duket se është e përqëndruar në likuidimin e këtij segmenti, sepse ndërkohë ky korrupsion ka marrë karakter të hapur antikombëtar.

lll.

Nga shqiptarët ishte krejt e pamundur që të likukdohej kjo gjëmë kombëtare, sepse korrupsioni i lartë shtetëror shqiptar kishte forcën e shtetit dhe demagogjinë kundrejt përkrahësve në elektoratin shqiptar dhe në opinionin publik. Kishte gjithashtu forcën e parasë me të cilën likuidoi plotësisht lirinë e shtypit dhe të medias elektronike. Kjo midie u fut qorrazi në një lojë pseudoarmiqësore grupesh të mëdha politikë, që bënin sikur luftonin njëri-tjetrin, por që në fakt mbështeteshin te paraja korruptive.

Po politika amerikane, si penetroi ajo me forcë në këtë gjendje?

Politika amerikane penetroi dhe e dominoi me forcë situatën politike në Shqipëri, pas ardhjes në pushtet të socialistëve në vitin 2014.

Pikërisht në këtë vit filloi strukturimi juridik i Reformës në Drejtësi, e cila u kurorëzua juridikisht me kushtetutën e vitit 2016. Por gjithçka në këtë ndërmarrje historike u kurorëzua nga forca e politikës amerikane, dhe sidomos nga aksioni politik permanent i ambasadorit amerikan Donald Lu.

lV.

Politika amerikanë, pasi e konstatoi se nuk mund të kishte Shqipëri perëndimore e demokratike pa likuiduar korrupsionin Berisha , Basha Meta, filloi veprimtarinë e vet konkrete.

Po, si? Nga duhej të fillonte, dhe ku duhej të mbështetej?

Në këtë kohë në pushtet ishin socialistët. Socialistëve historia e re e Shqipërisë iu kishte mësuar se nuk mund të dilnin dot kundër politikës amerikane, se e kishin provuar një herë në vitet 1992-1995. Dhe u pa që ata u rreshtuan tërësisht pro politikës amerikane, pavarësisht nga ndonjë luhatje sporadike.

Gjithësesi duhet pranuar se socialistët e pranuan dhe e çuan deri në fund ristrukturimin jurudik antikorrupsion në Shqipëri, pavarsisht që nga reforma antikorrupsion do të cënoheshin dhe prekeshin edhe individë të lidershipit të saj.

Kurse, studimi adekuat i ekspertizës amerikane e kapi që, themeli ku mbahej korrupsioni shqiptar ishte pushteti gjyqësor. Ata e konceptuan realisht skemën e korrupsionit se si ai funksiononte në Shqipëri: një pushtet gjyqësor i korruptuar që vazhdimisht degradonte drejtësisinë dhe që krijonte mundësinë e vjedhjes së madhe të korrupsionit politik shtetëror. Ky pastaj grabiste vlerat shoqërore me anë të klientelizmit, uzurpimit të pronës dhe burimeve bujqësore e minerare në Shqipëri.

Të dy bashkë këta pushtete, pushteti gjyqësor dhe pushteti politik, krijuan në Shqipëri simbiozën më të shëmtuar historike të një korrupsioni.

Por pyetja që ngriti ekspertiza amerikane ishte kjo: nga duhej filluar lufta për likuidimin e këtij korrupsioni dyfish?

V.

Historia e gjatë e demokracisë në Perëndim ka treguar se një sistem demokratik mbahet si i drejtë dhe i barabartë vetëm nga një pushtet gjyqësor i pavarur. Në fakt demokracia nuk mund të funksionojë dot pa një pushtet gjyqësor të pavarur, sepse ajo degradon në demagogji dhe në një korrupsion të përbindshëm. Demagogjia në politikë dhe korrupsioni në shtet, janë dy ingredientët thelbësorë të korrupsionit shtetëror. Me demagogji bëhen zgjedhjet dhe “lufta politike”, kurse me korrupsion fitohen paratë me të cilat mbahet pushteti, blihen votat, ushqehet krimi i organizuar dhe garantohet nëpër bankat ofshore pasuria e pushtetarëve të korruptuar.

Pikërisht kjo ka ndodhur në Shqipëri në këta 20 vjetët e fundit, por këtë kapi edhe politika amerikane kur me forcë e detyroi politikën e korruptuar shqiptare të pranonte kushtetutën e vitit 2016, kushtetutë kjo e cila u bë kuidesenca e Reformës në Drejtësi.

Vl.

Tamam këtu nisi procesi antikorrupsion në Shqipëri, i cili, në funksion të kushtetutës së re, formuloi ligjet e reja të vetingut dhe filloi procesin gjyqësor antikorrupsion në drejtësinë shqiptare. Proces ky që deri tani, ka likuiduar për korrupsion 90% të Gjykatës Kushtetuese, 99% të Gjykatës së Lartë dhe rreth 40 % të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

Por ndërkohë u formua më në fund edhe vetë SPAK- u, që është grupi institucional që do të gjykojë korrupsionin në politikën e lartë. Ky grup institucional është: Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Të tre këta institucione që do të gjykojnë taboret korruptive Meta, Berisha e gjithë të tjerët, do të sjellin në Shqipëri atmosferën e gëzuar të vendosjes së drejtësisë.

Po socialistët që kanë ndërkohë mazhorancën në Parlament, a do t’i qëndrojnë korrekt interesit kombëtar shqiptar dhe politikës amerikane?

Vll.

Në fakt, mu këtu fillon politika e re e Shqipërisë. Parlamenti shqiptar tani është pa opozitën e korruptuar të Partisë Demokratike, e cila, duke dashur të krijonte destabilizimin e Shqipërisë me një revolucion imagjinar, dogji mandatet e deputetit dhe doli në rrugë. Ishte nën mendimin e fshehtë se me një destabilizim të Shqipërisë do të shpëtonte nga ndëshkimi antikorrupsion, sepse e mendonte destabilizimin në Shqipëri edhe si interes antishqiptar të fqinjëve.

Opozita e dalë nga Parlamenti, filloi përplasjen e dhunshme, por pa forcë reale. E vijoi këtë gjullurdi primitive pa fare ide, derisa u kërcënua drejtpërsëdrejti nga politika amerikane dhe u tulat nga provat që kishte mbledhur FBI kundër saj. Tani ajo është në depresion politik, kurse Parlamenti vijon punën me zëvendësuesit kushtetues, të cilët janë në numur 90 % properëndimorë dhe po e çojnë përpara Reformën në Drejtësi, bashkë me mazhorancën socisliste.

Pikërisht kjo është arsyeja që tani, pas formimit të SPAK-ut, krimi i organizuar shqiptar dhe korrupsioni i lartë shtetëror janë në prag të likuidimit të tyre gjyqësor. Tani, madje pritet që, që në këtë muaj dhe në dy muajt në vijim, në gusht dhe në shtator, shqiptarët do ta shohin konkretisht luftën kundër korrupsionit të lartë shtetëror, ashtu sikurse po ndjekin luftën e nisur e në vijim kundër korrupsionit në pushtetin gjyqësor.

Është pikërisht koha kur do të fillojë të lindë realisht optimizmi shqiptar… Për këtë jam i sigurt.

Gjykatat u japin mandatin bashkiakëve të rinj

Pas Gledian Llatjas në Elbasan, Gjykatat në vend kanë konfirmuar mandatet e bashkiakëve të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, edhe për tre të zgjedhur të tjerë vendor. Kastriot Gurra në Librazhd, Armando Subashi në Fier dhe Redjan Krali në Kavajë, janë ligjëruar si kryetar të ligjshëm përkatësisht nga Gjykata e Elbasanit, Fierit dhe Kavajës. Në këtë mënyrë, nëpërmjet verdiktit gjyqësor, pas vendimit të KQZ, të zgjedhurit nga procesi elektoral i 30 qershorit, njihen zyrtarisht si kryetarët e rinj të bashkive në vend.

Gjithashtu, njohja ligjore e tyre, rrëzon përfundimisht pretendimet e opozitës dhe presidentit për paligjshmërinë e procesit zgjedhor të 30 qershorit. Tre ditë më parë, opozita nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi, u bëri thirrje Gjykatave në vend, që të mos njohin mandatet e të zgjedhurve të rinj vendor, deri në krijimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të bëjë dhe një vlerësim të ligjshmërisë së 30 qershorit.

“Sipas ligjeve të vendit, që një kryebashkiak të marrë detyrën, mandati i tij duhet të vërtetohet nga gjykata, nëse është marrë në përputhje me Kushtetutën, nëse është fituar apo jo në zgjedhje të organizuara në mbështetje të Dekretit të Presidentit. Nëse gjyqtarët do të tregojnë integritet, do t’i binden ligjit dhe nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve me Veting apo me mjete të tjera mafioze, të përdorura më parë nga Edi Rama, vendimi i tyre është shumë i thjeshtë: të respektojnë kompetencën kushtetuese të Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve”, tha Bardhi.

Ndërkohë, një ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kryesuesja e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, Audrey Glover u shpreh se “do të jenë autoritetet e vendit dhe gjykatat ato që do të bëjnë certifikimin e rezultatit zgjedhor”. Në fakt, vendimet e ditëve të fundit nga disa gjykata në vend, po i japin të drejtë mazhorancës dhe ndërkombëtarëve, që njohën si proces të ligjshëm zgjedhor atë të 30 qershorit, i përcaktuar sipas kornizës kushtetuese.

Rama mesazh opozitës pas protestës: Fituesit fillimisht fitojnë, pastaj nisen në betejë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së 10 kombëtare të opozitës, mbajtur para kryeministrisë. Shefi i Qeverisë ka përdorur një thënie të një gjenerali dhe shkrimtari kinez, Sun Tzu, me të cilën mesaduket i dërgon dhe një mesazh kundërshtarëve të tij politikë. “Fituesit fillimisht fitojnë, pastaj nisen në betejë. Ndërsa humbësit nisen njëherë dhe më pas rreken të fitojnë”,  është ky mesazhi që përcjell kryeministri i vendit drejtuar opozitës. Në fakt, mesaduket Rama me këtë mesazh kërkon të thotë se është tepër vonë për të thirrur fitore, pasi opozita  refuzoi dialogun para zgjedhjeve me 7 letrat publike të kryeministrit.

Në fakt, dialogu do të kishte qenë dhe një fitore për vetë opozitën, pasi prej tij, shtyrja e zgjedhjeve mund të ishte një mundësi, dhe sot opozita jo vetëm që mund të dilte e fituar (pjesëmarrjen në zgjedhje), por njëkohësisht mesiguri nuk do të kishte humbuar as një pjesë të bashkive të vendit, të cilat tashmë janë fakt që do të drejtohen nga socialistët pas 30 qershorit. Ndaj, për kryeministrin Rama fitore mund të cilësohet fakti që 30 qershori u mbajt, rendi kushtetues u ruajt, ligji u zbatua, dhe tashmë është koha për beteja, ndoshta dhe për dialog me opozitën, derën e të cilit, Rama në fakt e ka lënë hapur pas datës 1 korrik.

Ndërsa hyrja e opozitës në betejën për të larguar kryeministri, duke djegur mandatet pa i menduar mirë pasojat politike, është një humbje e parakohshme, dhe kërkesa për fitore pas humbjes së gjithë pushteve, përfshi së shpejti dhe shkarkimin ‘de jure’ të Presidentit, që tashmë ka konfirmuar haptazi pozicionin e tij, është një humbje, pasojat e të cilës ende nuk mund të thuhen me siguri se sa të rënda do të jenë për opozitën.

A është ky mesazhi që Rama ka dashur të thotë me shprehjen e famshme të Gjeneralit kinez, apo ka dashur të thotë diçka tjetër, edhe këtë s`mund ta themi me siguri të plotë, por një gjë është e qartë; për Qeverinë, 30 qershori është një fitore, një fitore jo për vlerën e mandateve lokale më shumë se një fitore e Kushtetutës dhe ligjit në një vend demokratik, që aspiron rrugën e integrimit evropian.

E hëna e “nxehtë” e korrikut, nga shkarkimi i Metës te protesta e opozitës

Dita e hënë pritet të jetë tepër e nxehtë, jo vetëm për shkak të temperaturave por edhe për situatën politike në vend. Më 8 korrik pritet që në Kuvend të diskutohet shkarkimi i presidentit Meta si dhe do të mbahet protesta e 10 kombëtare e opozitës. Që pas djegies së mandateve të opozitës vendi ka kaluar në një krizë politike që sa vjen dhe është thelluar. Djegia e mandateve u shoqërua me protesta të dhunshme, sulme ndaj disa KZAZ dhe me bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Sot opozita duket sikur ka ngelur ne një udhë pa krye. Edhe pse protestoi për 5 muaj rresht për të ndaluar zgjedhjet (që u zhvilluan mjaft të qeta) dhe për të rrëzuar qeverinë Rama ( qeveri e kapur nga krimi sipas opozitës)  ajo nuk arriti asnjë nga qëllimet e saj.  Dështimet e arritjes së qëllimeve të tyre deri tani, kanë sjell një luftë të brendshme brenda PD, e cila për herë të parë pas rreth 30 vitesh ka mbetur pa asnjë lloj pushteti.

Me 8 korrik në orën 20:00 opozita ka thirrur protestën e 10 kombëtare. Por këtë herë kërkesat e saj kanë ndryshuar. Opozita tashmë kërkon për të dënuar vjedhësit e votës pas përgjimeve të BILD dhe të largohet Kryeministri Rama.  Si Lulzim Basha ashtu edhe Monika Kryemadhi kanë deklaruar se ajo do te jetë paqësore duke ftuar gra, femra e fëmijë të bëhen pjesë e saj. Në këtë protestë ato i kanë bërë thirrje të bashkohen edhe 85% të qytetarëve, që refuzuan të merrnin pjesë në zgjedhjet farse dhe nul të 30 qershorit sipas opozitës.

Një tjetër situatë e nxehtë është edhe ajo e shkarkimit të Presidentit Meta, i cili thelloi edhe më tej krizën duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit me arsyetimin e shmangies se një përplasje civile. Ky dekret në fakt ishte si t’i hidhje benzinë zjarrit pasi tensionoi edhe me tej situatën duke nxitur jo vetëm dhunën e militantëve të PD ndaj policisë dhe KZAZ, por thelloi krizën institucionale e politike në vend. Të hënën Kuvendi pritet të mblidhet në orën 17:00 për të diskutuar ngritjen e një komisioni hetimor që do të shqyrtojë raportin e hartuar nga Komisioni i Ligjeve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në raport argumentohen  9 shkeljet e Kushtetutës nga Meta me firmosjen e dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ky raport është bërë publik me herët nga RealStory.al dhe do paraqitet në Kuvend për miratim për t’i hapur më pas rrugën procedurave të tjera parlamentare, si ngritja e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit. Vendimi përfundimtar do të merret nga Gjykatës Kushtetuese që pritet të jetë funksionale deri në fund të korrikut.

Të gjitha këto zhvillime do të ndodhin gjatë ditës së hënë dhe priten me interes të madh jo vetëm nga qytetarët dhe partitë politike, por dhe ndërkombëtarët, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe kanë bërë thirrje për dialog mes palëve politike.

Opozita pretendon manipulim të zgjedhjeve, KQZ e rrëzon me fakte

Më pak se një javë nga mbajtja e zgjedhjeve të 30 qershorit, kur opozita i ka cilësuar zgjedhjet të paligjshme dhe ka kontestuar pjesëmarrjen në votime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një sqarim zyrtar shterues, duke iu përgjigjur opozitës që pretendon se në zgjedhjet e 30 qershorit votuan 15% e shqiptarëve. Sqarimi i KQZ nis me faktin që Kodi Zgjedhor nuk përcakton në asnjë dispozitë të tij që të publikojë informacion zyrtar për pjesëmarrjen ditën që mbahet votimi.

“Kodi Zgjedhor në asnjë dispozitë të tij nuk përcakton detyrimin që KQZ të publikojë  informacion për pjesëmarrje në zgjedhje gjatë ditës së votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht se pa detyrim të shprehur në Kodin Zgjedhor, në respekt të opinionit dhe interesit publik, si dhe rritjes së  transparencës për procesin zgjedhor, realizon dhënien e informacionit për pjesëmarrje në votim gjatë ditës së zgjedhjeve”, shprehet KQZ, duke saktësuar se informacioni për numrin e votuesve më 30 qershor ishte për arsye të transparencës dhe intersit publik.

Më tej, KQZ shprehet se informacioni që transmeton KZAZ në KQZ ditën e zgjedhjeve, bazohet në raportime nëpërmjet telefonit celular nga Komisionet e Qendrave të Votimit, ku për shkaqe objektive si mos mbulimi i zonave të caktuara gjeografike me sinjal telefonik, mungesës së komunikimit nga ana e sekretarëve të QV-ve, në asnjë rast nuk mund të pretendohet saktësia e tyre.

Një tjetër pikë që sqaron Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është dhe informacioni për numrin e zgjedhësve pjesëmarrës në votime, që u dha pas orës 19:00. Edhe në këtë pikë, KQZ shprehet se të dhënat që jepen nuk janë përfundimtare.

“Qendrat e Votimit mbyllen në orën 19:00, ose përtej kësaj ore për shkaqe të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Vetëm pas mbylljes së votimit, Komisioni i Qendrës së Votimit kryen procedurat për nxjerrjen e të dhënave, përfshirë edhe numrin e zgjedhësve që kanë votuar, dhe dokumentimin e tyre në procesverbalin që KQV plotëson duke respektuar procedurat e nenit 113 të Kodit Zgjedhor. Pra edhe në orën 19:00, kur Sekretari i KQV duhet të kryejë raportimin e fundit përmes telefonit celular, ai nuk disponon të dhënën e saktë për numrin e zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votime, pasi Kryetari i KQV, nën vëzhgimin e të gjithë anëtarëve të KQV dhe të vëzhguesve, nuk ka kryer ende veprimet për përcaktimin e numrit të zgjedhësve që kanë votuar mbi bazën e nënshkrimeve të tyre në listën e zgjedhësve dhe në Rregjistrin e Posaçëm të Zgjedhësve”, shprehet KQZ.

Duke sqaruar se mënyra e transmetimit të informacionit nga KZAZ-të në KQZ për pjesëmarrjen në votime gjatë ditës së zgjedhjeve, nuk është i rregulluar me akt normativ, institucioni më i lartë i administrimit të zgjedhjeve sqaron se: “Transmetimi i informacionit nga KZAZ në KQZ për pjesëmarrje në votime përmes  telefonit celular, është përdorur edhe në zgjedhjet e mëparshme në kushtet e mungesës së modulit për realizimin e transmetimit të tij.  Në zgjedhjet vendore 2015, ato për Kuvendin 2017, zgjedhjet e pjesshme 2013, 2016, 2017, transmetimi i informacionit për pjesëmarrje në votime nga KZAZ-të në KQZ është bërë si përmes dërgimit me e-mail të të informacionit, po ashtu edhe me anë të telefonit celular kur KZAZ nuk arrinin të dërgonin informacion në rrugë elektronike, për shkak të ngarkesës së punës ose qoftë edhe për neglizhencë”.

Një tjetër pikë, ku KQZ argumenton dhe rrëzon pretendimet e opozitës se ka pasur shtim të fletëve të votimit, është dhe një rast ilustrimi nga zgjedhjet e vitit 2017. “Për ilustrim, në  zgjedhjet 2017, të dhënat e publikuara nga KQZ për pjesëmarrjen në zgjedhje në orën 10:00 referonin raportimet e bëra nga 25% e QV; në orën 13:00 referonin raportimet e bëra nga 26,37% e QV, në orën 16:00 referonin raportimet e bëra nga 11,30% e QV, dhe  në orën 19:00 referonin raportimet e bëra nga 19% e QV”, shkruan KQZ.

Në fund, KQZ shprehet se saktëson se “Sa më sipër, edhe në zgjedhjet e datës 30 qershor, sikundër edhe në proceset zgjedhore të mëparshme, publikimi i informacionit nga KQZ për pjesëmarrje në votime gjatë ditës së zgjedhjeve, ka referuar të dhëna të cilat nuk mundet të konsiderohen të dhëna zyrtare përfundimtare për pjesëmarrjen në votime, sikundër në çdo zgjedhje janë konsideruar informacion paraprak dhe nuk janë përputhuar me të dhënat zyrtare që  disponohen vetëm nga dokumentacioni zyrtar zgjedhor: procesverbalet e plotësuara nga KQV pas mbylljes së votimit”.

Rama: Problemet të kënaqin më shumë pas fitores, se pas humbjes

Në një kohë që Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi po angazhohen me çdo mjet për të pasur sa më shumë protestues në shesh më 8 korrik, Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur krerëve të opozitës me një shprehje të Winston Churchill. “Problemet pas fitores janë më të kënaqshme se sa ato pas humbjes, por jo më pak të vështira”, shkruan Rama në postimin e tij vetëm me një fjali, por që merr kuptim në aktualitetin politik në vend.

Opozita është angazhuar për të mbajtur protestë më 8 korrik, ditën kur në Kuvend do të votohet ngritja e Komisionit Hetimor, që do të përgatis raportin përfundimtar në mënyrë që më pas  parlamenti të votojë shkarkimin e Ilir Metës. Protesta e opozitës e thirrur më 8 korrik, më shumë se sa për të parë reagimin e bazës pas bojkotit të zgjedhjeve, duket se do të jetë një shenjë falënderimi ndaj Ilir Metës, që  u bë lideri i këtëtr i opzitën në aksionin e saj për të bllokuar rendin kushtetues dhe demokratik për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor.

Opozita është duke kaluar një moment të vështirë, tashmë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po çertifikion rezultatin në çdo bashki, dhe ish të zgjedhurit e opozitës që drejtuan për katër vjet disa bashki në vend, shumë shpejt duhet të lirojnë karrigen për të zgjedhurit e rinj. Ndonëse zyrtarisht  disa syresh janë shprehur se nuk do të largohen nga zyra, gjasat janë që kjo rezistencë të venitet ashtu siç ndodhi me venitjen e rezistencës për pamundësimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Rama fton Bashën në “tango”(apo ftesë për në qeveri?)

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur qëndrimin  e tij për të bashkëpunuar me opozitën. Rama tha se pavarësisht se bojkoti i zgjedhjeve ishte ‘një vetëvrasje politike për opozitën”, gjërat mund të ndryshojnë në të ardhmen dhe të shihen me optimizëm në funksion të paqes, demokracisë dhe bashkimit të vendit.

“Politika duhet të bëjë punën e saj për të bashkuar vendin. Por sigurisht, tangoja vallëzohet dyshe. Shpresoj që miqtë tanë në opozitë të reflektojnë për këtë dhe të kuptojnë që ajo çfarë bënë ishte një katastrofë për vetë ata” –tha Rama

Të dielën, pas mbylljes së kutive të votimit, Kryeministri Rama, tha në një deklaratë për mediat se është i gatshëm të shtrijë dorën kundrejt opozitës dhe duke e ftuar atë në dialog pa kushte. Rama u shpreh i gatshëm për të bërë marrëveshje me opozitës, e cila ka dalë nga jeta politike me djegien e mandateve, por theksoi se i vetmja gjë për të cilën nuk do të diskutojë është Reforma në Drejtësi. “Mund të diskutojmë për Reformën Zgjedhore, por Reforma në Drejtësi nuk ka asnjë lloj diskutimi. Ajo nuk është më në duart tona, por atë të partnerëve tanë ndërkombëtarë.” Por Kryeministri ndryshe nga sa deklaroi te premten e fundit te Fushatës në Real Story (“nuk do të ndaj më pushtet me Lulin), kësaj radhe tha se nuk do diskutojë (vetëm) Reformën në Drejtësi. A janë të gjitha të tjerat në tavolinë. Deklarata se Presidenti pas Metës mund të mos jetë socialist dhe ftesa e të hënës për tango, ndoshta janë sinjalet se pas verës së nxehtë dhe kur kokat të ftohen, nga shtatori, çdo gjë është e mundur. Por Basha, duhet të reflektojë. Dhe të kapërcejë së pari hallet në Shtëpinë e tij. Halle që paradoksalisht mund t’ia zgjidhe vetëm “armiku” të cilit i kërkon kokën më kot t’ia presë, prej gjashtë muajsh. Siç thonë britanikët: “Nëse nuk e zgjidh dot një problem, puno me të”.

Ose merru me Jozefinën. Ku i dihet? Ndoshta është problem më i vogël…

Klarineta zëvendëson molotovin, opozita “aheng” për 30 qershorin

Ditë e diel, Shqipëria voton, opozita bojkoton, militantët e saj dëgjojnë Bashën, shmangin dhunën, ja marrin këngës me dajre e klarinetë rrugëve të Tiranës. Kjo është panorama e asaj që shihet në dy videot  e siguruara nga Realstory.al, ku militantët e Partisë Demokratike kanë daë rrugëve për të protestuar ndaj zgjedhjeve, të cilat opozita nuk i njeh.

Megjithatë, ndryshe nga sa ishte paralajmëruar për akte dhune, procesi i votimit ka nisur pa probleme në të gjithë vendin, dhe të paktën në dy orët e para të këtij procesi nuk ka pasur probleme mes qytetarëve që votojnë dhe atyre që refuzojnë.

Në fakt, nisur dhe nga thirrja e Lulzim Bashës të shtunën në mbrëmje, që u bëri thirrje militantëve të tij të shmangin aktet e dhunës dhe përplasjen me qytetarët që marrin pjesë ne votime, simpatizantët e PD-së kanë zgjedhur forma origjinale si kundërpërgjigje ndaj zgjedhjeve.

 Muzikë me instrumente popullore, vuvuzela, thirrje të ndryshme kundër zgjedhjeve, parulla me mbishkrimie ironizuese dhe marshim paqësor në rrugët e Tiranës, janë format me të cilën opozita po proteston kundër zgjedhjeve.

Shqiptarët të lodhur nga protestat e opozitës, mbi 68 % nuk janë dakord

Shqiptarët janë të lodhur me protestat e opozitës duke dëgjuar të njëjtin refren të kreut të PD-së Lulzim Basha dhe duke ndjekur të njëjtin intenerar nga Kryeministria drejt Parlamentit dhe më pas duke e mbyllur atë pranë Selisë së PD-së. Sipas sondazhit të GPF Inspiring Research shqiptarët janë pyetur:  A jeni dakord me strategjitë e opozitës për të protestuar në shesh?  Mbi 68 % kanë votuar se nuk janë dakord. Kjo shifër ka pësuar një rritje në përqindje, krahasuar me sondazhet e mëparshme. Ndërsa 31.4% janë dakord me protestat e opozitës, duke shënuar një ulje në krahasim me sondazhi i kaluar të 12 qershorit.

Basha, protesta në çdo qytet për të bllokuar 30 qershorin

Partia Demokratike ka vendosur se do të ketë protesta në të gjithë Shqipërinë, kudo që të shkojë Rama, duke kulmuar më 30 qershorin, për të mos lejuar procesin e zgjedhjeve. Këtë e ka deklaruar vetë kryedemokrati Basha gjatë mbledhjes së zhvilluar në selinë Blu me partitë e opozitës dhe me ish deputetët, ku kërkoi nga strukturat e partive opozitare që të ketë mobilizim sa më të madh qytetar.

Gjatë takimit Basha ka cilësuar se zgjedhje nuk do të ketë më 30 qershor dhe u ka kërkuar krerëve të bashkive opozitare  një revokim i listave të zgjedhësve. Lulzim Basha ka kërkuar që të bllokohet procesi zgjedhor në të gjitha bashkitë ku drejtojnë të zgjedhurit e djathtë.

Skip to toolbar