Opozita dhe qeveria në Shqipëri kanë qëndrime
të kundërta për raport-progresin e KE. Qeveria e pret me entuziazëm, ndërsa
opozita me skepticizëm.
Rekomandimi pozitiv, pa kushte, i Komisionit
Europian, (KE) të mërkurën (29.05.2019), drejtuar Këshillit Europian të BE, për
të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, është pritur me entuziazëm
nga qeveria dhe skeptizicëm nga opozita, e cila parashikon madje refuzimin. Ky
është i treti rekomandim që jep për Shqipërisë KE, duke filluar nga viti
2017.
Ambasadori i BE, Luigi Soreca, e konsideroi të
mërkurën rekomandimin e këtij viti, në konferencën e përbashkët për shtyp me
kryeministrin Rama, “një gur kilometrik shumë të rëndësishëm, të arritur
nga Shqipëria”. Për Ramën, KE dha rekomandimin ngaqë “Shqipëria ka bërë me
përpikmëri të gjitha detyrat e shtëpisë. Komisioni ka konfirmuar progres dhe
bazuar në fakte, shifra dhe analiza ka rekomanduar përsëri hapjen zyrtare të
negociatave,” tha kryeministri në konferencën për shtyp.
Por opozita jashtë sistemit politik, që hoqi
dorë nga mandatet parlamentare në shkurtin e kaluar dhe që atëherë vazhdon
protestat në rrugë dhe sheshe për të larguar kryeministrin Rama dhe rrëzuar
qeverinë e tij, të akuzuar prej saj për korrupsion dhe lidhje me krimin, mendon
ndryshe.
Berisha, ish-lideri i Partisë Demokratike,
(PD) shkruan në median sociale se “Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga
kushtet e kërkuara. Këshilli Europian do të votojë për hapjen e negociatave kur
ato të plotësohen, diku nga fundi i vitit 2020, për të mos thënë edhe më vonë”.
Ndërsa Basha, lideri aktual i PD, shprehu të
mërkurën bindjen se “Këshilli Europian do të votojë në qershor për mos-hapjen
e negociatave me Shqipërinë.”
” Ky është një lajm ndëshkimi për çdo
shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe
qeverinë e tij antieuropiane,” tha Basha.
Të njëjtin qëndrim mban edhe Lëvizja
Socialiste për Integrim (LSI), që është
bashkuar me të djathtën opozitare. Klajda Gjosha, ish-deputete e kësaj partie
dhe ish-ministre e Integrimit Europian, vuri në dukje se “sot për sot janë
katër shtete anëtare të pozicionuara qartë në votën kundër”.
Pollo –
BE fiksim në stabilitetin rajonal, pa kritika konstruktive
Por opozita jashtë parlamentare nuk ka një
qëndrim “en block” ndaj rekomandimit dhe parashikimit negativ për vendimin e
Këshillit Europian. Genc Pollo, ish-deputet i PD, ish-kryetar i Komisionit
Parlamentar të Sigurisë, tha për DW se shpreson që kësaj here negociatat të
hapen.
“Shpresoj të jetë e treta, e vërteta dhe
BE t’i përgjigjet rekomandimit me një vendim pozitiv”. Procesi i
negociatave mund të jetë një ndihmë e vyer për të kapërcyer situatën tejet të rënduar me kapjen e shtetit, me mpleksjen
e qeveritarëve me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë”, tha
për DW, Genc Pollo.
Ai kritikoi BE që nuk ka ndihmuar me politikat
e tij në 5 vitet e fundit që situata aktuale në Shqipëri të mos jetë aktualisht
kaq e përkeqësuar. “Nëse BE, në pesë vitet e shkuara nuk do të kishte
fiksim tek stabiliteti rajonal i garantuar nga ” të fortët” apo tek një
reformë e vetme komplekse, por tek të
pesta prioritetet dhe kriteret e Kopenhagen-it
si dhe të bënte kritika konstruktive në nivelin e atyre të deri 2013-ës, kjo do të kishte qenë një ndihmë e vyer për Shqipërinë Europiane
dhe situata nuk do të ishte përkeqësuar kaq shumë”, tha Genc Pollo për DW.
Apel
partive politike – kaloni përtej ndasive partiake
Vendimi i Këshillit Europian në qershor, për
hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, bazohet në analizën
e Progres Raportit 2019 dhe diskutimet e vendeve anëtare, një procedurë kjo për
çdo vend kandidat për anëtarësim.
”Tre javët në vijim të diskutimeve do të jenë kyçe.
Çdo shtet anëtar duhet të jetë plotësisht i bindur dhe ҫdo shtet anëtar ka
procesin e vet të vendim-marrjes për këtë çështje. Shqipëria ka nevojë për një
konsensus kombëtar për prioritetin madhor të integrimit europian duke tejkaluar
kështu polarizimimin, treguar vullnet të fortë politik për të qenë të bashkuar
në objektivin e integrimit europian dhe kaluar përtej polarizimit dhe ndasive
partiake”, tha ambasadori i BE, në Tiranë, Soreca.
Në të njëjtën linjë me ambasadorin Soreca, edhe Kryeministri Rama i bëri thirrje
Bashës dhe “opozitës që është në rrugë” të ndryshojnë qëndrim. “Deri
në momentin e vendimmarrjes nga Këshilli Europian është mirë që të mendojnë për
Shqipërinë, jo për partinë. Është mirë të mendojnë për gjeneratën tjetër, jo
për zgjedhjet e radhës. Është mirë të mos furnizojnë ata që mund të jenë të
lëkundur apo në kërkim të arsyeve për të thënë “jo” me pamje të
gënjeshtërta protestash partiake nga Tirana, protestash që nuk janë popullore,
që nuk pasqyrojnë realitetin,” tha të mërkurën kryeministri Rama.
Opozita ka paralajmëruar të zhvillojë
protestën kombëtare antiqeveritare të radhës
këtë javë, të shtunën më 31 maj.