SHBA tjetër goditje Metës, merr në “mbrojtje” Borchardt dhe Kushtetuesen

Bernd Borchardt, paraqiti të enjten përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, raportin vjetor të veprimtarisë së kësaj organizate në Shqipëri. Ndonëse ky raport nuk mund të publikohet, ambasadat përkatëse në Këshillin e Përhershëm, japin konsideratat e tyre në lidhje me punën e Prezencës së OSBE në Tiranë. Misioni Amerikan në OSBE, publikoi konsideratën e tij në lidhje me raportin e Bernd Borchardt.

“Prania e OSBE-së në Shqipëri ka qenë e domosdoshme për përparimin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimit të gjyqësorit dhe mbështetjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Ne e vlerësojmë raportin tuaj të detajuar”, thuhet në krye të deklaratë. Në fakt, duket një mesazh mbështetës i SHBA dhe Misionit të OSBE-së ndaj ambasadorit Borchardt, që është vënë në qendër të kritikave nga Presidenti Ilir Meta. Duke falënderuar punën e misionit të OSBE në Shqipëri, SHBA shprehet se Prezenca është e rëndësishme për të bashkuar politikanët shqiptarë për reformën zgjedhore.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se Prezenca ka një mundësi unike për të bashkuar politikanë dhe liderët në Shqipëri për të arritur një reformë të rëndësishme zgjedhore”, thuhet në komunikatën e Misionit Amerikan në OSBE. Ndërkohë, SHBA shpreh vlerësimin për Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore, që është duke punuar mbi rekomandimet e OSBE. “Jemi të kënaqur që Komisioni parlamentar “ad hoc” për Reformën Zgjedhore pranoi rekomandimet e ODIHR, ndërsa kërkon të përmirësojë sistemin zgjedhor. Shqipëria dha shembull për shtetet e tjera anëtare, duke përfshirë rekomandimet e OSBE-së. Ne presim që Shqipëria të vazhdojë të japë shembull, pasi do të ketë Kryesinë e OSBE-së për vitin 2020”.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet reformës në sistemin e drejtësisë dhe ngritjes së Gjykatës Kushtetutese, që së fundi është në ngërç. Së pari, SHBA shprehet se: “Reforma gjyqësore është thelbësore për përparaimin demokratik të Shqipërisë dhe krijon një bazë të fortë nga e cila Shqipëria mund të nxisë qeverisjen e mirë, të luftojë ekstremizmin e dhunshëm, korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e drogës”, thuhet në vlerësimin e SHBA.

Më tej, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë emërimin e anëtarëve të parë të Gjykatës Kushtetuese, duke u shprehur se duhet të punohet për plotësimin e kuorumit në këtë Gjykatë, me qëllim që të ketë mundësi të shqyrtojë çështjet. “Shtetet e Bashkuara u kënaqën kur dëgjuan përparimin në emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Është një hap pozitiv në rikthimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, puna mbetet, për të arritur kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar çështjet”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Gjithashtu, SHBA vlerëson punën e Prezencës së OSBE për “rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të KLGJ dhe KLP përmes mbështetjes teknike dhe nxitjes së bashkëpunimit rajonal. Ne i bëjmë thirrje Prezencës të ndihmojë Shqipërinë të zbatojë reforma shtesë”. Duke u ndalur te sfidat e Shqipërisë, deklarata e Misionit Diplomatik të SHBA në OSBE, zbulon edhe një detaj, që lidhet me krijimin e një programi master për kriminologji në Universitetin e Tiranës, që do të përgatisë ekspert për luftën kundër korrupsionit.

“Ne e vlerësojmë bashkëpunimin e Prezencës me institucionet shqiptare, autoritetet lokale dhe aktorët ndërkombëtarë për të ofruar trajnime dhe asistencë teknike për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara janë duke bërë pjesën e tyre, duke përfshirë kontributin në projektin jopublik të zyrës tuaj për të krijuar një program master për kriminologji në Universitetin e Tiranës”, thuhet në deklaratë.

Në fund, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen se “Shqipëria ka qenë një aleat i qëndrueshëm kur bëhet fjalë për adresimin e shqetësimeve të sigurisë me të cilat përballet Evropa. Duke marrë rolin e Kryetarit të Zyrës, Shqipëria ka shfrytëzuar mundësinë për të vërtetuar potencialin e saj drejtues në rajon, si dhe të demonstrojë aftësinë e saj për të qëndruar e fortë kundër ndikimeve malinje”, thuhet ndër të tjera në deklaratë. /Realstory.al/

Bushati kryeson misionin vëzhgues të OSBE në zgjedhjet parlamentare të Bjellorusisë

Ditmir Bushati është duke kryesuar misionin vëshgues të OSBE në zgjedhjet parlamentare të Bjellorusisë. Pak ditë pasi mori këtë detyrë nga Asambleja Parlamentare e OSBE, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë nisi punën zyrtarisht duke u vendosur në krye të 80 vëzhguesve, që do të monitorojnë zgjedhjet bjelloruse.

Vëzhguesit e OSBE do të shpërndahen në të gjithë Bjellorusinë, për të monitoruar zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit në këtë vend. Në konferencën e zhvilluar në Minsk, Bushati dhe vëzhguesit e tjerë të OSBE, dëgjuan Kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Bjellorusi për çështjet që lidhen me administrimin zjedhor dhe të drejtat e vëzhguesve ndërkombëtar.

Një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve në Bjellorusi, Ditmir Bushati si kryesues i misionit vëzhgues, do të mbajë një konferncë për monitorimin e zgjedhjeve. Më pas, pritet që të përgatitë dhe raportin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të Bjellorusisë.

Ndërkohë, kjo detyrë për Ditmir Bushatin vjen vetëm pak kohë para se Shqipëria të marrë kryesimin e OSBE për vitin 2020. Asambleja Parlamentare e OSBE-së e vlerësoi Bushatin si një diplomat me eksperiencë që mbajti postin e minsitrit të Jashtëm të Shqipërisë nga viti 2013 deri në vitin 2019.  

Presidenca e “zgjedhorja”, Sekretari i OSBE pret delegacionin e Kuvendit

Deputetët anëtar të Komisionit të Integrimit Europian, Rudina Hajdari, Senida Mesi dhe Ralf Gjoni, zhvilluan një takim zyrtar me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së Roberto Montella. Takimi i mbajtur në Kopenhagen të Danimarkës, sipas një njoftimi të bërë nga delegacioni i OSBE-së në Tiranë, pati në fokus disa çështje, përfshirë vendimin e Këshillit të Europës për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE si dhe procesi i reformës zgjedhore dhe gjyqësore.

Gjithashtu, në takim është diskutuar edhe për marrjen e Kryesisë së radhës së OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020. Sipas njoftimit, mësohet se “Sekretari i Përgjithshëm Montella theksoi se Kryesia e ardhshme e Radhës është një përgjegjësi dhe mundësi për mbarë vendin, si dhe një proces në të cilin duhet të përfshihen dhe bashkëpunojnë të gjithë aktorët kombëtarë, përfshirë Kuvendin. Po ashtu, ai përsëriti mbështetjen e fortë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Shqipërinë dhe shprehu shpresën për të forcuar më tej bashkëpunimin e shkëlqyer, gjatë vizitës së pritshme të nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare, në Shqipëri, në nëntor”.

Ai citohet të jetë shprehur se “OSBE-ja ka nevojë për udhëheqje të fortë dhe unë kam besimin që Shqipëria do të jetë në gjendje ta çojë përpara axhendën e OSBE-së, në frymën e përgjegjësisë dhe pronësisë së përbashkët”. Në takim është diskutuar edhe për tryezën e Reformës Zgjedhore organizuar nga OSBE pak ditë më parë në Tiranë. Sekretari i kësaj organizate në bashkëbisedimin me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, shprehu besimin se “të gjitha palët do të vijojnë të jenë të përkushtuara në procesin e reformës zgjedhore, përfshirë përfaqësuesit e qeverisë, opozitës parlamentare dhe jashtëparlamentare, shoqërisë civile, si dhe ekspertë vendas e të huaj”.

Dhuna ndaj grave, OSBE anketon gati 2 mijë femra në Shqipëri

OSBE do të publikojë të martën rezultatet e anketës për mirëqenien dhe sigurinë e grave në Shqipëri. Sipas një njoftimi zyrtar të OSBE, mësohet se anketa është e para e zhvilluar në Evropën Juglindore dhe Lindore. Anketa, e zhvilluar në vitin 2018, paraqet të dhëna të detajuara të dhunës fizike, seksuale dhe psikologjike që përjetojnë gratë dhe vajzat në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Moldavi dhe Ukrainë.

Anketa është zhvilluar dhe në Kosovë. Sipas OSBE, të dhënat e grumbulluara janë të krahasueshme me ato të Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore në anketën për dhunën kundër grave, zhvilluar në vitin 2012. Në Shqipëri, janë anketuar 1858 gra të moshës 18 deri në 74 vjeç, nga zona rurale dhe urbane, të cilat janë intervistuar për përvojën e tyre me dhunën dhe pasojat e saj në jetën e tyre.

Në takimin që do të mbahet në datën 8 tetor, pritet të flasin Ambasadori Bernd Borchardt, disa ministra të qeverisë dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Dhuna në familje, por dhe aspekte të tjera të saj, janë fenomen shqetësues në vendin tonë.

Vetëm pak kohë më parë, në Librazhd bashkëshorti vrau gruan dhe më pas dhe veten. Ndërkohë, të shpeshta janë rastet kur janë parandaluar raste të tjera të përshkallëzimit të konflikteve familjare, dhe kryesisht të dhunës së bashkëshortëve ndaj bashkëshortëve. Prej disa vitesh, dhuna në familje cilësohet si vepër penale në vendin tonë.

OSBE: Tregoni përgjegjshmëri për “Zgjedhoren”

“Reforma Zgjedhore duhet të vijojë me dialogun gjithëpërfshirës” ka deklaruar Asambleja e Përgjithshme e OSBE, e cila ka përshëndetur tryezën e dialogut të 25 shtatorit. OSBE përmes një mesazhi të shkurtër i bën thirrje politikës dhe në veçanti opozitës jashtëparlamentare, që u largua nga tryeza e dialogut, të tregojnë përgjegjshmëri dhe të angazhohen në diskutimet për reformën zgjedhore. Tryeza e dialogut gjithëpërfshirës për Reformën Zgjedhore të organizuar nga OSBE, ishte hapi i parë që i uli të gjitha palët politike,(pozitë, opozitë parlamentare dhe atë jashtë parlamentare) në një vend për të diskutuar në lidhje me reformën. OSBE deklaroi se palët duhet të vijojnë angazhimin në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme sipas rekomandimeve të dhëna.

I nxitim të gjitha palët në Shqipëri të vijojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.  Përshëndesim tryezën e së mërkurës të mundësuar nga  @OSCEinAlbania” shkruan në tëitter prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Tryeza, edhe pse pasoi me largimin nga tavolina të PD dhe opozitës parlamentare, ishte hapi i parë për fillimin e diskutimit për të gjitha palët. PD, përmes përfaqësuesit të saj Ivi Kaso, kërkoi ngritjen e një strukture të posaçme jashtë parlamentit që do të përbëhej nga PS, PD dhe ndërkombëtarët OSEB, BE dhe SHBA, por pa praninë e opozitës parlamentare. Kjo gjë u kundërshtua si nga OSBE, opozita parlamentare dhe kryeministri Rama.

Ambasadori Borchardt tha se OSBE nuk e qeveris ne këtë vend, që të marrim në dorë reformën, por e mbështet atë. Edhe kryeministri Rama gjatë një interviste nga New York tha se “nuk pranon përkthyes për të folur shqip”. Kjo kërkesë e PD, solli irritimin edhe të opozitës parlamentare, e cila në shenjë proteste u largua për disa orë nga tryeza duke e braktisur atë.

Raporti i ODIHR, Rama: Gati për dialog me opozitën, zgjedhjet në 2021

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter disa orë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit. Kreu i qeverisë i quan të kota përpjekjet e opozitës për mënyrën se si po e lexojnë raportin e ODIHR, duke dashur të ‘ngrejnë furtunë në gotë’. Rama shprehet se përpjekja e opozitës, për ta lexuar raportin si ‘goditje ndaj zgjedhjeve’ është e gabuar dhe dëmshme për vendin. “Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin, e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet”, shkruan Rama.

Më tej, shefi i qeverisë vijon me komentin e tij, duke shkruar se tashmë është koha që mazhoranca dhe opozita të punojnë për të realizuar adresimet kryesore të raportit të ODIHR. Ndaj, Kryeministri i kërkon opozitës të pranojë dialogun për realizimin e reformës zgjedhore, duke u shprehur se shqiptarët presin të ‘hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi’ për vendin. “Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi për Shqipërinë”, shkruan Rama.

Në fund, Rama përsërit thirrjen për bashkëpunim e dialog ndaj opozitës, duke u shprehur se ‘dora jonë është e shtrirë’. Ai gjithashtu jep dhe mesazhin, se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në vitin 2021, duke lënë të kuptohet, se mbetet i vendosur për të mos pranuar kushtin e opozitës për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore. “Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë dialogut e bashkëpunimit, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë”, përfundon Rama.

OSBE-ODIHR certifikon 30 qershorin, opozita thërret ‘fitore’

Pas publikimit të Raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, ka ardhur reagimi i dy forcave politike kryesore opozitare në vend. Për PD dhe LSI, raporti i ODIHR tregon ‘nevojën jetike për zgjedhje të lira’, duke i lexuar përfundimet e vëzhguesve ndërkombëtarë si ‘fitore të opozitës’. Në një koment në rrjetet sociale, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi shprehet se “ODIHR ‘konfirmuar zgjedhjet antikushtetuese të 30 qershorit”.

“Raporti i ODIHR është konfirmim se Shqipëria ka nevojë jetike për zgjedhje të lira e të ndershme. Më shumë se sa një ligj, një vendim, një rregullore, zgjedhjet demokratike janë vullnet politik. Konfirmimi nga ODIHR se votimet moniste dhe antikushtetuese të 30 qershorit ‘nuk morën në konsideratë interesin e qytetarëve shqiptarë’, është vlerësim që ndihmon forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri. Me konstatimet se votuesit nuk patën mundësi të zgjidhnin, se KQZ dhe Kolegji Zgjedhor shkelën ligjin dhe nuk vepruan në pavarësi, se u shkatërrua besimi i publikut në legjitimitetin e zgjedhjeve, se administratat zgjedhore cenoi besimin e publikut, se në listën e zgjedhsve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike që janë prove e votimit me përfaqësim nga të tjerët, ODIHR i vuri vulën paligjshmërisë së 30 qershorit”, shkruan Bardhi.

Nga radhët e LSI ka reaguar nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili, sipas të cilit, OSBE/ODIHR ka vënë ‘gishtin në plagë’, duke treguar paligjshmërinë në zgjedhjet e 30 qershorit.

“OSBE ODIHR ika vënë vulën e turpit votimeve të Edi Ramës. Shqipëria, për shkak të Ramës ka shënuar faqen e zezë, ka mbajtur votime pa ligj, pa rregulla dhe kundër Kushtetutës. Në raport flitet më shumë se çdo koment. Nuk pati legjitimitet në zgjedhje. OSBE vë gishtin mbi pagë. Konstatimet e OSBE thonë se nuk ka pasur liri të qytetarëve për të votuar. OSBE thotë se dekreti i presidentit për 13 tetorin nuk u publikua në Fletoren Zyrtare, edhe pse publikimi i këtij akti është i detyrueshëm me ligj. Të gjithë kopukët e pushtetit nuk njohin as ligj dhe as Kushtetutë. OSBE shprehet gjithashtu se ka pasur zona kur ka pasur një kandidat. Edhe në zgjedhje që kanë qenë veç vetë, kanë numëruar vetë dhe prapë kanë vjedhur”, është shprehur Vasili.

Por, me gjithë parregullsitë që cilëson raporti në zgjedhjet e 30 qershorit, ODIHR në rekomandimet kryesore të tij shtron nevojën për reformimin e sistmeti zgjedhor. Në këtë drejtim, opozita ende nuk ka është shprehur nëse do të bashkëpunojë, pasi ka marrë ftesë zyrtare nga mazhoranca për të bashkëpunuar. Pra, ndonëse i konsideron si ‘fitore’ gjetjet e raportit të ODIHR, opozita nuk thotë asnjë fjalë për rekomandimet e tij kryesore, dhe konkretisht, reformimin e sistemit zgjedhor. Gjithashtu, raporti i ODIHR, konfirmon zgjedhjet e 30 qershorit si të ligjshme, pra, rrëzon pretendimin e opozitës së zgjedhjet kanë rënë. Por edhe pse pas 30 qershorit opozita ka mbetur pa asnjë pushtet, opozita e quan fitore raportin e ODIHR, që në fakt rekomandon bashkëpunim për përmirësimin e sistemit zgjedhor, gjë të cilën në fakt, e ka thënë në çdo palë zgjedhje që ka vëzhguar. 

Meta i kërkon ndihmë OSBE për krizën politike, por nuk harron të sulmojë edhe Ramën

I pafuqishëm për të arritur të ulë të gjitha palët në një dialog politik dhe ‘çorba institucionale’ që bëri më dekretet e tij shumta, presidenti Meta ka kërkuar ndihmën e OSBE si institucionin e duhur për të zgjidhur krizën në vend. Ka qenë vetë Presidenca që ka zbardhur letrën që Meta i ka dërguar  Presidentit të Asamblesë së OSBE-së, Georgo Tsereteli si dhe ministrit të Jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajčák, që ka kryesimin e radhës të OSBE.

Në letër theksohet se Meta i kërkon zyrtarisht OSBE të ndërmjetësojë një dialog politik në Shqipëri për t’i dhënë fund krizës politike dhe të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të saj. Pavarësisht kërkesës për ndihmë, Meta nuk ka harruar as të sulmojë Ramën duke thënë se po tenton të marrë në dorë të gjitha institucionet e pushtetit duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme për demokracinë.

Do të doja t’i kërkoja zyrtarisht OSBE-së që të ndërmjetësojë një dialog politik gjithëpërfshirës në Shqipëri, me qëllim arritjen e një zgjidhje të gjithanshme, e cila të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm e krizës aktuale politike, institucionale dhe sociale në vend. OSBE-ja është institucioni i duhur për ta ndihmuar Shqipërinë në këto çaste kritike. Shqipëria aktualisht po përjeton një situatë të rrezikshme dhe të pashembullt politike, ku shumica qeverisëse në pushtet kërkon të shtijë në dorë politikisht të gjitha institucionet e kontrollit dhe balancimit të pushtetit, ndërsa opozita kërkon delegjitimitetin e institucioneve.” – shkruhet në letër

Presidenti Meta gjithashtu thekson se sipas tij zgjidhja e vetme e krizës vjen me mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe gjithëpërfshirëse. Madje ka bërë thirrje që kjo të ndodh sa më shpejtë në mënyrë që të mos ndikojë negativisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE por edhe në kryesimin radhës të OSBE.

Nga këndvështrimi im, zgjidhja e vetme e kësaj krize është mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, gjithashtu të domosdoshme për kredencialet demokratike të Shqipërisë, të cilës i është besuar kryesimi i ardhshëm i Organizatës sonë.” – shkruhet në letër.

Sipas Metës 13 tetori do të ishte datë ideale e zgjedhjeve të lira, datë e dekretuar prej tij vetë dhe pa konsultim politik, që erdhi pas çdekretimit të 30 qershorit.

Lexoni letrën e plotë:

Shkëlqesi,

Ishte kënaqësi të takohesha me ju në Tiranë, respektivisht  më 3 qershor dhe 25 korrik. Teksa Shqipëria po përjeton një krizë institucionale dhe përfaqësuese serioze e në të njëjtën kohë, po përgatitet të marrë kryesimin e OSBE-së, e vlerësoj sinqerisht vëmendjen e madhe me të cilën organizata juaj dhe ju personalisht, po ndiqni zhvillimet që po ndodhin dita-ditës në vendin tonë.

OSBE-ja mundet dhe duhet të luajë një rol më aktiv në këtë drejtim. Gjatë takimit tonë të fundit dhe produktiv me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së në Tiranë, ramë dakord se stabiliteti dhe uniteti kombëtar janë kyçe për përparimin dhe kryesimin e suksesshëm të OSBE-së më 2020-n nga ana e Shqipërisë.

Në këtë kuadër dhe në cilësinë e Presidentit të Republikës, institucioni që përfaqëson unitetin e popullit shqiptar, do të doja t’i kërkoja zyrtarisht OSBE-së që të ndërmjetësojë një dialog politik gjithëpërfshirës në Shqipëri, me qëllim arritjen e një zgjidhje të gjithanshme, e cila të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm e krizës aktuale politike, institucionale dhe sociale në vend. OSBE-ja është institucioni i duhur për ta ndihmuar Shqipërinë në këto çaste kritike.

Siç ju kam njoftuar edhe në disa raste të mëparshme, kriza politike në Shqipëri po thellohet dita-ditës. Tensionet politike dhe shoqërore po rriten, ndërsa polarizimi mes palëve kundërshtare po përshkallëzohet gjithnjë e më tepër. Shqipëria aktualisht po përjeton një situatë të rrezikshme dhe të pashembullt politike, ku shumica qeverisëse në pushtet kërkon të shtijë në dorë politikisht të gjitha institucionet e kontrollit dhe balancimit të pushtetit, ndërsa opozita kërkon delegjitimitetin e institucioneve.

Përshkallëzimi i mëtejshëm i krizës ka gjasa të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor e më gjerë. Këshilli Evropian pritet që të marrë një vendim më 17-18 tetor 2019 për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Mbetet ende i paqartë nëse do të merret një vendim pozitiv apo jo. Për më tepër, çdo përshkallëzim i krizës do të kompromentonte rëndë kredencialet e Shqipërisë si kryesuese e radhës e OSBE-së dhe aftësinë e saj për të drejtuar këtë organizatë në mënyrë të efektshme vitin e ardhshëm.

Nga këndvështrimi im, zgjidhja e vetme e kësaj krize është mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, gjithashtu të domosdoshme për kredencialet demokratike të Shqipërisë, të cilës i është besuar kryesimi i ardhshëm i Organizatës sonë.

OSBE-ja, si një forum për dialog dhe bashkëpunim, luan një rol kyç në promovimin e paqes dhe sigurisë në hapësirën euroatlantike. Mbështetja e saj ndaj rrugëtimit të Shqipërisë drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës përgjatë tri dekadave të shkuara ka qenë shumë e rëndësishme. OSBE-ja ishte në fakt, organizata e parë shumëpalëshe, në të cilën Shqipëria aderoi pas rënies së sistemit komunist. Në këtë prizëm, besoj se është në interesin më të mirë të OSBE-së që të angazhohet në mënyrë aktive për të zgjidhur dhe kapërcyer krizën në Shqipëri. Duke vepruar në këtë mënyrë, OSBE-ja do të forconte besueshmërinë e saj si një organizatë efektive rajonale e sigurisë dhe do të përfitonte nga investimi afatgjatë që është bërë për paqen dhe stabilitetin në Shqipëri dhe në tërësi, për Ballkanin Perëndimor.

I nderuar Kryetar i OSBE-së,

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i OSBE-së,

Dëshiroj t’ju informoj se kërkesa ime për ndërmjetësim të OSBE-së i është dërguar edhe Presidentit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Kjo e fundit është e përfshirë fort dhe e përkushtuar në promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Shqipëri. Duke pasur parasysh rolin dhe rëndësinë e dimensionit parlamentar, besoj se Asambleja Parlamentare e OSBE-së duhet të përfshihet në një përpjekje të përbashkët ndërmjetësuese për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.

Me pritjen që kjo kërkesë të shqyrtohet me kujdes!

Sinqerisht,

Ilir META

Meta i “mohoi” fjalën në deklaratë, sekretari i OSBE reagon në Twitter (tregon çfarë tha)

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger pati një takim pasditen e të enjtes me Presidentin e Republikës Ilir Meta në zyrën e kreut të shtetit shqiptar. Në përfundim të këtij takimi, presidenca bëri një deklaratë, ku ndër në pjesën kryesore të saj, citohej fjala e Ilir Metës ku kërkonte “ndihmën e OSBE për të zgjidhur krizën në Shqipëri”.

Gjithashtu në deklaratën e shpërndarë nga presidenca, shkruhej vetëm një fjali me citimin e Ilir Metës, rreth angazhimit të Shqipërisë si kryesuese e OSBE vitin e ardhshëm. Në fund, pasi citohej vetëm fjala e Ilir Metës në deklaratë, nuk shkruhej asnjë fjalë rreth qëndrimit që kishte patur Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, në lidhje me temat e diskutimit, për të cilat shprehej deklarata.

Në këtë “errësirë” informimi rreth qëndrimeve të zyrtarit të OSBE nga presidenca, ka reaguar vetë Thomas Greminger, i cili me vetëm një fjali në Twitter ka shkruar duke zbuluar njëkohësisht edhe axhendën e takimit të tij me Ilir Metën. “Në takim me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ne ramë dakord se stabiliteti dhe uniteti kombëtar janë çelësi për progresin dhe suksesin e ‘Albanian OSCE 2020 Chair”, shkruan Greminger.

Pra, asnjë fjalë për tema të tjera të diskutuara me Ilir Metën, por vetëm për atë që mesaduket është fokusi real i OSBE, angazhimi i Shqipërisë për kryesimin e kësaj organizate vitin e ardhshëm. Ndërkohë, lidhur me krizën, Sekretari i OSBE-së shprehu qëndrim paraditen e të enjtes gjatë takimit me Ministrin Gent Cakaj, ku gjithashtu theksoi se “kriza duhet të zgjidhet brenda kornizës kushtetuese”.

Artistët i kërkojnë ndihmë, OSBE: Prisni vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të OSBE, Thomas Greminger për të diskutuar dhe “mbrojtur” Teatrin Kombëtar nga vendimi i  qeverisë për ta shembur atë dhe ndërtuar një të ri me standardet e duhura. Greminger ndodhej sot në Tiranë, ku u takua me përfaqësues politik në vend.

Në letrën dërguar OSBE, Aleanca për Teatrin kërkon që të diskutojnë për një rrugëzgjidhje të mundshme për krizën dhe si rikthimi i shtetit ligjor do të ndihmonte Teatrin Kombëtar si dhe të gjithë vendin.  Pavarësisht ftesës për takim, OSBE  i është përgjigjur duke i thënë se e ka të pamundur për shkak të axhendës së ngjeshur, por thekson se të gjitha palët duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese para se të vazhdohet më tutje me këtë çështje.

“Kam marrë me kënaqësi ftesën tuaj, pasi ajo tregon konsideratë për Organizatën që unë përfaqësoj. Megjithatë, për fat të keq, për shkak të një vizite të shkurtër dhe një axhende të ngushtë, nuk isha në gjendje t’i përgjigjesha pozitivisht. Duke pasur parasysh zhvillimin e djeshëm, përkatësisht Presidentin e Republikës, duke paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me ligjin e posaçëm për ndërtimin e ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar, të gjitha palët duhet të presin vendimin e saj para se të vazhdojnë më tutje kjo çështje.” – shkruhet në përgjigjen e Greminger

Gjatë ditës së sotme, 25 korrik, Shqipëria do të vizitohet nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger. Për të…

Gepostet von Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit am Mittwoch, 24. Juli 2019
Skip to toolbar