“Basha nuk qeveris dot shtëpinë e tij”

Një lum kritikash ndaj Bashës ka bërë mbrëmë në emisionin “Open”, deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, e cila nuk hoqi dorë nga mandati ashtu siç bënë deputetët e opozitës.

Hajdari e akuzoi Bashën për autoritarizëm, për marrjen e vendimeve pa u konsultuar, ndërsa kërkoi largimin e tij për shkak se “nuk mund të qeverisë dot as shtëpinë e tij”.

“Vendimi për djegien e mandateve është marrë në mënyrë autoritare pa u konsultuar me bazën e partisë. Unë do të kërkoj së shpejti transparencë për partitë politike që nga financimi deri tek zgjedhja e kandidatëve. Lulzim Basha duhet të ikë pasi nëse nuk qeveris dot shtëpinë tënde nuk mund të qeverisësh vendin”, është shprehur Hajdari në emisionin Open.

Ajo gjithashtu bëri të ditur e konsultohet me zyrtarë amerikanë. “Sigurisht që unë këshillohem me miq të huaj, kam punuar në Kongresin amerikan, por nuk besoj dhe nuk mendoj se jam e privilegjuar prej tyre. Unë jam pjesë e komisionit të Jashtëm, atij të Integrimit, dhe interesohem nga afër për procesin e integrimit të Shqipërisë. Ne duhet të shohim një lloj mekanizmi që t’i provojmë liderët tanë në opinionin publik”, tha Hajdari.

Një tjetër dilemë e ngritur nga publiku, është a po përgatitet Rudina Hajdari të formojë një parti të re? “Nuk besoj se është momenti për këtë gjë. Unë besoj se është koha e duhur për të bërë disa reforma të rëndësishme, si ajo e Kodit Zgjedhor, që do të sjellë shumë ndryshime, e ndoshta edhe ndryshim të sistemit politik. Ajo që dua unë të shoh është të kemi një tryezë që përfshin të gjithë faktorët politik, që të flasë për një reformë të thellë qoftë për partitë politike, ashtu dhe për Kodin Zgjedhor”, tha më tej Hajdari.

Basha optimist: Ne jemi “de facto” shumicë!

Ashtu siç ishte paralajmëruar, paraditen e sotme, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka mbledhur kryesinë e partisë ku ka folur për protestën e 13 prillit dhe ka kërkuar pjesëmarrje sa më të madhe. Në këtë mbledhje Basha është shprehur mjaft optimist duke u bazuar në rezultatet e sondazheve vendase dhe të huaja, siç tha ai.

 “Kemi të gjithë situatën në favor. Ne jemi “de facto” shumicë. Që pas djegies së mandateve, PD ka një rritje të menjëhershme edhe mes të pavendosurve. Jemi shumicë absolute në çdo sondazh të pavarur vendas dhe të huaj. Duhet ta përkthejmë sa më shpejt në votë këtë mbështetje të shqiptarëve. Për këtë arsye, pjesëmarrja e lartë në protestë ka një rëndësi të jashtëzakonshme”, është shprehur Basha.

Ai gjithashtu sqaroi se dy janë kushtet e PD-së, largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie transitore.

“Kërkesa jonë mbetet e pandryshueshme. Largimi i Edi Ramës dhe qeveria tranzitore. Të shpjegojmë kudo në çdo takim që ne jemi shumicë dhe duhet ta tregojmë këtë”, deklaroi Basha.

Skip to toolbar