Tashmë e përçarë, por PD nuk heq dorë nga protestat. Ja data e ardhshme

Megjithëse tashmë është përçarë, Partia Demokratike nuk do të heqë dorë nga protestat. Vetëm dy ditë më parë, Rudina Hajdari njoftoi krijimin e Partisë Bindja Demokratike, e cila ndryshe nga PD do të marrë pjesë në zgjedhje dhe në punimet e Kuvendit. Ndërsa demokratët e Bashës që kanë dorëzuar mandatet dhe kanë braktisur kuvendin do të vazhdojnë rrugën e protestave.

Sot në PD është mbledhur Kolegji i Kryetarëve, i cili ka miratuar kërkesën e Lulzim Bashës që më 11 maj të zhvillohet një tjetër protestë e opozitës.

Edhe këtë herë protesta është menduar të zhvillohet pasdite në orën 18.00. Edhe protesta e fundit e opozitës, ajo e 13 prillit u zhvillua pasdite dhe pati konfrontim të protestuesve me policinë. PD vazhdon të refuzojë dialogun me kryeministrin Rama, por përmes protestave kërkon largimin e tij nga posti i kryeministrit.

LLeshaj: PD është kthyer në bandë, por s’mund të pengojë zgjedhjet

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një intervistë në Report TV tha se zgjedhjet do të zhvillohen në datën 30 qershor dhe asnjë parti nuk mund t’i pengojë ato. I pyetur për deklaratën e Berishës i cili tha se një ‘97 e dytë ia vlen për të mbrojtur votën e lirë, LLeshaj tha se “zgjedhjet nuk do të mund t’i pengojë asnjë parti që dëshiron të kthehet në bandë”.

Ai gjithashtu garantoi se Policia e Shtetit do të jetë në krye të detyrës për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“PD mund të tentojë të bëjë gjithçka që mendon në qasjen e saj për jetë a vdekje. Nuk e di se ç’mund të jetë kjo dilemë sot në këtë shekull. Shqiptarët e kanë provuar logjikën e antagonizmit jetik jetë a vdekje dhe do dinë ta përkthejnë vetë këtë retorik absolutisht të papranueshme, të paligjshme.

Zgjedhjet janë kryeinstitucioni demokratik mbi gjithçka. Kush mundohet t’i heqë shqiptarëve të drejtën e zgjedhjes po bën veprën më të rëndë penale. Çdo parti ka të drejtën të bëjë zgjedhjet e veta, të jetë parti, të kthehet në bandë, por të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur s’jua ka dhënë njeri, e kanë fituar vetë, dhe atë të drejtë nuk ka mundësi t’jua heqë askush, sikur të përpiqemi, të bëhemi edhe bashkë. Ditën që vjen dita e zgjedhjeve, do bëhen zgjedhjet.

Unë besoj që Policia e Shtetit është plotësisht e aftë për të garantuar ligjshmërinë në Shqipëri. Tek zgjedhjet përveç policisë, janë qytetarët e vendit që janë mbi të gjithë, që do të ushtrojnë të drejtën e tyre.

Marrëzi në këtë vend kemi parë shpesh herë gjatë këtyre viteve, në ’96; ’97; ’98, shqiptarët kanë arkivuar mjaft memorje për të reflektuar. Historia përsëritet në trajtë komedie, për arsye se duhet të dimë: Shqipëria është vend anëtar i NATO-s.

Nuk ndihem mirë teksa i dëgjoj këto thirrje në pragun e një vendimi historik për Shqipërinë që është hapja e negociatave për në BE”, tha Lleshaj.

Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në TV  se “për votën e lirë ja vlen çdo veprim që kur kombet kanë sakrifikuar për të ja ka vlejtur.  PD është në betejë për jetë a vdekje me armikun më të egër, të votës e rendit që është Edi Rama. PD është për fitore, ose vdekje”

Berisha, gati për një ’97 të dytë

Në një intervistë dhënë mbrëmë në ABC news ish kryeministri Sali Berisha është pyetur nëse do të kemi një ’97 të dytë, dhe përgjigja e tij në fakt nuk ishte e papritur duke marrë parasysh të gjitha thirrjet e tij për mosbindje civile.

“Për votën e lirë ia vlen çdo veprim që kur kombet kanë sakrifikuar për të, ia ka vlejtur. Ne kemi djeg mandatet, ne jemi qytetarë të thjeshtë, jemi në betejë dhe opozita ka detyrë të udhëheqë këtë betejë me çdo çmim”, i është përgjigjur Berisha pyetjes, ndërsa ka theksuar se “PD është në një betejë për jetë a vdekje me Ramën”.

“PD është në betejë për jetë a vdekje me armikun më të egër, të votës e rendit që është Edi Rama. PD është për fitore, ose vdekje. 30 qershori dhe opozita shumicë do t’i tregojë vendin këtyre që sillen si gangsterë dhe do t’u kthejë shqiptarëve të drejtën për të votuar si qytetarë. Opozita ka popullin, të drejtën, fuqinë e tyre. Ata kanë drogën, gangsterët, krimin e fuqinë e tyre do ta shohim kush do fitojë”, tha Berisha.

PD ka vendosur 3 kushte për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Ndërsa dje në kuvend Rudina Hajdari u zgjodh kryetare e grupit të ri parlamentar të PD-së duke deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhje dhe duke dalë hapur si një opozitë alternative, pavarësisht vendimit të Bashës e Berishës.

BE kërkon dialog: Opozita të futet në zgjedhje

Bashkimi Europian është i qartë në kërkesën e tij drejtuar politikës shqiptare: “Është koha për dialog”.  Kështu u shpreh sot për mediat ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, teksa theksoi se palët duhet të ulen në bisedime dhe se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

“Ne shpresojmë që opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Ne kërkojmë që opozita të jetë prezente. Tani është koha për dialog. Opozita duhet të flasë mes vetes dhe me qeverinë në mënyrë që të kemi pjesëmarrje”, tha Soreca për mediat pasi doli nga një takim me komisionarin për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Jam shumë i nderuar që kisha  të vizitojë zyrën këtu dhe të bisedoja me të gjithë personelin këtu. Kjo zyrë është shumë e rëndësishme si për vendin tuaj ashtu dhe për qytetarët. Ishte kënaqësi për mua që komisioneri më tha se ankesat që nga viti 2014 janë 10-fishuar. Kjo do të thotë se qytetarët e Shqipërisë tashmë janë të ndërgjegjësuar se në rast se e drejta e tyre për mbrojtjen e të dhënave personale shkelet ata kanë të drejtën të ankohen pranë institucioneve. Besoj që ju e dini se legjislacioni i BE për mbrojtjen e të dhënave personale është një ndër më të mirat. Shohim se Shqipëria po harmonizon legjislacionin e saj me atë të BE”, tha Soreca.

Mbledhje drejtuesish në PD. Diskutohet aksioni i opozitës

Dy mbledhje të rëndësishme janë parashikuar të zhvillohen sot në selinë e Partisë Demokratike. Kështu njoftohet se Basha do të mbledhë në orën 12.00 kryesinë e kësaj partie si dhe ish deputetët e Grupit Parlamentar, ndërsa në orën 17.00 do të mbledhë Këshillin Kombëtar.

Mësohet se në këto takime do të diskutohet dhe do të merret një vendim se si do të vijojë aksioni opozitar në ditët në vijim.

Një ditë më parë Basha zhvilloi një takim me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, ndërkohë që sot do të diskutojë më strukturat e partisë.

Opozita e Bashkuar prej kohësh tashmë ka braktisur parlamentin, ndërsa ka dorëzuar mandatet e deputetëve. Vetë Basha është shprehur në një intervistë televizive se nuk do të zhvillohen zgjedhje në 30 qershor.

Gratë e PD, bojkot Ambasadores Amerikane

Edhe njëherë klasa politike në Shqipëri ka dëshmuar se ndasitë janë shumë më të mëdha se gjërat që mund ti bëjnë bashkë. Por nëse kjo gjë më parë ka qenë shumë më e theksuar tek meshkujt në politikë, këtë të martë edhe gratë treguan se edhe për gjëra që i prekin, siç është kanceri i gjirit, nuk bëhen bashkë. Edhe pse ishin të ftuara në aktivitetin kundër diskriminimit në punësim të grave që vuajnë nga kanceri i gjirit, ish-deputetet e Partisë Demokratike, refuzuan pjesmarrjen, me përjashtim të Valentina Dukës. E përballë kësaj situate, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Leyla Moses-Ones, i drejtoi një thirrje të gjithë grave në poltikë. Një mësazh që shkonte përtej asaj salle:

“Shpresoj që kjo do të jetë një fushë e përbashkët ku ju, drejtuesit politikë të Shqipërisë të mund të mblidheni së bashku, të bashkoheni për ta çuar vendin përpara. Kur ju të lini mënjanë dallimet tuaja dhe të bashkoheni në të mirë të publikut, do ta drejtoni këtë vend me frymëzim.  Ju gratë e Shqipërisë mund të jepni një shembull për vajzat e reja, udhëheqësit e ardhshëm të këtij vendi dhe gjithashtu për kolegët tuaj meshkuj.” – u shpreh Moses-ones

Por ajo ishte me e drejtperdrejt kur i beri apel klases politke per te bashkepunuar ne te miren e vendit, perfshi dhe reformen zgjedhore.

“Koha është tani dhe mundësia është ketu, udhëheqësit shqiptar duhet të punojnë së bashku për të dhënë një shembull të shkëlqyer për qytetarët tuaj, zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri, ndoshta dhe reformë zgjedhore. Të gjitha këto janë të mundshme me drejtues të mirë në krye, në një bashkim përpjekejesh.” – mbyllin mesazhin e saj e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë.

Gjatë këtij aktivitetit u prezantuan gjetjet e një studimi të kryre mbi problemet që hasin gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit dhe diskriminimin që u bëhet atyre në pune. E gjatë fjalës së saj, e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, u përlot teksa solli përpara të pranishmëve historinë e nënës së saj, e cila e kishte humbur betejën me kancerin.

Grabitja, Lleshaj: Kjo luftë nuk mund të ndalet nga askush

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar për herë të parë për grabitjen në Rinas si dhe njëkohësisht i ka kthyer përgjigje akuzave të bëra nga Partia Demokratike në lidhje me ngjarjen.

Përmes një statusi në Twitter, Lleshaj ka thënë se lufta ndaj krimit nuk mund të ndalet nga askush.

“Edhe në momentin e një përplasjeje me armë të Policisë së Shtetit me një grup të armatosur kriminal, zëdhënësi/sekretari i një partie antiparlamentare sulmon ….. Policinë!!! Megjithatë të gjithë shqiptarët janë në krah të Policisë së Shtetit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Kjo luftë nuk mund të ndalet nga askush.” – shkruan Lleshaj

Tabaku: Në shesh jo për opozitë, por për sigurinë e secilit

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, pak orë para nisjes së protestës së opozitës së bashkuar, ka bërë një tjetër thirrje për qytetarët duke u renditu edhe një herë arsye pse duhet të protestojnë. Tabaku thotë se mungesa e lirisë, sigurisë, biznesit dhe pronës, janë disa arsye që qytetarët shqiptarë janë të cenuar nga qeveria dhe se sot nuk duhet të protestojnë për të sjellë opozitën në pushtet, por të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të kërkojnë mposhtjen e krimit.

“Sot, në shesh nuk luftojmë për pushtetin e opozitës. Luftojmë dhe qëndrojmë për lirinë e secilit prej nesh. Për lirinë e gëzimit të pronës. Për lirinë e shprehjes. Për lirinë e mendimit. Për lirinë e fjalës. Për lirinë e pronës publike nga dhuna e oligarkëve. Për lirinë e biznesit që sot po lëngon nga padrejtësia. Për lirinë e studentit që sot po dhunohet dhe përdoret për karrem. Për lirinë e pedagogëve që sot po poshtërohen dhe urdhërohen të jenë të qenurit shërbëtorë të regjimit. Për lirinë e qytetit nga thundrat e kriminelëve. Për lirinë e qytetarit që sot është prangosur nga qeveria. Sot, ne kërkojmë të mos përfundojmë në një gardh rrethuar nga telat me gjemba. Mos të lejojmë tiraninë të rikthehet për shkak të heshtjes sonë.” – shkruan Tabaku

Historia e vendit tonë është e mbushur me një betejë të pareshtur drejt lirisë dhe demokracisë.Në këto 2 dekada…

Publiée par Jorida Tabaku sur Samedi 13 avril 2019

Lleshaj përfundon në prokurori

Partia Demokratike ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Policinë e Shtetit për ushtrim dhune gjatë protestës së opozitës.

Prokuroria ka regjistruar kallëzimi penal të bërë nga PD-ja dhe ka thirrur për të dëshmuar Sekretarin e Përgjithshëm të saj, Gazment Bardhi, i cili pritet të paraqitet pranë organeve të prokurorisë ditën e hënë.

PD ka paraqitur prova të shumta në prokurori, ku akuzon policinë se “qëllimi i saj ka qenë pengimi i zhvillimit të protestës, duke hedhur mjete të helimit masiv dhe ujë me presion ndaj të gjithë protestuesve, jashtë rregullave dhe rrethanave të lejuara nga ligji.”

Prokuroria do të hetojë nëse Policia e Shtetit ka tejkaluar kompetencat e saj dhe nëse ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve.

Vazhdojnë “tradhtitë” ndaj PD dhe LSI

Që pas djegies së mandateve të opozitës, dy partitë e mëdha PD dhe LSI i kanë quajtur të gjithë tradhtar personat që nuk e kanë dorëzuar mandatin apo emrat e kandidatëve nga listat e tyre shumë-emërore që kanë pranuar të marrin atë.

Por pavarësisht kësaj, duket se vijojnë të shtohen ende kandidatët e rinj që kanë dorëzuar kërkesat e tyre pranë KQZ-së për të marrë mandatin e deputetit. Ditën e sotme KQZ ka miratuara dhënien e dy mandateve nga lista e PD-së, përkatësisht një në qarkun e Dibrës, Halil Jakimi dhe Arlind Çarçani për qarkun e Korçës.

Ndërkohë edhe dy kandidatë të tjerë Andi Përmeti nga lista e PD në qarkun e Korçës dhe Eugen Bojaxhiu nga lista e LSI-së në qarkun e Beratit kanë dorëzuar kërkesën për të marrë mandatin e deputetit.

Skip to toolbar