Makina përfundon në restorant, plagosen 5 persona në Cërrik, arrestohet shoferi

Një aksident ka ndodhur në qytetin e Cërrikut pasditen e të hënës. Një mjet, me drejtues një 38-vjeçar me inicialet J.Ç., banues në Cërrik, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një lokal.

Sipas një njoftimi të policiës, mësohet se për shkak të aksidentit, kanë mbetur të plagosur 5 persona, të cilët ishin duke drekuar në restorant, por fatmirësisht të lënduarit nuk janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë pas aksidentit, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes. Por policia ka arritur ta arrestojë disa orë më vonë drejtuesin e mjetit, i cili është shoqëruar në Komisariatin e Elbasanit, për të kryer veprimet e mëtejshme hetimore. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Sherr mes krushqëve në Dibër, 6 persona në gjendje të rëndë

Një sherr masiv mes krushqëve ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes në Dibër. Nga raportimet paraprake mësohet se nga sherri kanë mbetur të plagosur 6 persona. Ata janë dërguar në spitalin e Peshkopisë, ku mësohet se janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mësohet se sherri mes dy krushqive ka vijuar edhe gjatë kohës që kanë shkuar në spital, duke rënduar dhe më tepër gjendjen e tyre shëndetësore. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në bulevardin kryesor të qytetit të Peshkopisë.

Ende nuk dihet nëse gjatë konfliktit ka pasur përdorim të armëve të zjarrit apo mjeteve të tjera të rënda, ndërsa policia pasi është njoftuar ka shkuar në spital, ku mësohet se ka nisur punën për të vënë nën kontroll situatën.

Nga informacionet e para, mësohet se sherri ka nisur në një lokal në bulevard, ku personat janë konfliktuar fizikisht me mjetet forta mes tyre. Më pas kanë vijuar dhe në spital. Identiteti i personave të plagosur dhe atyre të përfshirë në sherr ende nuk bëhet i ditur.

Skip to toolbar