U vodhën në Gjermani, sekuestrohen tre makina luksoze me vlerë 450 mijë €

AKTUALITET


Vijon operacioni policor i koduar “Stolen line”, kundër trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit. Këtë të mërkurë, 19 gusht, janë sekuestruar tre automjete luksoze me vlerë rreth 450 mijë euro.

Siç bën me dije Policia, automjetet dyshohet se janë vjedhur në Gjermani. Tre personat që janë konstatuar duke drejtuar makinat janë proceduar penalisht, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim.

“Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestruan 3 automjete luksoze, konkretisht 1 automjet tip “Mercedes Benz G-Class 63 AMG”, me vlerë rreth 200 000 euro, 1 automjet tip “Mercedes Benz GT 63 AMG”, me vlerë rreth 150 000 euro, dhe 1 automjet tip “Mercedes Benz S-Class 580e”, me vlerë rreth 100 000 euro.

Në lidhje me këtë rast u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit F. D., 24 vjeç, dhe K. V., 22 vjeç, të dyshuar se kanë trafikuar në Shqipëri automjetet, me qëllim shitjen e tyre.

Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. H., 41 vjeç, S. U., 27 vjeç, dhe K. B., 39 vjeç, të cilët u konstatuan duke drejtuar automjetet në momentin e sekuestrimit të tyre.

Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.



Skip to toolbar