Zbulohet ujë në planetin K2-18b, mendohet të ketë jetë

Për herë të parë, astronomët kanë hyrë në atmosferën e një exoplaneti, një planet jashtë sistemit tonë diellor. Shkenctarët kanë zbuluar në atmosferën e këtij planeti avuj uji dhe temperatura që mund të ndihmojnë potencialisht zhvillimin e jetës, thuhet në një studim të ri. Exoplaneti, i njohur si K2-18b, është tetë herë më i madh se masa e Tokës dhe njihet si një super-Tokë. Ai ndodhet në orbitën e një ‘ylli xhuxh’, 110 vite dritë larg Tokës, në yjësinë Leo. Planeti u zbulua për herë të parë në vitin 2015 nga anija kozmike  Kepler e NASA-s.

Një ekip hulumtuesiesh përdori të dhënat arkivore të mbledhura nga Teleskopi Hapësinor Hubble midis vitit 2016 dhe 2017, i cili kapte dritën e yjeve ndërsa kalonte nëpër atmosferën e exoplanetit. Studiuesit thanë që ata panë qartë avujt e ujit në atmosferë kur i vendosën të dhënat e tyre përmes algoritmeve. Studiuesit, gjithashtu, janë shprehur se kanë gjetur shenja të hidrogjenit dhe heliumit në atmosferë, dy nga elementët më të bollshëm në univers.

Zbulimi i avujve të ujit në atmosferën e këtij exoplaneti është tërheqës për studiuesit, pasi ky planet është brenda zonës së banueshme të yjësisë së tij, ku përfshin temperaturat e duhur që uji i lëngshëm të ekzistojë në sipërfaqen e planetit. Kjo do të thotë që jeta mund të ekzistojë në K2-18b. Studiuesit publikuan gjetjet e tyre në revistën Nature Astronomy të mërkurën. “Gjetja e ujit në një botë potencialisht të banueshme, përveç Tokës, është jashtëzakonisht emocionuese”, tha Angelos Tsiaras, bashkëpunëtor i studimit në Qendrën Hapësinore në Kolegjin Universitar të Londrës.

Zbulohet planeti ku njerëzimi mund të zhvillojë jetën në të ardhmen

NASA ka zbuluar tre planete jashtë sistemit tonë diellor dhe njëri prej tyre, GJ 357 d, mund të jetë i banueshëm. Megjithatë tani për tani atje është ende ngricë. Në fakt studiuesit donin vetëm të vërtetonin ekzistencën e një planeti, për të cilin prej kohësh ata mendonin se ekzistonte. Por gjatë hulumtimeve ata zbuluan njëkohësisht edhe dy planetë të tjerë, ndër ta edhe planetin GJ 357 d, i cili me gjasë mund të jetë i banueshëm.

Të tre planetët e zbuluar rrotullohen rreth Diellit GJ 357 në konstelacionin e yjeve Gjarpëri i Ujit (Hydra) dhe kanë një distancë 31 vjet dritë larg. Këto planete u zbuluan nga teleskopi i NASA-s  Transiting Exoplanet Survey Satellite (TESS). Gjatë këtij vëzhgimi ata hasën në ekzistencën e një exoplaneti, i cili në orbitën e tij pjesërisht e mbulonte yllin e kësisoj drita zbehej. Fjala është për Voilà – GJ 357 b. Planeti ka një temperaturë ekuilibri të llogaritur prej rreth 250 gradë Celsius duke u cilësuar si planeti i nxehtë.

Gjatë vëzhgimeve të tyre astronomët hasën në sinjalet e dy exoplanetëve të tjerë: GJ 357 c dhe GJ 357 d. Edhe planeti GJ 357 c sipas përllogaritjeve duhet të jetë i shumë i nxehtë: ai ka një temperaturë ekuilibri prej rreth 130 gradë Celsius, thanë studiuesit.

Planeti GJ 357 d është sipas shkencëtarëve shumë larg diellit të tij, ndaj vështirë se ai mund të jetë i banueshëm, ai ndodhet në periferinë ekstreme të një zone të banueshme të sistemit të tij. Me një temperaturë të llogaritur prej minus 53 gradë Celsius ky planet duket në vështrim të parë si i pamundur që të banohet. Por “nëse planeti ka një atmosferë të dendur, që duhet të përcaktohet në studimet e mëtejshme, ajo mund të thithë ngrohtësi të mjaftueshme për ta ngrohur planetin dhe për të lejuar depërtimin e ujit në sipërfaqen e tij”, shkruajnë studiuesit.  Ai ka një masë prej të paktën 6.1 herë më të madhe se Toka dhe sillet rreth yllit të tij çdo 55.7 ditë me një distancë rreth 20 % të largësisë së Tokës nga Dielli.  

Skip to toolbar