Në kuadër të operacionit “Plazh i Lirë”
policia e shtetit njofton se ka çuar për procedim penal nënkryetarin e bashkisë
së Sarandës, Jorgo Mitro pasi nuk ka ekzekutuar vendimin e kryetarit të bashkisë
për lirimin e një sipërfaqe plazhi publik në Ksamil që shfrytëzohej nga privati
në mënyrë të paligjshme. Policia gjithashtu ka kërkuar procedim penal edhe ndaj
6 pronarëve të subjekteve të ndryshme, 5 në Qarkun Vlorë dhe një në Divjakë,
nga të cilët 5 për “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 për “Zënia e hapësirave
publike”.
Gjatë këtij operacioni policia ka liruar dhe
ka kthyer në dispozicion të pushuesve 10 000 m2 plazh të zaptuar në mënyrë të
paligjshme në Ksamil.
Është
proceduar penalisht shtetasi K. I., 35 vjeç, banues në Ksamil, pasi
gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e tij, tek zona bregdetare e quajtur
“Pema” në Ksamil, janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave
materiale 1185 shezlongë, 351 çadra dhe një
tendë dielli për mbulimin e shezlongëve rreth 40 m e gjatë, të cilat
shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa lejen përkatëse nga Bashkia e Sarandës.
Në Himarë Policia gjatë kontrollit në Jal, ka
proceduar penalisht shtetasit G. S., 47 vjeç, banues në Fier (administrator
subjekti) dhe Z. D., 34 vjeç, banues në Himarë (administrator subjekti), pasi
gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektet
“Plazh Privat” në Jal, nën administrimin e këtyre shtetasve,
Policia konstatoi se në këto subjekte nuk lëshohej kupon tatimor, kishte
mungesë dokumentacioni dhe ushtronin aktivitetin pa kontratë qiraje nga Bashkia
Himarë.
Operacioni ka vijuar në Vlorë ku janë proceduar
penalisht shtetasit L. M., 52 vjeçe, banuese në Vlorë (administratore subjekti)
dhe E. N., 38 vjeçe, banuese në Vlorë (administratore subjekti), pasi në
subjektet e tyre në lagjen “Ujë i Ftohtë” kishte
mungesë dokumentacioni dhe pa kasë fiskale.
Po gjatë operacionit që ka vijuar edhe në
Divjakë, Policia ka proceduar penalisht
shtetasen E. A., 38 vjeçe,
banuese në Divjakë, (administratore) për fshehje të të ardhurave dhe mospagim
të taksave dhe tatimeve. Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Divjakës, u
gjetën mangësi në dokumentacion, në subjektin sezonal që ajo ka në këtë plazh,
duke mos deklaruar të ardhurat e duke mos paguar sigurimet.
Operacioni do të vijojë në gjithë zonën
bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të
zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin dhe për të ndëshkuar
evazionin fiskal, në biznes, hidrokarbure, ndërtim etj.