Ishte pezulluar nga detyra, kush është polici të cilit iu dogj makina në Elbasan

AKTUALITET


Gjatë natës të së enjtes në qytetin e Elbasanit u dogj mjeti i ish-inspektorit të Krimeve të Rënda në Policinë e këtij qyteti, Edvin Gjyli. Mjeti ndodhej i parkuar në momentin që është përfshirë nga flakët. Ndërkohë, gazeta Panorama zbardh detaje në lidhje me ish-inspektorin e Policisë së Elbasanit. Edvin Gjyli nuk është një emër i panjohur në media. Ai u pezullua nga detyra, me akuzën se bashkë efektivë të tjerë nxorën sekretin hetimor të zbulimit të arsenalit të armëve në Papër të Elbasanit.

Një ditë pas zgjedhjeve lokale, që korrespondonte edhe me një atentat me armë zjarri ndaj dy vëllezërve në Elbasan, njëri prej të cilëve mbeti i vrarë, Policia zhvilloi një operacion, duke zbuluar një arsenal armësh. Një njësi e repartit special RENA dhe policia lokale në një magazinë në Papër të Elbasanit, gjeti dhe sekuestroi disa armë zjarri.


Burime të rezervuara nga Policia thanë aso kohe se u bllokuan 7 automatikë, 5 pistoleta, dylbi, fishekë dhe një automjet fuoristradë. Megjithatë, për këtë operacion nuk u dha asnjë njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit, që në rastin më të mirë mund të ishte ende në hetim e sipër për arrestimin e ndonjë të dyshuari.

Pasi lajmi u publikua në media, nisi ecuria disiplinore për 4 oficerë. Arsyetimi: Kanë dekonspiruar operacionin. Çështja nuk mbeti vetëm me kaq, pasi pas kesaj Ministria e Brendshme njoftoi se SHÇBA ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Elbasanit, që kishte caktuar masat “Pezullim të ushtrimit të detyrës” për 4 punonjës Policie në nivel drejtues.

Konkretisht, Gjykata ka marrë këtë vendim për Bilal Semanajn, shef i Komisariatit të Cërrikut, Albion Xhitozin, shef i Krimeve në Komisariatin e Cërrikut, Edvin Gjylin, specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Elbasanit dhe Eduart Hasanin, specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Elbasanit.




Skip to toolbar