Detaje, skema e mashtrimit me TVSH, 15 biznesmenë në pranga

Mbrëmjen e të mërkurës u zhvillua një aksion i Policisë së Shtetit, nga ku mësohet se  janë shoqëruar rreth 50 persona, por në fund janë vënë në pranga 17 prej tyre. Të gjithë të arrestuarit janë biznesmenë që operojnë kryesisht në sektorin e ndërtimit, por edhe në biznese të tjera. Personat e arrestuar kishin ngritur një skemë mashtrimi me TVSH-në në bizeset e tyre, duke i shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar me rreth 4 milion euro.

 Mësohet se për të përfituar në mënyrë  të paligjshme nga skema e mashtrimit. Pas hetimeve, Prokuroria ka nxjerrë 20 urdhra arresti, duke ekzekutuar 17 prej tyre. Por në fund, 15 persona janë mbajtur në qeli, ndërsa dy të tjerë janë lënë të lirë dhe do të hetohen në gjendje të lirë.

Aksioni vjen në kuadër të goditjes së informalitetit në ekonomi, një nismë e qeverisë që vijon prej muajve të verës. Më herët, në kryeqytet po në kuadër të aksionit kundër informalitetit, u arrestuan 4 pronarë dhe 4 punonjës të kompanive të transportit publik në Tiranë, të cilët dyshohet se përdornin bileta të falsifikuara duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm shtetit.  

Breshëri plumbash lokalit në Tiranë, shpëton për mrekulli biznesmeni

Është qëlluar me breshëri plumbash drejt një lokali në rrugën dytësore të autostradës Tiranë –Durrës, ndërkohë që ka shpëtuar për mrekulli pronari, 49-vjeçari me inicialet P.L.

Policia e Tiranes njofton se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës, në rrethana ende të paqarta.

Sipas policise, “është qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit në pronësi të shtetasit P. L., 49 vjeç, banues në Domje”.

Për fat nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar, përveç disa dëmeve materiale përreth.

Grupi hetimor po kryen hetimet në lidhje me zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave si dhe po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve

Ata do të përballen me akuzën për veprat penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kanosje” dhe “Prishja e qetësisë publike” .

Plagoset veten me armë i moshuari, rrezikon edhe burgun

Një i moshuar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në Bushat të Shkodrës, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas të dhënave paraprake mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:10 në oborrin e shtëpisë së 70-vjeçarit të plagosur P. Dodaj.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes nga ku ka mësuar se i moshuari është vetëplagosur me armë zjarri dhe menjëherë është transportuar në Spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit, me të cilën dyshohet se është vetëplagosur P. Dodaj dhe vijon punën nën drejtimin e Prokurorit për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë, i moshuari, veç plagës tashmë do përballet edhe me akuzën e armëmbajtjes pa leje, për të cilën mund të arrestohet nga policia.

Policia liron kreun e FRPD në Shkodër, Arvit Bushati

Është liruar nga qelitë e Komisariatit të Policisë së Shkodrës, kryetari i Forumit rinor të Partisë Demokratike, Arvit Bushati. Ai u ndalua në përfundim të protestës që PD zhvilloi të hënën në Shkodër, gjatë kohës që zhvillohej konstituimi i Këshillit bashkiak, dalë na zgjedhjet e 30 qershorit.

Bushati u ndalua pasi në disa momente, gjatë kohës që mbahej mbledhja e këshillit bashkiak, mes protestuesve dhe policisë pati tensione, ndërsa në fund të saj, disa militant të PD hodhën shihe uji në drejtim të deputetit Tom Doshi dhe këshilltarëve socialist.

Ndërkohë, përfaqësues të Partisë Demokratike, kanë qëndruar duke protestuar përpara komisariatit të Shkodrës, deri në momentin që u lirua kreu i FRPD-së në këtë qytet. Kujtojmë se gjatë momentit që policia shoqëroi Arvit Bushatin, ishin të pranishëm dhe drejtues të Partisë Demokratike. Ish-deputeti Bardh Spahia pati dhe një debat me disa punonjës të policisë, duke e cilësuar ndalimin e kreut të FRPD si ‘të paligjshëm’.

Kufoma e gjetur në Durrës, Policia: I veshur me rroba, nuk ka shenja dhune

Paraditen e të dielës në Durrës u gjet një trup i pajetë rreth 6 milje larg portit të Durrësit. Ishin peshkatarët, ata që gjetën trupin duke peshkuar, ndërsa në informacionin paraprak shpërndarë mediave, thuhej se trupi, sipas policisë, dyshohej se ishte i vrarë dhe i lidhur me natriban.

Mirëpo, pasditen e të dielës, Policia e Shtetit ka publikuar një informacion zyrtar, ku saktëson se trupi nuk ka qenë i lidhur me natriban, dhe nuk ka pasur shenja apo dëmtime të ndonjë natyre tjetër.

“Më datë 18.08.2019, në orët e para të mëngjesit, një peshkarexhë që kishte dalë për gjueti, rreth 4 milje larg Durrësit duke ngritur rrjetat dhe ka konstatuar në rrjeta një trup të pajetë të seksit mashkull.  Kufoma është transportuar në morgun e spitalit për ekspertizë mjeko-ligjore. Nga ekspertiza e jashtme, trupi nuk ka qenë i lidhur apo i mbështjellë”, deklaroi policia duke hedhur poshtë dyshimet e para se ai mund të ketë qenë i mbështjellë me natriban.  

“Nga kqyrja nuk janë evidentuar shenja dhune apo dëmtime të ndonjë natyre tjetër. Trupi ishte i veshur me rroba, i janë evidentuar gjithë gjymtyrët, por është dekompozuar për shkak të lagështisë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet për identifikimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, shkruan Policia në komunikatën shpërndarë mediave.

I iku policisë dhe braktisi makinën me 25 kg kanabis, kapet kolonjari

Policia ka arrestuar një 38-vjeçar nga Kolonja, pasi në datën  13 prill të këtij viti, ky shtetas u largua duke mos ju bindur patrullës së Policisë në Pogradec, dhe më pas braktisi mjetin e tij me 25 kg lëndë narkotike kanabis në afërsi të fshatit Udenisht. Sipas një njoftimi të policisë, mësoyhet se është vënë në pranga shtetasi me inicialet E.J., 38 vjeç banues në fshatin Selenicë të Kolonjës.

Shtetasi i mësipërm, ishte shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 13.05.2019, ndodhur në vendin e quajtur “Enkelana”, Pogradec, i cili për të shmangur kontrollin policor, është larguar me shpejtësi dhe ka braktisur mjetin e tij tip “Benz” në afërsi të fshatit Udënisht.

Gjatë kontrollit të automjetit shërbimet policore kanë gjetur në bagazh, një sasi prej 25 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Ndaj 38 vjeçarit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Po tentonte vrasjen e radhës, kapet vrasësi që tronditi Shkodrën

Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën se ka parandaluar një vrasje në Tiranë dhe ka vënë në pranga shtetasin Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar më parë për një vrasje në një tallava në Shkodër në vitin 2014, për të cilën ishte shpallur në kërkim.

Sipas policisë personi i arrestuar paraqiste rrezikshmëri të lartë ndërsa arrestimi i tij është bërë falë denoncimit të qytetarëve të cilët kanë parë lëvizje të dyshimta të 28-vjeçarit i cili kur u kap nga policia kishte me vete dhe një armë të mbushur me plumba.

“Në zbatim të planit tëmasave për kapjen e personave në kërkim, evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, falë marrjes së informacionit nga qytetarët dhe bashkëpunimit mes strukturave të DVP Tiranë e DVP Shkodër, është bërë i mundur parandalimi i një vrasjeje. Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore,  i dënuar për vrasje dyshohejse do të kryente një krim të rëndë në Tiranë.

Mbrëmë rreth orës 20:50 është marrë njoftimi nga ana e shërbimeve të Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë së në rrugën “Bilal Xhaferi”, ndodhej një person i cili bënte lëvizje të dyshimta dhe dyshohej se kishte armë zjarri me vete.

Policia ka organizuar punën duke bërë lokalizimin e menjëhershëm të personit të dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë mbajtur nën kontroll personin duke bërë të mundur që me metoda të shpejta proaktive në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Shkodër të identifikonin personin e dyshuar, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Shërbimet policore kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe shoqëruar në komisariatin e Policisë Nr. 2, shtetasin Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.

Këtij shtetasi në momentin e kontrollit i është gjetur në çantën e dorës një armë zjarri pistolete e tipit Bereta, me 14 fishekë dhe një fishek në fole gati për qitje”, njofton policia e shtetit.

Erkoçeviq ka qenë i dënuar më parë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 20 vite burg për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve e municioneve luftarake”.

Erkoçeviq është një emër i njohur për policinë dhe i shpallur në listën e 31 më të kërkuarve në Shkodër. Ai akuzohet për vrasje me dashje në vitin 2014.

Në atë kohë, pas një sherri për një balerinë në një lokal me muzikë live i riu ka vrarë me armë zjarri shtetasin Indrit Ylli dhe ka plagosur shtetasin Jetmir Molla.

Në lokalin “Enigma”, në fshatin Zus, në Shkodër, kishte shkuar i ndjeri Indrit Ylli se bashku me kushëririn e tij, Ervin Ylli, dhe një shokun e tij, Fabian Hoxha. Në këtë lokal, më pas ka shkuar edhe shtetasi Jetmir Beqiri (Mollaj), së bashku me shokun e tij, Altin Haxhi. Shtetasi Jetmir Beqiri (Molla) është kushëri me të ndjerin Indrit Ylli dhe me shtetasin Ervin Ylli.

Ata janë takuar në lokal dhe kanë shkëmbyer pije me njëri-tjetrin. Në një moment, rreth orës 24.00, i ndjeri Indrit Ylli është çuar së bashku me Jetmirin dhe shokun e tyre Fabian dhe kanë filluar të kërcejnë në mes të lokalit.

I ndjeri Indrit është afruar te tavolina, ku qëndronte Elion (Esmeraldo) Hato, së bashku me shokët e tij dhe ka marre nga tavolina e tyre një balerinë për të kërcyer me të. Në këtë moment, mes të ndjerit Indrit Ylli dhe shtetasit Sadetin Erkoçeviq (Lisi), i njohur me emrin “Timi”, ka filluar një debat lidhur me balerinën, debat që ka përfunduar në përdorimin e armëve.

Policia njofton se vetëm gjatë muajit korrik dhe gjysmën e parë të muajit gusht falë bashkëpunimit me qytetarët janë kapur 38 persona që qarkullojnë me armë zjarri, si dhe janë sekuestruar mbi 60 armë zjarri të kalibrave të ndryshëm dhe municion luftarak.

Nga 275 operacione të koduara të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit gjatë këtij 8 mujori, 123 prej tyre janë si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë, të mbështesin Policinë, të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm!

“Plazh i Lirë” pastron Velipojën e Lezhën, dy drejtorë në pranga

Operacioni policor “Plazh i Lirë” ka zbarkuar në Velipojë dhe në Lezhë ku ka bërë të mundur lirimin e plazheve nga zaptuesit privatë pa leje duke arrestuar 2 drejtorë të Bashkisë Lezhë dhe 5 administratorë biznesesh.

Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale A.N., me detyrë Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, dhe S.T., Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Lezhë, për lejimin dhe dhënen e lejes së ndërtimit në zonë të mbrojtur.

Gjithashtu janë proceduar edhe 5 përfaqësues ligjor subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim taksash”, si dhe janë liruar rreth 8000 m2 plazh.

Policia bëri të mundur që të lirojë plazhin në Kune, Shëngjin, rreth 8000 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen rreth 500 çadra e shezlongë.

Ndërsa në në Velipojë u lirua rreth 2500 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen 235 komplete (shezlongë + çadra + karrige).

Procedohen nga Policia e Shkodrës dy pronarë subjektesh që kishin zaptuar hapësirën publike në plazh.

Operacioni vijon në gjithë vijën bregdetare të vendit.

Xhamat e zinj dhe alkooli në timon, policia vë në pranga 17 shoferë, pezullon 117 patenta

17 shoferë janë arrestuar nga policia gjatë javës së kaluar, 117 patenta janë pezulluar dhe janë vendosur mbi 3200 gjoba nga policia rrugore në Tiranë. Shkak kryesor kanë qenë përdorimi i makinave me xhama të zinj, përdorimi i alkoolit në timon dhe shpejtësia tej normave të lejuara që përbëjnë burim për aksidente rrugore.

Si pasojë janë arrestuar në kushtet e flagrancës 17 shtetas, nga të cilët 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 8 të papajisur me leje drejtimi si dhe 2 drejtues mjeti për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Janë pezulluar 117 leje drejtimi, nga të cilat 33 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 39 për shpejtësi mbi normat e lejuara si dhe 45 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Janë proceduar administrativisht 17 drejtues mjetesh për mosrregullim shpejtësie dhe gara me shpejtësi.

Janë proceduar administrativisht 56 drejtues mjetesh për xhamat e portave të para të errësuar.

Janë proceduar administrativisht 2 drejtues mjetesh për posedim të sistemeve shtesë pamore dhe zanore.

Janë proceduar administrativisht 425 drejtues mjetesh për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit.

Janë proceduar administrativisht 121 drejtues motomjetesh për mosperdorim të kaskës mbrojtëse.

Janë proceduar administrativisht 78 drejtues mjetesh, për mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve.

Janë vendosur 3200 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Kërcënuan familjen për 50 mijë euro, në pranga tre vëllezër në Tiranë

Tre vëllezër janë arrestuar të martën nga policia pasi kanë gjobitur një person, duke e kërcënuar atë me jetën e tij dhe familjes. Në pranga ka rënë Xhekson Titini, i cili është kreu i grupit si dhe dy vëllezërit e tij binjakë Eugert dhe Aleks Titini  32 vjeç, të lindur në Dibër, por banues në kryeqytet.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se tre vëllezërit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar t’i marrin në formë gjobe një shumë prej 50 mijë euro një personi, nëpërmjet kërcënimeve të vazhdueshme për jetën e tij dhe të familjarëve.

Mbi ta rëndon akuza për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim.

Të tre vëllezërit sipas policisë u arrestuan në kuadër të operacionit “BROTHERS”.

Skip to toolbar